Laboratori i drogës në Xhibrakë/ Grupi në Shqipëri prej një viti. Arrestimi i Hoxhës, familjarët: Bëhet për të diskretituar emrin e Enver Hoxhës

0
254

ilir dhe teuta hoxha

Alma Çuka

Prokuroria merr në pyetje të arrestuarit. Priten arrestime të tjera. Pjesë e grupit të kokainës dyshohet të jenë edhe njerëz nga bota e biznesit. Sekuestrohen pasuri

 Grupi i strukturuar kriminal, i cili bënte të mundur përpunimin, presimin dhe më pas dërgimin e sasisë së kokainës drejt vendeve të Evropës, kishte nisur aktivitetin në Shqipëri që prej një viti. Ky fakt bëhet i ditur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila argumenton se në vitin 2014, ka regjistruar procedimin penal dhe ka nisur hetimin me metoda special për të arritur në shkatërrimin e grupit. Nisja e procedimit u bë e mundur pas sinjalizimeve të policisë gjermane dhe dhënies së koordinatave për lëvizjen e anëtarëve të grupit dhe dërgesat e drogës drejt vendeve evropiane. Shkon në 11 numri i personave të arrestuar në kuadër të operacionit “Xibraku” në Fushë-Labinot, Elbasan, ku falë një pune të organizuar nga autoritetet policore gjermane në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u shkatërrua një laborator kokaine. Pas përfundimit të operacionit më në fund u arrit të dilej në konkluzionin se 11 të arrestuarit dhe shkatërrimi i bazës së përpunimit të lëndës narkotike e llojit kokainë, erdhi si pasojë e një pune voluminoze të kryer në një vit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Finalizimi i kësaj pune ishte operacioni i përbashkët i policisë së disa qarqeve në vend, mbështetur nga Interpoli, Europoli dhe autoritetet policore gjermane.

 

Operacioni

Strukturat e Departamentit për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Renda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe konkretisht, sektori për Narkotikët, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim më Prokurorinë e Krimeve të Rënda pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, DPQ Tiranë, DPQ Elbasan, dhe DPQ Durrës, si dhe në bashkëpunim me autoritetet policore gjermane, pas një hetimi proaktiv disamujor, ku janë zbatuar të gjitha format dhe metodat bashkëkohore të hetimit, më datë 14.1.2015, finalizuan me sukses operacionin policor “Xibraku”. Prej disa kohësh Policia e Shtetit ka qenë, duke hetuar për aktivitetin e këtij grupi të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar dhe shkëmbimit të informacionit, është bërë e mundur identifikimi i pjesëtarëve të këtij grupi dhe mbajtja e tyre në kontroll si dhe dokumentimi i aktivitetit kriminal.

 

Procedimi penal

Në funksion të këtij hetimi është regjistruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda procedimi penal nr. 335, viti 2014 dhe për hetimin e këtij grupi, strukturat e hetimit në Departamentin për Krimin e Org. dhe Kr. e Renda kanë përdorur të gjitha format dhe metodat e parashikuara në ligj me qëllim dokumentimin e këtij aktivitetit kriminal. Janë mbajtur në vëzhgim për një periudhë të gjatë kohe të gjithë pjesëtarët e këtij grupi. Ndërkohë që të dhënat më të hollësishme mësohet se janë dhënë nga një anëtarë i organizatës, arrestuar kohë më parë nga autoritetet Gjermane. Nga hetimet paraprake rezulton se bëhet fjalë për një grup të strukturuar, me një aktivitet kriminal me shtrirje ndërkombëtare të trafikut të narkotikëve nga Amerika Latine në Ballkan dhe me destinacion Evropën Perëndimore. Grupi kriminal siguronte lëndë me përmbajte të substancave narkotike të cilat më pas i nënshtroheshin një procesi përpunimi dhe nxjerrjes së substancës së pastër kokaine me qëllim përdorimin në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Me qëllim përpunimin “profesional” të lëndës narkotike dhe përgatitjen përfundimtare të saj për treg, organizata kriminale ka rekrutuar dhe angazhuar në përbërjen e saj, shtetas kolumbian, të arrestuar në këtë operación.

 

Të arrestuarit në tre qarqe, Tiranë, Elbasan dhe Durrës

Saimir Sadik Batku, vjeç 43, lindur dhe banues në Tiranë.

Fatmir Xhemal Hoxha, vjeç 48, lindur dhe banues në Tiranë.

Kastriot Haxhi Imeri, vjeç 47, lindur dhe banues në Tiranë.

Gentjan Hasan Gjonaj,vjeç 43, banues në Vlorë.

Arjan Zeni Dalipi, vjeç 50, banues në Elbasan.

Kelment Zeni Dalipi, vjeç 45, banues në Elbasan.

Cesar Adolfo Avila lindur në Tunja Kolumbi, vjeç 67.

Walther Moren Juan Moreno, vjeç 42 banues në Bukaramanga, Kolumbi

Ilir Skender Hyseni, vjeç 47, banues në Tiranë.

Ermal Ilir Hoxha, vjeç 40, banues në Tiranë.

Egest Dankësi, vjeç 27, lindur dhe banues në Elbasan.

 

Provat materiale të sekuestruara në laboratorin e përpunimit të drogës

Sasia prej 19 kilogramë e 416.2 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë. 77.727 kg e dyshuar si lëndë narkotike e llojit kokainë. 19.8 kg e dyshuar si përzierës i lëndës narkotike kokainë. 359.400 Euro. 2.769.000 lekë të reja. 4150 Dollarë Amerikan. Janë sekuestruar pesë copë karta kredite dhe një çek me vlerë 4.500 dollarë. Një armë zjarri automatik model 56. Një armë zjarri Revolver me mulli. Një armë zjarri e tipit pistoletë me kalibër 9 mm. Tre arme gjahu, shotgan, çifte dhe një teke. 174 fishekë të modeleve dhe kalibrave të ndryshme. 50 fishekë luftarake me kalibër 9 mm.

Katër automjete të tipave të ndryshëm. Një makineri vakuumi e cilësisë së lartë. Një peshore elektronike. 25 aparate telefoni celulare. Janë sekuestruar pesë ora të markave të ndryshme. Janë sekuestruar edhe dy automjete. Po kështu thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit se janë sekuestruar aksesore për prodhimin dhe paketimin e lëndës narkotike të llojit kokainë, si presa, peshore të llojeve të ndryshme, mikrovala etj.

Janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancave dhe perkursoreve, dhe përzierës që shërbejnë për prodhimin e substancave narkotike. Si dhe një sasi e konsiderueshme dokumentesh të ndryshme si mandate arkëtimi, kuponë tatimore etj, të cilat hedhin dritë mbi aktivitetin kriminal të shtetasve të lartpërmendur. Gjithashtu, strukturat e specializuara të hetimit në Departamentin për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme kanë filluar menjëherë hetimin pasurore dhe vendosur sekuestron për asetet kriminale të pjesëtareve të kësaj organizate kriminale. Hetimi i kësaj organizate kriminale bëhet për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, 283/a/2 “Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale lidhur me prodhimi, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve “284/a, dhe “Armëmbajtje pa leje e Armëve dhe Municioneve Luftarake “ 278/2 dhe 278/5 të Kodit Penal.

 

Reagimi/ Arrestimi i Hoxhës, familjarët: Bëhet për të diskretituar emrin e Enver Hoxhës

Deklarata e plotë e çiftit Hoxha. Reagon deputetja e djathtë Mesila Doda: Turp! Dyfytyrësia nuk ka kufi! 

Teksa Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të rënda japin detaje lidhur me përfshirjen e nipit të ish-diktatorit Enver Hoxha në trafikun ndërkombëtar të kokainës, familjarët e tij e quajnë arrestimin të fabrikuar. Sipas Policisë së Shtetit, Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, i njohur nga mediat edhe si bashkëshorti i këngëtares Rezarta Shkurtaj, është përgjuar, fotografuar e filmuar nga policia nën vëzhgimin e prokurorisë teksa hynte në laboratorin tashmë të bllokuar në Xibrakë si dhe gjatë bisedave dhe takimeve me të arrestuarit. Sipas prokurorisë, është herët për të zbardhur rolin konkret që ai kishte në këtë grup kriminal, por mendohet se ishte në rolin e organizatorit bashkë me vëllezërit Dalipi nga Elbasani. Por dy prindërit e tij, Ilir dhe Teuta Hoxha në një deklaratë të shkruar për mediat kundërshtojnë gjithçka po ndodh. Sipas tyre një gjë e tillë bëhet për të diskretituar emrin e djalit të tyre dhe familjes së ish-diktatorit Enver Hoxha. Ata thonë se arrestimi i djalit të tyre është në vazhdën e persekutimit që i bëhet familjes së tyre nga politika”.

 

Arrestimi

Arrestimi i Ermal Hoxhës, sipas policisë, u bë mesditën e së mërkurës në banesën e prindërve të bashkëshortes së tij në qytetin e Durrësit, me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda. Në të njëjtën kohë me arrestimin e Ermal Hoxhës, prokuroria ka urdhëruar arrestimin edhe të Gentjan Gjonajt nga Vlora. Sipas të dhënave të Prokurorisë bëhet me dije se gjatë verifikimit të kryer në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve, Gentjan Gjonaj, rezulton bashkortak në një biznes në Orikum të Vlorës me dhëndrin e ish-diktatorit, Klement Kolanecin. Sipas të dhënave të QKR-së, ky biznes rezulton i regjistruar në vitin 2008 dhe ka si objekt: import-eksporte, ndërtime, tregtim të mallrave të ndryshme, agjenci turistike e imobilare, prodhim bojërash etj. Ermal Hoxha u arrestua ne qytetin e Durrësit, krimet e rënda e kishin proceduar për drogë në 2014. Ermal Hoxha, nipi ish – diktatorit, sipas policisë së Durresit u arrestua mbrëmjen e së mërkurës. Ai akuzohet si një nga organizatorët e trafikut të drogës që përpunohej në Xibrakë të Elbasanit, por prangosja e tij është bërë mesditën e së mërkurës me urdhër të Krimeve të Rënda. Sipas njoftimit të policisë së Durrësit, arrestimi i këtij shtetasi është bërë në funksion të Procedimit të Prokurorisë pranë Gjykatës për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”. Ky procedim është bërë në vitin 2014.

 

 Deklarata e plotë e çiftit Hoxha: Familja jonë vazhdon të diskreditohet

Arrestimi i djalit tonë Ermal Hoxha, që ndodhi dje, më datë 14.1.2015, ka për qëllim të vetëm, diskreditimin e emrit të Enver Hoxhës. Nuk është hera e parë që kjo gjë i ndodh familjes sonë. Para katër vjetësh policia donte të implikonte djalin tjetër tonin, duke e akuzuar si pjesëmarrës në një konflikt me armë, kur ai në kohën që kishte ndodhur incidenti, ishte bashkë me ne, prindërit e tij dhe me 30 të ftuar të tjerë në një festë familjare. Po kështu, ndodhi edhe me Ermalin, që del njoftimi në media me burim nga Prokuroria, që është zënë me drogë dhe me një shumë të madhe parash në një makinë fuoristradë të zezë, në afërsi të Elbasanit. Në një kohë, që Ermali ndodhej në Durrës në shtëpinë e prindërve të gruas.

 

I njëjti skenar, për ta inkriminuar.

Dhe pritej që diçka të ndodhte, kur Enver Hoxha në këtë 70-vjetor të çlirimit, u anatemua nga të gjitha forcat politike, të djathta dhe të majta. Egërsisht e quajtën monstër dhe Hitler. Shkuan deri atje, sa edhe fotografitë ia ndaluan me dhunë shtetërore. Edhe kjo që ndodhi dje, është në vazhdën e persekutimit që i bëhet familjes së tij. Tani që nipërit e tij janë bërë madhorë, persekutimi po bie mbi ta.

Urojmë që drejtësia të veprojë e pavarur nga segmentet e politikës.

 Ilir – Teuta Hoxha

 

 Reagon Doda: Turp! Dyfytyrësia nuk ka kufi!

Deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, ka reaguar ndaj deklaratave të familjarëve të Ermal Hoxhës, i arrestuar parmbrëmë si anëtar i organizatës kriminale për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Përmes një statusi në profilin e saj në “Facebook”, ajo dënon deklaratat e familjes Hoxha, duke u shprehur se “dyfytyrësia nuk paska fund”, referuar idesë së tyre se arrestimi i Hoxhës është bërë për të diskretituar emrin e Enver Hoxhës. Në reagimin e saj deputetja Doda shprehet: “Me sa duket, pafytyrësia nuk paska fund për disa njerëz. Besoj se nuk ka asnjë nevojë për të diskredituar akoma emrin e Enver Hoxhës, sepse nuk ka asnjë personazh tjetër më të zi e më të urryer në historinë e shtetit shqiptar, si njeriu që e privoi këtë vend nga gjysmë shekulli histori normale njerëzore, si njeriu që vrau e dogji kombin e vet, shkak edhe sot që ky vend vazhdon të mbetet peng i komunistëve dhe krimit. Të mbrohesh pas një mostre diktatori të vdekur është edhe më keq dhe më e pamoralshme se të justifikosh krimin ordiner. Mbesa e Musine Kokalarit kandidon për deputete në Suedi, nipi i Enver Hoxhës kandidon për trafiqe në Shqipëri. Shkoi haka te i zoti. Bari nuk bëhet dot lis dhe horri nuk bëhet dot fis”.

 

 Ristani: Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, denoncon faktin se grupi kriminal kishte gjetur të gjitha lehtësitë për të ndërtuar një fabrikë kokaine në zemër të Shqipërisë. Në një deklaratë për median, Ristani shprehet se nuk është koha për mburrje, suksesi u takon policive partnere evropiane. Duhet transparencë për lidhjet që kanë të ndaluarit me zyrtarët e lartë të qeverisë. Më tej ai shton se opozita nuk është e mërzitur, por është thellësisht e shqetësuar, e tronditur, si të gjithë qytetarët e vendit, nga fakti se me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, Shqipëria po kthehet në një Kolumbi të Evropës, ashtu siç për fat të keq kanë lajmëruar edhe mediat evropiane. Për opozitën ndërtimi i një fabrike droge të prodhimit e përpunimit të kokainës disa kilometra larg Tiranës, është një fakt tronditës i dështimit të qeverisë në luftën kundër narkotrafikut. “Nuk mund të ndodhë, nuk ka asnjë shans të ndodhë një aktivitet i këtyre përmasave dhe kaq i organizuar, nëse qeveria do të ishte në krye të detyrës duke kontrolluar territorin e duke luftuar trafikun e drogës. Fabrika e kokainës hedh poshtë të gjitha mashtrimet për suksese imagjinare të ministrit të Brendshëm, i cili pak ditë më parë mburrej se Shqipëria nuk ishte më vend i prodhimit të drogës.

 

Nuk kishte ndodhur prej 10 vitesh, që krimi i organizuar ndërkombëtar të gjente të tilla lehtësi, sa të instalonte një fabrikë të madhe droge mu në zemër të Shqipërisë”, – bëri më dije sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike.

 

Deklarata e plotë e Policisë së Durrësit

Më datë 14.1.2015, ora 01:30, nga ana e specialistëve të seksionit për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, është bërë kapja dhe arrestimi i shtetasit: Ermal Hoxha i biri i Ilirit dhe i Teutës, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, rruga “Foto Xhavella”, Unaza e Re, me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë në funksion të procedimit penal nr. 334, viti 2014, të Prokurorisë pranë Gjykatës për Krime të Rënda Tiranë, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 283/a-2 i K. Penal.

 

Ministri Tahiri: Pas Lazaratit, Dukagjinit, Xibraka operacioni më i madh

Një ditë pas operacionit në Xibrakë ku u shkatërrua një laborator droge, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar duke e konsideruar operacionin një sukses ekzemplar dhe historik për Policinë e Shtetit. “Është laboratori më i madh edhe më modern i kapur ndonjëherë në Shqipëri dhe në të gjithë Ballkanin. Është një hetim i plotë dhe i gjithanshëm që dëshmon më së miri profesionalizmin e oficerëve të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit dhe veçanërisht krimit të organizuar, në luftën kundër grupeve kriminale, në luftën trafikimit të lëndëve narkotike, siç është dhe kjo”, – tha ministri i Brendshëm. Më tej ai shtoi se pas Lazaratit, pas Dukagjinit, pas punës që bëri Policia e Shtetit për të zhdukur çdo rrënjë kanabis në Republikën e Shqipërisë, rezultatet flasin mjaft fortë për suksesin e Policisë së Shtetit kundër drogave të forta, siç është edhe sasia e kapur në këtë operacion. “Ky operacion, – tha Tahiri, – flet për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe policisë së vendeve të rajonit”.