Në kërkim italiania “Lady Xhihad”, martuar me një shqiptar

0
233

Alba Kepi

email marino - materi -Sipas raportit të fundit të shërbimit sekret italian, Italia është një nga objektivat nën shënjestrën e xhihadistëve islamikë. Prokuroria e Romës gjatë orëve të fundit ka vënë nën hetim disa nënshtetas të huaj, rezidentë në Itali, me përkatësi të besimit mysliman dhe me akuzën e bashkëpunimit me grupet terroriste. Hetimet bazohen në disa përgjime online dhe në monitorimin e vazhdueshëm të aktivitetit të individëve në internet. Dyshohet pozita e tyre mjaft pranë grupeve ekstremiste islamike. Gjithashtu, hetimet kanë nisur dhe nga Prokuroria e qytetit të Milanos, e cila ka vënë nën të njëjtën akuzë tre persona, mes të cilëve dhe “Lady Xhihad”, një grua italiane 27-vjeçare, e konvertuar në besimin mysliman. “Lady Xhihad” është e martuar me nënshtetasin shqiptar A. K. e falë rrjetit të vullnetarëve shqiptarë luftëtarë të luftës së shenjtë të xhihadit, është ndihmuar për t’u larguar drejt Sirisë.

 

Po kush është xhihadistja italiane e martuar me shqiptarin A. K.?

Sot ajo quhet Fatima az Zahra, por në lindje ishte katolikja Giulia Sergio, lindur 27 vite më parë në Torre del Greko, në provincën e Napolit. Transferohet me familjen e saj, prindërit dhe motrën në qytezën Inzago në provincën e Milanos e të gjithë konvertohen në fenë islame. Maria Giulia Sergio, e motra dhe e ëma veshin vellon myslimane. Martesa e parë e saj ishte me një nënshtetas maroken e që nuk zgjati shumë. Më pas njihet me shqiptarin A. K., rezident prej vitesh në Itali, një mysliman praktikant e mjaft pranë grupeve radikaliste. Së bashku martohen më xhaminë e Treviljos e zhvendosen në rrethinat e Grosetos në rajonin e Toskanës, në një qendër të vogël banimi ku komuniteti shqiptar është i shumtë në numër e ku jeton dhe një nga rekrutuesit më të njohur shqiptar të luftëtarëve të xhihadit. Bashkëshorti i saj shqiptar ka lidhje e kontakte të shpeshta me imamin Bilal Bosnic, i cili u arrestua në muajin shtator në Bosnjë me akuzën e rekrutimit të ekstremistëve islamikë. Feja islame bëhet qëllimi i saj i jetës, ashtu siç pohojnë dhe postimet e shumta në faqen e saj në “Facebook”. Në shtator 2011, Fatima Az Zahra qe një nga nënshkrueset e thirrjet drejtuar Senatit të Parlamentit Italian në favor të vellos islamike.

Shërbimet sekrete italiane kanë pohuar prej kohësh njohurinë e tyre për praninë e konsoliduar të rrjeteve rekrutuese shqiptare në territorin italian e që veprojnë në zona të ndryshme, si: në Lombardi, Toskanë, Lacio e Liguria. Po sipas inteligjencës italiane, “Lady Xhihad” është ndihmuar nga ky rrjet shqiptarësh, me komandë në qytetin e Cërrikut e të Librazhdit, për tu larguar drejt Sirisë. Në muajin shtator të 2014-ës, Fatima az Zahra apo Maria Giulia Sergio, ka blerë një biletë udhëtimi drejt Turqisë nga ku lidhjet shqiptare e kanë favorizuar për t’iu bashkuar së bashku me bashkëshortin e saj, Kalifatit të Shtetit Islamik. Sipas burimeve të Ministrisë së Brendshme Italiane, Fatima az Zahra është sot me mision në Siri falë kontakteve të burrit të saj shqiptar A. K. me ekstremistë islamikë të Ballkanit.

Fatima az Zahra ose me emrin e saj të lindjes Maria Giula Sergio konsiderohet sot si një fondamentaliste e rrezikshme italiane, e vetmja grua pjesë e 53 luftëtarëve italianë të konvertuar në islam që kanë vendosur të jenë pjesë e Luftës së Shenjtë të Kalifatit të Shtetit Islamik.

Familja e italianes Fatima az Zahra e gjitha e konvertuar në fenë islame, gjatë orëve të fundit nën presionin e mediave vazhdon të mohoj largimin e vajzës së tyre drejt Sirisë ndërsa e ëma e saj pyetjes se pse kanë zgjedhur këtë besim fetar i është përgjigjur: “Sepse Allahu është i madh e Muhamedi është profeti i tij”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency