Gëzim Saliu
“Bashkimi kombëtar si riorganizim i bashkëjetesës së shqiptarëve është e vetmja rrugë që kemi ne, nuk kemi pse as t’i trembemi. Shqipërinë e Madhe e përdorin ata që duan të na pengojnë”
Kryeministri Rama lëshoi dje një mesazh të drejtpërdrejtë për Bashkimin Evropian lidhur me qëndrimin që Unioni po mban në raport me integrimin e Ballkanit. Pjesëmarrës në dialogun e organizuar në Prishtinë nga OJQ-ja “Fol”, me temë “Ku jemi ne sot dhe cila është ardhmëria jonë”, kreu i qeverisë shqiptare tha se shqiptarët duhet të jenë jo vetëm faktor nxitës, por edhe faktor me autoritet për ta bërë Bashkimin Evropian që të kthejë plotësisht kokën nga Ballkani. “Dhe ndahet një orë e më parë nga frika e madhe që e ka mbërthyer dhe që shprehet në formën e lodhjes nga zgjerimi, siç e thonë ata, pa e kuptuar dot akoma dhe duhet t’i ndihmojmë që ta kuptojnë, se në Ballkan, ne kërcënohemi nga lodhja dhe nga durimi. Ne shqiptarët e dimë, ndoshta më mirë se kushdo tjetër, se ç’do të thotë kur ballkanasit lodhen nga durimi. Atëherë s’ka më bashkësi ndërkombëtare që i fut prapë në vathë për të bashkëjetuar me njëri-tjetrin, si “dele” të urta”, – u shpreh Rama.
Bashkimi kombëtar
Duke e vënë theksin tek fjala e tij se rruga e bashkimit kombëtar të shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë duhet të finalizohet në BE, Rama tha se i gjithë Ballkani duhet të punojë që të mposhtë frikën e familjes së madhe evropiane dhe lodhjen që ka nga zgjerimi. Sipas Ramës, bashkimi kombëtar, siç e kanë parafytyruar ata që e kanë lënë amanet një shekull më parë apo më shumë se një shekull më parë, nuk është opsion. “Ndërkohë që bashkimi kombëtar si një realitet për shqiptarët dhe si një riorganizim tërësor i bashkëjetesës së shqiptarëve, jo vetëm është opsion, por është e vetmja rrugë që kemi ne. Dhe kësaj nuk kemi pse as t’i trembemi, as t’i shmangemi kur flasim. Duhet të jemi shumë të qartë dhe shumë të hapur me të gjithë. Askush nuk ka pse trembet nga kjo. E të mos harrojmë që Shqipërinë e Madhe sot nuk e përdorim ne, as në Shqipëri, as në Kosovë dhe askund, e përdorin ata që duan të na pengojnë, sepse e treguar sipas fabulës së 100 apo 150 viteve më parë, ajo nuk funksionon, vetëm tremb dhe alienon ata që janë partnerët tanë strategjikë në rrugën e bashkimit kombëtar”, – theksoi ai. Në këtë kontekst, Kryeministri shqiptar tha se jo në thelb, por në gjithë formën e ndërtimit të tij si koncept, bashkimi kombëtar ka ndodhur. “Jemi ne që duhet ta transformojmë në një realitet tërësor ndërveprimi. Pa e parafytyruar domosdoshmërisht si një bashkim ku në fund fare do kemi një qeveri të vetme, se dhe kështu të ndarë duam 6 muaj të formojmë qeverinë. Llogarite sikur të shtoheshin edhe shqiptarët e Shqipërisë edhe ata me partitë e tyre, parafytyroni se do rrinim pastaj 1 vit pa qeveri”, – pohoi ai. Më tej, Rama theksoi se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës sot mundëson gjithçka, përveçse të kemi një qeveri të përbashkët. “Gjithçka e kemi të mundur. Sigurisht, që për ta bërë gjithçka të mundur duhet të ndërveprojmë dhe të krijojmë kushtet që gjithçka të bëhet e mundur”, – u shpreh ai. Në përfundim të kësaj çështjeje, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi se shqiptarët nuk duhet të bien në kurthin e nacionalizmave dhe folklorit nacionalist që, sipas tij, “vetëm mund të dëmtojë rrugëtimin drejt bashkimit kombëtar në suazën e Bashkimit të madh Evropian, duke kuptuar se koha e re nuk ka sjellë vetëm për ne, por ka sjellë për të gjithë botën qasje dhe kuptime të reja të vetë përpjekjeve në rrafshin e identitetit kombëtar dhe në rrafshin e mirëqenies kombëtare”.
Kosova
Ndërkaq, sa i përket Kosovës, Kryeministri shqiptar tha se ajo nuk është më e kushtëzuar nga Serbia. “Jo vetëm që është e pavarur, por është në mjedisin e nevojshëm për t’u zhvilluar dhe se sa shkon përpara Kosova nuk e ka më në dorë Beogradi, e ka në dorë lidershipi dhe klasa politike në Kosovë. Për më tepër, le ta themi hapur, meqë këtu është “Fol hapur”, nuk ka serbë që ta kenë seriozisht kur thonë e duam Kosovën mbrapsht. Ata duhet ta thonë se kanë votat e veta për të marrë, por mos mendoni se e kanë seriozisht. Është një çështje e mbyllur kjo”, – u shpreh Rama.
Gratë në qeveri/ Rama: Historia me vajzën nga Prishtina në 1993 në Londër
Në diskutimin e tij me të ftuarit në debatin e djeshëm, kreu i qeverisë, duke folur rreth numrit të ministreve në Shqipëri dhe mangësive që vihen re në ekzekutivin e Kosovës në këtë aspekt, rikujtoi edhe një histori të ndodhur në Londër vite më parë. “Më kujtohet në vitin 1993, në mos gabohem, kam qenë në Londër dhe më mikpritën disa miq nga Prizreni. Me një nga ata miqtë po dilnim nga metroja. Në një nga ato shkallët elektrike dhe mu përpara nesh ishte një vajzë e gjatë, shumë e bukur. Unë i them mikut nga Prizreni që shyqyr që pashë një angleze të bukur. Ajo ktheu kokën dhe më tha: “Jam e Prishtinës, he dreq””, – tha Rama me jo pak batutë. Lidhur me qeverinë e Kosovës, kreu i ekzekutivit shqiptar nuk mohoi se e kanë mangësi numrin e paktë të femrave në Këshillin e Ministrave. “Jo vetëm në planin estetik, por edhe në planin e punës, unë kam besuar gjithmonë që shqiptarët i kanë marrë në qafë burrat dhe i kanë sjellë deri këtu gratë. Pavarësisht se gratë duken sikur janë në hije, por ju e dini më mirë se unë, që burrat bëjnë të fortin vetëm kur dalin në diell, se kur futen në hije në shtëpi, ndryshon problemi. Besoj po ashtu që sa më shumë gra të kemi në punët e shtetit, aq më shumë mundësi të reja kemi në dispozicion. Unë jam shumë krenar që kemi arritur të kemi në qeverinë e Shqipërisë një numër të konsiderueshëm grash. Jemi praktikisht sot, në vendin e 11-të në Bashkimin Evropian për nga pjesëmarrja e grave në qeveri. Ishim në vendin e 10-të, por na e kaloi Renzi që e bëri qeverinë më mbrapa”, – theksoi Rama.
Rama, kafe me Thaçin e Mustafën/ Mbledhja e përbashkët e qeverive, në mars të 2015-ës
Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj shqiptare do të mbahet në mars të 2015-ës. Lajmi u konfirmua dje përmes një publikimi në rrjetin “Facebook” nga ministri i Jashtëm kosovar Hashim Thaçi. “Rama dakord që mbledhja e ardhshme e dy qeverive të mbahet në fund të muajit mars 2015”, – tha ai. Ndërkaq, në statusin e tij, Thaçi saktësoi se pas kafes së mëngjesit me Kryeministrin shqiptar dhe kreun e qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, u diskutua për axhendën e integrimit evropian të vendeve, përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e mirëqenies në dy vendet, bashkëpunimin rajonal si dhe zhvillimet e fundit politike.