Alma Çuka
Policia shoqëron në komisariat pronarin e agjencisë së udhëtimit. Gjashtë autobus ndalohen për kontroll. Qytetarët shprehen hapur se duan të largohen nga vendi
Ata ndihen të dëshpëruar. Me vete kanë marrë jo vetëm dokumentet, por gjithçka kanë pasur në banesë. Disa prej tyre ka shkuar edhe më tej, kanë shitur bagëtinë, atë pasuri të vetme me të cilën mbaheshin. Nga pas i ndjekin fëmijët. E ëndrra e tyre tashmë është mbërthyer në një emër të vetëm. Të shkojnë në Gjermani, me qëllimin e vetëm që të mund të përfitojnë azilin në këtë vend. Nuk janë pak, por numërohen qindra qytetarë nga rrethinat e Vlorës dhe disa fshatra të Fierit. E thonë hapur se duan të largohen. Për ta shpresa e vetme është Gjermania, pasi në vendin e tyre asgjë nuk mund t’i bindë se do të ndryshojë dhe jeta të kthehet në normalitet.
Largimi
Me qindra qytetarë gjatë mesditës së djeshme janë grumbulluar në Portin e Vlorës, atje ku pronari i agjencisë u kishte dhënë adresën për t’u nisur. Të gjithë kishin blerë biletën vajtje për në Gjermani, pasi për t’u kthyer ata e kishin vendosur që nuk do e bënin një gjë të tillë. Thonë se do të niseshin nga Italia për të mbërritur në Gjermani. Atje janë të bindur se do të futen në kampe dhe do të kërkojnë azil, duke u shprehur se këtu janë të pasigurtë. Lajmi ka shkuar deri në polici. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se policia ka bllokuar disa autobusë me qytetarë, të cilët e thonë hapur se kanë prerë biletat dhe synojnë të shkojnë në Gjermani për të përfituar azil. Policia ka marrë në pyetje pronarët e agjencive turistike, pasi dyshon për një mashtrim. Qytetarët qëndrojnë në pritje për t’u nisur drejt Italisë me destinacionin final Gjermanin. Por policia ka marrë masat, duke shoqëruar në komisariat pronarin e agjencisë Agim Muça. Ky i fundit është shprehur për policinë se ka linjë të rregullt udhëtimi dhe është taksapagues. Ai ka mohuar faktin se u ka premtuar qytetarëve ndihmë për të përfituar azilin. Por policia nga ana e saj ka nisur verifikimin për të zbardhur gjithë këtë histori, që sipas saj ka brenda mashtrimin. U bllokuan 6 autobusë me rreth 600 persona. Qytetarët i kanë besuar kompanisë së udhëtimit “Agimi Travel”, me zyra në qytetin e Fierit, përmes të cilit thonë kanë ikur më parë dhe familjarë të tyre. Sipas tyre, pasi të afërmit kanë mbërritur në Gjermani u kanë thënë se atje ka dalë ligji për azilantë. Pothuajse 80% e qytetarëve që kërkojnë azil i përkasin fshatrave të Komunës Novoselë, kryesisht Bisham, Mifol, Fitore e fshatra të tjerë të Vlorës. Në këto zona është përhapur fjala e mundësisë së lehtë të emigrimit në Gjermani, duke shfrytëzuar faktin e heqjes së vizave.
Reagimi
Ministria e Brendshme, përmes një deklarate për mediat, ka theksuar se çdo përpjekje për të kërkuar azil në vendet e BE-së, në mënyrë abuzive, është absolutisht e papranueshme, pasi tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe vendet e BE-së nuk i miratojnë kërkesat e këtij lloji. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit po ndërmerr hetime ndaj çdo personi, shoqërie udhëtimi ose kompanie tregtare që organizon ose ndërmjetëson për udhëtimin e qytetarëve për qëllime të azil kërkimit dhe shkeljes së rregullave të lëvizjes së lirë në vendet e BE-së. MPB bën të ditur se “Policia e Kufirit e mbështetur edhe nga strukturat e tjera të Policisë së Shtetit po punon ditët e fundit me regjim të përforcuar për të përballuar fluksin e lëvizjes në Pikat e Kalimit Kufitar me rastin e festave të fundvitit. Në këtë kontekst Ministria e Punëve të Brendshme paralajmëron të gjithë qytetarët se do të ketë kontrolle të shtuara në kufi, për të mos lejuar kalimin e asnjë personi i cili nuk do të përmbushë kriteret ligjore për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen”.
Hetimi/ Vrau balerinën në lokal, kërkohet burgim i përjetshëm në mungesë për autorin
Artur Kuliçi vrau në maj të vitit të kaluar një balerinë në një lokal nate dhe për këtë qëllim Prokuroria e ka deklaruar fajtor në bazë të fakteve dhe kërkoi nga Gjykata e Tiranës, dënimin me burgim të përjetshëm. Sipas organit të akuzës gjatë gjykimit ka rezultuar se i pandehuri, i cili është hetuar me masë sigurie “Arrest në burg” në mungesë”, pas një konflikti fizik në ambientet e lokalit të natës me disa shtetas të tjerë, në shenjë hakmarrje, ka pritur sapo personat kundërshtarë kanë dalë nga lokali dhe u ka qëlluar me armë zjarri në oborrin e ambientit. Nga të shtënat ka mbetur e vdekur shtetasja Sonila Tafa, si edhe është plagosur shtetasja R. K., të cilat nuk ishin objektiv i sulmit me armë nga i pandehuri. Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar me një automjet, i cili më pas është gjetur në shtëpinë e një mikut të tij. Nga ky moment, autori Artur Kuliçi është larguar dhe nuk është bërë i mundur ndalimi i tij. Lokali sipas akuzës ndodhej në rrethinat e Tiranës. Ndërkohë që ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të natës. Shkak për sherrin mes grupit të djemve sipas akuzës është bërë fakti që autori ka fyer njërën nga vajzat me të cilat ishin të shoqëruar djemtë në lokal. Sherri i nisur në lokal sipas akuzës është shuar për momentin nga badigardët, të cilët kanë nxjerr jashtë autorin dhe një shoku e tij duke lënë në holl grupin e djemve dhe vajzat. Por i pandehuri nuk ka qëndruar i qetë. Pas dhjetë minutash ai shfaqet me mjetin e tij përballë hyrjes kryesore të lokalit nga ku fillon të gjuaj. Si pasojë e breshërive është vrarë një vajzë dhe plagosur një tjetër, ndërsa u është rrezikuar jeta shumë personave që ishin duke dalë nga lokali. Pas konkluzioneve të prokurorit, pritet versioni i mbrojtjes e më pas vendimi i gjykatës, ndërkohë i pandehuri ndodhet i lirë.
Rinas/ Arrestohet polici, akuza për marrje ryshfeti
Policia e kryeqytetit arrestoi gjatë ditës së djeshme një punonjës policie dhe një udhëtar pasi akuzohen për marrje dhe dhënie ryshfeti. Bëhet fjalë për dhjetë euro. Policia e Tiranës tha dje se u arrestuan në flagrancë Ramiz Sadja, 50 vjeç, dhe Erind Ymeri, 20 vjeç, që të dy banues në Tiranë. Sipas policisë në aeroportin “Nënë Tereza”, Erind Ymeri i ka dhënë 10 euro punonjësit të policisë Ramiz Sadja, i cili ka ndërhyrë te kontrollori S. Xh., për Erindin që ai të mund të udhëtojë në drejtim të Italisë.
Korçë/ Babai denoncon djalin në polici, e dhunonte vazhdimisht
Djali prej disa ditësh dhunonte babain e tij në qytetin e Korçës. Shkak për ushtrimin e dhunës, sipas policisë është bërë shitja e një banese, ku djali pretendonte të merrte paratë. Bëhet me dije se V. M., 67 vjeç nga Korça denoncoi në polici djalin e tij A. M., 32 vjeç se është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht prej tij. Babai ka thënë në polici se djali i martuar dhe me shtëpi më vete, kërkonte pjesë nga shuma e parave, gjë që ka ngjallur debate mes tyre. Për rrjedhojë 32 -vjeçari ka dhunuar të atin, pas refuzimit të këtij të fundit për ti dhënë një pjesë të parave nga shitja e shtëpisë. Ndaj 67-vjeçarit u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.