Kosovari duket se është asi nën mëngë i teknikut Mançini dhe për këtë arsye italiani nuk do që ta rrezikojë për ta aktivizuar në ndeshjen e radhës
Te Interi ka filluar revolucioni. Me afrimet në skuadër të Lukas Podolskit dhe Xherdan Shaqirit, milanezët duket se kanë arsye për të pasur shpresë për rezultate pozitive në të ardhmen. Zikaltrit do të synojnë të nisin kthesën në kampionat, kur të presin këtë të diel, Xhenoan e Gasperinit në “Guiseppe Meazza”, edhe pse nuk do ta kenë aspak të lehtë, pasi në sfidën përballë formacionit ligur, trajneri Roberto Mançini duhet të bëjë pa tre lojtarë shumë të rëndësishëm, si Kovaçiç, kapiteni Ranokia dhe Huan Jezus, të cilët do të mungojnë në këtë ndeshje për shkak skualifikimi. Një fakt të tillë e pranon edhe Mançini, megjithatë trajneri 50-vjeçar nuk kërkon alibi dhe në konferencën për shtyp në prag të kësaj sfide deklaroi me bindje se skuadra e tij do të bëjë gjithçka për ta mposhtur Xhenoan. “Të gjitha mungesat peshojnë shumë për ne. Gjithsesi, unë jam i sigurt se ata që do t’i zëvendësojnë lojtarët e skualifikuar do të bëjnë shumë mirë në këtë ndeshje. Xhenoa është një skuadër e rrezikshme dhe për ne kjo do të jetë një sfidë shumë e ndërlikuar. Për t’i mundur ata, duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe. Kemi ende shumë vend për përmirësim dhe duhet të përpiqemi të bëjmë sa më pak gabime. Këtë të diel duhet të nisë edhe kthesa jonë”. Tifozët e Interit po presin me padurim debutimin e blerjes më të re të zikaltërve, Xherdan Shaqirit, megjithatë, sipas Mançinit, ish-lojtari i Bajernit nuk është ende gati për të luajtur që nga minuta e parë. “Shaqiri nuk luan prej një kohe shumë të gjatë dhe për ta parë atë në fushë që nga fillimi duhet të presim edhe pak. Jo për gjendjen e tij fizike, por për faktin se unë nuk dua që ai të pësojë ndonjë dëmtim, prandaj nuk kam ndërmend ta rrezikoj. Çështja “Osvaldo”? Nuk dua të flas për këtë temë”. Në fund të konferencës për shtyp, Mançini u pyet nga gazetarët se kë do të votonte si fitues të Topit të Artë. “Duke parë që Ronaldo dhe Mesi e kanë fituar disa herë edhe më parë, unë do t’ia jepja Manuel Nojerit, pasi mbi të gjitha e meriton ta fitojë këtë trofe”.
Aliji drejt Sent Galenit
Talenti shqiptar i Bazelit, Naser Aliji, pritet të bëhet me skuadër të re këto ditë. Javë më parë, ai la Zvicrën për ta përfaqësuar Shqipërinë, ndërsa tani do ta lë Bazelin sipas të gjitha gjasave për t’u huazuar në St.Galeni. Fjala është për mbrojtësin e majtë nga Shkupi, i cili nuk po gjen hapësirat e duhura te Bazeli dhe për të interesim ka shprehur St.Galen, ku e shohin si zëvendësues të Ermir Lenjanit. Sipas asaj që shkruan “Blick”, gjasat janë të mira që Aliji të ndërrojë mjedis, pasi tani kërkon më shumë minuta dhe ato mund t’i gjejë te skuadra gjelbërezi. Një element që mund t’i shërbejë edhe më mirë De Biazit që do të ketë më shumë mundësi për ta parë lojtarin.
Guardiola: Nuk interesohem për Varanen
Spanjolli i bavarezëve, Pep Guardiola, i ka hedhur poshtë spekulimet për transferimin e qendërmbrojtësit të Realit të Madridit, Rafael Varane. Gazeta e njohur spanjolle, “Marça”, raportoi se ish-trajneri i Barcelonës e ka bërë qendërmbrojtësin madrilen objektivin e tij kryesor në tregun e transferimeve. Varane ishte startues nën udhëheqjen e Hoze Murinjos, mirëpo me ardhjen e Karlo Ançelotit, vendin e tij e ka zënë përsëri Pepe. Guardiola u pyet rreth këtyre spekulimeve gjatë një konference për shtyp në Doha të Katarit, mirëpo ai i mohoi menjëherë ato”. Kjo gazetë gjithashtu shkroi se drejtori sportiv i Seviljes do të zëvendësojë Matias Samer, mirëpo Samer e vazhdoi kontratën. “Marça” nuk e ka numrin tim, ndoshta ata e kanë numrin e Horge Mendesit. Natyrisht këto spekulime janë të gabuara”, – theksoi tekniku bavarez.
Venger: I vogël kam shitur cigare
Bosi i “topçinjve”, Arsen Venger, ka zbuluar detaje interesante rreth jetës së tij private, teksa ka bërë të ditur se kur ishte fëmijë ka shitur edhe cigare. Venger u detyrua të fliste rreth pirjes së cigareve nga futbollistët e tij, kur Xhek Uillshajër u fotografua duke tymosur, teksa javën e kaluar klubi e dënoi portierin Wojciech Szczesny me 25 mijë euro, pasi edhe ai kishte tymosur cigaren pas humbjes 2-0 nga Sauthemptoni. Gjatë kësaj jave gjithashtu u publikua edhe një video e Vengerit kur ishte trajner i Monakos duke tymosur cigare, mirëpo ai ka thënë se cigarja dikur ishte pjesë e jetës së tij”.Unë jam rritur nëpër vende ku nuk shiheshin dritaret prej tymit, dhe e kam kaluar fëmijërinë time duke shitur cigare”, – ka theksuar francezi. “Unë jam rritur në një periudhë kur jemi detyruar ta kryenim shërbimin ushtarak. Në fund të muajit, ne paguheshim me cigare. Kjo gjë na shtynte që të tymosnim. Kur kam qenë i vogël, unë jam rritur i rrethuar nga njerëz që e pinin cigaren, teksa edhe vetë e konsumoja kur isha trajner i ri. Para disa ditë, në një televizion francez ata shfaqën një video timen ku thithja cigare në bankinë. Unë as që mendova se isha unë. Në atë kohë, më kujtohet Marçelo Lipi te Juventusi që tymoste cigare gjatë tërë lojës”. Venger më pas u pyet se a e tymoste cigaren për shkak të stresit dhe ai tha: “Po, natyrisht”. Ai gjithashtu u pyet se a është ide e mirë që futbollistët të thithin cigare. “Jam i sigurt se ka top lojtarë që tymosin, mirëpo nuk është shembull i mirë”, – përfundoi trajneri francez.