Dje, gjithë miqtë, kolegët në rrjetet sociale kanë ngushëlluar shkrimtarin Visar Zhiti për humbjen e djalit të tij, 19 vjeçar nga një aksidenti rrugor. Shkrimtari që kaloi në vuajtjet e burgjeve komuniste, që me letërsinë e tij ka njohur botën e errët të dramës njerëzore në regjim diktatorial, goditet nga kjo tragjedi duke u përsëritur historia e shkrimtarëve të mëdhenj të cilët kanë ruajtur plagët e jetës të hapura. Por, si duket gjithë pamja e një prindërimi është lënë tanimë, krijuar që në lindje, prej kohësh në vargje, poezi që Zhiti ka shkruar për të birin në një nga librat e tij, të cilën e botojmë më poshtë:
Bir, i vogli im, i bukuri, degë e
gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë
përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?… bëhu ç’të duash, biri im, por i
dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Ç’të të them, unë do mundohem
të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.
Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha. Bëj
vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të
shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe
jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta
janë e njëjta gjë. Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre
vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje
ëndrrën tënde.
Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim
sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem
fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe
emrin.
Deti, bir. Më josh, është siç ka
qenë, që kur u krijua bota, i natyrshëm, po ato dallgë, po ajo mërmërimë e
përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje, është një kumt ujrash i pambarim, ashtu
qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund.
Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe
sollën peshkun e porsazënë. E shisnin. U grumbulluan njerëz. Një peshk lëvrinte
ende mbi rërë, ishte gjallë dhe ti, bir, i kërkove mamit që që të ta blinte.
Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën. Dhe me ta marrë peshkun e gjallë,
me gojën të çare e të përgjakur nga grepi, vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe
në det. E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar.
Unë pashë time shoqe në sy. Ajo më puthi
lotët, që nuk i fsheha dot.
Fati i atij peshku… i ngjashëm
me… mbase … e jo vetëm…
Djali i shkrimtarit të njohur Visar Zhiti, humbi jetën të shtunën në një aksident me motor në autostradën Tiranë – Durrës. Atjon Zhiti, ishte vetëm 19-vjeç dhe studionte në Milano, prej vitit 2013. Ditët e fundit ishte kthyer në Shqipëri për festat e fundvitit