“Individi me rekorde kriminale, për të cilin na akuzojnë, ka qenë aktiv në prishjen e aktiviteteve tona elektorale në betejën e famshme të 2011-ës për Tiranën”
Kryeministri i vendit, Edi Rama, reagoi dje pas deklaratës së kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke i cilësuar akuzat e tij si shpifje. Por, ndryshe nga dy qëndrimet e para, ku si për nënkryetarin e PD-së Paloka ashtu edhe për sekretarin e përgjithshëm Ristani, zyra ligjore pranë Kryeministrisë ka nisur padi, në rastin e kryedemokratit Rama bëri të ditur dje se nuk do ta ndërmarrë këtë hap. Nga ana tjetër, ai kërkoi nga PD-ja që të vërtetojë akuzat e saj për lidhjet e qeverisë apo të tij me krimin dhe në rast se një gjë e tillë do të ndodhë, Rama tha se Kuvendi do të jetë i lirë të zgjedhë një Kryeministër tjetër. “Ndryshe nga ata dy prototipat e rrugaçërisë politike që ka në krah, kryetari i sotëm i PD-së është thjesht një peng i trishtueshëm dhe i shumëfishtë që meriton vetëm keqardhje. Ndërkohë, pa dyshim, mospaditja prej keqardhjes e Lulzim Bashës nuk do të përbëjë asnjë pengesë në zbardhjen e çështjes. Le të japin dy shquparakët e tij të vajmedetshëm, në Prokurori apo në gjyq, një provë të vetme për akuzat e këtyre ditëve nga foltorja e PD-së, dhe pastaj menjëherë Kuvendi le të zgjedhë një Kryeministër tjetër”, – shkruante kreu i qeverisë në faqen e tij në “FB”, e cila ka qenë i vetmi mjet reagimi i tij këto ditë, për shkak se ndodhet jashtë vendit, ku ende nuk ka një version zyrtar të vizitës së tij dhe vendit ku po qëndron.
Kundërpërgjigjja
Në nisje të reagimit të tij ndaj akuzave të kreut të PD-së, Rama përdori një shprehje të Emanuel Kantit e cila pohon: “Kur shpif ndaj tjetrit, thua gjëra që i ke bërë apo je në gjendje t’i bësh vetë!” Sipas kreut të qeverisë, opozita po shpif në të gjitha daljet e saj për gjëra që, sipas tij, i ka bërë vetë më parë. “Dhe kur lehaqenia vjen prej atyre që kanë qenë tetë vjet në pushtet, Kryeministër, ministra të Brendshëm apo kanakarë të spikatur të pushtetit që iku, thënia e Kantit bëhet tronditëse. Shpifin duke na akuzuar, duke më akuzuar për çfarë kanë bërë vetë! U duket se ne jemi njësoj si ata dhe tanimë që jemi në qeveri, bëjmë atë që bënin ata vetë; bashkëqeverisim me krimin”, – theksoi Rama. Më tej, duke u marrë me akuzën e drejtpërdrejtë, kreu i qeverisë tha se personi me rekorde kriminale, për të cilin akuzohet nga opozita, ka sulmuar më parë deputetë socialistë gjatë fushatës 2011 dhe për këtë tha se ka prova të dokumentuara. Për këtë Kryeministri i referohet një letre të datës 6.5.2011, dërguar nga sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, zyrtarëve më të lartë të shtetit, ku shprehej shqetësimi ndaj shtetasit Emiljano Shullazi. Në letër theksohet se Shullazi e grupi i tij ishin duke vepruar në kundërshtim me ligjin në funksion të interesave elektorale. Nga ana tjetër, në reagimin e tij, kreu i qeverisë nuk ngurron t’i rikthehet edhe një herë votës së 23 qershorit të 2013-ës, duke e cilësuar atë si një rëndësi të veçantë që ka bërë tashmë ndarjen, sipas Ramës, mes shtetit dhe krimit. “Gjatë këtyre ditëve të kësaj ofensive shpifjesh, kam menduar vetëm një gjë: Sa shumë, o Zot sa shumë mirë ka bërë vota e 23 qershorit për këtë vend! Ka shkulur nga pushteti një skotë të lidhur fort me krimin dhe ka hapur rrugën për ta çliruar policinë nga kthetrat e krimit! Ajo votë historike i ka dhënë krahë përpjekjes më serioze e më të qëndrueshme antikrim që një qeveri shqiptare ka bërë ndonjëherë”, – u shpreh kreu i qeverisë.
Kundërpërgjigjja
PD: Rama s’ka thënë asnjë fjalë për kërcënimin e Bashës
Partia Demokratike reagoi dje sërish pas deklaratave të Kryeministrit Rama, duke theksuar se kreu i qeverisë ende nuk është distancuar nga kërcënimi i opozitës dhe kryedemokratit Basha. Sipas demokratëve, Rama prej një jave sulmon opozitën, por nuk po gjen asnjë moment për të dënuar kërcënimin që i është bërë kryetarit të PD-së. “Si Kryeministër i vendit, Edi Rama do të duhej ta dënonte këtë ngjarje, më e pakta, e të distancohej nga ajo. Por ashtu si edhe me sulmin ndaj opozitës në Parlament, Edi Rama mbron kriminelët dhe sulmon opozitën. Mosdistancimi është po aq i rëndë sa edhe kërcënimi. Mosdistancimi dhe mosdënimi i kësaj ngjarjeje nga Edi Rama është baras me dalje zot kërcënimit, është baras me mbrojtjen e kërcënuesit. Emiljano Shullazi është arrestuar disa herë në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike dhe ka vuajtur dënime. Siç provohet edhe nga arkivat e medias dhe të drejtësisë, ai u arrestua edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe u dënua me burgim”, – thuhej në deklaratë. Më tej, PD theksoi: “Emiljano Shullazi në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte njeriu kryesor i shtabit elektoral të Saimir Tahirit dhe janë qindra e mijëra qytetarë të Tiranës dëshmitarë okularë për afërsinë dhe shoqërimin e tij me ministrin e sotëm të Rendit. Siç është fakt se Emiljano Shullazi u lirua menjëherë pas përplasjes së përgjakshme në zemër të Tiranës, 5 ditë më parë, me të vdekur e të plagosur. Siç është fakt se oficerë të forcave speciale ishin në radhët e bandës së tij. Siç është fakt lehtësia që gëzon ai për të kërcënuar fjalën e lirë, opozitën dhe kreun e saj”.
MB: Masat e sigurisë shtesë u kërkuan nga shefi i sigurisë së Bashës. PD: Shpifje
Ministria e Brendshme deklaroi dje zyrtarisht se në këtë dikaster nuk ka ardhur asnjë kërkesë nga Prokuroria për shtimin e masave të sigurisë për kreun e opozitës dhe deputeten demokrate. Sipas Ministrisë, ka qenë kreu i sigurimit të Bashës që ka kërkuar masa shtesë. “Nuk kemi marrë kërkesë për marrjen në mbrojtje të kreut të opozitës Lulzim Basha. Kërkesa për masë mbrojtje është bërë vetëm nga shefi i grupit të sigurisë së Bashës, i cili ka kërkuar efektivë shtesë nga Garda”, – theksoi Ministria e Brendshme. Ndërkohë, ndaj kësaj deklarate nuk mungoi reagimi i Partisë Demokratike, e cila e cilësoi atë si të pavërtetë. “Stafi i sigurisë së kryetarit të Partisë Demokratike nuk ka bërë asnjë kërkesë për masa shtesë”, – theksoi PD.
Berisha: Lidhjet e Ramës me krimin, si tymi i zi lidhet me blozën
Ish-kryeministri Berisha akuzoi dje kreun e qeverisë, Rama, si të lidhur me botën e krimit. Sipas deputetit demokrat, lidhjet e Kryeministrit me krimin janë universalisht të njohura. “Edi Rama lidhet me krimin njelloj si tymi i zi lidhet me blozen. Lidhjet e Edi Rames me bandat kriminale me te rrezikshme te Shqiperise jane universalisht te njohura. Ato nisin me lidhjet e tij te ngushta me banden e rruges se Kavajes, me te cilen ndertoi Kinema Republiken dhe emeroi si drejtor kreun e kesaj bande dhe pas eleminimit te tij kinema Republiken e prishi dhe ndertoi aty pallat me konfidentin e tij Xhillari”, – theksoi ai. Më tej, Berisha tha se Rama kishte lidhje të ngushta me bandën e Lushnjës. “Ne interceptimet e prokurorise se Firences rezulton se Dondollapi e konsideronte Ramen si mik te bandes per tenderat e bashkise. Rama ka patur dhe ka lidhje te shume te ngushta me Hakmarrjen per Drejtesi dhe i vazhdon edhe sot. Ne zgjedhjet lokale ne vitin 2003 nepermjet bandave te tij grabiti 150 kuti votimi. Ne prokurorine e shtetit ekzistojne kilometra biseda telefonike me bandat e tij per kete afere. Por problemi nuk qendron ne lidhjet e tij te shkuara por ne lidhjet e tij aktuale me keto banda dhe boten e krimit. Sot keto banda diktojne fituesit e tenderave, presin gjoba dhe eleminojne ata qe nuk paguajne gjoben”, – u shpreh ish-kreu i qeverisë shqiptare. Ndërkaq, sipas Berishës, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka miqësi të ngushtë me Shullazin, pasi ka bërë edhe fushatë elektorale me të në vitin 2013. “Rama ka futur ne grupin e tij parlamentar 19 deputete me dosje dhe te denuar per vrasje, pengmarrje, trafik, droge, prostitucion etj. Drejtori i tij per antikorrupsionin ne Keshillin e Ministrave u arrestua nga policia sepse po udhetonte me targa te makines se nje trafikanti dhe gjate kontrollit iu gjeten dhe targa diplomatike. Gysi i Rames eshte nje nga gjobvenesit kryesor te shtetit, natyrisht per llogari te shefit te tij. Ne te gjitha nivelet e administrates dhe policise gjenden njerez te denuar per krime nga gjykatat shqiptare, italiane dhe greke”, – pohoi Berisha.