Kryeministri shqiptar u shfaq me rastin e Vitit të Ri në ekranet e televizionit serb “B92”. Por këtë radhë ai u imitua nga një humorist i Beogradit, i cili e paraqiti zotin Rama në gjuhën shqipe. Sentenca e asaj që u tha, ndonëse me humor, mund të përmblidhet me një përfundim: Rama dhe Vuçiç ishin marrë vesh për replikat, të cilat ne i pamë në ekrane, me qëllim që secila palë të ndihmonte palën tjetër për rritjen e popullaritetit në elektoratin përkatës. Dhe prej nëntorit ka rrjedhur shumë ujë. Megjithatë, ka disa ditë që përpiqem të gjej, të lexoj apo të ndjek në ekranet e televizionit ndonjë lajm për diplomacinë shqiptare, por pa sukses. Shqipëria ka një Ministri të Jashtme, një staf nga më të shumtit ndër dikasteret e tjera, ne kemi sa e sa ambasada e ambasadorë, konsullata dhe konsuj të punësuar e ata të nderit, por asnjë nuk bëhet i gjallë të na thotë se çfarë po bëhet nga pikëpamja diplomatike në këtë vend. Dhe kjo ndodh, sepse edhe këtë fushë të veprimtarisë shtetërore e ka uzurpuar vetë Kryeministri Rama, duke mënjanuar nga funksionet të gjitha strukturat diplomatike të vendit. Kryeministri bën lajm me arrogancën diplomatike të tij, kur shkon në Beograd. Ai bën lajm me batutat që hedh në Bruksel, duke i kërkuar llogari Evropës për punët e qeverisë shqiptare. Bën lajm kur i hipën avionit për Pekin ose kur u ngjitet iniciativave rajonale për tërheqjen e investimeve kineze, thjesht me synimin që të shkëpusë një investim të premtuar qeverisë së mëparshme për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Bën lajm kur u thotë ambasadorëve të huaj: “Ma thoni ju çfarë kërkon opozita!” Bën lajm kur falsifikon bisedat me personalitetet politike evropiane dhe përgënjeshtrohet prej tyre. Bën lajm kur takohet me Xhorxh Sorosin. Bën lajm kur shkon një javë në Amerikë e replikon me ndonjë adoleshent të nacionalitetit serb, i cili jeton e studion atje!!! Dhe bën lajm kur merr pas vetes gjithmonë nja dy ambasadorë të huaj, madje edhe në rastet kur shoqërohet nga fotoja e diktatorit.
Pastaj vjen postkonferenca e shtypit, vjen postlajmi i përgënjeshtrimit të asaj që shqiptarët e kanë parë “live” në televizione, e për më tepër akuzohen gazetarët, gazetat, ekranet e televizionit, opozita, shoqëria civile e madje vetë lexuesit e shtypit dëgjuesit e radios, shikuesit e televizionit apo ndjekësit e rrjeteve sociale. Dhe e gjithë kjo shfaqje qeveritare në fushën e zhvillimit të diplomacisë e të marrëdhënieve me jashtë përmblidhet në atë që quhet “Fasada diplomatike e Kryeministrit Edi Rama”. Ndërkaq, qytetarët shqiptarë paguajnë me taksat e tyre dhjetëra e qindra diplomat, të cilët janë ndrydhur, janë ngujuar, nuk veprojnë, sepse e gjithë iniciativa diplomatike qëndron në duart e liderit politik të së majtës. As vetë ministri, Ditmir Bushati, nuk ka hapësirë të shfaqë mendimin e tij, për të mos folur për ekspertizën diplomatike e të sjelljes së shtetit shqiptar në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos me vendet e rajonit dhe raportet e tij me BE-në dhe NATO-n.
Qytetarët shqiptarë paguajnë taksa për të mbajtur në këmbë diplomacinë e vendit, me shpresën se kjo diplomaci do ta shpërblejë e rikthejë në të mirë të tyre atë që ata japin. Dhe është normale që çdo qytetar të paguajë edhe për diplomacinë, ashtu si për gjithçka tjetër në administrimin e punëve të shtetit. Por raporti është disproporcional midis asaj që japin takaspaguesit dhe asaj që japin përfituesit. Të dyja palët, në rastin konkret qytetarët shqiptarë nga njëra anë dhe diplomatët nga ana tjetër, kanë detyrimet e ndërsjella: Njëra palë paguan punën e tjetrës palë, pala tjetër e kthen reston përmes rritjes së investimeve, rritjes së dinjitetit dhe integritetit shtetëror, kujdesit për jetën, dinjitetin dhe integritetin e shtetasve shqiptarë, përfshirë edhe emigrantët, si dhe shërbimet për qytetarin.
Ndërkaq, me dhimbje shohim që kjo ndërvarësi nuk i ruan ekuilibrat e vet. Gjatë vitit që sapo lamë pas pritej që diplomacia shqiptare të sillte zhvillime të reja rreth asaj që shefi i mazhorancës e ka emërtuar marrëdhënie strategjike me vendet e tjera. Qeveria e zotit Rama që në fillim kishte shpallur si partner strategjik Turqinë. Madje, me një lloj reklame, të paparë ndonjëherë tjetër. Ndërsa sot mund të konstatojmë se marrëdhëniet shqiptaro-turke janë në nivelet më të ulëta të dhjetë viteve të fundit. Më tej u fol për marrëdhënie strategjike me Italinë, ndërkohë që Kryeministri italian u shfaq në Tiranë vetëm pas 16 muajsh të qeverisjes, pa ndonjë qasje strategjike e interesante për interesat e vendit tonë. U fol edhe për lidhjet strategjike me Greqinë, ndërkohë që edhe me Athinën vihet re një ftohje e këtyre lidhjeve. Ndërkohë, aleati ynë më i rëndësishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kaluar prapa listës së Lipe Shtogut, pasi prej kaq kohësh në qeverisje, zoti Rama nuk ka shënuar asnjë qasje, asnjë hap në thellimin e bashkëpunimit në boshtin Tiranë-Uashington. Me hir apo me pahir, Kryeministri ynë lidhjet me SHBA-në i ka kufizuar me ish-ambasadorin Arvizu dhe i ka ulur në nivelin e ministres së Mbrojtjes. As ministri i Jashtëm, zoti Bushati, duket se nuk ka ndonjë derë të hapur në Departamentin e Shtetit.
Në Evropë, Shqipëria u përfaqësua me përparësi në samitin e Berlinit dhe në një koment të rastit e kam konsideruar këtë një shans të madh të shqiptarëve e të shtetit shqiptar. Por edhe ky samit u shndërrua shpejt në një samit anekdotash në vend që të shënonte një pikë kthese në thithjen e investimeve evropiane për infrastrukturën e vendit në kuadër të projekteve rajonale. Angela Merkel u duk se do të bëhej varka e shpëtimit të qeverisjes e të vetë zhvillimeve në vend, por kjo nuk ndodhi, për shkak të qeverisjes me arrogancën enkdodike e jo me projekte konkrete, ku të shfaqej serioziteti dhe ekspertiza e pakontestueshme e tyre. Duket se viti 2014 do të shënojë thjesht startin e një përpjekjeje të qeverisë shqiptare për të ndërtuar në fshehtësi një aleancë të vjetër e të re, pra, për të ripërtërirë lidhjet e dikurshme me perandorinë ruse (sovjetike) dhe me shtetin kinez. Por edhe në këtë rast dështimi mund të matet me përparësinë që kanë krijuar vendet tona fqinje, si Serbia dhe Greqia. Madje edhe Maqedonia e Mali i Zi. Ashtu si Enver Hoxha nuk mundi të evitonte lidhjet e Pekinit me Beogradin e Bukureshtin, ashtu dhe zoti Rama me show-n e takimeve me Kryeministrin kinez nuk mundi ta bënte Tiranën kërthizën e rajonit. Mjafton për të arritur në këtë konkluzion fakti që pikërisht Bukureshti dhe Beogradi janë dy pikat e takimit të krerëve të shteteve të Evropës Qendrore e Juglindore me liderët kinezë.
Ndërsa në Ministrinë e Jashtme askush nuk ka folur për një strategji të qartë, çfarë kanë ndërmend të arrijnë, cilat janë objektivat dhe synimet e punës diplomatike në terma konkretë, çfarë përpjekjesh do të bëhen për fusha të caktuara të diplomacisë, veçmas për diplomacinë ekonomike e të tjera si këto. Ministria e Jashtme është shndërruar në një zyrë protokolli, madje shumë e lehtësuar për shkak të vizitave të rralla që shefat e diplomacisë së vendeve të tjera bëjnë në Shqipëri. Ministria e Jashtme po luan gjithashtu rolin e noterit të Kryeministrit shqiptar për të shënuar veprimtaritë e tij dhe për ta shoqëruar atë kur i hipën sa një avioni, një tjetri, pa menduar për agjendën e vizitave, bisedave, marrëveshjeve, memorandumeve dhe përpjekjeve të tjera për rritjen e imazhit të Shqipërisë dhe përfitimit përkatës nga ky imazh. Fluturime e shpenzime që zoti Rama i ka adresuar më së shumti për të marrë pjesë në panaire, ekspozita apo për ndonjë leksion universitar dhe më pak për axhenda diskutimesh për projekte konkrete në Shqipëri.
Në vend të strategjive dhe programeve për të ndërtuar në mënyrë të diferencuar marrëdhëniet me vendet e tjera, diplomacia shqiptare është konceptuar e zbatuar në modelin e aksioneve politike të brendshme. Kjo ka bërë që, p.sh., vizitat e Kryeministrit në disa kryeqytete të rajonit, Evropës e më gjerë, të marrin formën e aksioneve për shkyçjen e energjisë elektrike, duke promovuar një show të tipit aksionist, madje të konturuar me deklarata enveriste. Meqenëse enverizmi gjen mbështetje edhe sot në qarqet e majta jo vetëm në territorin e Shqipërisë Londineze, Edi Rama po e përdor atë si model të gatshëm për të bërë politikë e diplomaci “sfiduese” me botën që na rrethon. Dhe duke e perceptuar këtë sfidë si konkurrencë barsoletash e tundje të gishtit, ai po e përdor metodologjinë ideologjike enveriste në mënyrën e tij pragmatiste, me qëllim përfitimin e kapitalit politik brenda vendit.
Nuk është e rastit që pas çdo vizite të Kryeministrit shqiptar të kryer gjatë vitit 2014 jashtë vendit, portalet e komunikimit në rrjetet sociale dhe në media janë ndalur gjatë në pjesën gri të diplomacisë së Kryeministrit, për ta shpallur atë si “fitues të konkurrencës së barsoletave”. Ndërkaq, për barsoletë është bërë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, nëse kemi parasysh deklarimet e tij të pa vend, si ajo në një ekran televiziv amerikan, ku shprehej se “kombi amerikan është një komb kompleks”. Kjo do të thotë se qeveria shqiptare ende është në fazën foshnjore të saj në të bërit politikë e diplomaci, pasi ajo ende nuk ka kuptuar faktin se epoka e globalizmit nuk është epokë e konfrontimit dhe e konkurrencës së barsoletave, por është proces i konkurrencës në paqe e stabilitet të vendeve kudo në botë, para së gjithash të vendeve evropiane, është konkurrencë e kombeve në zbatimin e vlerave të demokracisë liberale e funksionale.
Në përgjithësi, vizitat dhe evenimentet ndërkombëtare të Kryeministrit shqiptar gjatë këtij viti kanë nisur me një eufori të tejskajshme dhe kanë përfunduar në zhgënjim. Le ta konkretizojmë këtë me tri argumente: samitin e Berlinit, vizitën në Beograd dhe “rilindjen” e marrëdhënieve me Kosovën. Në samitin e Berlinit u duk se Angela Merkel donte t’i jepte Shqipërisë dhe zotit Rama një mbështetje të hapur, një suport moral dhe politik të pazakontë, duke rriskuar me qejfmbetjen e fqinjëve tanë, si Serbia e ndonjë vend tjetër i rajonit, kur i dha Edi Ramës rolin e përfaqësuesit të këtyre vendeve në konferencën e përbashkët për shtyp. Duhet pranuar së në këtë gjest inkurajues të zonjës Merkel ndikoi fakti se pritshmëritë evropiane për qeverisjen e zotit Rama ishin përtej se optimiste. Por ky samit ka filluar të shihet gjithnjë e më tepër si zhgënjim, jo për shkak se Berlini ka humbur përkushtimin në këtë drejtim, por sepse Edi Rama u përpoq ta shfrytëzonte rolin që i dha Merkel për marketing politik të brendshëm e të sfidojë rregullat e demokracisë në vend. Kjo është arsyeja pse në takimet e tjera, si ai i Vjenës, Kryeministri shqiptar mbeti në hije të zhvillimeve dhe për më tepër pse nga samiti i Berlinit e deri më sot asnjë projekt konkret nuk është shpallur.
E njëjta gjë ndodhi edhe me vizitën në Beograd. Në fillim një demonstrim force nga ana e zotit Rama, e cila përfundoi pas një muaji si një flluskë sapuni. Droni i lëshuar në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri në Beograd u përdor nga Kryeministri shqiptar me të njëjtën mënyrë gjatë konferencës së shtypit me Kryeministrin serb, Vuçiç. Por pas një muaji në takimin e dytë Rama-Vuçiç, u shfaq një qëndrim krejt i ndryshëm, i cili nuk u korrespondon qëndrimeve publike në Beograd të para një muaji të zotit Kryeministër.
Sa i përket Kosovës, zoti Rama gjithnjë e më shumë po kërkon të bëhet tutori i saj. Para pak javësh, d.m.th. pas dy vizitave në Beograd, ai këshilloi se u duhet dhënë fund marrëdhënieve të tensionuara me Serbinë, duke paralajmëruar Prishtinën, se nuk kishte të ardhme të Kosovës pa Beogradin. Tentativa për të diktuar politikat rajonale të Prishtinës ishin të dukshme në fjalën e Kryeministrit tonë në një show të organizuar në Prishtinë te Baton Haxhiu. Dhe kjo përpjekje ka zgjuar një reagim të brendshëm të justifikuar në qarqet politike e jopolitike në Kosovë. Madje, janë shfaqur akademikë me emër, të cilët kanë reaguar ashpër rreth kësaj klime paternaliteti në marrëdhëniet midis Prishtinës e Tiranës. Unë nuk mund të bëj Nostradamusin, por nëse u besoj ndjenjave që përjetoj në këtë rast, më duket se zoti Rama ka marrë misionin e ish-presidentit serb, Boris Tadiç, që “konfliktin shqiptaro-serb ta zgjidhin Tirana me Beogradin, duke mënjanuar viktimën njëqindvjeçare të këtij konflikti, pikërisht Prishtinën”. Pasojat e një ndërmarrjeje të tillë i kam analizuar në një koment timin para vizitës së tij të parë në Beograd, ku gjithashtu kam parandier se kjo mund të ndodhë midis dy qeverive përkatëse. Tani mund të them se “ngritja e zërit” në “mbrojtje të Kosovës” në fund të nëntorit ka mundësi të shërbejë si argument i qëndrimeve në dobi të angazhimit Tiranë-Beograd, duke mënjanuar Prishtinën. Ndryshe, zoti Rama mund të këmbëngulte për zbatimin e marrëveshjeve midis Serbisë e Kosovës, si parakusht i njohjes së ndërsjellë të të dy shteteve. Ndërkohë, në samitin e dytë të Beogradit kushtuar projekteve kineze flitet për një lidhje hekurudhore midis Beogradit e Shëngjinit, ndërkohë që kjo hekurudhë duhet të kalojë përmes Kosovës. Por Kosovës qeveria e mëparshme i premtoi portin e Shëngjinit, të cilin zoti Rama thuhet se ia ka premtuar Kinës. Kosova u përjashtua nga pjesëmarrja në samitin e Beogradit, kur është diskutuar për projekte të tilla e ndërkohë territori i saj është pjesë e këtyre projekteve. Një kontradiktë, të cilën mund ta shpjegojë vetëm zoti Rama si dëshmitar dhe aktor i lidhjeve të reja që ka skicuar.
Nisur nga këta shembuj, gjithkush gjykon se diplomacia shqiptare gjatë vitit 2014 ka vuajtur mungesën e një strategjie të qartë dhe është lënë në duart e një individi, të cilit i duhet të mendojë e të veprojë jo vetëm për diplomacinë, por edhe për energjinë dhe luftën kundër vjedhjes së saj, për ndërtimet me e pa leje, për bujqësinë, minierat, lumenjtë, liqenet, malet, fushat, detet e vendosjen e kufirit detar, për lidhjet me Kinën e lodhjen e evropianëve. Për Batonin, Shkëlzenin (Maliqin) nga njëra anë dhe për të ironizuar Frangajn e Hysenbelliun, nga ana tjetër, vetëm rolin e SHBA-ve dhe nevojën për mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve në rajon Kryeministri ynë e ka hequr nga axhenda e tij. Edhe në një foltore në Prishtinën e çliruar nga Amerika e Bill Klintonit e të pavarësuar me një deklarim solemn në Tiranë nga Xhorxh W. Bush, Edi Rama nuk gjeti një fjalë për të thënë në adresë të SHBA-së. Kurse miku i vetëm amerikan i tij, ambasadori Arvizu, para se të largohej e shpalli Kryeministrin me shumë ironi si “mik të Angjela Merkelit”, çka do të thotë se edhe në këtë rast ai do të dështojë, në momentin që Merkel t’ia njohë atij huqet që ka. Ndoshta në Evropë po binden përditë se çfarë përfaqëson politika dhe diplomacia personale e zotit Rama. Asgjë më shumë sesa një rol prej paternalisti, që dëshiron të tërheqë vëmendjen rreth vetes e të shndërrohet në qendrën e botës. Me siguri ai e quan sukses të madh faktin që në TV “B92” të Beogradit një aktor serb e ka imituar në një nga spektaklet e Vitit të Ri 2015, duke e bërë personazh të rajonit. Duke ditur se Beogradi liderët e fuqishëm të Shqipërisë e Kosovës është përpjekur t’i diskreditojë, rasti i himnizimit të Kryeministrit Rama më ngjan si skenar për një sjellje të kundërt me atë të diskreditimit, për shembull, të Ibrahim Rugovës.