Liria e mospublikimit

0
144

Michael Knigge

je suis carlie Disa media kryesore amerikane u kritikuan ashpër, sepse vendosën të mos botonin karikaturat e Charlie Hebdo. Pa të drejtë, mendon Michael Knigge.

Ishte një impuls unik dhe gobal. Pas masakrës së shëmtuar ndaj karikaturistëve të revistës satirike franceze Charlie Hebdo javën e kaluar mediat dhe gazetarët në mbarë botën shprehën mbështetjen e tyre për lirinë e mendimit dhe të shtypit. Shumë media, ndër ta edhe Deutsche Welle, reaguan ndaj atentatit me fotografi, në të cilat gazetarët mbajnë pankarta me mbishkrimin “Je suis Charlie”. Këto pamje u bënë shpejt simbol global i solidaritetit me viktimat. Në fund shprehja e solidaritetit gazetaresk dhe mbështetja e lirisë së shtypit u bënë vetë objekt i raportimit dhe i diskutimit në lidhje meCharlie Hebdo. Pas antentatit shumë media publikuan vetë karikaturat e Charlie-Hebdo, ndërsa të tjera zgjedhon të kundërtën. Dhe përsëri çështja, nëse mediat i botuan karikaturat apo jo, u bë pjesë e një diskutimi të gjallë. Ky debat nuk është vetëm i justifikuar, por edhe i dobishëm.

 

Kritikë e përgjithshme

Me të drejtë mund të kritikosh disa media kryesore amerikane si New York Times, Wall Street Journal, apo agjencinë e lajmeve Associated Press, që nuk kanë publikuar menjëherë pas sulmit karikatura të Muhametit, për të qenë të kujdesshëm me muslimanët, të cilëve ato u duken të papranueshme. Edhe CNN dhe Fox News nuk e bënë një gjë të tillë. Por që t’i cilësosh këto media për këtë arsye hipokrite dhe t’i akuzosh, se u lëshojnë pe xhihadistëve duke bërë vetëcenzurë, mund të jetë emocionalisht e kuptueshme, por është edhe fyese dhe kontraproduktive. Detyra e organizatave të mediave dhe gazetarëve është që të vlerësojnë informacionet, që i konsiderojnë relevante për vete dhe për përdoruesit e tyre. Vlera e lajmit është një nga kriteret, që përmenden shpesh në këto raste. Interesi publik është një tjetër aspekt i rëndësishëm, edhe pse më pak i përmendur.

 

Pyetje gazetareske

Le t’i shohim karikaturat e Charlie-Hebdo nga ky këndvështrim. A është e domosdoshme përsëritja e njërës, apo e disa karikaturave, për të paraqitur sulmin ndaj redaksisë së Charlie-Hebdo dhe sfondin e tij? E thënë me fjalë të tjera, a kanë karikaturat, që shumë muslimanëve u duken ofenduese, vetë vlerë lajmi? Shumica e gazetarëve do të thonin, vizatimet kanë vlerë lajmi, sepse Charlie Hebdo u sulmua për hir të tyre. Pyetja tjetër është, a është në dobi të interesit publik të publikohen vizatime, të cilat për një pjesë të shoqërisë janë të papranueshme dhe blasfemike. Përgjigja për këtë pyetje është edhe më pak e qartë.

Natyrisht liria e shtypit u jep gazetarëve të drejtën, për të botuar informacione, edhe kur një pjesë e shoqërisë i konsideron ato ofenduese. Por kjo nuk do të thotë se gazetarët duhet të publikojnë pa nevojë informacione apo fotografi delikate, vetëm se e kanë në dorë ta bëjnë këtë. Ata duhet ta vlerësojnë, nëse mund të transmetojnë informacionet e nevojshme, pa plagosur pa nevojë ndjenjat e njerëzve. Prandaj është një dilemë, t’i publikohesh karikaturat, dhe nëse po, cilat. Buzzfeed dhe të tjera portale amerikane të internetit kanë nxjerrë një përzgjedhje më të gjërë të karikaturave të Charlie-Hebdo. Wall Street Journal dhe Washington Post, që pas atentatit hoqën dorë nga karikaturat e Muhametit, publikuan pastaj kopertinën e Charlie-Hebdo me Muhametin, që qante. Ndërsa New York Times nuk e publikoi as atë. Çdonjëri prej këtyre vendimeve mund të justifikohet. Kjo që quhet liri e shtypit. Dhe ajo përfshin të drejtën për të mos publikuar.

DW