Dr. Ndriçim Mehmeti
Në mungesë të shpërblimit financiar të merituar për mësuesit në fund të vitit 2014, mendova se së paku do t’u shpërndahej nga një letër në formën e flete falënderimi për kontributin e tyre të pakursyer në edukimin e fëmijëve tanë, të firmosur “Sinqerisht i Juaji Edi Rama”, ose “Ju përqafoj Lindita Nikolla”. Shpërblimi financiar, selfie-t dhe kërcimi me muzikë burimore tradicionale, ishin privilegj i një pakice mësuesish. Po aq edhe tavolinat e mbushura me pjata dhe stolisur për Vitin e Ri, ishin privilegj i një pakice mësuesish dhe një shumice qeveritarësh e nëpunësish ministrorë. Por ama edhe mësuesit nuk është se mbeten pa gjë. Në prag të fundit të vitit 2014 atyre u erdhi fletë falënderimi, që kurrë më parë nuk ka guxuar askush t’jua çoj mësuesve.
Burgu, streha më e mirë, falënderimi më i duhur
“Të gjithë ata mësues apo punonjës të administratave të shkollave që paguhen nga drejtoritë arsimore, të cilët nuk kanë paguar faturat e prapambetura të energjisë elektrike apo nuk kanë lidhur kontratë me OSHEE-në, do të largohen sot nga puna”. Ky ishte urdhri më i fundit i MAS, i komunikuar përmes emalit më 30 dhjetor 2014, drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore, ndërsa këto të fundit ja kanë komunikuar urgjent drejtuesve të shkollës dhe drejtorët mësuesve. Urdhri përmes email-it, i ngeci në fyt festën modeste që mësuesit kishin vendosur të organizonin në vatrat e tyre familjare. Në email shpjegohet se mësuesit duhet të thirreshin brenda datë 2 janar 2015, për të treguar jo vetëm vërtetimin, por edhe librezën tek njeriu, nga i cili, varet jeta e tij, që në këtë rast ishte drejtori i shkollës. Drejtori i shkollës, si pjesë e grupit të “Task-Forcës”, për energjinë elektrike, duhet të priste mësuesit, t’i verifikonte gjithë situatën e pagesës dhe më pas të hartonte listat për punonjësit e tij e t’ia dërgonte urgjent shefit të tij, drejtuesve të DAR/ZA-ve. Këta të fundit t’ia çonin urgjent MAS, me qëllim që ndonjë mësues që nuk kishte paguar, të mos e gjente mëngjesi i 5 janarit 2015 në shkollë, por në shtëpi. Pra mësuesi me urdhër të ministres dhe direktivë të posaçme të vetë kryeministrit, pushohet nga puna jo për faktin se nuk di të japi mësim, jo se shkeli “Kodin e Etikës së Mësuesit”, ligjin, udhëzimin numër kaq e aq, por për faktin se nuk ka paguar lekët OSHEE. Dhe kjo masë është e përcaktuar… Ku? Askund. Me propozim, nga lart e dhunë nga poshtë është detyrë të zbatohet. Mirëpo mesa dimë, është vendosur me ligj në parlament që të gjithë debitorët, e kanë vendin në burg. Mos vallë shteti do të bëj ndonjë lëshim për gjynahqarët arsimtarë!? Ka mundësi, që kryeministri dhe ministrja që i ka shumë xhan mësuesit, t’u thonë ndonjë fjalë të mirë drejtuesve të policisë në rrethe, apo gjykatësve, që të mos merren me mësuesit. Po ta mendosh hollë, burgu është më mirë se lënia pa punë. Të paktën i ke vaktet e siguruara, mund të japësh edhe ndonjë orë mësimi për të burgosurit, ose të mbrosh ndonjë titull akademik. Pse duhet të mendojmë kaq shumë për mësuesit, kur të tillë kemi plot? Me sebepin e energjisë, heqim ca mësues e vemi ca të tjerë, që na ndihmuan në fushatë, Edhe ata mësues janë, ose së paku një diplomë të blerë apo të fituara në rrugë të ndershme e kanë. Kështu që tërë jetën nuk do të rinë të njëjtit mësues. Ndërron pushteti, ndërron edhe mësuesi. Pastaj këta të fundit vetë ankohen që lodhen shumë. Të bëjnë ca pushim se u bën mirë.
A është kjo pjesë e reformës në arsim?
Jam ndier i befasuar aq edhe i tronditur nga fakti se në një media të shkruar, kjo çështje trajtohej si vazhdimësi e reformës në arsim. Nga padituria në rastin më të mirë dhe me qëllim në rastin më të keq, i jepej rëndësi kësaj mase antiligjore, po aq sa ishte edhe testimi i mësuesve, apo reforma për mësuesit jashtë profilit. Të quash reformë, detyrimin që mësuesit të paraqiten si të dyshuar për krim, përpara drejtuesit të shkollës, në ditët e fundit të vitit 2014 dhe në vigjilje të vitit 2015, nuk ka të bëjë aspak me reformën. Kjo ka të bëjë me intensifikimin e një klime terrori, e nisur prej mesit të muajit shtator 2013 dhe që është përshkallëzuar e deri në ditën që po flasim. Nuk ka qenë kaq e shtrënguar MAS, që të zbatojë detyrimet e veta, në fushën e përgjegjësisë qeverisëse që ajo ka, pale pastaj të merret me energjinë elektrike. Nuk ka deri më sot asnjë përgjegjësi zyrtare apo politike, për megaskandalin e drejtueses së Zyrës Arsimore të Lushnjës. Nuk ka asnjë përgjegjësi zyrtare dhe morale, për skandalin e ryshfetit për një vend pune në Korçë. Nuk ka asnjë përgjegjësi zyrtare e morale, për punën e papaguar të mësuesve, në procesin e MSH 2014. Nëse kontrolli i librezave të ujit, Albtelecom-it, dritave quhet reformë, atëherë, me këtë logjik, ne duhet të përgjigjemi pranë eprorëve tanë për çdo gjë: Sa dhe si i kemi harxhuar lekët, ku dhe me kë do t’i kalojmë pushimet, të marrim leje jo vetëm kur largoheni nga puna për një arsye madhore, por edhe kur shkojmë në banjë. Edhe kjo lloj “llogaridhënie” mund të quhet reformë. A shkelen të drejtat e njeriut në këtë rast? Nuk e besoj. Që mësuesit duhet të dorëzojnë celularin kur fillon mësimi dhe ta marrin kur mbaron mësimi, nuk është shkelje e të drejtave të njeriut. Që tregojnë pagesën e dritave dhe kjo nuk është shkelje. Po ashtu nuk quhet shkelje e të drejtave të njeriut, që drejtuesit e shkollës, t’i detyrojnë mësuesit të marrin rrogën në bankën që ata preferojnë, apo të kontraktojnë me kompaninë celulare të rekomanduar nga drejtori i DAR/ZA, edhe kjo nuk mund të quhet shkelje e të drejtave të njeriut. Quhet disiplinë. Ka njerëz të shtypit të shkruar dhe mediave vizive që i dinë më mirë këto punë dhe i quajnë reformë. Po ashtu edhe testimi i gjithë mësuesve, që mbështet në vullnetin e kryeministrit dhe përulësinë për ta zbatuar këtë vullnet prej ministres, pavarësisht se nuk mbështete në ligj, quhet reformë. Ndërkaq, përmirësimi i kushteve të mësimdhënies, shtimi i ndihmës mësuesve, shtimi i laboratorëve shkencor, kompjuterik dhe atyre didaktikë, njohja e maturantëve me procesin e MSH 2015, e shumë të tjera si këto, quhen luks jo reformë në Shqipëri. Megjithatë mësuesit nuk duhet të shqetësohen nga kjo reformë e fundit e ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Nëse dikush mendon se kjo bëhet në mënyrë tendencioze, e ka gabim. Nëse do të ishte kështu do të reagonin sindikatat, Totozani, Grupi i të Drejtave të Njeriut, Grupi i Strasburgut, Helsinkit me seli në Tiranë, e me radhë. Por ja që edhe këto institucione nuk kanë reaguar. Ligji? Punë e madhe që nuk po i referohet kush. Në fund të fund zbatimi i ligjit në fushën e arsimit, nuk është edhe kaq i rëndësishëm, sesa pagesa e energjisë dhe kërcënimi me burg i mësuesve. Kot nuk ka dalë shprehja më e re “Burgu nuk është vetëm për burrat, është edhe për mësuesit”. Në fund të fundit mësuesit, duhet të jenë shembull për nxënësit dhe shoqërinë. Të jesh mësues, do të thotë të jesh model që duhet të ndiqet nga të tjerët. Meqenëse burgu është modeli më i përhapur sot për sot në Shqipëri, mësuesi nuk duhet ta lerë veten jashtë standardit më të mirë të ofruar së fundmi edhe prej Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.