Koha kalon, por e keqja nuk harrohet kurrë…

0
477

Nga Ramiz Memçaj

Ish-i burgosur politik

(Ngjarje e jetuar)

6_4 Në muajin janar të vitit 1986 u bë një “amnisti e gjerë”, me rastin e 11 janarit, si “Dita e Republikës”. Kjo amnisti fillimisht liroi shumë të burgosur ordinerë dhe bashkë me “të amnistuesit” përzien aty këtu edhe pak të burgosur politikë, si punë eksperimentimi…

Ndërkaq, neve, rreth nja 40 të burgosur politikë, na transferojnë nga Spaçi në minierën Batër të Martaneshit, si një brigadë ndihmëse, me brigadier ish-shoferin e Mehmet Shehut. Atje na sistemojnë në një jerevi që quhej si kapanon, ku uji i shiut dhe i dëborës kullonte si jashtë – brenda, ku edhe kafshët do të ishte krim t’i mbaje aty. Pa humbur kohë, na qesin në punë në galeri, ku qysh ditën e parë mbetëm pa mend. Për të shkuar “në frontin e punës”, duhej një orë e më shumë me këmbë me hap të shpejtë, të kaloje një rrugë të mundimshme të lagur në trup e në këmbë me këpucë të grisura, në shi, breshër e borë, pa le pastaj torturën nëpër galeri, ku duhej të kaloje nëpër një shkallë druri, ku po të rrëshqiste këmba, përfundoje atje poshtë i sakatuar. Përveç mundimit për të realizuar normën, sepse nuk mund të largoheshe pa realizuar normën, ishte po aq e mundimshme edhe rruga e kthimit. Duhej kaluar përsëri nga ajo shkalla e improvizuar, sepse nuk e rregullonin ashensorin e prishur ose e linin qëllimisht ashtu. Me pak fjalë një kamp skllevërish. Një ferr i vërtetë, aq sa nga lodhja e madhe, dikush përtonte edhe për të ngrënë. Pra, na kishin transferuar nga një ferr tek një ferr tjetër.

Si kaluan nja 3-4 ditë, nuk munda më dhe nuk isha i zoti të punoja e të realizoja normën. Si ndëshkim më rrasën në birucë. Ndryshe nga disa modele birucash, ku na kishin rrahur, këtu torturuesit e zellshëm të regjimit ishin morrat. Kishte morra të zinj të kokës, të trupit, të…! Dukej sikur morrat mbinin “si krijim i vetvetishëm” nga papastërtia. Po, po, morrat, me të cilët batanijet e vjetra ishin të mbushura dëng.

E kështu kaloi një muaj birucë me shoqërinë pickuese të morrave dhe si “shpërblim” më lanë ca ditë pushim. Ke parë ti që edhe të kruarit pas pickimeve gjakpirëse ishte njëfarë kënaqësie, krahasohej kjo me atë kënaqësinë e Sokratit kur ia liruan prangat…

Kur, në një nga këto ditët e “pushimit”, hyn si furtunë në kapanon zv.ministri i Brendshëm, shoku Ilir Mustafaraj, me disa vetë si eskortë.

– Si jeni, si po shkon puna, a jeni të kënaqur me trajtimin dhe normën?

– Po ti, ç’je katandisur ashtu, ke dalë sot në punë?

– Jo shoku zv.ministër, nuk kam punuar tash një muaj e ca ditë. Kam qenë i dënuar edhe në birucë, sepse nuk jam më i zoti as fizikisht, kam bërë mbi 14 vjet burg. Mirë këto, por po na pinë gjakun edhe morrat. A nuk na siguroni pak DDT ose hekzaklorant…

– Mjaft llape. Ti do të dalësh nesër me vrap si Çeçua në punë, sepse i ke mbetur borxh shtetit, je debitor.

– Unë nuk i kam asnjë borxh askujt e as këtij shteti, që më ka dënuar e ridënuar krejt kot. E kam kryer afatin e dënimit dhe kam pasur të lirohem qysh para katër vjetësh. Me punët që kam kryer jeni ju borxhlinj e debitorë.

– Policë, futeni përsëri në birucë edhe një muaj ta ketë peshqesh nga unë!

Dhe kështu, prapë në birucë, mes morrave të dashur… Mbas nja tri ditësh te birucat sjellin edhe Pal Markun nga Lezha, Lulash Bushgjokën nga Tropoja dhe një të ri nga Gjirokastra, sepse edhe këta ishin ankuar për dezinfektimin e kapanonit. Por, ku morrat e kapanonit e ku morrat e uritur të birucave. Dhe për një ironi diabolike, muri i birucave ishte ngjitur me murin e infermierisë, ku kishin me bollëk dezinfektues.

  • Na grinë morrat o Ramiz, si ja ban ti?!
  • Nuk ju gjen gja jo, por po patët rrezik me ju kapë ndonjë tifo morri, ju përgjigjen urgjentisht, prandaj e kanë ndërtue infermierinë sa ma afër.

Dhe koha, dashje pa dashje ka kaluar… jemi në 2014. Ne duam ose mendojmë se e kemi harruar kohën e hidhur, kohën e trishtuar, por ja që e keqja e morrave nuk të shqitet kollaj. Dhe tek lexojmë gazetat e shikojmë televizionet për Dosjet, për Ligjin e Lustracionit, për demokracinë pa përfaqësimin e të burgosurve politikë e pa asnjë disident për be, për demokracinë pluraliste të negociuar apo të dirigjuar a dreqi e di se si, papritur në lajmet e televizionit shoh të dikurshmin “morrin e kuq”, zv.ministrin e Brendshëm, po të njëjtin emër shokun Ilir Mustafaraj! Ky, “i koinçiduari” na tregon se në vitin e mbrapshtë 1997, në tunelin e Qafë-Kërrabës, bashkë me vjedhjen e Thesarit, ishin zhdukur e avulluar edhe me qindra Dosje!

Çfarë talljeje e çfarë ironie, çfarë hileje e komedie hyjnore, ç’horrllëk e çfarë pafytyrësie e morrit të kuq! Na del se personi Ilir Mustafaraj (ai i njëjti apo i koinçiduari?!), nuk paska pasur Dosje apo se e ka zhdukur të tijën më 1997?! Hajde e prit drejtësi, po deshe…

Boll ma! Të paktën na u hiqni sysh, mos na dilni edhe nëpër ekrane e gazeta, mos na çoni në motin e kohën e shkuar, sepse e keqja nuk harrohet kurrë me ose pa Dosje!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency