Alma Çuka
Pronari i ndërtimit “Dini-2009” përfitoi rreth 90 milionë lekë të reja nga 36 qytetarë, duke shitur një apartament më shumë se një herë. Pas marrjes së parave, pronari zhduket
Shtija e një apartamenti më shumë se një herë nga ndërtues të ndryshëm në Tiranë është kthyer tashmë në një problematikë tepër serioze. Qindra qytetarë kanë rënë pre e mashtrimeve të pronarëve të ndërtimit, të cilët një apartament ia shesin njëkohësisht dy ose më shumë personave. Dhe pasi kanë siguruar të ardhura të mjaftueshme, ata largohen, ndërsa qytetarët gjenden përballë një mashtrimi klasik. Bazuar nga praktika e deritanishme, mes dy ose më shumë qytetarëve të mashtruar, banesën e fiton ai që e ka blerë i fundit dhe ka arritur të futet në të. Ndërsa të mashtruarit nuk kanë rrugë tjetër, veçse t’i drejtohen Policisë dhe Prokurorisë për të zgjidhur të drejtën. Një skemë e mirëfilltë mashtrimi është përdorur nga pronari i shoqërisë së ndërtimit “Dini-2009” ndaj 36 qytetarëve. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Hajdin Zyberaj, administrator i shoqërisë së ndërtimit “Dini-2009” për veprën penale të “Mashtrimit ndaj shumë personave me pasoja të rënda”, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal. Nga hetimi i Prokurorisë rezulton se i pandehuri ka mashtruar së paku 36 persona, të cilët kanë blerë apartamente dhe dyqane në ndërtimin e tij në zonën e Qesarakës, në Linzë, por që më pas ka rezultuar se këto prona u janë shitur dy ose më shumë personave të tjerë.
Kontratat
Personat e dëmtuar janë të pajisur të gjithë me kontrata noteriale për blerjen ose prenotimin e pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin në disa milionë euro. Në fund të vitit 2013, të gjithë kallëzuesit kanë konstatuar se në ambientet që kishin blerë kishin hyrë persona të tjerë, edhe ata të pajisur me kontrata të rregullta noteriale. Në këto kushte, kallëzuesit kanë kërkuar takim me administratorin e “Dini-2009”, por rezultonte se ai ishte larguar nga Shqipëria. Edhe gjatë hetimit, rezulton se i pandehuri Hajdin Zyberaj nuk është gjetur në Shqipëri dhe hetimi është zhvilluar me masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë. Akuza ndaj tij është “mashtrimi me shumë të mëdha ndaj më shumë se dy personave”. Çdo person që kontaktonte pronarin e ndërtimit Zyberaj, pas nënshkrimit të kontratës pranë një noteri dorëzonte tek ai një shumë të caktuar parash për apartamentin që porosite. Por pak kohë pas klientit të parë, Zyberaj, të njëjtin apartament ia shiste dy ose më shumë personave të tjerë duke hartuar kontratat me noter të ndryshëm. Në fund pasi kishte arritur të grumbullonte miliona lekë dhe duke lënë qytetarët në një konflikt të pazgjidhshëm, pronari Hajdin Zyberaj është larguar në drejtim të paditur.
Noterët
Para këtij fakti të rëndë ndodhen edhe noterët, të cilët në këto raste nuk duket se kanë kryer falsifikim. Pronari i ndërtimit është kujdesur që kontratat ti firmos me noterë të ndryshëm, duke eliminuar kështu gjetjen e mashtrimit prej tyre. Noter të ndryshëm të pyetur nga Standard për këtë fenomen, shprehen se raste të tilla nuk mund të verifikohen për faktin se pronat të cilat blihen nga qytetarët tek pronarët e ndërtimit nuk figurojnë të regjistruara në asnjë regjistër. Në këto kushte qytetarët janë të rrezikuar pasi edhe noterët nuk mund të verifikojnë nëse prona që ata blejnë dhe dorëzojnë paratë është shitur ose jo më parë. Rezulton se në të gjitha rastet pagesat janë kryer jashtë zyrës noteriale, në dorë, me mandate pagese apo nëpërmjet bankës në llogarinë e shoqërisë “Dini-2009” në zbatim edhe të kontratave përkatëse të lidhura mes të dëmtuarve dhe të palës sipërmarrëse që për çdo rast është shoqëria “Dini-2009” sh.p.k.
Rrethanat e ngjarjes
Të gjithë këta persona lanë kallëzuar për mashtrim shtetasin Hajdin Zyberaj pasi me anë të kontratave noteriale që kishte kryer me të gjithë këta persona në kohë të ndryshme, duke filluar nga viti 2010 e në vazhdim ai kishte shitur të njëjtin apartament dy ose tre personave të ndryshëm, duke u marrë pagesat dhe duke mos u dorëzuar hyrjet sipas kontratave. Edhe këta shtetas, në fund të muajit nëntor të vitit 2013, kanë kuptuar që janë mashtruar prej të pandehurit pasi ky i fundit ka ndërprerë çdo kontakt me ta duke mos u dorëzuar apartamentet e porositura që në disa raste as nuk figuronin në Lejen e Ndërtimit. Këto persona në momentin që kishin shkuar te apartamentet e porositura prej tyre me akte noteriale kishin vënë re se hyrjet e tyre kishin një pronar tjetër i cili gjithashtu kishte kontratë për të njëjtin apartament. Nga materiali kallëzues ka rezultuar se të gjitha veprimet noteriale të kallëzuara janë kryer kryesisht në dy zyra noteriale. Ndërkohë rezulton se në asnjë prej këtyre zyrave noteriale nuk janë lidhur për të njëjtën pasuri, kontrata të ndryshme. Kontratat e lidhura për të njëjtën pasuri, janë lidhur në zyra noteriale të ndryshme dhe në kohë të ndryshme. I pandehuri rezulton se ka përfituar shuma të konsiderueshme duke filluar prej të paktën 2 500 000 Lekë për secilin prej 36 të dëmtuarve. Premtimi i mësipërm, në asnjë rast nuk është mbajtur prej sipërmarrësit derisa ai është larguar duke i tërhequr të gjitha shumat prej llogarive në emër të tij apo të shoqërisë dhe duke u larguar përfundimisht nga Shqipëria pa asnjë adresë të njohur.
Itali/ Grabitet një kazino, prangosen pesë shqiptarë
Pesë shqiptarë janë vënë në prangat e policisë së Pratos në Itali, të akuzuar për grabitjen e një kazinoje të drejtuar nga kinezët. Pesë të arrestuarit me moshë nga 24 deri në 36 vjeç, të njohur nga forcat e rendit për shkak të precedentëve penalë, u bllokuan nga policia paraditen e djeshme pas grabitjes së ndodhur gjatë natës së të dielës duke u gdhirë e hënë, në sallën e lojërave në Prato. Të ndaluarit, janë identifikuar si Viktor Delia, Marin Gurakuqi, Josef Diamandi, Eduard Vukaj dhe Ajet Zykaj. Pasi lidhën me fasheta rreth 20 persona të pranishëm në kazino, shqiptarët arritën që të vidhnin një shumë të madhe parash si dhe sende me vlerë. Gjatë arrestimit, shqiptarëve iu gjetën një pushkë dhe dy pistoleta, njëra prej tyre lodër. Gjithashtu u sekuestrua një shumë prej afro 10 mijë euro si dhe një sërë sendesh me vlerë që ishin marrë në kazino.
Durrës/ Keqtrajtohet një 47-vjeçar në komisariatin e policisë
Keqtrajtohet në ambientet e komisariatit të policisë së Durrësit një 47-vjeçar. Lajmi konfirmohet nga vet i dëmtuari, i cili ka akuzuar policinë se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij në kohën që ka qëndruar në komisariat. Shpëtim Luzi pretendon së është dhunuar në ambientet e komisariatit të Durrësit dhe se efektivët e policisë i kanë thyer këmbën. Nga spitali ku ndodhet i shtruar, Luzi ka sqaron se për këtë i ka shkruar mesazh edhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ku i kërkon të marrë masa për këtë ngjarje. Sakaq ky rast është denoncuar edhe nga kreu i Partisë Demokratike, dega Durrës, Osman Stafa, i cili nuk kurseu akuzat ndaj policisë së Durrësit. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i policisë së Durrësit lidhur me këtë ngjarje. Në një njoftim për shtyp blutë e qytetit bregdetar njoftojnë së Shpëtim Luzi është arrestuar së bashku me shtetasit A. M. dhe J. Gj. pas një konflikti në një lokal të qytetit bregdetar të regjistruar mbrëmjen e së dielës, për të cilin uniformat blu u njoftuan nëpërmjet një telefonate. Në komunikatë theksohet se Shpëtim Luzi ka qenë në gjendje të dehur dhe i dëmtuar fillimisht është dërguar në komisariat dhe më pas është dërguar në spitalin e qytetit ku edhe është ndërgjegjësuar dhe ka identifikuar veten. Më pas njëri nga dy shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi me iniciale A. M. ka kërkuar të kallëzojë në polici Shpëtim Luzin për rrëmbimin e vajzës, ngjarje sipas tij e ndodhur në vitin 2013. Më pas Luzi është shoqëruar sërish në komisariat për të dhënë detaje, ndërsa theksohet se pretendimet e këtij të fundit për dhunë fizike janë të pabaza.