Erneta Shevroja
Eurodeputetët do të vijojnë angazhim: Monitorim për zbatimin e pikave të rezolutës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përshëndeti dje votimin e rezolutës nga Kuvendi, ndërsa theksoi se ky ishte vetëm një hap i një beteje të gjatë për zbatimin e saj me seriozitet dhe përpikmëri. Miratimi i saj në Kuvend, tha Basha, është fillimi i fundit të një procesi shumë të rëndësishëm për “eliminimin njëherë e mirë të praktikave që mundësojnë vërshimin e krimit në këto institucione, kapjen dhe kapitullimin e tyre”. Sipas kryedemokratit, rezoluta që parashikon para se të gjithash funksionim normal të institucionit më të lartë politik, Parlamenti ka mbështetjen e plotë të qytetarëve dhe të institucioneve më të larta evropiane. Parlamenti Evropian do të vijojë angazhimin e mëtejshëm duke monitoruar zbatimin e pikave të rezolutës. “Partia Demokratike dhe opozita janë në Kuvend për ta vazhduar këtë betejë dhe për ta çuar deri në fund, tashmë me një mbështetje të plotë qytetare dhe ndërkombëtare dhe me një dokument parimesh dhe angazhimesh detyruese për shumicën dhe opozitën”, – theksoi kryedemokrati.
Zbatimi
Pas kurorëzimit me sukses të kërkesave të Partisë Demokratike, me angazhimin e Parlamentit Evropian, hapi më i rëndësishëm është zbatimi i saj nga të gjitha palët politike. Për këtë kryedemokrati nuk ka as dyshimin më të vogël e për këtë arsye seancën e djeshme parlamentare, ku morën pjesë edhe deputetët e opozitës, pas gjashtë muajsh bojkot, e konsideroi vetëm një hap të parë. “Ne jemi të vetëdijshëm se rezoluta nuk është fundi, por vetëm fillimi i punës dhe përpjekjeve për zbatimin e saj. Thënë ndryshe, është fillimi i fundit për kriminalizimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo institucioni tjetër”, – theksoi kryedemokrati. Miratimi i kërkesave të kërkuara që kur PD-ja kaloi në opozitë më 23 qershor të vitit që kaloi, nuk është një arsye për t’u tërhequr nga gjithë ajo që është deklaruar në këta gjashtë muajt e fundit. “Dua t’i siguroj të gjithë demokratët dhe qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë zëri i tyre në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, do të vazhdojë të jetë në sintoni të plotë e të përditshme me Shqipërinë në protestë, do të vazhdojë t’u prijë protestave popullore përballë gjendjes gjithnjë e më të përkeqësuar ekonomike dhe shoqërore në vend. Vendi ka rrugëdalje, ka zgjidhje nga qorrsokaku ku ndodhet, dhe ne jemi më të vendosur se kurrë për t’i realizuar ato”, – u shpreh kryeopozitari.
Rezoluta
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, u ndal edhe tek pikat e rezolutës: “Kjo rezolutë përfaqëson kuadrin e qartë të parimeve dhe angazhimeve të përbashkëta shumicë-opozitë për dy çështje kyçe: Së pari, për normalizimin e jetës parlamentare përmes zbatimit sistemik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rishikimit të rregullave në lidhje me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare. Së dyti, për të punuar së bashku, në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Parlamentit dhe Komisionit Evropian për dekriminalizimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera të qeverisjes”, – nënvizoi kryedemokrati Basha, duke bërë të ditur edhe atë që do të ndodh në vijim. “Rezoluta ka mbështetjen e plotë të përfaqësuesve të grupeve më të mëdha të Parlamentit Evropian, Partisë Popullore Evropiane dhe Partisë Socialiste Evropiane. Zbatimi i Rezolutës po kështu do të monitorohet prej tyre në vazhdimësi. Në vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kjo është një ngjarje më rëndësi të madhe për jetën politike, parlamentare dhe shoqërore të Shqipërisë”, – u shpreh Basha. “Ne mbrojtëm Kuvendin, duke shpallur papajtueshmërinë tonë absolute me kriminalizimin e tij. Ne kërkuam dhe propozuam një marrëveshje politike për çmontimin deri në burmën e fundit të mekanizmit që promovon kontingjente të krimit të organizuar në Kuvend dhe në çdo institucion tjetër publik, me bindjen e plotë se kjo nuk ishte e nuk mund të jetë një çështje e zakonshme e interesit partiak të një pale, por një çështje madhore e demokracisë, kauzë jetike e shqiptarëve. Ne e ndërkombëtarizuam problemin kur pamë se shumica po bënte veshin të shurdhër. Ishte kjo përpjekje, e gjatë dhe e vendosur, që solli më në fund marrëveshjen dhe rezolutën e miratuar sot në Kuvendin e Shqipërisë”, – risolli në vëmendje Basha.
Votimi i Rezolutës, Kukan: Shpresoj që bashkëpunimi në Parlament të vijojë
Europarlamentari Eduard Kukan, njëherësh dhe një nga hartuesit e rezolutës, ka përshëndetur finalizimin e marrëveshjes mes palëve politike.
Përmes rrjetit social “Twitter”, dje Kukan u shpreh se misioni përfundoi me sukses, ndërsa shpreson që bashkëpunimi do të vijojë në Kuvend. “Misioni i fundit i suksesshëm, urime miqve shqiptarë. Miqtë shqiptarë finalizuan marrëveshje të rëndësishme. Shpresoj që bashkëpunimi në Parlament të vazhdojë”, – shkoi ai.
Fleckenstein: Firmosja e draft-rezolutës, ditë e madhe për ShqipërinëFirmosjen e rezolutës e përshëndeti edhe ndërmjetësuesi Knut Fleckenstein. “Sapo mora mesazhin se edhe Partia Demokratike ka nënshkruar rezolutën e përbashkët që do ta kthejë në Parlament. Një ditë e madhe për Shqipërinë! Faleminderit të gjithëve që mundësuan më të mirën! Përpjekjet e mia dhe të Eduard Kukanit nuk ishin të pavlefshme. Gëzuar Krishtlindjet të gjithë miqve shqiptarë!”, – shkroi eurodeputeti Knut Fleckenstein në “Facebook”.
Basha e Berisha, urime shqiptarëve për Krishtlindje
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministri Sali Berisha uruan mbrëmjen e djeshme të gjithë besimtarë e krishterë për festën e Krishtlindjeve. “Kjo është një festë e dashurisë dhe shpresës”, – u shpreh Basha, ndërsa uroi që për ditët më të mira. “Të dashur miq, besimtare të krishterë, besimtarë të Zotit, Gëzuar Krishtlindjen këtë festë të dashurisë, shpresës dhe besimit.
Ju uroj nga zemra të gjithë besimtarëve dhe çdo shqiptari që e nesërmja të jetë me e mirë se e sotmja, për ju dhe familjet tuaja. Gëzuar!”, – shkroi kryedemokrati në “Facebook”. Një urim të shkurtër bëri edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai u uroi të gjithë besimtarëve të krishterë paqe dhe gëzime. “Gëzuar Krishtlindjen, paqe, dashuri, lumturi dhe bekimin e Zotit për ju dhe familjet tuaja!”, – uroi Berisha.