Testamenti politik/ Dokumenti shokues, Rrëfimi i fundit i Titos për shqiptarët

0
208

Milazim Krasniqi

Josip Broz Tito Ekskluzive/ Shkrimtari dhe publicisti Milazim Krasniqi mbi zbulimin e testamentit politik të udhëheqësit jugosllav

 Do të ishte simpatike dhe e dobishme që ata historianë, politologë e albanologë shqiptarë që e kanë glorifikuar figurën e Titos dhe regjimin komunist jugosllav, t’u rikthehen studimeve të kësaj fushe dhe të kontribuojnë në çmontimin e miteve të rreme për të cilat kanë kontribuuar me punën e tyre pseudoshkencore. Ata që e kanë shpallur Titon mik të shqiptarëve e njeri të epokave do të duhej t’u binin pishman dokrrave të veta

Fjala e Josip Broz Titos para ushtarakëve në Karagjorgjevë më 29 dhjetor 1979, e botuar në librin e historianit Vjençesllav Cenqiq, imponon nevojën që i gjithë qëndrimi i tij ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve të rishikohet dhe të rivlerësohet nga e para, pasi qëndrimi që ai lë me atë fjalë, është krejtësisht i ndryshëm nga ai që është konsideruar si qëndrim i tij ndaj Kosovës e ndaj shqiptarëve. Procesi i rishikimit dhe rivlerësimit të figurës së tij dhe qëndrimit ndaj Kosovës e ndaj shqiptarëve do të duhej të ishte një projekt afatgjatë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në rend të parë, gjithsesi edhe i departamenteve dhe i instituteve të historisë.

Ne në këtë tekst të shkurtër vetëm po e iniciojmë një debat publik lidhur me testamentin politik të Titos (gjithnjë me besimin që stenogrami i publikuar nga Cenqiqi është autentik. Natyrisht detyra e studiuesve të fushave respektove në të ardhmen do të mbetet jo vetëm vërtetësia e stenogramit të publikuar, por edhe krahasimi i tezave dhe qëndrimeve të këtij testamenti politik me qëndrimet e tij të mëhershme për të njëjtat çështje, me konkluzionet si dhe vendimet e organeve partiake e shtetërore, për t’i kuptuar shkaqet e ndryshimit eventual të qëndrimeve në testamentin politik të tij dhe për t’i zbuluar agjentët që e kanë imponuar një ndryshim të tillë, nëse ai është një ndryshim.

Qëndrimet që paraqet Josip Broz Titoja në këtë testament politik para kreut të Armatës sikundër e pohon ai vetë janë të sintetizuara nga raporti që ka marrë nga gjeneral Nikolla Lubiqiqi, raport të cilin e kanë firmosur edhe të gjithë komandantët e armatës. Prej këtij pohimi të Titos del konkluzioni logjik që ai para ushtarakëve faktikisht e ka paraqitur raportin, të cilin e ka marrë po prej tyre, që do të thotë se lidhja e tij me kreun e armatës ka qenë saktësisht “trashëgimia më kobzezë”, sikundër e emërton Viktor Majeri në librin e tij “Fundi i Jugosllavisë: goditja në Kosovë”. Pra, testamentin politik ai e ka lënë si ushtarak, si mareshal dhe komandant suprem i forcave të armatosura, e jo si politikan e as si burrë shteti. Me një fjalë, ashtu si pati ardhur në pushtet, me forcën e armës, ashtu edhe po shkonte, duke ua lënë amanet shtetin dhe pushtetin vartësve të tij në armatë, gjeneralëve. (Prej këndej mund të kuptohet më lehtë edhe roli kobzi që luajti armata jugosllave në vitet 90 në Slloveni, Kroaci, BeH dhe në Kosovë, e komanduar nga lobi serb, të cilit Titoja ia dorëzoi shtetin në takimin e dhjetorit 1979 në Karagjorgjevë.

 

Kundër Kushtetutës së vitit 1974

Edhe pse testamenti politik i Titos ka kohë që është publikuar, në Kosovë studiuesit shtiren sikur ai nuk është publikuar. Por, heshtja pothuajse e plotë e historianëve, politologëve dhe intelektualëve shqiptarë të Kosovës në veçanti, për gjithë ato zhvillime dramatike që nga vdekja e Titos e deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999, është e pakuptueshme. Në fakt, jo vetëm kjo periudhë, po ndriçimi i gjithë periudhës së sundimit sllav mbi Kosovën e në këtë kuadër edhe të sundimit komunist serb e jugosllav, ka rëndësi të madhe për historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në tërësi. Amnezioni i shtirur, ikja nga ballafaqimi me të kaluarën ka rrezik të prodhojë më shumë konfuzione edhe për të tashmen dhe të ardhmen e vendit dhe të kombit tonë.

Në këtë tekst do të fokusohemi vetëm te disa nga qëndrimet e shprehura të Josip Brozit për Kosovën e shqiptarët në fjalën e tij në Karagjorgjevë më 29 dhjetor 1979, sa për të argumentuar se vërtet është e nevojshme që të bëhet një rikthim krejt i ri për studimin të kësaj periudhe me qasje të reja e me metoda të reja shkencore.

E para, Titoja, që nga fillimi pohon se gjendja në Kosovë ishte e keqe dhe se ai personalisht kishte qenë kundër Kushtetutës së vitit 1974, e cila Kosovës i pati dhënë një autonomi më të gjerë. Titoja thotë kështu decidivisht:

“Kuadrot shqiptare nga Kosova po mendojnë që nëse me Kushtetutën e vitit 1974 kanë fituar më shumë të drejta e pjesërisht edhe shtetësi, ndërsa unë po e theksoj që kam qenë kundër asaj Kushtetute, mund të kryejnë me vetiniciativë, aktivitete shtetërore. Ashtu është e palejueshme që anash Republikës së Serbisë, por edhe federatës, të zhvillojnë biseda shtetërore me Shqipërinë. Ata me vetiniciativë, pa dijeninë tonë, kanë sjellë profesorë nga Shqipëria në fakultete dhe shkolla që të ligjërojnë historinë me programin shqiptar, që të mësojnë fëmijët tanë dhe studentët që Kosova është pjesë e Shqipërisë së Madhe Skënderbegase, që përkohësisht është nën Jugosllavi”.

Sipas këtyre pohimeve të Brozit, mund të nxirren disa hipoteza :1) udhëheqësia shqiptare e Kosovës, e asaj periudhe, paskësh qenë aq e fortë sa të ketë punuar kokë me vete, me vetiniciativë, 2) Titoja ka frikë nga armata dhe arsyetohet para tyre dhe faktikisht kërkon prej tyre të bëjnë korrigjimin e politikave të deriatëhershme civile të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, 3) forcat separatiste antiserbe janë të fuqishme dhe e kanë sfiduar edhe vetë Titon dhe armatën me projektin e tyre të decentralizimit dhe të separatizmit.

E drejta, Titoja më vonë në fjalën e tij, tërë kohën akuzon Kardelin dhe Bakariqin si arkitektët e asaj kushtetute dhe atij decentralizimi komplotist, sikundër që autonominë e Kosovës e konsideron si shkaktarin e krizës së mundshme të shtetit federal, për çka thotë se duhet të mbajnë përgjegjësi ata që e kanë përkrahur Kushtetutën e vitit 1974. Pra, gjëja më e qartë nga rrëfimi i tij para kreut të Armatës Jugosllave është se ai ka qenë kategorikisht kundër Kushtetutës së vitit 1974 dhe veçmas kundër zgjerimit të autonomisë së Kosovës. Dhe meqë ai e thotë kaq kategorikisht dhe në mënyrë kaq eksplicite, atëherë rezulton se miti i rremë sipas të cilit Titoja ia pati dhënë autonominë Kosovës, duhet të ç’mitizohet dhe analizat e ardhshme duhet të shkojnë në atë drejtim që ta zhveshin këtë person nga meritat e rreme për avancimin dhe zhvillimin e Kosovës në bazë të Kushtetutës së vitit 1974. Rezulton se ato merita u përkasin Kardelit e Bakariqit dhe të gjithë atyre që kanë qenë përkrahës të projektit të tyre, ndër ta sigurisht edhe disa nga kuadrot shqiptare. Por, jo Titos, meqë ai paskësh qenë kategorikisht kundër.

Qëndrimin konstant dhe të prerë kundër autonomisë së Kosovës, që u ofrua me Kushtetutën e vitit 1974, Titoja e përforcon edhe me këto fjalë: “Me rastin e miratimit të Kushtetutës i kam thënë Bevcit (Eduard Kardelit) dhe Vlladës (Vlladimir Bakariqit) po edhe tërë komisionit kushtetues, ku më mbivotuan Kardeli dhe bashkëmendimtarët e tij, që për 3 deri në 4 vjet unë do t’i demantoj dhe do të dëshmoj që kam pasur të drejtë. Që kam pasur të drejtë e tregon edhe kjo gjendje në Kosovë por edhe në gjithë vendin”.

Kaq kategorik kundër Kosovës, nuk kanë qenë as drejtuesit politik të Serbisë së asaj kohe, meqë në vitet 70 ishin në fuqi të ashtuquajturit “liberalët serbë” në krye me Marko Nikerziqin dhe me intelektualen e njohur, Llatinka Peroviqin.

 

Akuzat e rënda për kreun e Kosovës

Kur është fjala për kuadrot shqiptare, të Kosovës, mendimi më denoncues i Titos është për Mahmut Bakallin, po edhe për Fadil Hoxhën:

“Kam të dhënën që informatorë dhe oficerë të lartë të “Sigurimit” ligjërojnë marksizmin në Universitetin e Prishtinës, ndërsa kam marrë të dhëna që disa si Bakalli e Hoxha e të tjerë kanë shërbimin e vet “privat”, jo vetëm në territorin e Serbisë, po edhe në republikat e tjera, e veçmas për shkak të shvercit me drogë nëpër limanet shqiptare. Në fakt, është e fshehtë publike që në marinën shqiptare ekziston një sektor i veçantë për shvercin e drogës”.

Kështu citohet të ketë thënë Titoja në takimin me kreun e armatës jugosllave në Karagjorgjevë më 29 dhjetor 1979, për udhëheqësit e lartë shqiptarë, njëri prej të cilëve, Fadil Hoxha, një kohës ka qenë nënkryetar i tij, ndërsa Mahmut Bakalli në atë kohë, kur Titoja e denonconte si kontrabandist droge, ka qenë kryetar i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Nga ky ton kaq armiqësor i Titos ndaj udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, mund të kuptohet që lobi serb në kreun e armatës jugosllave e kishte hartuar një politikë krejt tjetër nga Lidhja e Komunistëve dhe nga qeveria federale dhe po përgatitej që ta merrte pushtetin, sigurisht me miratimin e komandantit të saj suprem, Josip Broz Titos. Nëse kjo hipotezë jona do të mbështetet edhe me dokumente e dëshmi të tjera, do të dilte që Titoja ishte shndërruar në një monstrum gjakatar, që po të kishte energji, do të mund të provonte të bënte një kasaphanë edhe më të madhe nga ajo që bënë pasardhësit e tij të armatës, duke ndjekur testamentin e tij. Meqë vetë “po shkonte” sikundër e thotë në një rast gjatë atij fjalimi, ai po i porosiste ushtarakët, që ata të bënin ligjin sipas mënyrës së tyre. Titoja atyre u thotë qartë se çfarë duhet të bënin ata pas largimit të tij nga skena: “Nëse ju, armata jonë, nuk do të punoni në kohezionin e unitetit, pas “shkuarjes” sime parashikimet e mia do të vërtetohen”.

 

Vajtim për Rankoviqin

Në vazhdim Tito e vajton rënien e Rankoviqit dhe betohet se ka qenë kundër dënimit të tij. Dënimi, sipas tij, erdhi nga komploti i Edvard Kardelit. Ndërsa, ndër shqiptarët e Kosovës ka vepruar miti sipas të cilit Titoja e pati rrëzuar Rankoviqin “për shkak të zullumit ndaj shqiptarëve”. Kjo thjesht nuk ka qenë fare e vërtetë (Stenogranet e Plenumit IV të Brioneve, të botuara në mediet serbe, i kam lexuar dhe nëse janë të vërteta edhe ato, askund nuk përmendet zullumi ndaj shqiptarëve dhe as që përmenden fare shqiptarët). Prandaj edhe ky mit për gjoja rolin proshqiptar të Titos në Plenumin IV të Brioneve, duhet të çmontohet dhe të eliminohet si i pavërtetë. Miti i tillë me siguri ka qenë i prodhuar nga shërbimet sekrete ushtarake, për ta glorifikuar figurën e Titos ndër shqiptarët e painformuar. Fatkeqësisht ky truk ka pasur shumë suksese, sepse perceptimi te një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar të Kosovës ka qenë që Titoja e ka hequr Rankoviqin për shkak të zullumit të tij ndaj shqiptarëve.

 

Paralajmërimi i provokimit të kryengritjes shqiptare në Kosovë?

Në një pjesë të fjalës së tij para ushtarakëve në Kargjorgjevë, Titoja thotë se në Kosovë po ndërtohen objekte luksoze me “pullaze nga argjendi” dhe kërkon të hapen hetime për këtë gjë. Edhe kjo shpifje tregon se ai nuk e kishte veten në dorë (meqë në Kosovë kishte qenë disa herë dhe me siguri e ka pasur një ide për varfërinë e saj ekonomike të saj) por ai ishte një kukull në duart e lobit serb të armatës, të udhëhequr nga Nikolla Lubiqiqi, i cili më vonë do të luajë një rol të fuqishëm edhe për ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit. Titoja paralajmëron edhe “kryengritjen” shqiptare: “Ne dimë pak për aktivitetet e emigracionit shqiptar, por shikoni shokë, ai emigracion po mbledhë “taksë” për shkollimin e shqiptarëve, që do të komandojnë atë që paralajmërohet shpesh “kryengritjen popullore” në Kosovë”.Në mungesë të dokumenteve, tash për tash nuk mund të dihet se a ka pasur ky “paralajmërim i hershëm” ndonjë lidhje me demonstratat e vitit 1981, me provokimin eventual të tyre për ta filluar procesin e zhbërjes së autonomisë së Kosovës. Por, duket sheshit që lobi serbe në armatën jugosllave e ka patentuar një shkak për ndërhyrje edhe në Kosovë e edhe në emigracion, ku më vonë ka pasur likuidime të aktivistëve shqiptarë.

Për natyrën gjakatare të Titos dëshmon ai vetë me fjalët e veta edhe në bisedat me Josip Kopiniqin, kur pohon se në një rast i kishte kërkuar Rankoviqit që ta likuidonte fizikisht Edvard Kardelin, por Rankoviqi kishte refuzuar ta likuidonte. Njeriu që kërkon likuidimin fizik të bashkëpunëtorit më të afërt, të ideologut të partisë e të shtetit, është i prerë saktësisht sipas masës së Salinit (bile ka historian që tashmë kanë pohuar se Titoja ishte më stalinist se sa vetë Salini).

Qoftë dhe vetëm për shkak të kësaj fjale të tij në Kargjorgjevë, ku zbulohet qëndrimi i egër antishqiptar i Titos, studimet historiografike shqiptare do të duhej t’i riktheheshin studimit të figurës së tij dhe tërë periudhës së sundimit komunist serb e jugosllav mbi Kosovën. Por tash jo për ta glorifikuar atë figurë dhe atë sundim,sikundër kanë bërë shumica e historianëve, e politologëve dhe madje e albanologëve shqiptarë të Kosovës, Ndoshta do të ishte simpatike dhe e dobishme që ata historianë, politologë e albanologë që e kanë glorifikuar figurën e Titos dhe regjimin komunist jugosllav, t’u rikthehen studimeve të kësaj fushe dhe të kontribuojnë në çmontimin e miteve të rreme për të cilat kanë kontribuuar edhe ata me punën e tyre pseudoshkencore. Ata që e kanë shpallur Titon mik të shqiptarëve e njeri të epokave, do të duhej t’u binin pishman dokrrave të veta. Tash figura e Titos dhe periudha e sundimit komunist serbo-jugosllav duhet të studiohet me metoda mirëfilli shkencore, të cilat do të mundësonin ta kuptonim më mirë atë periudhë historike të së kaluarës tonë dhe të çmontonim mitet e rreme e prej andej edhe andrallat e nostalgjikëve realë e potencialë jugosllavë ndër ne.