Ditari i një pallati

0
177

Alket Xhakollari

at the dressing tableSi do ta përkufizoja lirinë time brenda këtij pallati?! Ja, tani që po e mendoj duke shtypur tastet me një lugë kafeje nuk ndjehem rehat dhe heq dorë nga ky veprim i rastit. Heq dorë nga liria e një akti spontan?! Pse jo. Mendimi ka një rrjedhë tjetër dhe më duhet ta hedh këtë lugë kafeje, që se nga dreqin më ka ngelur në pëllëmbë.

Asgjë nuk pipëtin kësaj ore të natës në këtë pallat me një shkallë të vetme si spirale AND-ja. Fqinji gërnjar sapo është futur zhurmshëm në strehën e tij. Ai ka një biçikletë mountin dhe është më I lirë se unë, bile e ka me tepri, përderisa cenon timen, të prindërve të mi, të djalit dhe gruas sime, të fqinjit tjetër dhe gjindjes së tij, të tjetrit e tjetrit.

Ai cenon lirinë tonë por aq i bën. Ka një zë si bori mauneje e çartur në një autostradë pylli.

Në shtrat e pret Bardha, një bionde me tule të forta. Edhe ajo është e lirë. Ata nuk ngjajnë kurrkund si burrë e grua por thjesht sikur kapërcejnë të njëjtën derë të fatit. Atë portë të ferrit me një sy cerberi që qëllon të jetë mu para simes. A nuk pohonte zoti Sartre se ferri janë të tjerët? Shoh fëmijët e tyre dhe brengosem. Djali, një xhuxhmaxhuxh muskujgungë se nga ka sjellë një rrotë vagoni të ndryshkur dhe ushtrohet me të mbi parmakun e ngushtë të shkallës. Nga trupi i avullon kolonja e berberit të lagjes. Nuk më përshëndet kurrë. Nuk i flas, nuk dua ti flas. A thua se heshtja ime do ta ndëshkojë! Atij aq i bën, ai është i lirë, ul dhe ngre rrotën e vagonit dhe mua më duket se ndonjë ditë do na shkulë pallatin. Sa për vajzën, të motrën, më mirë të flasim më vonë.

***

Mirëserdhët në pallatin 8. Këtu jetojnë ndoca familje që sikur i kanë dënuar të rrinë bashkë. Nëse doni ta kuptoni pallatin tim hipni në tarracë. Shkallarja prej hekuri është e sigurtë, sepse e ka salduar vetë Zaçja, ndjesë pastë, kryefamiljar i familjes së zanafillës, ai që zgjodhi katin e pestë për të zotëruar çatinë e qiellit. La cupola. Aty me përkushtim ai ndërtoi një kotec, një depo, mbolli ca limonë, shtoi ca pula e gjela, mblodhi rrangullina nga ishin e s’ishin, bile fshehu diku një tejqyrë nga ato të ushtrisë për të vëzhguar qiellin dhe sopraluçet e banjove në pallatet përreth. Tarraca jonë ishte një copës fshati dhe Zaçja një farë beu që tejqyronte gratë kur laheshin të shtunave mbrëma, një legjendë urbane kjo për t’u besuar.

Thonë se duke njohur hiret, me kohë ai njihte edhe pikat e dobëta të tyre dhe gjente mënyrat si t’I shantazhonte. Me ndonjërën kishte bërë marrëveshje që dritaret të hapeshin ca më shumë të shtunave në mbrëmje. Ato i nënshtroheshin kësaj loje frikë tek-e-tek, pa e ditur se Zaçja i vëzhgonte të gjitha. Eh, Zaçja…Ishte si një qenie shumëpamëse. Në mëhallë dinte gjithçka ndodhte dhe i kishte dalë name se ishte 80-lekësh. Me atë as nuk grindeshe dot e as nuk mund ta shpërfillje. Shfaqej si ogur i keq në hall e gëzim. Veç kur ja behte ndonjë natë në portë: “Aty është yt at?”. Dhe sapo ktheje kryet futej brenda për ta kërkuar vetë babanë. Ishin momente kur ne si familje vendosnim një maskë të shëmtuar. Ky njeri ishte pushteti, kodoshi, ndërlidhësi komunitar, syri gjithëpamës, çelësi për tek antena në tarracë, por edhe argëtuesi, bekuesi i atij pallati, një si lloj çimentoje, apo e keqe e domosdoshme si vetë shteti. Hynte kudo.

Vëzhgoj vajzën e fqinjit përballë, e cila ca e shformuar nga thjerrëzat e syrit në derë ngjan si eskimezë e dhjamosur me xhinse. Sapo i vëllai fut rrotën e vagonit brenda, ajo del nga dera me dy rrota qilimash. Hop, hop dhe honin përposh shkallëve përhapet një pluhur si tym furrnalte. Kush ja ka vjedhur dëshirat kësaj eskimezeje? Futet brenda sikur do të kryente ndonjë incest. Mos t’ju duket çudi! Ajo është e lirë, si e gjithë familja.

Syrin magjik e zapton një shami. Është Ishja, kati i 5-të, përballë Zaçes. I është dhënë islamit, sa gjatë –gjere dhe të tre bijat i ka martuar me arabë. Qëkur arabi i parë në krye të herës ia vuri kusht besimin, ajo nuk e heq shaminë dhe i është nënshtruar keqazi fesë. Por besimi nuk ia mban dot gojën së shkretës. Flet pa pushim dhe largqoftë ta hasësh diku shkallëve. Të vetmet herë që troket në portën tonë është në ditë bajrami, kur na sjell një sasi të madhe mishi t’ia ruajmë në ngrirje dhe kur i duhet të flaës në telefon nëse nuk është Zaçja me të tijtë në shtëpi. Mbas tre vajzash ka një djalë nja 15 vjeç, që rastësisht duket si kamikaze. Unë i buzëqesh gjithmonë kur e shoh në shkallë, sikur dua ta sjell në rrugë të mbarë. Kohët e fundit I jati e ka marrë në ofiçinë dhe kur e pieta një ditë se me çfarë po merrej, më tha prerazi: “Me hekura”. Ka karakter të skalitur dhe ndonëse një moshë me rrotangritësin përballë, të bën ta përshëndesësh të paktën. Them se është i vetmi në pallat, që mund t’i ndizte ca ëndrra eskimezes me qilima.

Pastaj vjen Ylli, kati i 2-të, dera e mesit. Yllësia e tij dhomë e guzhinëshe ndrit nga dy bija me krrela dhe një grua zëpalloi, që sa herë i shoqi zbret fundshkallëve, ajo del nga kafazi dhe çirret “Ylliiiii mos harro djathin, kosin, dritat….more vesh!” Me atë shtatin e tij të vogël, stolisur me tule, Ylli ka një dozë komizmi që sikur të bën t’ia falësh të gjitha paudhësitë. Fundja çka bërë! Ca baste sporti. Ngjan si një flluskë pa orientim që fryhet brenda kullës së tij dhe plas diku gjetkë.

Fragment nga tregimi “Ditari i një pallati”, marrë nga “Aleph”, nr. 17, 2009.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency