Bashkimi Evropian kërkon dialog mes qeverisë dhe opozitës si të vetmen formë për të çuar vendin përpara në rrugën e integrimit evropian. Përmes një rezolute të votuar dje, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian i kërkon Shqipërisë rezultate konkrete me reformat, me qëllim që të avancohet procesi i integrimit. Ndër të tjera, BE kërkon dialog konstruktiv qeveri-opozitë, kërkon që dialogu mes tyre të zhvillohet në parlament si edhe të avancohet me reformën në administratë, sistemin e drejtësisë dhe në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. “Dialogu konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës për reformat do të jetë jetik për progresin drejt BE-së. Dialogu është përgjegjësi e përbashkët e të dy palëve, qeverisë dhe opozitës për të siguruar që debati politik të zhvillohet kryesisht në parlament dhe për të kontribuar në krijimin e kushteve për funksionimin e duhur të tij”, – thuhej në rezolutë. Po ashtu Këshilli nënvizon në veçanti nevojën që Shqipëria “të vazhdojë reformën e administratës publike me synim rritjen e profesionalizmit dhe depolitizimin e administratës. “Të ndjekë një reformë gjithëpërfshirëse të gjyqësorit për të përforcuar pavarësinë e tij, efikasitetin dhe llogaridhënien përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe në konsultim të ngushtë me Komisionin e Venecias”.