Alma Çuka
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se që nga 1997-a vetëm katër raste azili janë të vërteta. Mijëra të tjerë janë gënjeshtra dhe nuk do të lejohen në vendet e BE-së
Shtimi i numrit të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian dhe rritja e kërkesave për azil në këto vende kanë alarmuar institucionet ligjzbatuese dhe përfaqësuesit e këtyre vendeve. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar ashpër ndaj këtij fenomeni, të cilin e quajti mashtrim dhe aspak dinjitoz për Shqiptarët. Sipas tij, Shqipëria është vend tepër i sigurt dhe në këto kushte askush të mos gënjehet për të kërkuar azil në vendet e bashkimit Evropian, pasi një gjë e tillë nuk do t’i lejohet. Këtë deklaratë ministri i Brendshëm e bëri gjatë prezantimit të strategjisë kundër krimit të organizuar dhe luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore. Gjatë fjalës së tij, ministri Tahiri dënoi shtimin e lartë të numri të azilkërkuesve me fakte të pavërteta në vendet e BE-së duke dhënë një shembull. Sipas tij, që nga viti ‘97 kërkesa për azil ose vetëdeklarime për shfrytëzim seksual, vetëm 4 janë të vërteta. “Problem i madh është i fëmijëve të pashoqëruar e prindërve që lënë fëmijët jashtë. E konsiderojmë vepër penale. Procedojmë penalisht ata prindër që lënë fëmijë në vendet e BE. Nuk ka asnjë rrugë që mund të fitohet azil përmes falsifikimeve e rrugëve të pavërteta”, – tha Tahiri.
Cannon: Dëmtohet imazhi
Nga ana e tij, ambasadori anglez kërkoi që të mos abuzohet me kërkesat për azil drejt vendeve të BE-së, ku shumë shqiptarë të cilët kanë pretenduar se kanë qenë viktima të trafikut kanë rezultuar se kanë gënjyer. “Numri i trafikimeve është rritur veçanërisht vitet e fundit. Trafikantët meritojnë dënime maksimale. Shumë gra kanë ardhur në Angli duke deklaruar se janë trafikuar e kanë kërkuar azil. Disa prej tyre janë raste të vërteta, por shume janë mashtrime. Rastet e pavërteta dëmtojnë imazhin e një vendi, ulin besimin tek investitorët”, – tha ambasadori Nicholas Cannon.
Riatdhesohen 38 azilkërkues
Ndërkohë, në të njëjtën ditë që ministri fliste për problemin e azilkërkuesve, në Rinas, dje rreth orës 13:30, janë kthyer me çarter nga Belgjika 38 shtetas shqiptarë, të cilët kanë shkelur rregullat e qëndrimit në zonën Shengen. Shtetasit deportivë janë shoqëruar nga përfaqësuesja e Belgjikës znj. Katy Verzelen. Në Rinas janë pritur nga zoti Charles de Wiinter -Atasheu policor i Belgjikës në Tiranë. Përfaqesuesja e Belgjikës Katy Verzelen shprehur gjatë këtij momenti edhe një herë vendosmërinë e Belgjikës për zbatimin me rigorozitet të rregullave të qëndrimit nga shtetasit shqiptarë. Ajo theksoi se asnjë shtetas nuk do të përfitojë leje qëndrimi duke kërkuar azil politik apo azil ekonomik. Më tej përfaqësuesja e Belgjikës u bëri thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që udhëtojnë për në Belgjikë, të zbatojnë me rigorozitet rregullat e lëvizjes në hapësirën Shengen, pasi cilido shtetas që do kapet duke shkelur rregullat, do të kthehet forcërisht në Shqipëri. Shefi i Komisariatit të Policisë Rinas, Ermal Milori, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të rregullave nga ana e shtetasve shqiptarë të cilët udhëtojnë në Zonën Shengen, pasi shkelja e rregullave të qëndrimit në Zonën Shengen, si dhe kërkimi i azilit në këto vende për çdo lloj arsye është i paligjshëm dhe i penalizon ata persona që shkelin këto rregulla. Të gjithë shtetasit e kthyer sot, janë penalizuar për tre vjet mos të udhëtojnë drejt vendeve të hapësirës Shengen.
Pogradec/ Vrau me gurë bashkëfshatarin, dënohet me 19 vite burg
Gjykata e Pogradecit dënoi me 19 vite burg një 20-vjeçar, i cili vrau duke e goditur disa herë me gurë bashkëfshatarin e tij. Sipas vendimit të Gjykatës 20-vjeçari që masakroi bashkëfshatarin e tij një vit më parë, do të bëjë 19 vjet burg. Gjykata e Pogradecit mori vendimin për Xhensi Lipo, i cili vrau me gurë 38-vjeçarin Erjon Ibi. Gjykata pranoi akuzën e ngritur nga prokurori duke i dhënë Lipos dënimin maksimal, edhe pse avokati mbrojtës i mëshoi faktit se autori ishte penduar. Në dhjetor të vitit të kaluar, Lipo vrau Ibin dhe më pas e hodhi në kanal pranë fshatit të tyre duke e mbuluar trupin me plehra.
Durrës/ Dënohet me 10 muaj burg për kontrabandë cigaresh shtetasi ukrainas
Gjykata e Durrësit shpall fajtor për veprën penale të kontrabandës së cigareve kapitenin ukrainas të anijes “ERA 1” me 10 muaj e 20 ditë burgim. Anija në fjalë kishte një ngarkesë prej 47 ton ose 4477 kolish cigareje, me një vlerë tregtare prej 10 mln dollarësh, e cila do të tentohej të futej kontrabande në tregun shqiptar. Anija Era1 u ndalua në operacionin e sekuestrimit nga Dogana në maj të këtij viti, dhe ndoqi procedurat hetimore, e gjyqësore, duke çuar pas hekurave drejtuesin e anijes, me inicialet V. D. Në maj, anija u kontrollua dhe rezultoi se 47 ton kontrabandë cigare me vlerën 10 mln dollarë do të drejtoheshin për në tregun vendas, teksa cigaret, të papajisura me pullë fiskale do të shmangnin një detyrim ndaj shtetit prej rreth 2,5 milionë lekësh. Pas arrestimit në maj të kapitenit e dënimit të tij këtë të mërkurë, shteti po ashtu ka konfiskuar në favor të tij të gjithë sasinë e cigareve.
Tiranë/ Grabiste çiftet me uniformë policie, arrestohet 23-vjeçari
Grabiste çiftet duke u shtirur si polic, u kërkonte dokumentet e makinës dhe më pas përmes kërcënimit iu merrte para. Sahit Shpataj, 23 vjeç, u arrestua nga policia e kryeqytetit, pasi rezultonte se në zonën e Kthesës së Kamzës ndalonte çiftet që udhëtonin me makinë, u kërkonte dokumentet e mjetit dhe më tej përmes kërcënimit u merrte paratë. Veprimi i tij ishte i përsëritur dhe denoncimet e bëra nga të dëmtuarit se një person i cili paraqitej si punonjës i komisariatit nr. 5 të policisë, bëri që të thellohen hetimet të cilat çuan në kapjen e tij. Shpataj u shoqërua në polici, ndërkohë që po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të akt.