INSTAT: Deficiti tregtar si 11-mujor është rritur 12 për qind

0
161

urlErvin Kaduku

– Eksportet janë rritur me vetëm 5% me bazë vjetore për 11-mujorin, duke vijuar tendencën e ngadalësimit të konstatuar në gjysmën e dytë të këtij viti

– Por importet u rritën 8.6% me bazë vjetore, për një vlerë totale prej 3.6 miliardë eurosh!

 

Kthimi i rritjes së importeve ka çuar sërish në thellim deficiti tregtar të vendit, që për 11-mujorin arriti në 261 miliardë lekë, në rritje me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Thellimi i deficitit tregtar nënkupton rënie të eksporteve neto dhe bën që kontributi i sektorit të jashtëm në rritjen ekonomike të jetë më i ulët.

Në teori, rritja e deficitit sjell edhe presion më të lartë në kursin e këmbimit, për shkak të nevojës për më shumë valutë për të financuar blerjet nga jashtë, por gjithsesi kjo nuk ka sjellë ndonjë mbiçmim të qëndrueshëm të euros gjatë vitit.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 65.3% të të gjithë tregtisë. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (37.7%), Greqia (6.8%), Kina (6.4%) dhe Turqia (6%).

Shqipëria ka importuar në 11 muaj mallra me vlerë afro 3.6 miliardë euro.

 

Eksportet

Eksportet janë rritur me vetëm 5% me bazë vjetore për 11-mujorin, duke arritur në gati 190 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara dje nga INSTAT-i, duke vijuar prirjen e ngadalësimit të konstatuar në gjysmën e dytë të këtij viti.

Ndikimin kryesor në këtë ngadalësim e ka dhënë rënia e ndjeshme e eksporteve të mineraleve lëndëve djegëse e energjisë, grupmalli kryesor i eksportuar në vend.

Sipas të dhënave nga INSTAT-i, eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë ranë me 12.3% me bazë vjetore në gati 80 miliardë lekë. Situata është krejt e ndryshme nga tri vitet e kaluara, kur ky grup udhëhoqi rritjen e eksporteve shqiptare, duke bërë që ato të zgjeroheshin me ritme dyshifrore.

Janë disa arsye që kanë ndikuar në këtë tendencë. Së pari, moti i thatë ka ndikuar në uljen e eksporteve të energjisë, ndryshe nga viti i kaluar. Së dyti, koniunktura ndërkombëtare ka qenë e pafavorshme, si për çmimet e mineraleve ashtu dhe ato të lëndëve djegëse (e dukshme tendenca ka qenë për naftën), duke bërë që kompanitë kryesore eksportuese (Beralb, AlbChrome dhe Bankers Petroleum) të shohin një rënie të të ardhurave. Së treti, Bankers Petroleum, eksportuesi kryesor i naftës në vend, që prej muajit korrik ka njoftuar se nuk e eksporton të gjithë prodhimin, por 30% të tij e shet në tregun e brendshëm, tek ARMO.

Gjithsesi, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia vijojnë të jenë grupi më i eksportuar në vend, me 34% të totalit.

Tekstilet dhe këpucët kanë vijuar tendencën pozitive, duke u bërë motori i rritjes së eksporteve këtë vit. Për 11-mujorin, ato u zgjeruan me 24%, në 79.5 miliardë lekë, pothuajse i njëjti nivel me eksportet e grupit minerale, lëndë djegëse energji dhe duke zënë po 34% të totalit. Si prodhuesit e veshjeve, ashtu dhe ata të këpucëve raportojnë rritje të porosive nga partnerët ndërkombëtare, teksa këta të fundit po largohen nga Kina e Lindja e Mesme dhe po shfrytëzojnë avantazhet e industrisë shqiptare (kosto e lirë e fuqisë punëtore, punë me porosi të vogla dhe të specializuara, afërsi gjeografike etj).

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve u rritën me 6% në 34 miliardë lekë, grupi i tretë më i madh i eksporteve në vend.

Tendencë pozitive kanë pasur dhe eksportet e “ushqimeve pijeve e duhanit” dhe “prodhimeve të drurit dhe letrës”, që janë zgjeruar përkatësisht me 14% dhe 19%, por pasha e tyre gjithsesi mbetet e ulët në totalin e shitjeve shqiptare jashtë vendit.

 

Importet

Për gjithë 11-mujorin importet u rritën 8.6% me bazë vjetore, për një vlerë totale prej 498 miliardë lekësh. Rritja e importeve është një tregues i përmirësimit të kërkesës së brendshme, çka në fakt gjen mbështetje edhe në indeksin e shitjeve me pakicë dhe në rritjen e xhiros së bizneseve, veçanërisht në tremujorin e tretë të vitit.

 

Nëntori

Sa i përket vetëm muajit nëntor, INSTAT thekson se eksportet e mallrave arritën vlerën 21 mld lekë, duke u rritur me 1.2% në krahasim me mëntor 2013 dhe duke u ulur me 4.6% në krahasim me tetor 2014. Rritje më të madhe vjetore kanë pasur eksportet e grupeve “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 30.9%, “Ushqime, pije, duhan” me 26% dhe “Tekstile dhe këpucë” me 14.6%. Rënie më të madhe vjetore patën eksportet e grupit “Lëkurët dhe artikujt prej tyre” me 24.3%.

Në muajin nëntor 2014 importet e mallrave arritën vlerën 48 mld lekë, duke u rritur me 6.1% në krahasim me nëntor 2013 dhe duke u ulur me 9.1% në krahasim me tetor 2014. Rritje më të madhe vjetore kanë pasur importet e grupeve: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 26%, “Prodhime druri dhe letre” me 20% dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 13.1%. Rënie më të madhe vjetore patën importet e grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 10.7%.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 26 mld lekë, duke shënuar një rritje me 10.5% krahasuar me nëntor 2013 dhe duke u ulur me 12.5% në krahasim me tetor 2014.

 

 

 

Sindikatat: Protesta kundër rritjes së çmimit të energjisë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura paralajmëron protesta kundër aplikimit të tarifave të reja të vendosura nga Enti Rregullator i Energjisë. Kreu i kësaj organizate, Gëzim Kalaja, është shprehur se, me fillimin e vitit të ri, mbi 50% e popullsisë shqiptare do të paguajë më shumë për energjinë e konsumuar.

Vendosja e çmimit prej 9.5 lekë për kilovat-orë prek shtresat e mesme dhe të varfra të shoqërisë, ndërkohë që ndihmon ato shtresa që kanë të ardhura të larta. Protestat e sindikatës do të jenë të koordinuara edhe me opozitën parlamentare në vend.

Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë janë shprehur se operimi me dy fasha të ndryshme për matjen e energjisë elektrike ka rritur abuzimin në sektor, por edhe ka penalizuar qeverinë dhe operatorët energjetikë në përllogaritjen e saktë të kostove.

 

 

 

Viti 2015, ndryshon ligji organik për buxhetin e shtetit

Për të parandaluar ndërhyrjen e politikës në përdorimin e buxhetit për qëllime elektorale qeveria është detyruar, sipas marrëveshjeve që ka me institucionet financiare, të miratojë në mes të vitit që vjen, një ligj të ri organik për buxhetin e shtetit dhe të përgatisë ndryshimet në ligjin nr. 9936 të vitit 2008, “Mbi menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”.

Kjo masë e pranuar nga qeveria tashmë është propozuar nga Banka Botërore në strategjinë e menaxhimit të financave publike deri në vitin 2020.

Ndryshimet kërkohen me urgjencë në periudhën afatshkurtër dhe shikohen si garanci kundër pragmatizmit afatshkurtër politik, i cili rrezikon qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike shqiptare.

Projektligji do të paraqitet në Parlament në mes të vitit 2015, me objektivin për t’u miratuar para fundit të vitit.

Në vitet e mëparshme zgjedhore ka pasur një tendencë të qeverive në largim të rrisnin shpenzimet buxhetore në periudhën parazgjedhore, duke shkaktuar kështu një ezaurim të buxhetit të planifikuar vjetor në gjysmën e parë të vitit, duke sjellë një rritje të shpenzimeve vjetore në tërësi.

Ndryshimet ligjore synojnë kufizimin e shpenzimeve gjatë tre tremujorëve të parë të vitit fiskal elektoral. Ligji do të ndryshohet duke përcaktuar jo më shumë se 30, 55 dhe 80 për qind e buxhetit vjetor të mund të ekzekutohet përkatësisht në tre, gjashtë dhe nëntë muajt e parë të vitit fiskal elektoral, përveç rasteve të veçanta të shpenzimeve të pa-parashikuara, sipas legjislacionit në fuqi.

 

 

Ritëm në rënie i pasagjerëve të kompanive ajrore

Numri i udhëtarëve që kanë hyrë dhe dalë përmes aeroportit të Rinasit në 9-mujorin e këtij viti ka arritur në 1.39 milionë pasagjerë, sipas INSTAT-it, me një rritje prej vetëm 1.2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa deri për 6-mujorin dukej se tregu i fluturimeve po e merrte veten, me një rritje me bazë vjetore prej gati 7%, ka qenë tremujori i tretë ai që ka shënuar rënie të udhëtimeve, në raport me të njëjtën periudhë të 2013-s. Në periudhën e verës, (korrik-shtator) kanë hyrë 0.6% udhëtarë më pak dhe numri i personave që kanë dalë ka rënë me 1.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas raportimeve të INSTAT.

Ndërkohë, numri I fluturimeve ka rënë ndjeshëm, teksa kompanitë po përpiqen të tregohen më eficiente pas daljes nga tregu të Belle Air-it. Sipas INSTAT, Në tremujorin e tretë 2014 janë kryer 5.102 fluturime nga kompani të huaja, duke shënuar rënie prej 15.2% ndaj tremujorit të tretë 2013. Numri i mbikalimeve të fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare gjatë këtij tremujori është 64.969 duke shënuar një rënie 0.3% ndaj të njëjti tremujor të një viti më pare dhe rritje të ndjeshme prej 32.4% krahasuar me tremujorin paraardhës.

 

6-mujori

Sipas të dhënave nga aeroporti i Tiranës, në periudhën janar-qershor të këtij, numri i pasagjerëve është rritur me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 818.643 persona. Ndërkohë, numri i fluturimeve, sipas të dhënave zyrtare të aeroportit, ka shënuar po të njëjtin nivel rënie (-6.8%). Nga më pak se 9200 fluturime që u bënë në 6-mujorin e parë të 2013-ës, numri i tyre zbriti në 8.558 në gjashtë muaj.

 

 

Bursa e Greqisë në kolaps, pas njoftimit për zgjedhje të parakohshme

 

Aksionet e kompanive greke të kuotuara në Bursën e Athinës kanë rënë me shpejtësi, qëkur parlamenti dështoi të zgjidhte edhe në raundin final emrin e Presidentit të ri të Republikës. Nga 180 vota të nevojshme, Stavros Dimas, kandidati për President i propozuar nga Kryeministri Samaras dhe koalicioni i tij qeverisës, arriti të merrte vetëm 168 të tilla. Për rrjedhojë, me detyrim kushtetues, Parlamenti grek shpërbëhet dhe brenda 40 ditëve zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme në vend.

Menjëherë pas rezultatit zhgënjyes të paralajmëruar që më parë, Kryeministri Samaras u shpreh se do të kërkojë që zgjedhjet të zhvillohen më datë 25 janar. Ndërkohë që tregu i aksioneve në Greqi ra në mënyrë të menjëhershme me 11%, interesi i letrave qeveritare me vlerë 10-vjeçare arriti në nivelin mbi 9%.

Njëkohësisht, frika para votimit në Parlamentin grek u shpërnda në tregjet e të gjithë Eurozonës. Monedha e përbashkët evropiane ra në nivelin më të ulët të 28 muajve të fundit përkundrejt dollarit amerikan. Samaras u shpreh se ka besim të plotë se partia e tij do të rezultojë fitimtare në këto zgjedhje të parakohshme, edhe pse SYRIZA, partia opozitare, sipas sondazheve del favorite mbi 3 pikë.

Frika më e madhe jo vetëm në Greqi, por në tregjet e gjithë Evropës, qëndron pikërisht në mundësinë e fitores në këto zgjedhje të SYRIZA-s, që do të rrezikonte planin e shpëtimit nga ana e kreditorëve ndërkombëtarë. Kjo parti ka premtuar se do të ndërpresë politikat shtrënguese dhe negociatat me ndërkombëtarët menjëherë pasi të vijë në pushtet.

Politikat shtrënguese janë kushti kryesor i Greqisë për të përfituar nga plani i shpëtimit prej 240 miliardë eurosh. Investitorët shprehen të shqetësuar për rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe për paqëndrueshmërinë politike në vend, që tashmë po cenon seriozisht progreset e kohëve të fundit në vend.

 

 

Ekonomia ruse bie në recesion

Ekonomia ruse ka qenë në kontraktim për të parën herë që prej muajit tetor të vitit 2009, sipas të dhënave të këtij viti. Këto të dhëna negative regjistrohen si pasojë e rënies së nivelit të prodhimit dhe tkurrjes së investimeve. Prodhimi i Brendshëm Bruto regjistrohet në tkurrje me 0.5% gjatë muajit nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, një muaj më parë, prodhimi i brendshëm bruto ishte regjistruar në rritje me 0.5%. Kështu, ekonomia e vendit më të madh në glob si eksportuese energjie pritet të përballet me recesionin e parë që prej vitit 2009. Ky recesion pritet që të vazhdojë gjatë gjithë vitit të ardhshëm, madje edhe të përkeqësohet për shkak të naftës.

Shkëmbimet tregtare të arit të zi në vend kanë qenë në nivelin më të ulët 5-vjeçar. Sanksionet e perëndimit e kanë detyruar Rusinë të përballet me krizën më të madhe të monedhës që prej vitit 2009. Me çmimet e naftës në nivelin aktual, prej 60$ për fuçi, ekonomia e vendit rrezikon të kontraktohet me rreth 4% gjatë vitit të ardhshëm.

Ngadalësimi i aktivitetit në prodhimtari, ka pasur edhe efektin më negativ në shifrat e PBB për muajin nëntor. Trendi negativ ka vazhduar edhe në sektorin e ndërtimit, shitjet me shumicë dhe agro-bujqësi.

Rubla ruse nga ana tjetër ka qenë valuta që ka dhënë performancën e dytë më të keqe gjatë këtij viti, duke ardhur kështu menjëherë pas Hryvnias ukrainase. Monedha ruse ka humbur 41% të vlerës së saj përkundrejt dollarit amerikan përgjatë 2014.