Nga Akademik Artan Fuga
Komunikimi është komunikim me Tjetrin. E vërteta është se ka edhe një formë shumë të rëndësishme komunikimi që është ajo me veten, por edhe në këtë rast, sikurse e titullon një vepër të tij, filozofi Pol Rikër, edhe vetja merret sikur të jetë dikush tjetër. Komunikimi me Tjetrin është komunikim me të Huajin, pavarësisht nëse ky është i panjohur, njeri i afërt, mik, nëse është një komunikim midis individësh apo midis bashkësish kolektive, sikurse mund të jenë agjencitë sociale, kombet, etj. Nuk ka rëndësi thelbësore, megjithë specifikat, edhe nëse është komunikim verbal ose jo-verbal, me shkrim ose me gojë, interaktiv apo me një kahje.
Problem është se, jo rrallë komunikimi kthehet në një marrëdhënie që shpreh më shumë simptoma pathologjike sesa qendrime të arsyeshme. Madje, ka mendimtarë të shquar, kërkues të njohur në fushat e psikoterapisë, komunikimit, psikopathologjisë, psikanalizës, të cilët mendojnë se në thelb komunikimi është një marrëdhënie me nuanca në shkallë të ndryshme psiko-pathologjike. Nga nuancat më të lehta deri te ato më të rëndat që e bëjnë njeriun të humbasë krejt identitetin e tij personal, komunikimi shoqërohet me simptoma që mbeten të pakuptueshme dhe “jo normale”, nëse nuk shihen në këndvështrimin e dualitetit mes formave të skizofrenisë, që e vendos identitetin personal në një lëkundje të paqendrueshme (Kush jam unë? Kush është tjetri? A jam unë ky që jam?) dhe paranojës (Tjetri nuk ekziston në universin e një bote ku jam i vetëm.)
Prej kohësh, thuajse disa dekada më parë, e sot, në vazhdimësi, mjaft autorë të Shkollës të Paolo Alto-s kanë studjuar format psikopathologjike të komunikimit, duke i shpjeguar ato, duke i bërë të kuptueshme, për të kontrolluar rreziqet psikopathologjike të komunikimit me Tjetrin, për t’i lehtësuar ato, sidoqoftë ky komunikim, midis individësh, midis agjencish sociale, midis kombesh, ose edhe duke e trajtuar psikoterapinë komunikative si një alternativë mjeksore poaq e denjë sa edhe psikanaliza. Në të gjitha këto punime, mes atyre të Gregory Bateson, është edhe libri me titull Pragmatics of Human Communication. A study of Interactional Patterns, Pathologies, and Paradoxes, me autorë përfaqësues të njohur të Shkollës të Paolo Altos si P. Watzlawick, J. Helmick Beavin, Don D. Jackson,botuar në New York në vitin 1967, dhe ribotuar në Francë me titullin Une Logique de la Communication, botuar në 1972, te i cili edhe do të referohen citatet e marra.
Autorët e librit, bëjnë thirrje për të kuptuar se në çdo komunikim tonin me Tjetrin, me të Huajin, veç anëve të arsyeshme, ka edhe simptoma psikopathologjike, të shkallëve nga më të ndryshme, të cilat duhen njohur e mbajtur parasysh, përse jo edhe kuruar me punë të përditshme dhe me vullnet.
Marrëdhënia dhe përmbajtja : Metakomunikimi
Autorët e librit nisin nga formulimi idesë se, në çdo komunikim ka dy anë që janë në marrëdhënie të ngushta e të pandashme prej njeri tjetrit. Nga njera anë është niveli i komunikimit të një përmbajtjeje, mesazhi i drejtpërdrejtë i komunikuar, dhe nga ana tjetër është niveli i komunikimit të një marrëdhënieje, i vendosjes së një marrëdhënieje midis dy ose më shumë komunikuesve, pra mesazhi i nënkuptuar që transmeton edhe marrëdhënien e vendosur, të dashur, ose të kundërshtuar, midis tyre. Pra, sipas tyre, në çdo akt komunikimi, edhe atëhere kur me heshtje komunikojmë mungesën e dëshirës për të komunikuar, ka një nivel mesazhesh të shprehura dhe një nivel mesazhesh të pashprehura, në këtë të fundit kemi transmetimin e matricës ideale të një strukture marrëdhëniesh mes komunikuesve. Komunikimi kështu përmban edhe atë që quhet pragmatika e tij, marrëdhënia e komunikuesve me njeri tjetrin çka reflektohet dhe projektohet në mesazhet që ata shkëmbejnë.
Kur një komunikues transmeton një mesash me përmbajtje të caktuar te dikush tjetër, ai bashkë me përmbajtjen në fjalë, i transmeton atij edhe kuptimin që ai ka për veten e tij, për Tjetrin, si edhe për marrëdhëniet midis tyre. Autorët e librit shkruajnë: “Një individ X ofron për një individ tjetër Y një përkufizim të vetvetes. Ai mund ta bëjë këtë në një pafundësi mënyrash, por ciladoqofshin ato, sido që të jetë objekti dhe lënda e mesazhit në nivelin e përmbajtjes, prototipi i metakomunikimit të tij do të jetë: “Ja, sesi unë e shoh veten time”.(1) Kur transferojmë përmbajtje mesazhesh te të tjerët, parasëgjithash dhe në mënyrë të nënkuptuar duam t’u tregojmë atyre se kush jemi, dhe se cila është dëshira jonë për të quajtur të mirëqënë një strukturë të caktuar marrëdhëniesh mes nesh.
Në këtë mënyrë çdo komunikim shoqërohet me një metakomunikim që është mesazhi i nënkuptuar i transmetuar, ai që komunikon konceptin mbi strukturën e marrëdhënieve midis komunikuesve, pra që në një masë shumë të konsiderueshme shpjegon edhe vetë përmbajtjen e mesazhit të transmetuar.
Sipas këtyre përfaqësuesve të Shkollës të Paolo Alto-s është marrëdhënia e nënkuptuar, që përcakton vijat kryesore, kuptimin thelbësor dhe strategjinë e mesazhit të transmetuar si përmbajtje. “Nga pikëpamja pragmatike, mosmarrëveshja mbi strukturën e marrëdhënies ka shumë më tepër rëndësi, sesa marrëveshja mbi përmbajtjen.”(2)
Duke u bazuar te autorë pararendës, thuhet madje se komunikimi njerëzor do të ishte shumë i thatë dhe i thjeshtëzuar nëse qenia njerëzore nuk do të kishte pasur nevojë të përkufizonte në çdo çast pozitën e tij në raport me të tjerët, t’u transmetonte atyre dëshirën për të thënë se kush është, si edhe nëse nuk do të donte të kundërshtonte idetë e të tjerëve për ta vendosur atë në një marrëdhënie të padëshiruar. Beteja e ideve na paraqitet si një përpjekje e mundimshme për të vendosur marrëdhëniet e dëshirueshme me të të tjerët, me të Huajin, i cili nga ana e tij bën po të njejtën gjë. Sikurse shkruan John Cumming: “Unë kam propozuar të konsiderohet që një pjesë e mirë e atyre që Lodger i quan “shprehje e kulluar dhe e thjeshtë e ideve”, ose një aktivitet simbolik në vetvete, te njerëzit normalë”, përbën një funksion që qendron në kundërshtimin e papushimtë të vetvetes, për t’u ofruar të tjerëve këtë koncept të vetes për ta ratifikuar, dhe të pranojë ose të hedhi poshtë propozimet që i ofrojnë të tjerët mbi konceptin që ata kanë për veten e tyre.”(3)
Kundërshtimet mbi përmbajtjen e mesazheve të komunikuara kanë të bëjnë në logjikë me konceptin e pranimit të një gjykimi si të vërtetë ose jo të vërtetë, pra të gabuar, kurse në aspektin psikologjik këto koncepte logjike kundërvënëse me njera tjetrën, kanë të bëjnë me format e sipmtomave psikopathologjike të pranim-refuzimit të Tjetrit, dhe që në komunikim shihen si ndikime të fuqishme të nivelit të transmetimit të konceptit të marrëdhënies mbi përmbajtjen e mesazhit të transmetuar.
Metakomunikimi vendos mbi komunikimit.
Në komunikim, theksojnë autorët e Shkollës të Paolo Alto-s, ndaj Tjetrit ka tre mundësi sjelljeje pragmatike, tre matrica bazë të mundshme dhe që e përcaktojnë në vija të përgjithshme këtë përmbajtje. Këto matrica bazë janë :
Konfirmimi i Tjetrit
Kundërshtimi i Tjetrit
Mohimi i Tjetrit si qenie reale.
Lidhur mesa më sipër, në përputhje me këto tre matrica bazë pragmatike të komunikimit dhe rrjedhur prej andej ne kemi konceptet logjike : “Nëse në logjikën formale konfirmimin dhe kundërshtimin e Tjetrit i trajtojmë me ekuivalentët e tyre të koncepteve të së vërtetës dhe të gabimit, mohimi do t’i korrespondonte konceptit të papërcaktueshmërisë që, dihet, është një rend logjik i ndryshëm nga ai i të parëve.”(4) Tjetri në këtë rast as do të aprovohej në deklarimet e tija, as do të kundërshtohej, por thjesht do të merrte përgjigje të papërcaktuara, kontradiktore, pa lidhje me mesazhet e tij dhe pavarësisht tyre, çka do të përbënin injorimin e tij si aktor i komunikimit.
Format e marrëdhënieve dhe ndikimi i tyre mbi komunikimin e përmbajtjeve
Pasi zgjedhin për ta konsideruar metakomunikimin si përcaktues të komunikimit, pra ta quajnë pragmatikën e komunikimit si udhërrëfyese të semantikës të mesazheve përmbajtësore të komunikuara, autorët e Shkollës të Paolo Altos, shprehen se ka dy lloj marrëdhënies midis aktorëve të komunikimit:
Marrëdhëniet e simetrisë, ku aktorët e komunikimit kanë pranuar të veprojnë apo dëshërojnë të veprojnë brenda një kontrate të pashkruar që i vendos ata në një marrëdhënie barazie thelbësore, pa role të përcaktuara njëherë e mirë.
Marrëdhëniet e komplementaritetit, ku ata mbajnë role të caktuar, të dallueshëm nga njeri tjetri duke formuar një bashkësi ku seicili ka statusin e përcaktuar në marrëdhënien me Tjetrin.
Këtu ne mbërrijmë te ideja që komunikimi, nëpërmjet marrëdhënies pragmatike, qoftë simetrike, qoftë komplementare, shoqërohet me simptoma psikopathologjike, veçanërisht të nuancave skizofrenike, të cilat nisin nga format më të lehta për të arritur te ato që karakterizojnë pastaj të sëmurët me një humbje të konsiderueshme identiteti personal, pasiguri, lëkundje dhe paqendrueshmëri të theksuara të identitetit psikologjik. Në këto raste individi dyzohet thellë dhe fuqishëm në veten e tij, është njëkohësisht edhe vetja edhe Tjetri, e barazon Tjetrin me Veten dhe Veten me Tjetrin, kërkon njohjen e Vetes te Tjetri dhe Tjetrin te Vetja, ndryshon në çdo çast ndërgjegjen e Vetes mbi Vetveten dhe manifeston të gjitha ato shprehje të skizofrenisë që arrihen të kuptohen nga mjekët klinicistë ose ekspertët e përqasjes komunikuese të psikoterapisë.
Simetria e roleve dhe marrëdhënia që realizon mes komunikuesve matrica simetrike e tyre bëhet shpesh shkak për shfaqje të simptomave skizofrenike në komunikim. Sikurse theksojnë autorët e librit : “Rreziku gjithmonë i mundshëm i një marrëdhënieje simetrike është rivaliteti.” (5)[1]
Nga kjo pikëpamje, seicili nga aktorët e komunikimit ndodhet në një marrëdhënie që kërkon të vendosë barazinë me Tjetrin, ekulibrin me Tjetrin, të ndërtojë marrëdhënie reciprociteti me Tjetrin. Askush nuk e di se çfarë do të bëjë Tjetri, ndaj të dy palët ndodhen në një proces tejkalimi të Tjetrit, në një garë ku seicili nga njera anë është i parë nga Vetvetja, i konsideruar nga Vetvetja e tij, dhe nga ana tjetër i parë nga Tjetri, që përbën edhe manifestimin e qenies të tij jashtë Vetes. Seicili nga aktorët e komunikimit ndahet disi në dysh, nga njera anë është Vetja e vet, e njohur, e pranuar dhe e dëshiruar prej Vetes së tij dhe nga ana tjetër Vetja e tij objektive e trajtuar, e parë, e konsideruar prej Tjetrit. Identiteti personal ose kolektiv vuan kështu sipas autorëve të Shkollës të Paolo Alto-s nga një simptomë psikopathologjike skizofrenike, e cila nëse thellohet jep kriza të forta identiteti që shfaqen në komunikim nga njera anë si forma kundërshtuese për çdo mesazh të marrë, dhe nga ana tjetër në një përshkallëzim simetrik të kundërshtive që marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha dhe me forma gjithmonë e më të mprehta agresive komunikimi reciprok.
Vetja e parë nga Vetja dhe Vetja e parë te pasqyra e Tjetrit, te sjellja e Tjetrit, te mesazhet e marra nga Tjetri, krijojnë një dyfishim personaliteti që shpesh sjell edhe çarje të theksuara në komunikimin përmbajtësor dhe në prishjen e koherencës semantike të mesazheve të komunikuara. Kalohet më shpesh nga konfirmimi i Tjetrit simetrik te kundërshtimi i tij dhe më tej akoma te Mohimi i qenies të Tjetrit. Vetja ndahet në dysh, në Vete për veten dhe në Vete për Tjetrin duke u munduar që të vendosë koherencë mes tyre ose duke e mohuar Tjetrin, ose duke u përpjekur në një ligjërim të pafund egocentrik që në thelb ka dêshirën për t’u imponuar mbi tjetrin.
Nga ana tjetër ndodh edhe prirja e barazimit të Tjetrit me Veten dhe më rrallë, kuptohet, prirja e barazimit të Vetes me Tjetrin. Kjo ndodh edhe në proçesin e konfirmimit të Tjetrit, por të kuptuar sipas Vetes. “Besojmë se Tjetri jo vetëm zotëron të njejtën sasi informacioni si ne, por edhe se ai nxjerr andej të njejtat përfundime si ne.”(6) Supozohet gjithmonë në proçesin e pohimit të Vetvetes se Tjetri është njësoj si Vetja përndryshe ai nuk mund të na kuptojë. Konsiderohet se dijet e Tjetrit, përvojat e Tjetrit, këndvështrimet e Tjetrit, interpretimet e Tjetrit janë të njejtat me të Vetes dhe prej këndej lind përpjekja ose për ta nënshtruar Tjetrin e bërë që ai të heqë dorë nga pikëpamjet e tij të ndryshme nga të Vetes, ose çdo gjë që ndryshon nga këndvështrimet e Vetes quhet ose si çmenduri ose si keqdashje. Autorët e Shkollës të Paolo Alto-s theksojnë se kuptimet e ndryshme (që ata i quajnë “pikësime”) mbi botën, në mënyrë skizofrenike konsiderohen si gabime thelbësore, si parimisht gabime. “Ne mundet vetëm të deklarojmë – shkruajnë ata – se në rrënjë të këtyre konflikteve të pikësimit, ndodhet bindja e vendosur dhe zakonisht e padiskutueshme se ekziston vetëm një realitet, ekziston vetëm bota ashtu sikurse e shohim ne atë, dhe se çdo koncept që ndryshon nga ai që unë kam vjen ose prej çmendurisë të Tjetrit ose prej keqdashjes të tij ndaj meje.”(7)
Kuptimi i Botës si një e tërë, e vetme, uniciteti i Botës, konsiderohet nga përfaqësuesit e Shkollës të Paolo Alto-s si një simptomë psikopathologjike skizofrenie që vjen si pasojë e një iluzion në komunikim ku Tjetri barazohet me Veten.
Identiteti personal çahet përsëri në dysh midis Vetes të marrë si Vete dhe Vetes të barazuar me Tjetrin. Por, këtu përsëri ka një proces të pafund kërkimesh dhe përpjekjesh. Komunikimi quhet i mundshëm vetëm nëse Tjetri është si vetja, por ky komunikim quhet i nevojshëm vetëm nëse Tjetri merret edhe i ndryshëm nga Vetja. Në këtë mënyrë identiteti personal përgjatë komunikimit ndodhet vazhdimisht në një proçes kërkimi të qendrueshmërisë të vetvetes duke mos e arritur atë kurrë e duke e mbushur me një ligjërim rethorik të pafund.
Jo vetëm marrëdhënia e simetrisë, por edhe ajo e komplementaritetit nuk i shpëton dot simptomave skizofrenike të kërkimit të përhershëm të Vetes në komunikimin me Tjetrin. Sepse një marrëdhënie e caktuar reciprociteti, ku rolet e aktorëve të komunikimit plotësohen me njeri tjetrin, është gjithmonë në lëvizje dhe ndryshim. Nëse një reciprocitet i caktuar rolesh të ndara është pranuar në një kohë të caktuar, ai kthehet në një mosmarrëveshje sa herë që njeri prej komunikuesve gjykon se statusi i tij meriton të ndryshohet brenda kësaj marrëdhënieje. Autorët e librit theksojnë se :”Një problem tipik shfaqet në një marrëdhënie komplementare kur X dëshëron që Y t’i konfirmojë një përkufizim të vetes të tij, atij pra, X-it, që është në kontradiktë me mënyrën sesi Y e sheh X… Në natyrën e marrëdhënieve komplementare është që një përkufizim i Vetes nuk mund të mbahet në këmbë veçse nëse partneri luan rolin komplementar që pritet prej tij.”(8)
Në këtë rast, nëse në një çast të caktuar Vetja është në përputhjen pak a shumë të plotë të Vetes të parë nga Vetja dhe të Vetes të parë nga Tjetri, me ndryshimin e dinamikave të marrëdhënies në fjalë, Tjetri nuk e njeh më identitetin e akorduar të Vetes, prandaj nis e çahet vrullshëm kuptimi i Vetes mbi Veten dhe i Vetes nga Tjetri. Qetësia e përkohshme e një identiteti të plotë çrregullohet përsëri. Tjetri e sheh Veten ashtu sikurse Vetja nuk dëshëron ta shohë Veten e vet. Mbi këtë bazë lind edhe mos-shikueshmëria që në kuptimin e Shkollës të Paolo Alto-s përbën atë pengesë të aktorëve të komunikimit për të parë te Tjetri gjithçka që bie në kundërshtim me përkufizimin që ata i japin Tjetrit. Në këtë mënyrë midis tyre lindin moskuptime të bazuara edhe në vëzhgime të munguara ose të zbehta të njeri tjetrit.
Simptoma psikopathologjike konkrete skizofrenie në komunikim
Autorët e Shkollës të Paolo – Alto-s kanë shenjuar edhe simptoma konkrete psikopathologjike skizofrenike në komunikim, të cilat ata i kanë testuar në përvoja klinike shumë të pasura me raste të veçantë pacientësh. Edhe në njerëzit normalë, ata kanë bërë vëzhgime.
Ata theksojnë se një nga këto simptoma është paaftësia e pandërgjegjshme për të parë e vëzhguar te Tjetri gjithçka që nuk përputhet me përkufizimin që i japim atij. Mos-shikueshmëri reciproke. Ata shkruajnë se : “Cdo niveli perceptimi i korrespondon në fakt një nivel i krahasueshëm mos-perceptimi i mundshëm ose mos-tejshikueshmëria. Kur nuk kemi ndërgjegjen e duhur të tjetrit, pra kur ka mos-tejshikueshmëri, palët që përbëjnë një diadë flasim për pseudo-probleme.” (9)
Pikërisht ngatërrimi i komunikimit me anë të dorës së dytë, që nuk kanë lidhje me çështje të vërteta, por me përkufizimet karikatura që i japin rivalët njeri tjetrit, pra debati për identitetet e tyre, të keqtrajtuara, për identitete të para në mënyrë të cunguar ose të deformuar, përbën sipas Shkollës të Paolo Alto-s një tjetër shenjë simptome skizofrenie në komunikim.
Mesazhet e komunikuara janë shpesh kontradiktorë, jo koherentë, dhe të trajtueshëm në mënyrë ekuivoke sepse formuluesi i tyre duke pasur çrregullime të identitetit personal në komunikimin me Tjetrin, ndikohet nga statuse pragmatikë të ndryshëm që i jep vetes në këtë komunikim. Komunikon errët, me fjali të papërfunduara, me kuptime të dyzuara, të pasakta dhe të formuluara me kode të çrregullt. Autorët e librit theksojnë se: “Të shprehurit skizofrenik” është një gjuhë që e lë dëgjuesin të bëjë një zgjedhje midis shumë kuptimeve të mundshme, jo vetëm të ndryshme, por eventualisht edhe të papajtueshme.”(10)
Komunikuesit kërkojnë në një rethorikë të pafundme fjalësh dhe fjalish të saktësojnë një kuptim semantik të qartë të ligjërimit të tyre pa e arritur kurrë objektivin e dëshirës të tyre. I foluri pa fund është simptomë skizofrenie në komunikim si edhe korrigjimi pafund i ligjërimit të Tjetrit sepse në paqendrueshmërinë psiqike personale, komunikuesi nuk është në asnjë rast i gatshëm të pranojë vështrimin e komunikuesit tjetër mbi të. Ai kërkon të mbisundojë te Tjetri në komunikim duke artikuluar një ligjërim që mbështetet pa e kuptuar te lavdërimi i vetes, te krijimi i një aureole mbi egon e vet personale.
Ndodh edhe ajo që quhet “përshkallëzimi simetrik”(11), ose “çmenduria dyshe”, kur seicili nga aktorët e komunikimit në dialogun e tyre agresiv me njeri tjetrin përpiqen të rivendosin identitetin e tyre autentik të Vetes, të mohuar nga Tjetri, dhe në këtë rivalitet, përshkallëzojnë reciprokisht sharjet, ofendimet, agresivitetin, duke kaluar nga komunikimi verbal në atë jo-verbal që është gjuhë trupore, e shprehur edhe në dhunë fizike, pra si shenjë histerie. Skizofrenia bëhet e dyanshme. “Teoria e komunikimit sheh te simptoma një mesazh jo-verbal : nuk jam unë që nuk dua (ose dua) ta bëjë këtë, por është diçka tjetër që më shtyn, e cila i shpëton kontrollit të vullnetit tim, psh. janë nervat e mia, është sëmundja ime, ankthi im, shkrimi im i keq, alkooli, edukimi im, komunistët, apo gruaja ime.”(12)
Shpirti i kundërshtimit dhe fajësimi i tjetrit çfardo që ai të thotë bën pjesë në aktet e rivendosjes të identitetit personal simptomatik në komunikim.
Përfundime
Shkolla e Paolo Alto-s na jep një përqasje të thelluar të sipmtomave psikopathologjike duke u nisur nga shkencat e komunikimit. Komunikimi mund të shërbejë edhe si terapi e tyre duke u nisur fillimisht nga shpjegimi dhe kuptimi i komunikuesit për devijancat e tij psikopathologjike në komunikim. Shpesh herë, nisur nga këtej, njeriut i duhet që të shqyrtojë se nga i vjen një lloj komunikimi i vështirë dhe problematik i tij me të tjerët. Të kuptojë veten dhe të tjerët. Sepse psikopathologjia në formën e skizofrenisë, që merr edhe trajtën e paranojave në kushtet e mohimit të Tjetrit, nuk karakterizon vetëm pacientët, por edhe komunikimin e përditshëm normal që nuk u shpëton megjithatë edhe sipmtomave psikopathologjike deviante.
Bibliografia
Cumming, John, “Communication : an approach to chronic schizophrenia”, te Lawrence Appleby, Jordan M. Scher, John Cumming, Chronic Schizophrenia, Exploration in Theory and Treatment, pp. 106 – 119, The Free Press, Illinois, 1960
Watzlawick, Paul, Beavin, J. Helmick, Jackson, Don D. J, Une Logique de la Communication, Editions du Seuil, Paris 1972
Shenime
1.P. Watzlawick, J. Helmick Beavin, Don D. Jackson, Une Logique de la Communication, p. 83, Editions du Seuil 1972.
2.Ibidem, p. 83.
3.John Cumming, “Communication : an approach to chronic schizophrenia”, te Lawrence Appleby, Jordan M. Scher, John Cumming, Chronic Schizophrenia, Exploration in Theory and Treatment, pp. 106 – 119, The Free Press, Illinois, 1960.
- P. Watzlawick, J. Helmick Beavin, Don D. Jackson, Une Logique de la Communication, p. 86, Editions du Seuil 1972.
5.Ibidem, p. 105.
6.Ibidem, p., 93.
7.Ibidem, p.94.
8.Ibidem, p. 106.
9.Ibidem, p. 90.
10.Ibidem, pp. 72 – 73.
11.Ibidem, p. 80.
- Ibidem, p. 79.
[1] 5.Ibidem, p. 105.