Prishja e banesave në Pogradec/ PD zbardh dosjen: Kryetari i PS kundër Ramës. Ministria: 21 subjekte marrin 4.5 milionë USD

0
167

Gëzim Saliu

Spaho: Qeveria të ndërpresë procesin e paligjshëm kundër 53 familjeve e bizneseve

spahoPartia Demokratike akuzoi dje qeverinë se përmes vendimeve të paligjshme dhe arbitrare ka ndërmarrë aksionin për prishjen e banesave në fshatin Hudënisht të Pogradecit, në kuadër të rehabilitimi të liqenit të Ohrit. Nënkryetari dhe deputeti i PD-së Edmond Spaho publikoi dokumentacionin e plotë që sipas tij, vërteton paligjshmërinë e qeverisë me prishjet e ndërtimeve. Në këtë kontekst, ligjvënësi demokrat publikoi një dokument i cili tregon se kreu i Komunës përmes një letre shprehet kundër vendimit të qeverisë.  “Unë, Kryetar i Komunës Hudënisht, me tagrin ligjor që më jep ky pozicion si përfaqësues i Komunës Hudënisht, si person juridik dhe si përfaqësues i komunitetit, kërkoj të ndalohen shpronësimet me justifikimin e interesit publik, pasi po dëmtohet dhe po shkatërrohet prona private e këtyre njerëzve të ndershëm që po hidhen në mes të rrugës në kushte çnjerëzore familje të tëra. Ky shpronësim është shkatërrues për ekonominë e këtij komuniteti dhe hap një plagë sociale të pariparueshme. Unë e vendos veten time si person, po ashtu edhe si përfaqësues i Komunës Hudënisht, krahas këtyre banorëve dhe kundër shpronësimit dhe shkatërrimit të pronës private”, thuhej në letrën e bërë publike nga deputeti i PD-së. Në këtyë kontekst, Spaho në emër të PD-së i propozi kryeministrit të ndërmarë dy veprime:  1.Të ndërpresë procesin e jashtëligjshëm të iniciuar nga autoritetet shtetërore, të cilat po terrorizojnë prej dy javësh 53 familje dhe biznese me prishjen e pronave të tyre të ligjshme, në emër të të ashtuquajturit projekt “Për Rehabilitimin e bregut të liqenit të Ohrit dhe gjelbërimit përgjatë segmentit Lin-Pogradec”. 2. Të shkarkojë zëvëndësministrin e Ministrisë së Turizmit, Kryetarin e Komunës Hudënisht dhe Drejtorin e INUK-ut Korçë si iniciuesit dhe zbatuesit e përpjekjeve për shkatërrimin e paligjshëm të banesave dhe pronave të 53 familjeve dhe bizneseve në Komunën Hudenisht.”- deklaroi Spaho.

 

Reagimi

Në reagimin e saj ndaj akuzave të PD-së, qeveria deklaroi se ka akorduar 7 milionë USD për rehabilitimin e vijës liqenore Lin-Pogradec dhe 21 subjektet e shpronësuara në Udënisht do të përfitojnë 4.5 milionë USD. Në deklaratën e Ministrisë së Turizmit të drejtuar nga Eglantina Gjermeni thuhet se në muajin janar merr jetë projekti i rehabilitimit të aksit përgjatë liqenit të Ohrit, nga Lini në Pogradec. “Nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, Qeveria ka filluar zbatimin e projektit të parë në Komunën Udenisht me reabilitimin e qendrës së komunës, sheshit në hyrje të saj si dhe një sheshi shumëfunksional në qendër të fshatit, të cilat janë pjesë të fazës së parë të projektit për reabilitimin e qendrave të banuara përgjatë liqenit të Ohrit, në këtë komunë. Nga projekti preken 21 objekte dhe jo 53; objektet janë mbi 90% objekte shërbimi. Dy që banohen dhe në të njëjtën kohë janë dhe objekte shërbimi, në hipotekë figurojnë pas privatizimit, si objekte shërbimi”, thuhej në deklaratën e ministrisë.  Më tej, në bazë të projektit, minsitria theksoi se është ngritur grupi i punës që ka bërë vlerësimet e objekteve në terren. “Është ngitur Komisioni i shpronësimit me urdhër të Ministres dhe bazuar në ligj, kryesohet nga Zëvendësministri i MZHUT. Është lidhur Akt – Marrëveshja me njësinë vendore ku do të zbatohet projekti bazuar në ligjin për shpronësimet si dhe është shpallur lista e të shpronësuarve pranë njësisë- subjekti kërkues dhe zbatues i projektit në bazë të ligjit për shpronësimet dhe VKM -së përkatëse. Pra, në total janë 21 objekte, deri në momentin e shpalljes së listës, pa administruar kontestimet dhe jo 53 objekte, të cilat janë vlerësuar në masën 4. 5 milionë dollarë”, pohoi ministria.

 

Ngjela: Nëse nuk nisin negociatat me BE, qeveria falimentoi. Nuk i shpëton naiviteti kinez

Kreu i PLiDr-së Spartak  Ngjela kritikoi dje vendimarrjet e fundit të qeverisë dh situatën e vështirë që po kalon vendi sipas tij, duke theksuar se vetëm përmes hapjes së negociatave me BE-në do tyë mund të ecet përpara. “Gjendja duhet të ndryshojë, se, në të kundërt, viti 2015 do te jete katastrofal për mirëqënien apo ecurinë normale të jetës së shqiptarëve ne Shqipëri. Po si do të ndryshojë? Me këtë plitikë? Kurrë. Po nuk u gjet rruga për të filluar negociatat me Bashkimin Europian, kjo qeveri është drejt falimentit të saj në përplasje të pashmangshme me shqiptarët e papunë e të pashpresë. Naiviteti i “ndihmës kinezë” është njëlloj si katër paradokset e hoxhizmit që përmenda më lart”, shkruante Ngjela, duke ëprmenduar katër paradokse për të cilat kishte shkruar në vitin 1991.  “1. Të gjithë kanë punë, asnjë s’punon. 2. Asnjë s’punon, planet realizohen. 3. Planet realizohen, tregu është bosh. 4. Tregu është bosh, asnjë nuk vdes nga uria…”

 

Meta në Kosovë: Hekurudhë Durrës- Prishtinë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta theksoi dje nevojën e ndërtimit të një hekurudhe që të lidhë Durrësin me kryeqytetin e Kosovës. Gjatë vizitës dy ditorë në Kosovë, Mata vizitoi disa biznese, ku u njoh më nga afër me aktivitetin tyre dhe bisedoi për shtrirjen edhe në Shqipëri. Gjatë vizitës në fabrikën e miellit “Universal Food” në Fushë Kosovë, Meta e përgëzoi Aksoy për investimin e bërë, ndërsa shprehu bindjen se midis dy vendeve nevojitet ndërtimi i një hekurudhe Durrës-Prishtinë në mënyrë që kostot e prodhimit të këtyre produkteve të ulen si për shtetin e Kosovës, ashtu edhe për tregun e Shqipërisë, i cili do të mund të importonte më shumë mallra nga Kosova. Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave,  Edmond Panariti, theksoi nevojën e intensifikimit të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve në mënyrë që të arrihet përballimi i kërkesës për produktet shqiptare.

 

Shkarkimi i Demiraj/ MM: Doli jashtë kufijve pa leje. Berisha: Për kolonelin s’mund të ketë vend në shtëpinë e Edit

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura sqaroi dje arsyet e shkarkimit nga detyra të kolonelit Dritan Demiraj, duke theksuar se vendimi është marrë pasi është konstatuar se ai  ka shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin “për statusin e ushtarakut”, duke dalë jashtë kufijve pa leje. Në një deklaratë publike, Ministria e Mbrojtjes tha se ushtarakë të gradës së Demirajt disponojnë informacion të klasifikuar që mund të cënojë sigurinë kombëtare. “Koloneli Dritan Demiraj, i cili në mënyrë të përsëritur në më shumë se një rast ka shkelur ligjin “për statusin e ushtarakut”, duke dalë jashtë kufijve pa leje. Këto veprime konsiderohen shkelje të rënda të disiplinës ushtarake për aq kohë sa ushtarakë të kësaj grade disponojnë informacionin e klasifikuar që mund të cënojnë sigurinë kombëtare Ky nuk është rasti i parë dhe as i vetëm që MM dhe SHPFA kanë vepruar në kushtet e shkeljes së rëndë të disiplinës e të ligjit”, thuhej në reagimin e ministrisë. Ndërkaq ndaj këtij shkarkimi ka reaguar dje edhe ish-kryeministri i vendit Berisha, i cili duke vlerësuar kolonelin, ka dënuar ashpër vendimin e qeverisë.  “ Edi Rama, liroi nga detyra ushtarakun më të përgatitur, më të përkushtuar, më të stërvitur dhe më të dekoruar për akte trimërie, burrërie, aftësie në kohë paqeje por dhe direkt në front lufte, Kolonel Dritan Demirajn. Kolonel Demiraj është naiv dhe nuk kupton se për atë dhe sojin e tij njerëzor nuk ka vend në shtëpinë e Edit, ndrikullave, Mimrave dhe gjeneral Trafikut, që vjedhin tenderat dhe përvetësojneë pronat e ushtrisë apo të Gysve, Caneve, Lizave, Mozave kuqalashe, Denarëve që presin gjoba marremendëse për tendera dhe për mosprishje shtëpish, kërkojne marrëdhënie seksuale për vende pune madje dhe me të mitur apo presin gjoba 3000-6000 euro për të fituar ose dhe mbajtur vendin e punës”, shkruante Berisha.