Jurges Veizaj
Të dy teknikët janë shprehur se kanë arritur që të mobilizojnë ekipet për rëndësinë që ka kjo ndeshje në luftën në kampionat
Sfida e Barcelonës kundër Atletiko Madridit është edhe derbi, nga i cili do të kthejnë të gjithë kokën në La Liga. Të dyja skuadrat kanë hesape për të larë nga sezoni i kaluar. Kjo, pasi Atletiko arriti ta fitonte ndeshjen në minutat e fundit të kampionatit në “Camp Nou”, duke arritur të mposhtte katalanasit që panë t’u ikte titulli në stadiumin e tyre. Një përballje emocionuese, e cila do të prodhojë futboll të bukur dhe të shpejtë. Luis Enrike siguroi në konferencën për shtyp përpara sfidës me Atletikon e Madridit se ka besim tek lojtaret e tij, në momentin që nuk do të ketë mbështetjen e tyre do të largohet nga Barcelona. 44-vjeçari pranoi se është përgjegjës për çdo situatë negative që mund të krijohet në klub, duke u hequr peshën e fajit lojtarëve. “Këtë të diel luajmë për tri pikë të rëndësishme, por vetëm kaq “tri pikë”. Pavarësisht prej polemikave të fundit, unë vazhdoj punën time, i përqendruar dhe më i motivuar se kurrë. Për mua gjendja aktuale është e njëjtë me atë të ditës sime të parë këtu, ndiej të njëjtin presion. Çdo problem i lojtarëve është dhe imi, ndaj në momentin që midis meje dhe tyre nuk do të ketë bashkëpunim, do të largohem”. I pyetur për ultimatumin që përflitet se klubi i ka dhënë, trajneri e mohoi duke theksuar se kjo nuk është e vërtetë dhe mbi të gjitha nuk vëren përçarje tek tifozët. “Nuk kemi të tilla probleme. Ata që përkrahin Mesin në të njëjtën kohë përkrahin Barcelonën, kështu që çdo gjë është në rregull për mua. Objektivi im dhe i lojtarëve është i përbashkët, të bëjmë të lumtur tifozët”. Enrike bëri një vlerësim edhe për kundërshtarin e sfidës së ardhshme, Atletikon e Madridit. Sipas tij, djemtë e Simeones vazhdojnë të luajnë të njëjtën lojë të fortë si më parë. Kjo është arsyeja pse Enrike pret që ky takim të jetë i njëjtë me ato të sezoneve më parë. “Atletiko nuk është më një surprizë, janë favoritë për çdo trofe dhe Simeone ka një ekip fantastik. Ndeshja do të jetë e vështirë për ne, por edhe për ta. Duhet të japim maksimumin, sepse në ndeshje të tilla nuk ka rëndësi nëse luan në stadiumin tënd, megjithatë mendoj se tifozët do të na ndihmojnë”. Ndërsa Siemone theksoi se ai dhe futbollistët e tij aktualisht janë duke menduar vetëm për sfidën e “Camp Nou”-t dhe as që nuk duan t’ia dinë me atë çfarë po ndodh jashtë fushës së blertë me Barcelonën. “Ne jemi të përqendruar vetëm te aftësitë dhe kualitetet individuale që zotërojnë futbollistët e Barcelonës. Nuk është diçka aspak e mirë të entuziazmohemi me ato çfarë thuhen në media për situatën që po kalojnë katalanasit, sepse nëse merremi me të tilla gjëra, mund ta pësojmë keq në “Camp Nou”. Ndoshta ne nuk e dimë, por te Barça mund të ketë pasur një mbledhje gjatë orëve të fundit dhe mund të jenë zgjidhur të gjitha problemet që ekzistojnë”. Sezonin e kaluar, Atletiko arriti të fitonte titullin brenda në “Camp Nou” me Barcelonën që në atë kohë drejtohej nga Tata Martino. Por cila skuadër është më e fortë, sipas “El Cholo” Simeones: Barça që kishte në krye trajnerin argjentinas apo ajo që aktualisht drejtohet nga Luis Enrike? “Prania në skuadër e një portieri si Klaudio Bravo e ka bërë më të fortë Barcelonën, ndërkohë që tashmë ata kanë në ekip dhe një lojtar të kalibrit të lartë botëror si Luis Suarez. Rakitiç mund të zëvendësojë pa më të voglin problem Ksavin dhe Iniestën. Te Barça nuk ka asnjë futbollist që nuk di ta menaxhojë shumë mirë topin, madje edhe portieri mund ta bëjë në mënyrë të shkëlqyer një gjë të tillë. Unë mendoj se kjo Barcelonë është akoma edhe më e fortë se ajo e sezonit të kaluar. Për të dalë me një rezultat pozitiv nga sfida e “Camp Nou”-t, ne duhet të shfaqim të gjithë potencialin tonë në fushën e lojës, pasi në të kundërt nuk do të kishim asnjë shans përballë tyre”. Barcelona dhe Atletiko do të përballen në mbrëmje, në orën 21:00 në “Camp Nou”.
Toni Kros shpallet futbollisti më i mirë në Gjermani
Fantazisti Toni Kros është shpallur futbollisti më i mirë në Gjermani për vitin 2014. Në votimin e hapur nga DFB, Kros mori në total 40.6% të votave, duke i dhënë fund dominimit të Mesut Ozilit, që kishte fituar tri edicionet e fundit. I dyti ishte Miroslav Klose, kurse portieri i Bajernit të Mynihut, Manuel Nojer, i cili është edhe kandidat për fitimin e Topit të Artë, u rendit vetëm në vendin e tretë. Toni Kros ishte ndër lojtarët më të mirë te Bajerni i Mynihut, kurse një rol të rëndësishëm po luan edhe në skuadrën e Realit të Madridit.