Tek infermierët do të testohen fillimisht njohuritë bazë, por jo vetëm pjesa profesionale
Janë 3720 mjekë dhe 13010 infermierë dhe laborantë, të cilët do të testohen duke filluar nga muaji shkurt. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë konferencës “Profesionistë të Mbulimit Shëndetësor Universal” – Sistemi i Ri i Testimit të Mjekëve dhe Infermierëve të Kujdesit Shëndetësor. “Kemi bërë këto kohë dhe po përfundojmë procesin e trajnimit të 1400 mjekëve dhe 5600 infermierëve për Programin e Kontrollit Bazë dhe aty kemi zbuluar që ka boshllëqe edhe më bazike në njohuri, prandaj na duhet një fotografim i situatës që është sot, edhe për mjekët edhe për infermierët. Kemi vendosur të punojmë me dy kahe, me dy grupe të ndryshme, që janë mjekët dhe infermierët. Me infermierët do ta fillojmë nga QSUT-ja dhe pastaj do zbresim në spitale dhe në (shërbimin) parësor. Me mjekët do ta fillojmë nga qendrat shëndetësore, nga mjekët bazë derisa të vijmë drejt piramidës. Janë praktikisht 3720 mjekë, por ndoshta kjo shifër rezulton pak, sepse sigurisht, ata që janë pedagogë, nuk janë pjesë e këtij sistemi testimi dhe 13010 infermierë dhe laborantë, – janë rreth 12300 infermierë dhe rreth 700 laborantë, – që janë trupat e infermierëve dhe mjekëve në sistemin publik, që do të testohen”, – theksoi ministri i Shëndetësisë. “Ne duhet të dimë se ku do të shkojmë dhe përpara se ta dimë këtë, duhet të dimë se ku jemi. Për të bërë këtë, duhet bërë një lloj testimi, i cili natyrisht nuk do të ketë qëllimin për të diferencuar shumë njerëz, por do të ketë qëllimin e fotografimit. Duke ditur se ku e kemi nivelin e mjekëve, që përballen me problemet e jetës së përditshme, do të dimë edhe se ku do të shkojmë. Kjo, sepse që të ndërtosh një program edukimi në vazhdim, duhet të nisesh nga një bazë dhe pastaj të kuptosh problemin se deri ku ai shkon. Do të ishte mirë që të fillonte një program testimi për mjekët në të gjitha nivelet”, – tha Mira Rakacolli, dekane e Fakultetit të Mjekësisë.
Çfarë do të përmbajë testi
Tek infermierët do të testohen fillimisht njohuritë bazë, por jo vetëm pjesa profesionale. “Është shumë e rëndësishme edhe pjesa e komunikimit, edhe pjesa e etikës. Dhe, sigurisht, do të na duhet të ndërtojmë aty edhe një pjesë të testimit edhe për çështje që lidhen me korrupsionin. Pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme që kemi, një gjë është fakt: Shëndetësia është një nga dy sektorët e jetës publike në Shqipëri, që perceptohet nga shqiptarët, si dy nga më të korruptuarit. Testimi do të jetë më i shënjestruar, le të themi infermierët e pediatrisë, pas testimit bazë, do të kenë një testim praktik me raste që lidhen me pediatrinë; ato të kirurgjisë, po ashtu. Në shërbimin parësor do të jemi shumë më të fokusuar tek pjesa e etikës, komunikimit dhe hallkave të sistemit të referimit, të cilin po punojmë me Fondin (FSDKSH) për ta thjeshtëzuar. Testimet do t’i formulojmë në bashkëpunim me fakultetet, sepse aty është pjesa kryesore e njohurive që ne kemi në Shqipëri, në këtë drejtim. Sigurisht që, kemi gati për të plotësuar edhe dy-tre eksperienca të vendeve të zhvilluara evropiane, por edhe një referencë në një vend fqinj, që e kanë filluar këtë proces, që u ka rezultuar në vlerësimet që u bëhen pas disa viteve, i vlefshëm dhe i shëndetshëm”, – përmendi Beqaj.
Sistemi i ri/ Përzgjidhen mësuesit që do të punësohen në shkollat ku ka vende vakante
Ministria e Arsimit bëri të ditur ditën e djeshme se ka nisur përzgjedhja e mësuesve që do të punësohen në një nga vendet vakante. Ka qenë ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila, gjatë një aktiviteti në Shkodër, deklaroi se sistemi i ri i punësimeve në arsim ka në themel tri parime: meritë, konkurrencë dhe transparencë. “Meritën ne e shohim si themelin bazë, jo vetëm për të zgjidhur këtë situatë emergjente në arsim, por edhe për të mundësuar një cilësi të re në shkollat tona, një cilësi të re të mësimdhënies. Ne jemi të vendosur për t’i thënë të vërtetat, sepse nuk ka gënjeshtër më të madhe që u është thënë mësuesve, prindërve, gjithë shoqërisë, duke mos u lexuar rezultatet tejet të ulëta të kalimit në provimin e shtetit apo edhe në testimin që realizuam”, – tha Nikolla. Ministrja, ndër të tjera, tha se ky provim do të përsëritet çdo vit si për kandidatët e rinj, ashtu edhe për ata që dëshirojnë të marrin më shumë pikë. Në provimin kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, morën pjesë 5271 mësues në 25 profile. Vlerësimin pozitiv e morën vetëm 2082 kandidatë, pra 40% e tyre. Rezultatet më të mira janë arritur nga mësuesit konkurrentë në Drejtorinë Arsimore Tiranë, Fier dhe Lezhë, ndërsa rezultatet më të dobëta janë ato në Elbasan, Gjirokastër dhe Tirana Qark. Në Qarkun e Shkodrës morën pjesë 303 kandidatë dhe fituan vetëm 116 prej tyre. Në Qarkun e Tiranës nga 280 kandidatë fituan 111. Në Tiranën qytet nga 1089 kandidatë fituan vetëm 494. Në Durrës morën pjesë 314 kandidatë nga të cilët fituan 137. Në Vlorë morrin pjesë 341 dhe fituan 131. Në Kukës nga 60 fituan 29. Në Dibër nga 92 fituan 39, ndërsa në Lezhë nga 157 fituan 69 kandidatë.
MAS/ Ndryshon Matura Shtetërore, kandidatët edhe këtë vit 5 provime
Ndryshon sërish procesi i Maturës Shtetërore. Për vitin 2015 matura do të ndahet në dy pjesë: Matura Shtetërore, ku përfshihen gjimnazet e përgjithshme, dhe Matura Shtetërore Profesionale, e cila është për shkollat profesionale. Ky ndryshim ka ardhur për shkak të ndryshimit që i është bërë ligjit të arsimit dhe formimit profesional dhe kalimit të tij në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Sipas Nora Malajt, në fund të muajit dhjetor është miratuar udhëzimi për Maturën Shtetërore, ndërsa për Maturën Shtetërore Profesionale është ngritur një grup i përbashkët pune për të përpiluar udhëzimin përfundimtar, i cili kryesohet nga zv.ministrja e Mirëqenies Sociale, Gentiana Sula. Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, ka sqaruar se në thelb procesi i maturës do të vijojë të jetë i njëjtë, pasi edhe për këtë vit maturantët do t’u nënshtrohen 5 provimeve, ku tri janë të detyruara dhe dy me zgjedhje.