Alma Çuka
Është i pakënaqur me punën e Prokurorisë dhe të Gjykatave. Shprehet se do urdhëroj ndjekjen e çdo procesi gjyqësor deri në dhënien e vendimit. Do kërkoj dënim maksimal
Në një kohë kur krininaliteti ka arritur kulmin dhe Policia e Shtetit vazhdon të jetë e përqëndruar në aksione të përcaktuara si ai kundër vjedhjes së energjisë elektrike dhe prishjes së ndërtimeve pa leje, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, mendon se shkak për këtë gjendje është korrupsioni në drejtësi dhe mungesa e bashkëpunimit mes tre institucioneve ligjzbatuese. Në një deklaratë publike bërë pak ditë pas atentateve të ndidhura në Tiranë dhe pak orë pasi Policia deklaroi se arrestoi dy të dyshuar si porositës të atentatit ndaj Pajtim Serjanit, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, ka folur për rrugët që ai mendon se do ndihmojnë në zgjidhjen e ngërçit. Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri mendon se mburoja e krimit në vend është bërë korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Ai shprehet se prej kohësh ka kuptuar se krimi riciklohet nga dënimet e vogla, prej të cilave përfitojnë ata që kërcënojnë shoqërinë nga dhuna dhe krimi. Për këtë qëllim ai gjatë ditës së djeshme ka hedhur dhe një ide. Do të monitorojë hap pas hapi të gjitha proceset gjyqësore.
Deklarata
“Oficerët e policisë që merren me hetimin e çështjeve, oficerët e policisë gjyqësore, do të ndjekin me intensitet deri në trajtimin në gjykatë të të gjitha çështjeve, duke besuar se kështu përmbushet më së miri koordinimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve për të vënë para ligjit ata që kërcënojnë sigurinë tonë të përbashkët. Do kërkojmë dënime maksimale për çdo vepër penale, veçanërisht ato që kërcënojnë më shumë shoqërinë, si armëmbajtja pa leje apo të tjera të ngjashme. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë që krimi të jetë përsëritës, për shkak të dështimeve të sistemit të drejtësisë”, tha dje në deklaratën e tij Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri. Por për të arritur sukses në këtë drejtim ministry Tahiri kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve, me qëllim marrjen e informacionit.
Atentatet
Ministri Brendshëm i dha përgjigje edhe disa deklaratave të ditëve të fundit të cilat kanë dalë nga partia më e madhe opozitare në vend, ajo Demokratike. Sipas tij krimi nuk ka ndasi dhe duhet të mos ngatërrohet me politikën. Në këtë mënyrë ai i bëri thirrje opozitës të mos lëshojë deklarata dhe të mos e shohë krimin me preferencë apo ndasi, me të tyret apo tanët. Sipas Ministrit të Brendshëm, kush fut politikën në mes të betejës sonë të përbashkët, të institucioneve dhe qytetarëve, me krimin, nuk ka bërë gjë tjetër vetëm i ka dhënë mbrojtje, frymëmarrje e nxitje botës së dhunës e krimit. Më tej Ministri Tahiri tha se, Policia e Shtetit po zbaton një regjim të përforcuar masash sigurie që synojnë parandalimin dhe luftën kundër dhunës dhe kriminalitetit. “I gjithë efektivi i forcave speciale, të gjitha repartet, janë në gatishmëri të zgjatur, pa afat, me prezencë të shtuar në mjedise publike dhe akse rrugore, kontrolle të personave, mjediseve dhe mjeteve që sipas të dhënave paraprake apo analizës së riskut, përbëjnë potencial për kërcënim ndaj sigurisë”, tha Ministri Tahiri.
Vlorë/ Ishte dënuar me 10 vite burg, arrestohet 24-vjeçari
I shpalluri në kërkim nga policia e Vlorës, Arsi Dajlani, ka rënë në prangat e bluve të qytetit bregdetar gjatë ditës së djeshme. Burime zyrtare bëjnë me dije se Dajlani ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2009 vrau me thikë, për motive të dobëta, Armir Danaj. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka dhënë për Arsi Dajlanin masën e dënimit me 10 vjet burg, për krimin e kryer. I kërkuari nga policia është arrestuar në ambientet e një lokali në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin bregdetar. Policia ka kapur personin e shpallur në kërkim për “Vrasje me dashje”. Arsi Dajlani, vjeç 24, banues në lagjen “Pavarësia Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi është dënuar nga Gjykata e Lartë me 10 vjet burg për veprën penale “Vrasja me dashje”, pasi më dt. 18.05.2009 në afërsi të vendit të quajtur 3 Racat ka vrarë me thikë për motive të dobëta shtetasin A. D. Arrestimi i këtij shtetasi është kryer në një lokal në zonën e “Ujit të ftohtë” pas informacioneve të marra në rrugë operative mbi vendndodhjen e këtij shtetasi.
Lezhë/ Plagos kushëririn për pronën, prangoset një 44-vjeçar
Një 44- vjeçar në qytetin e Lezhës ka rënë në prangat e policisë, pas një konflikti për pronën, ku ka plagosur lehtë kushëririn e tij dhe më pas ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së viktimës. Burime zyrtare nga policia e Lezhës thanë se ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Dajç të këtij qyteti. Sipas policisë, i arrestuari Ardian Gazulli, për motive pronësie ka goditur me këmesë Petrit G., të cilit i ka shkaktuar plasje të legenit dhe ndodhet në spitalin e Lezhës. Më pas, 44-vjeçari ka marrë armën e zjarrit automatik në banesë dhe ka qëlluar drejt banesës së Petrit G., ku është konstatuar një vrimë në mur dhe një shpend i ngordhur në oborr, i cili është kapur nga një plumb dhe shpuar tej për tej. Materialet për këtë ngjarje i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale të “Kanosje”, “Armëmbajtje pa leje”dhe “Plagosje e lehtë me dashje.