Alma Çuka
Hetimi kishte nisur që prej vitit 2012. Ndërtuesit kishinmarrë lejë që në vitin 2007 për shfrytëzim të përkohshëm, por ndër vite ata u lejuan të ndërtonin lokale dhe prerë pyllin
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier la në arrest me burg 8 ish-zyrtar të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Fier, dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorim detyre”. Vendimi i Gjykatës u dha gjatë ditës së shtunë, ndërsa u ekzekutua nga policia e këtij qytetit paraditen e së dielës. Policia konfirmoi se bëri të mundur ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Fierit për 8 ish-zyrtarët, sipas së cilës ndër vite kishin shkelur ligjun dukelejuar me dahje ndërtimin e lokaleve në pyllin e Semanit, pronë kjo e administruar nga Shërbimi Pyjor. Të arrestuarit janë Shkëlqim Jaupaj, ish-Drejtor i Shërbimit Pyjor, Nikollaq Zizi, ish-Shef i Policisë Pyjore, Ervin Nuredini, ish-Shef i Policisë Pyjore, Agur Vrenozi, ish-inspektor i Shërbimit Pyjor, Rahim Lushaku, ish-inspektor i Shërbimit Pyjor, Aleksandër Dhima, ish-inspektorn i Shërbimit Pyjor, Astrit Kajolli, ish-inspektor i Shërbimit Pyjor, Fredi Merkaj, ish-shef i zonave të mbrojtura në Shërbimit Pyjor.
Hetimi
Prokuroria e Fierit bënë me dije se nga hetimet e deritanishme, rezulton se këta persona, në kundërshtim me funksionet e tyre, kanë lejuar ngritjen e një numri të madh lokalesh me struktura betoni në zonën pyjore të plazhit të Semanit, hapësirë publike nën administrimin e tyre dhe që është absolutisht e ndaluar për ndërtime solide. Fillimisht thotë Prokuroria, hetimi ka nisur në vitin 2012, kur Drejtoria e Shërbimit Pyjor Fier ka dërguar një kallëzim penal për ndërtuesit e lokaleve, për veprat penale të “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”. Sipas akteve proceduriale të asaj kohe, ndërtuesit, prej vitit 2007, kishin marrë leje të përkohshme (vetëm për sezonin turistik) nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor për ushtrimin e aktivitetit ambulant me rulotë. Sipas akteve ligjore në fuqi, Shërbimi Pyjor duhet të ushtronte kontroll mbi rulotë, për të verifikuar respektimin e lejes së dhënë prej vetë atij institucioni. Por, siç rezultoi nga kallëzimi i dorëzuar në Prokurorinë e Fierit në vitin 2012, pronarët e rulotëve nuk e kishin respektuar lejen provizore, duke ndërtuar lokale me godina prej betoni në hapësira të mëdha. Për këtë arsye, ndaj tyre u dorëzua kallëzim penal për “ndërtim të paligjshëm” dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”, pasi zona ku ishte ndërtuar ishte e mbulur me pyje, shumë pranë bregut të detit.
Lirimi nga amnistia
Ndërkohë që Prokuroria e Fierit po kryente hetime për këto raste, në fund të vitit 2012 Kuvendi miratoi ligjin “Për amnistinë”, e cila përfshinte edhe këto vepra penale të kryera deri në atë kohë. Por, gjithësesi, nga ana e Prokurorisë së Fierit vijoi hetimi lidhur me përgjegjësinë e zyrtarëve të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, të cilët kishin përgjegjësinë për respektimin e lejeve provizore që kishin dhënë për shërbim tregtar ambulant me rulotë. Nga hetimi rezultoi që zyrtarët, për të cilët gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” nuk kanë ushtruar detyrën e tyre për verifikimin në terren të lejeve për rulotët, aq sa pronarët e rulotëve, me qetësi dhe në një kohë të gjatë, kanë shndërruar aktivitetin e tyre ambulant në një shërbim solid lokal, me ndërtesa betoni. Prokuroria thotë se duke u nisur nga fakti se ndërtimi i një numri të madh lokalesh, në hapësira shumë të gjera, ka marrë një kohë të gjatë, rezulton se ish-zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor nuk kanë ushtruar me dashje përgjegjësitë e tyre, duke lejuar në këtë mënyrë ndërtime abuzive, të cilat, ndër të tjera, jo vetëm kanë zënë sipërfaqe të fondit pyjor, kanë sjellë pasoja ekonomike konkrete, por ajo që është më e rëndë është dëmi ekologjik që i është shkaktuar mjedisit. Kështu, sipas aktit të ekspertit të mjedisit si pasojë e vendndodhjes dhe llojit të ndërtimeve, kemi të bëjmë me një impakt negativ në mjedis, pra dëm ekologjik. Mund të përmenden humbja/degradimi i habitabit, fragmentim i habitabit, humbje e drejtpërdrejtë e specieve, tranzitimi dhe zhvendosja e specieve. Gjithashtu, në ndikimin e të tjera mund përmendet: ndërtimi i gropave septike, prania e njerëzve në periudha të tejzgjatura, krijimi i infrastrukturës në shërbim të tyre ndikon në rigjenerimin e filizave apo të vetë rigjenerimit të pyllit, i cili mund të kërkojë deri në 80 vjet për ripërtëritjen e plotë.