Erneta Shevroja
Rama: Pensionistët që kanë 30 vjet në profesion, përfitojnë një pension prej 400 mijë lekësh. Policët që do të dalin në pension të parakohshëm përfitojnë një rritje pensioni prej 173 mijë lekësh më shumë
Policët që do të dalin në pension të parakohshëm ose pension suplementar do të përfitojnë një rritje pensioni prej 173 mijë lekë më shumë se me ligjin e vjetër. Ndërkohë që 640 punonjësit e policisë që kanë mbi 30 vjet punë do të përfitojnë një pension që llogaritet në 400 mijë lekë në muaj. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë një takimi me familjarët e policëve të rënë në detyrë dhe ushtarakëve në misionet jashtë vendit. Këto janë dy ndryshime që janë parashikuar në ligjin e ri për punonjësit e policisë. Përveç dy kategorive më sipër, Rama tha se janë rritur rrogat edhe për policët e nivelit të parë, ndërsa për Forcat Speciale Operacionale ka një kujdes të veçantë shëndetësor. “Kemi trashëguar një situatë shumë të rëndë financiare, por kjo nuk na ka penguar që menjëherë të rrisim, thuajse të dyfishojmë, për punonjësit e nivelit të parë të policisë, rrogat e tyre. Kjo nuk na ka penguar që për Forcat Speciale dhe Operacionale të ketë një trajtim të veçantë shëndetësor, të garantohet vizita, të garantohet kurimi, të garantohet operacioni apo çdo nevojë tjetër shëndetësore me standardet më të larta dhe në barrën e shtetit”, – deklaroi kreu i qeverisë. Ndërkaq, vetëm të dhënat e mësipërme janë më rritje. Për 2-3 vitet në vijim, tha Rama, është e pamundur të ketë rritje rrogash për të gjithë punonjësit e policisë. “Jemi në rrugën e mbarë të daljes nga një katrahurë financiare dhe nga një qorrsokak rrënimi ekonomik dhe kemi qenë të detyruar t’i nënshtrohemi një programi të rreptë reformash, një ndër pikat e të cilit është se na duhet pak kohë, dy a tre vjet, përpara sesa të mendojmë dhe të veprojmë për rritjen e rrogave të të gjithë punonjësve të shtetit”, – deklaroi shefi i qeverisë.
Shpërblimi për fëmijët e të vrarëve
Kryeministri Rama bëri të ditur edhe një ndryshim tjetër që prek të gjithë fëmijët e policëve të vrarë në krye të detyrës. “Sot (dje) me vendim të qeverisë, në Akademinë e Policisë të gjithë fëmijët e policëve të vrarë, që dëshirojnë të ecin në gjurmët e prindërve të tyre, pranohen pa konkurs. Dhe kjo nuk është shkelje e konkurrencës apo cenim i meritës, por kjo është shprehje e bindjes së thellë se në shpirtin e çdonjërit prej këtyre fëmijëve është e shënjuar një herë e përgjithmonë vlera e lartë e virtytit të shërbimit pa kompromis ndaj detyrës. Të gjithë fëmijët e policëve të vrarë, ata më të rriturit, por edhe ata më të vegjlit kanë trashëguar një kapital të pakonkurrueshëm, kapitalin e këtij virtyti të lartë. E për këtë arsye janë dhe duhet të jenë gjithmonë krenarë për prindërit e tyre”, – tha kreu i qeverisë. Është përmendur më herët edhe ndërtimi i Universitetit të Sigurisë, të Shkollës së Lartë të Policisë së Shtetit, kjo do t’i rrisë edhe më shumë rezultatet edhe sukseset e Policisë së Shtetit, por do të jetë në vijimësi një adresë e sigurt për të gjithë ata fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës, që duan të vazhdojnë në gjurmët e prindërve të tyre”, – vijoi Kryeministri.
“Nga ana tjetër, unë jam shumë krenar që pavarësisht vështirësive dhe pavarësisht shtrëngesave objektive që ka sot, ende, buxheti ynë, ne jo vetëm nuk i kemi harruar, por i kemi shpërblyer në prag të Vitit të Ri, mundin, sakrificat dhe nevojat e të gjithë atyre që meritojnë një vëmendje të veçantë. Që nga pensionistët kryefamiljarë tek personat me aftësi të kufizuar, që asnjëherë më parë nuk janë pasur në vëmendje për të marrë një shpërblim në prag të Vitit të Ri, tek familjet në ndihmë ekonomike. Por sigurisht më shumë se kaq. Jo vetëm shpërblime për ata që janë të pamundur, por shpërblime edhe për ata që kanë bërë më shumë se të tjerët. Ndër ta janë padyshim, në krye të vendit, ushtarakët që i janë përkushtuar imazhit dhe sigurisë globale, për të garantuar edhe sigurinë e vendit tonë në misione jashtë atdheut dhe në krye, policët e rënë në krye të detyrës, familjet e të cilëve duhet të kenë mundësinë që të mos privojnë asnjë fëmijë nga dhurata e Vitit të Ri”, – u shpreh shefi i qeverisë.
Tahiri
Kryeministri ishte i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili deklaroi se familjet e policëve të rënë janë në vëmendjen dhe në kujdesin e qeverisë. “Dua t’u drejtohem fëmijëve të punonjësve të policisë. Ne jemi munduar që fëmijët e policëve të rënë të jenë pjesë e Akademisë së Rendit. Ne duam që Shqipëria për të cilën humbën jetën këta punonjës të bëhet një vend që duan. Ne nuk duam që humbjes së një familjari t’i shtohet dhe jeta e vështirë e familjarëve, prandaj qeveria vendosi të caktonte një shpërblim për punonjësit e rënë të policisë”, – deklaroi Tahiri.
Kodheli
Ndërkaq, e pranishme në aktivitetin me familjet e policëve të rënë dhe të atyre që shërbejnë jashtë vendit ishte dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ajo u shpreh se trupat që shërbejnë jashtë vendit janë shëmbëlltyra më e mirë e Shqipërisë. “Dua të përshëndes trupat tonë që janë jashtë vendit. Ato burra dhe gra që janë shëmbëlltyra më e mirë e Shqipërisë. Jemi krenar për ju, jeni ambasadorët më të mirë të paqes. Të gjithë ne si prindër dëshirojmë dhe mendojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Trupat tona në botë dëshmojnë dhe njëherë se ne dëshirojmë një paqe përtej kufijve tanë. Ne nuk duhet të rreshtim së punuari për të ardhmen evropiane të fëmijëve. Fëmijët janë shpresa jonë e vetme dhe ne jemi shpresa e vetme për të tashmen dhe të ardhmen. Ne do të jemi pranë jush aty ku ndodheni dhe në krah të familjarëve tuaj. Ne ju detyrohemi, atdheu iu detyrohet”, – deklaroi Kodheli.
Shërbimi Zjarrfikës i Tiranës, Rama: Nga rrezik zjarri, tani një shërbim dinjitoz
Kryeministri Rama vizitoi dje edhe Shërbimin Zjarrfikës që së fundmi është rikonstruktuar me ndihmë të qeverisë turke. “Një qendër dinjitoze pune e shërbimi”, – e vlerësoi Kryeministri pasi vizitoi ambientet e saj, ndërsa falënderoi qeverinë turke për mbështetjen që vazhdon të ofrojë për Policinë e Shtetit. “Unë jam i kënaqur që sot, këtë vatër që ishte rrezik zjarri në vete e kemi kthyer në një qendër dinjitoze zjarrfikësesh dhe këtyre njerëzve që në kushtet shumë të vështira pa asnjë lloj mbështetje logjistike dhe pa asnjë lloj qendre për të zhvilluar normalisht punën e tyre të përditshme u kemi kthyer jo vetëm kushtet e nevojshme, por dinjitetin e nevojshëm, falë një partneriteti që vazhdon me qeverinë turke, e cila në mënyrë konstante ka shprehur vullnetin për të mbështetur rilindjen e Policisë së Shtetit. Ky është një ndër projektet e përbashkëta që sot përfundon, ndërkohë që të tjera projekte janë në diskutim apo në proces më të avancuar diskutimi. Nga ana tjetër dua të përgëzoj publikisht ministrin e Brendshëm që paralelisht me punën e përditshme dhe të vështirë në krye të një beteje pa asnjë kompromis me krimin dhe të gjitha format e shfaqjes së tij vazhdon të udhëheqë një proces modernizimi dhe transformimi rrënjësor jo vetëm struktural, por dhe logjistik për Policinë e Shtetit”, – u shpreh Kryeministri. Krijimi i kushteve moderne në repartin zjarrfikës, sipas ministrit të Brendshëm Tahiri, do të rrisë edhe standardin e shërbimit ndaj qytetarëve. “Krijimi i kushteve moderne për repartin zjarrfikës në qarkun Tiranë jo vetëm që rrit standardin e shërbimit ndaj qytetarëve, por i jep edhe dinjitet këtij shërbimi për vetë punonjësit këtu, por edhe për qytetarët e qarkut Tiranë. Kjo shënon edhe një pikë kulmore të vëmendjes së qeverisë lidhur me strukturën e repartit zjarrfikës, për të krijuar një standard të ri në raport me qytetarin, në raport me ngjarjet emergjente që kanë të bëjnë me zjarrfikëset, por edhe në raport me shërbimin ndaj këtyre ngjarjeve dhe mbi të gjitha ndaj qytetarëve”, – u shpreh Tahiri.