Reagimi/ Basha: Rama, promovuesi më i madh i krimit në institucione publike

0
171

Erneta Shevroja

lulzim basha para gazetareve “Në historinë e parlamentarizmit botëror nuk mund të gjesh një rast të vetëm kur një lider shumice a pakice të ketë futur afro 25% të listës së deputetëve me të dhëna kriminale”

 Për herë të parë dje, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, akuzoi zyrtarisht Kryeministrin Edi Rama për promovimin e krimit në vend, duke emëruar në poste drejtuese persona me precedentë penalë. Ky reagim nga ana e kreut të PD-së erdhi i nxitur nga ngjarjet e fundit në vend. Basha akuzoi drejtpërdrejt Kryeministrin e vendit, Edi Rama, si “promovuesin më të madh të krimit në institucionet publike, në historinë e shtetit shqiptar”. Ai tha se nuk mund të ndodhë në asnjë vend në botë që një parlament të ketë 25 për qind të deputetëve me precedentë penalë. Ndërsa sa i përket deklaratës së disa ditëve më parë, kur Kryeministri Rama tha se do të jepte dorëheqje, nëse opozita do të vërtetonte se ai kishte lidhje me bandat kriminale, kryedemokrati u shpreh se kjo nuk është gjë tjetër, veçse një blof, pasi, sipas tij, një politikan i ndershëm nuk bashkëpunon më krimin. Ndërkaq, dy paditë penale të paralajmëruara nga Kryeministria ndaj kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, dhe sekretarit të përgjithshëm, Arben Ristani, Basha i cilësoi si strategji që opozita të heshtë. Para këtij reagimi, dje sekretari i përgjithshëm, Arben Ristani, denoncoi se kryetari i PD-së, Lulzim Basha, është kërcënuar nga Emiljano Shullazi, vetëm disa orë pasi është liruar nga policia javën e kaluar.

 

Akuza

Duke u nisur nga ngjarjet e fundit, kreu i partisë më të madhe opozitare akuzoi Kryeministrin për lidhje me krimin. “Me përgjegjësi politike dhe morale para vendit, akuzoj sot (dje) Kryeministrin e vendit si promovuesin më të madh të krimit në institucionet publike, në historinë e shtetit shqiptar. Jam i vetëdijshëm për peshën e akuzës, por ne nuk mund të fshehim të vërtetën, duam të jemi të ndershëm me popullin tonë. Shqipëria jonë është e vlerës, e të vërtetës dhe e ndershmërisë”, – tha Basha. Kjo akuzë faktohet, sipas Bashës, nga numri i lartë i deputetëve në radhët e mazhorancës që kanë lidhje me krimin si trafikantë droge dhe prostitucioni. Sipas Bashës, janë 19 të tillë, ndërsa ai tha se ky është vetëm numri më sipërfaqësor. “Opinioni publik i njeh fare mirë provat që kërkon i akuzuari. 19 nga 83 deputetët e mazhorancës vijnë nga një background kriminal. Në historinë e parlamentarizmit botëror nuk mund të gjesh një rast të vetëm kur një lider shumice a pakice të ketë futur afro 25% të listës së deputetëve me të dhëna kriminale. Kjo mazhorancë mbahet me votat e krimit. Kjo është vetëm fasada e lidhjeve organike rilindje-krim”, – deklaroi dje lideri i opozitës.

 

Argumentet e Kryeministrisë

Ndërkaq, argument e sjella nga Kryeministria ndaj akuzave të opozitës për lidhje të deputetëve të mazhorancës me krimin nuk qëndrojnë. Sipas tij, një dëshmi penaliteti nuk vërteton asgjë dhe kjo është një gënjeshtër nga ana e Kryeministrit Rama. “Kjo nuk është një mënyrë drejtimi të qeverisë, – tha ai. – Nuk i njihja për kriminele – thotë Kryeministri – se më sollën dëshminë e penalitetit. A mundet që institucionet më të informuara të vendit siç janë partitë politike dhe liderët e tyre, t’i përzgjedhin deputetët në mënyrë kaq sipërfaqësore! Kështu e drejton ky njeri edhe qeverinë, kështu e drejton edhe sigurinë e vendit? Si mund t’i gënjesh shqiptarët në këtë mënyrë dhe mos të të zvarget boja?!”, – theksoi kryedemokrati. Ndërkohë, po sipas Bashës, rruga më serioze e të trajtuarit të kësaj çështjeje nga ana e kreu të qeverisë do të ishte duke i përjashtuar ata deputetë nga grupi parlamentar i PS-së. “Nëse vërtet ndihet i penduar nga deputetët me rekorde kriminale, trafikantët e prostitucionit dhe drogës, pse nuk i tërheq mbështetjen politike dhe nuk i përjashton nga grupi i tij parlamentar?”, – tha kreu i opozitës.

 

Dorëheqja

Po ashtu, Basha komentoi edhe deklaratën e Kryeministrit Rama për dorëheqjen nga posti, nëse opozita vërteton qoftë edhe një akuzë të vetme për lidhje të tij me krimin. “Deklarata e Ramës është një blof, – tha Basha, – pasi një politikan që nuk ka lidhje me krimin, nuk do të emëronte persona me precedentë penalë. Blofin me dorëheqjen nuk ta pranon kush. Dorëheqja është akt nderi dhe vlerash. Por ky nuk është rasti për pritshmëri të tilla. Një politikan me vlera nuk do krijonte një varësi të tillë bashkëpunimi me krimin”, – komentoi kryedemokrati.

 

Paditë

Ndërkaq, dy paditë penale që janë njoftuar nga Kryeministria ndaj kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, dhe sekretarit të përgjithshëm, Arben Ristani, Basha i vlerësoi si strategji për ta bërë opozitën të heshtë. “Presioni me padi penale ndaj opozitës është strategji e mafias, është presion për të heshtur. Krimi dhe miqtë e tij në politikë nuk e frikësojnë këtë popull. Do na kenë përballë derisa të shpëtojmë vendin prej tij. Ne jemi të vendosur në luftën tonë për të pastruar politikën dhe shtetin nga krimi, të vendosur të çlirojmë shtetin dhe shoqërinë nga miqtë e krimit në politikë”, – deklaroi kryeopozitari.

 

 Mesazhi në telefon/ PD: Shullazi kërcënoi Bashën, Rama përgjegjës. Kryeministria padit Arben Ristanin

Partia Demokratike denoncoi dje faktin se Emiliano Shullazi ka kërcënuar deputetë të opozitës dhe vetë kreun e partisë, Lulzim Basha. Në një deklaratë për mediat, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, akuzoi për këtë drejtpërdrejt Kryeministrin Rama. “Partia Demokratike, publikisht, në sytë e të gjithë qytetarëve të paralajmëron se ti Edi Rama je dhe do të mbahesh drejtpërdrejt përgjegjës për kërcënimet që ky bandit i bën opozitës dhe kryetarit të opozitës. Nuk ka tjetër përgjegjës veç teje dhe të sigurojmë se këtë përgjegjësi do ta mbash deri në fund”, – denoncoi Ristani. Sipas tij, “Edi Rama i ofroi të gjitha lehtësitë Emiliano Shullazit në lidhje me ngjarjen e fundit kriminale. Kreu i bandës kriminale përfitoi nga favoret e krijuara prej Edi Ramës dhe pas përplasjes së përgjakshme me të vrarë e të plagosur ai bridhte i lirë nëpër baret e Tiranës”. Ndërkohë, menjëherë pas kësaj deklarate, zyra e shtypit e Kryeministrisë njoftoi se do të ngrihet një padi edhe ndaj sekretarit të përgjithshëm, Arben Ristani, pas asaj ndaj Palokës. Ashtu si më parë, Kryeministria theksoi faktin se nëse vërtetohet qoftë një fakt i akuzave, Kryeministri do të japë dorëheqje nga posti. “Zyra juridike e Kryeministrit po përfundon dokumentin e padisë së dyfishtë, penale dhe civile, për kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, sapo nisi puna për të përgatitur edhe një padi tjetër të dyfishte për sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani. Edhe Arben Ristani do të paditet për të njëjtën shpifje monstruoze përmes së cilës, të dy shpifësit profesionistë tanimë edhe figura të larta zyrtare të PD-së, synojnë të lidhin në mënyrë kriminale botën e krimit me qeverinë e personalisht me Kryeministrin. Ashtu si lideri i grupit të PD-së edhe lideri organizativ i saj, duhet të provojnë patjetër para prokurorëve dhe gjykatës akuzat e tyre. Shqipëria nuk mundet kurrsesi të ketë një Kryeministër të lidhur në çfarëdo forme qoftë me krimin. Shqiptarët meritojnë transparencë të plotë për gjithçka kanë dëgjuar nga zyrtarët më të lartë të PD-së. Kryeministri Edi Rama i siguron që të gjithë se një provë e vetme e kësaj natyre mjafton që ai të tërhiqet nga detyra e nga politika dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë. Por nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë është i vendosur të përballet deri në fund me mjetet e ligjit kundër kësaj politike të rrezikshme që synon kriminalizimin e politikës në sytë e shqiptarëve dhe më keq akoma, synon të përdorë krimin për interesa mjaft të errëta dhe kërcënuese për shoqërinë”, – bëri të ditur zyra e shtypit të Kryeministrisë.

 

Kërcënimi/ Didi, takim urgjent me Llallën dhe Çipën

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, u takua dje me prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, në lidhje me kërcënimet e opozitës të bëra nga Emiliano Shullazi. Pas takimit me kryeprokurorin, Didi u takua me drejtorin e Policisë së Tiranës, Ardian Çipa. Në lidhje me kërcënimin mësohet se mesazhi ka ardhur në celularin e një deputeteje të PD-së. Kjo e fundit ka depozituar edhe një kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.