Një ekip studiuesish nga Massachusetts Institute of Technology, Harvard University, Northestern University dhe Aix-Marseille Universitée kanë realizuar një studim mbi atë që quhet Rrjeti Global i Gjuhëve. Qëllimi është të matet ndikimi i një gjuhe, matje e cila nuk mund të përkufizohet nisur nga elementë të tillë si numri i folësve apo edhe të ardhurat, pra pesha ekonomike. Për këtë qëllim ekipi ka ndërtuar një model duke u bazuar në përkthimin e librave nga njëra gjuhë në tjetrën. Së dyti janë artikujt që postohen në “Wikipedia” dhe së treti janë edhe postimet e statuseve në “Twitter”. Studimi jep të dhëna të hollësishme për matjet e kryera si p.sh: për përkthimet u mbajtën parasysh 2.2 milionë përkthime të realizuara në kuadër të Index Translationum të UNESCO; për statuset në Twitter u realizua një bazë të dhënash me më shumë se 1 miliardë postime, krijuar mes 6 dhjetorit 2011 dhe 13 shkurtit 2012. Nga gjurmimi i tyre me Chromium Compact Language Detector u konsideruan në finale 550 milionë postime në 73 gjuhë, gjeneruar nga më shumë se 17 milionë përdorues unikë. Parimi është se çdo përkthim, çdo tweet dhe çdo material në Wikipedia nga një gjuhë në tjetrën është një lidhje në rrjetin global të gjuhëve. Influenca e një gjuhe qëndron në atë se sa ndikon ajo në rrjedhën e informacionit, edhe kur informacioni vetë nuk është prodhuar në atë gjuhë. Ta zëmë, që një lajm që të marrë përmasë globale, duhet raportuar në një gjuhë me peshë globale, edhe pse mund të jetë krijuar në një gjuhë tjetër. Kjo vlen edhe për ndërlidhjen mes gjuhëve. Një faktor tjetër pse një gjuhë merr përmasa globale është edhe ekzistenca e njerëzve të shquar që vijnë nga vendi ku flitet ajo gjuhë. Edhe për këtë u përpunua një model me biografitë e njerëzve të shquar mes 1800-1950. Në fund, gjuhët që kanë peshë globale në Rrjetin Global të Gjuhëve, pasi ndikojnë në rrjedhën e informacionit, janë anglishtja, si qendra e tij, me gjuhë pasuese, që luajnë edhe rolin e ndërmjetësimit, si spanjishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, rusishtja, portugalishtja dhe gjuha kineze. Mungesa e gjuhës arabe shpjegohet me numrin shumë të kufizuar të përkthimeve në arabisht nga kulturat e tjera.
Për gjuhën shqipe, që na intereson, mund të sillen disa të dhëna që ndoshta paraqesin interes: së pari, numri i folësve të saj sipas këtij studimi është 16 milionë. Shqipja nuk krijon qendërzim në lidhjen komunikuese me gjuhë të tjera, por ajo reflekton komunikime, sipas matjeve të mësipërme, me anglishten, arabishten, serbo-kroatishten, italishten, frëngjishten, turqishten, greqishten e re dhe maqedonishten. Kjo vlen për matjen e kryer me përkthimet e librave. Për komunikimin “Twitter” dhe materialet në “Wikipedia”, ka të tjera të dhëna.
(nga “Blic”)