150 vjet nga qyteti i djeshëm i “luleve”, sot i “urave”

0
629

Histori_Dossier-FIeri_1937_257872878Nga Ilirjan Gjika

Speciale/ Fieri, një histori e shkurtër (1864-2014). I quajtur dikur edhe “qyteti i luleve”, Fieri mund të quhet sot edhe si “qyteti i urave”, për shkak të urave të shumta të tij mbi lumin Gjanica. Madje, edhe themelimin e tij ai ia dedikon ndërtimit të urës së vjetër mbi këtë lumë. Por tre nga monumentet më të vjetra të qytetit si Tregu i Vrionasve, Ura e Gurtë dhe Kisha e Shën Gjergjit sot nuk ekzistojnë duke e lenë qytetin pa kujtesë historike.

 

1

Qyteti i Fierit është, sot, nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, me kontribute të theksuara në fusha të ndryshme të jetës, i cili mbart në vetvete një histori të re krahasuar me qytete fqinjë si Berati, Vlora apo Elbasani. Të dhënat e para për vjetërsinë e Fierit si vendbanim shkojnë deri në vitin 1737 ku e ndeshim në regjistrat osmanë të taksave me emrin Fierza (AQSH, Fondi 218, dos. nr. 17, fl. 71-79. lib 61a, viti 1737, fl. 1, f. 35-39, cituar nga T. Sadiku. Mallakastra dhe Myzeqeja e Vogël në rrjedhat e historisë deri më 1890, Migjeni, Tiranë 2009, f. 272). Më pas historia vijon me të tjera “shënime” që nisin dhe “ndërtojnë” atë nga viti 1777. Ato jepen nga autori Teki Selenica në librin “Shqipëria në 1927”, ku midis të tjerave në faqen 169 të tij thuhet: “Ura e ndërtuar nga Rrapushja e bija e Kurt Pashës në vitin 1777, lidhi fshatrat e Fierit të Madh dhe Shkozës, të cilët i ndante lumi Gjanica” (T. Selenica, Shqipëria më 1927, Shtypshkronja Tirana, Tiranë 1928).

Duke parë perspektivën e zhvillimit të këtij vendbanimi, Kisha Ortodokse ndërtoi në vendin e kishës së vogël të Shën Marisë, katedralen e Shën Gjergjit në vitin 1781. Ndërkohë, me rëndësinë që fitoi si pikë e transportit transit, Fieri nisi të ndryshonte fizionominë e tij. Ai shndërrohet nga një vendbanim i karakterit rural në një qendër shërbimesh, ku pikërisht pranë urës mbi Gjanicë do të ngrihet një rrjet shërbimesh për kohën. Transporti i asaj kohe bëhej me karro dhe kafshë ngarkese të cilat së bashku me njerëzit pushonin në “stacionin” pranë lumit Gjanica (I. Gjika, 300 vjet qytet, Standard, nr. 1498, dt. 29 mars 2010).

Fieri duhet të jetë krijuar pas vitit 1690, kur Venediku pushtoi dhe sanxhakbeu i saj, Kapllan Mehmet Pashë Vlora, e shpërnguli selinë e tij në Berat (Eqrem Bej Vlora, Kujtime. Tiranë 2003, dotime IDK, f. 606). Kështu, rrugës fushore të komunikimit midis qendrës së re të sanxhakut dhe skelës së Vlorës i duhej një stacion i ri, i cili nisi funksionimin e tij. Zhvillim të madh Fieri mori në kohën e sundimit të sanxhakbeut Ahmet Kurt Pasha (1768-1789), i cili njihet në histori si financues i punimeve që ngritën urën mbi lumin Gjanica.

Një dokument i vjetër që dëshmon për Fierin si vendbanim është edhe dëshmia e konsullit francez të Janinës, Pukevilit, i cili pasi e vizitoi Fierin në vitin 1906 e quajti atë një “fshat të madh me 200 shtëpi” (Fransua Pukëvil, Në oborrin e vezirit të Janinës, Tiranë 1999, f 82-86). Shndërrimi i Fierit në qytet nis diku rreth vitin 1854, kur Kahreman Pasha, i biri i vezirit Omer Pashë Vrioni, u shkëput nga Berati dhe u vendos në Fier, të cilin e kishte marrë më parë si çiflig me qira nga shteti. Në fillim të viteve 1860, ai e bleu atë për shumën 150 000 grosh dhe ndërtoi fillimisht tregun që do të shërbente si bërthama e qytetit të ardhshëm (Grup autorësh, Fieri Profil Historik, Muzeu Historik, Fieri 2005, f. 71).

Interesant është edhe prejardhja e emrit të Fierit që vjen nga bima e Fierit, ashtu si pjesa më e madhe e vendbanimeve që ndodhen rreth tij në zonën e Myzeqesë së Vogël. Të tilla mund të përmendim edhe sot emrat e shumë vendbanimeve me karakter urban dhe rural që kanë origjinë bimore si Sheq dhe Shkozë (lagje të qytetit) apo Drizë, Sheq-Marinas, Marinëz, Frashër, Sheqishte, Qarr, Pishë, Fikth, Kallm (kallam), Kallëm-Kashisht etj. Edhe prof. Eqrem Çabej në studimin e tij “Burimet e gjuhës shqipe” midis të tjerave e përforcon këtë fakt kur midis të tjerave thekson se: “Nuk ka dyshim se emrat që një popull u vë personave ose viseve të territoreve të tij kanë një kuptim të vetin si Agim, Drita, Lule, Bjeshkët e Namuna, Lumë, Qafbuall, Shkozë, Shpat, Fier e të tjera si këto” (Gazeta Drita, dt. 19 dhjetor 1971).

Ndërkohë sipas qëllimeve të Kahreman Pashës, Fieri, përmes të cilit kalonte lumi Gjanica dhe ku kryqëzoheshin rrugët Berat-Vlorë, Mallakastër-Skela e Semanit do të shndërrohej në qendër të rajonit. Veprimtaria kryesore ekonomike e tij do të ishte tregtimi i prodhimeve bujqësore të Myzeqesë, Mallakastrës dhe krahinave përreth. Këte qëllim nisi të kryente tregu i ri i cili kishte 122 dyqane, të cilët nisën menjëherë veprimtarinë e përditshme tregtare. Banorët e parë të Fierit ishin familjet myzeqare të bujqve të Kahreman Pashës, ndërsa më pas për ti dhënë hov tregtisë dhe zejtarisë ai solli me kontratë disa familje vllehe me origjinë nga Voskopoja dhe Grabova, të cilat ishin vendosur në Myzeqe kohë më pare (Jakov Milaj, Fieri ynë i lashtë, dorëshkrim).

Në këtë mënyrë u përcaktua edhe statusi ekonomik i Fierit si qytet i tregtarëve, zanatçinjve dhe shërbimeve. Interesante ishte edhe fizionomia e tij të cilën e përcaktuan urbanistët francezë.

Ata e projektuan qytetin të shtrirë në fushë sipas një plani me një rrjet rrugor, ku kombinohej sistemi rrezor me atë kuadratik. Në të dy anët e rrugës kryesore ngriheshin ndërtesa një dhe dykatëshe me një arkitekturë të tillë që ishte vijim i traditës së vjetër apoloniate. Pranë kësaj rruge ndodhej edhe tregu si dhe ndërtesat kryesore administrative. Këtu zhvillohej gjithë veprimtaria ekonomike dhe shoqërore e qytetit. Ndërkohë që një impuls të ri rritjes dhe zhvillimin të shpejtë të qytetit i dha i biri i Kahreiman Pashës, Omer Vrioni, i riu. Teki Selenica shkruan: “Në vitin 1877 Fieri u rindërtua dhe u sistemua sipas një plani modern nga Omer Pasha” (Teki Selenica, Shqipëria më 1927). Për këtë qëllim ai solli dy urbanistë italianë të quajtur Tombolini dhe Molinari. Ndërsa për paraqitjen e këtij plani, Eqrem Bej Vlora i cili kishte vizituar shumë herë Fierin midis viteve 1895-1907 e përcaktonte atë si “thuajse një qytet perëndimor” (Eqrem Bej Vlora, Nga Berati ne Tomorr dhe kthim, Koçi, Tiranë 2003, f. 123).

Po kështu, Edit Durham, e cila e vizitoi Fierin në vitin 1904 na ka lënë këtë dëshmi: “Fieri është një fshat i vogël, pronë e një beu me shumë iniciativë, i cili ka ndërmend ta kthejë në një qendër tregtare. Ai ka rindërtuar pazarin, ka ngritur godina solide prej guri me një arkitekturë çuditërisht moderne” (Edith Durham, Brenga e Ballkanit, Tiranë 1990, f. 72).

Me themelimin filloi edhe rritja demografike e qytetit. Pas voskopojarëve dhe grabovarëve që erdhët të parët në të u vendosën edhe Shpiragasit që zbritën nga fshatrat Paftal, Sinjë, Sadovicë dhe Mbreshtan (Timo Lule, Fieri dhe kënga, botimet Ymeraj, Fier 2009). Më pas në Fier u vendosën edhe banorë nga Mallakastra fqinje. Sipas regjistrimit të parë demografik të bërë nga shteti shqiptar, në vitin 1923, Fieri, ishte nënprefekturë nën varësinë e prefekturës së Beratit.

Në përbërjen e tij futeshin dy krahina si Rrethi i Qendrës, në të cilin bënte pjesë Fieri me 71 fshatra, 2193 shtëpi e 12 760 banorë dhe krahina e Semanit me 22 fshatra, 305 shtëpi dhe 1940 banorë. Vete qyteti i Fierit përbehej nga 5 lagje si Pasha, Bishanak, Shkoze, Belik dhe Kishë. Ai kishte 1493 banorë (Shqypnia, Njoftime gjeografike, Shkodër 1923, f. 101–104).

Në periudhën midis dy luftërave botërore treva e Fierit u shoqërua nga një progres i dukshëm.

Në të ndikuan drejtpërdrejt zhvillimet ekonomike, shoqërore dhe politike te vendit, por edhe pasojat e politikave të shteteve fqinj. Gjatë fillimit të shekullit XX deri në vitin 1939 në Fier u vendosen banorë të ardhur nga Labëria, të cilët zbritën nga Kurveleshi dhe zona të tjera të saj.

Në mesin e viteve `20 erdhën mjaft familje kosovare të dëbuara nga Kosova si rezultat i politikës antishqiptare të mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene. Ndërkohë në këto vite në Fier u vendosën edhe banorë të ardhur nga e gjithë Shqipëria e Jugut. Nga këta, beratasit, ishin një tjetër grup që erdhën në periudhën nga shpallja e pavarësisë e deri gjatë viteve 1920–1930. Ata blenë toka dhe filluan ushtrimin e aktivitetit tregtaro–zejtar. Po kështu vepruan në këtë kohë edhe mjaft gjirokastritë. Në vitet 1920 qytetit ju shtua lagja “Liri” kurse në 1930 u krijua edhe lagja “Kastriot”. Deri ne vitin 1938 Fieri numëronte një popullsi në shifrën e 4700 banorëve. Ndërkohë që në në verën e vitit 1944 në qytet dhe rrethinat u vendos edhe komuniteti çam i dëbuar në fund të Luftës së Dytë Botërore nga krahina e Çamërisë (Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar, maket, SHBLSH, Tiranë 1994, f. 224), duke plotësuar kështu mozaikun e nënkulturave, të cilat do ta bënin Fierin një “Shqipëri në miniaturë dhe një model të bashkëjetesës dhe tolerancës. Po kështu në vitet `30 në këtë qytet ushtronin aktivitetin e tyre dhe dy tregtarë hebrenj. Ata tregtonin manifakturë dhe quheshin Jozef Kantozi dhe Jakov Solomoni dhe që të dy ishin anëtare Odës së Tregtisë Fier (I. Fishta-Th. Kareco, “Prona Private në Shqipëri 1924-1944).

2

Edhe pse një qytet relativisht i ri, Fieri i ka lënë gjurmët e tij në histori. Ai do të luajë një rol gjithnjë e më aktiv në vitet e Rilindjes Kombëtare dhe të pragpavarësisë. Qysh me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Fier do të vijë një nga figurat qendrore të saj si, Abdyl Frashëri, i cili në 31 tetor 1878 do të ngrejë degën lokale të Lidhjes. Ndërkohë që në vitin 1908 do të hapen dy shkollat e para të arsimit kombëtar siç ishin ato të Libofshës dhe të Cakranit. Por ngjarja më e rëndësishme në kuadrin e Rilindjes Kombëtare që çoi në mënyrë direkte në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë është pa dyshim: Mbledhja e Fierit. E mbajtur në 12 gusht të vitit 1912 ajo caktoi si detyrë kryesore dërgimin e Ismail Qemalit në Stamboll për të kërkuar autonominë e Shqipërisë. Merita e “Mbledhjes së Fierit” qëndron se ajo i krijoi mundësinë “arkitektit” të pavarësisë, që të gjykonte drejt situatën ku ndodhej Shqipëria për realizuar “mëvetësinë” e saj (I. Gjika, Mbledhja e Fierit, Prelud i Pavarësisë Kombëtare, Standard, nr. 2179, dt 24 shkurt 2012).

Po kështu gjatë kësaj kohe Fieri do të ishte qendra e kryengritjes së Shqipërisë së Jugut të vitit 1912. Në këtë kontekst përmendet edhe patrioti Tonç Kilica, i cili si kryetar i bashkisë bëri lidhjet midis zonave kryengritëse me Fierin. Ky njeri mirëpriti Ismail Qemalin gjatë udhëtimit të tij historik për në Vlorë dhe kryesoi aktin simbolik të ngritjes së flamurit në 29 nëntor 1912.

Një tjetër ngjarje që do ta bënte këtë qytet të njohur jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropën e periudhës midis dy luftërave botërore, do të ishte edhe Kryengritja e Fierit. Megjithëse sot ajo vazhdon të jetë e diskutueshme nga historiografia kjo ngjarje ishte shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend ndaj regjimit të mbretit Zog dhe ndërhyrjes italiane. Shpërthimi i saj në Fier tregonte se në këtë qytet ekzistonte një ndërgjegje e lartë politike dhe një bërthame e fuqishme borgjezo-intelektuale (I. Gjika, Fieri në Shekuj, Ymeraj, Fieri 2004, f. 105-140). Por vlerat patriotike dhe liridashëse të fierakëve u shprehën veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në këtë luftë Fieri nxori nga “gjiri” i tij: 1802 luftëtarë antifashistë të rreshtuar në radhët partizane, nga të cilët 385 prej tyre ranë dëshmorë (Grup autorësh, Fieri Profil Historik). Të tillë mund të përmendim emrat e Heroinës së Popullit Liri Gero dhe të dëshmorëve Asaf Dishnica, Petro Sota, Rauf Nallbani, Andon Xoxa, Mihal e Llambi Bego, Pinellopi Pirro, Janaq Kilica, Mark Dashi, Jani Bakalli, Loni Papuçiu, Vangjel Capo, Todi Shkurta, etj, emrat e të cilëve i mbajnë sot disa prej rrugëve, shkollave dhe institucioneve kulturore të qytetit. Një kontribut fisnik për çlirimin e atdheut dhanë edhe gratë edhe vajzat. Shembulli i 14 shtatorit të vitit 1943 është unik jo vetëm për të gjithë Shqipërinë, por edhe në Evropë, kur në një ditë të vetme, 68 gra dhe vajza fierake hynë në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, duke treguar një shembull qytetarie dhe emancipimi.

3

Në vitet e Pavarësisë Kombëtare qyteti i Fierit pësoi shndërrime të rëndësishme ekonomike dhe shoqërore. Në vitet 1930 në qytet funksiononin ekzistonin magazina të mëdha mallrash dhe një rrjet i gjerë tregtar. Në vitin 1937 dhoma e tregtisë së Fierit numëronte 309 zejtarë, tregtarë dhe industrialistë nën juridiksionin e saj. Industria përfaqësohej nga një fabrikë mielli, dy fabrika që përpunonin vajin e ullirit, një fabrike sapuni, një punishte që prodhonte qese letre e cila plotësonte të gjitha nevojat e konsumatoreve të tregut shqiptar. Në qytet funksiononin degët e tre shoqërive aksionere kombëtare si “Stamles” që merrej me prodhimin e duhan-cigareve, “Sesa”, e cila zotëronte një central elektrik dhe “Sita” që merrej me nxjerrjen e kripës në bregdet (I. Fishta-Th. Kareco, Prona Private në Shqipëri 1924-1944). Por zhvillimin më të madh Fieri e arriti në vitet e pasluftës së dytë botërore kur u përfshi nga procesi i zhvillimit të bujqësisë dhe industrisë. Procesi i industrializimit nisi në vitin 1952 për tu intensifikuar në vitet 60-të, ku drejtimi kryesor i këtij programi ishte dhënia prioritet e industrisë së rëndë si dega kryesore të ekonomisë. Në vitet 1980 industria në Fier jepte 73.3% të prodhimit të përgjithshëm, ku dega kryesore e saj ishte nxjerrja dhe përpunimi i naftës. Duke llogaritur prodhimin e përgjithshëm të ekonomisë kombëtare në prodhimin industrial, Fieri, renditej i dyti si rreth pas Tiranës, duke dhënë 12% të tij në shkallë vendi. Të tjera industri të zhvilluara në këtë periudhë ishin edhe ato kimike, energjetike dhe ushqimore, që përfaqësoheshin nga një sërë veprash industriale si Azotiku, Rafineria e Naftës, Uzina Mekanike Bujqësore, Uzina e Pambukut, TEC më i madhi i vendit etj. I gjithë ky proces industrializimi u shoqërua me zhvillime të reja urbane, gjatë të cilave mori përpjesëtime të mëdha rritja dhe zgjerimi i qytetit të Fierit (Ilirjan Gjika, Fieri në shekuj, f. 180). Ndërsa në aspektin demografik në vitin 1985, Fieri, si rreth kishte një popullsi prej 203 400 banorësh, ku popullsia qytetare arrinte shifrën 27.6% ndërsa ajo rurale zinte 72.4% të saj (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, Fieri).

Në vitet ‘50-‘60 pas zbulimeve të rëndësishme të vendburimeve të naftës, Fieri, u shndërrua në qendër të kësaj industrie. Kështu në vitin 1967 transferohet nga Kuçova në Patos Drejtoria e Përgjithshme e Naftës. Në këtë mënyrë nisën investimet e mëdha industrial që ndërtuan me dhjetëra kantiere, baza prodhuese, naftësjellës, ndërmarrje, ofiçina, laboratorë, si dhe rafineritë e naftës në Fier dhe Ballsh, parqet automobilistikë të “Transnaftës” dhe “Agregateve”, Uzinën Mekanike në Patos etj. Në vitin 1965 krijohet edhe Instituti Naftës dhe Gazit, nga i cili në vitin 1975 u krijuan dy institute të reja si: Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Gjeologjike të Naftës e Gazit dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Teknologjike të Naftës dhe Gazit (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, Fieri).

Po kështu Fieri ishte edhe një nyje e rëndësishme transporti ku kryqëzoheshin disa rrugë automobilistike dhe hekurudhore si Tiranë-Vlorë dhe Tiranë-Ballsh. Në vitet 1967–1968 u ndërtua hekurudha Rrogozhinë–Fier, 53 km e gjatë e cila lidhi Fierin me rrjetin hekurudhor, duke i dhënë një shtytje të mëtejshme “revolucionit industrial” të tij. Më vonë ajo u pasua nga ndërtimi i hekurudhës Fier-Ballsh në vitet 1974–1975 dhe asaj Fier–Vlorë në vitet 1983–1985 (Hekurudha Shqiptare, T669.net). Ndërkohë që në vitet 1950–1990, rajoni i Fierit, u shndërrua në prodhuesin kryesor të drithërave të bukës në Shqipëri, ku ishin të njohura për rendimentet e tyre të larta një sërë ndërmarrjesh bujqësore për rendimentet e tyre në bujqësi dhe blegtori.

Gjatë kësaj periudhe Fieri krijoi edhe profilin e tij në shumë fusha të jetës si në ato arsimore dhe kulturore, ku deri në vitin 1985 numëronte 18 shkolla të mesme, 76 shkolla 8 vjeçare dhe një filial të Universitetit të Tiranës. Ndërsa institucione të njohura kulturore që ushtronin aktivitetin e tyre ishin edhe Teatri Bylis, Klubi Sportiv Apolonia, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore “Myzeqeja”, Biblioteka, Galeria e Arteve Figurative, Muzeu historik etj.

4

I quajtur dikur edhe “qyteti i luleve” Fieri mund të quhet sot edhe si “qyteti i urave” për shkak të urave të shumta të tij mbi lumin Gjanica. Madje edhe themelimin e tij, ai, ja dedikon ndërtimit të urës së vjetër mbi këtë lum. Por tre nga monumentet më të vjetra të qytetit si Tregu i Vrionasve, Ura e Gurtë dhe Kisha e Shën Gjergjit sot nuk ekzistojnë duke e lenë qytetin pa kujtese historike. Tregu i vjetër u prish në fillim të viteve `80 për t’i lënë vendin zhvillimeve të reja urbane të kohës. Po kështu të njëjtin fat pati edhe disa vite përpara tij kisha e vjetër e Shën Gjergjit,e cila ishte dikur një nga monumentet më të bukura dhe më të mëdha të rajonit të Myzeqesë. E përbërë prej tre nefesh, pagëzimores dhe dy portikëve ajo kishte përmasa 26 x 20 m. E ndërtuar në vitin 1782 nga një grup ndërtuesish të drejtuar nga mjeshtri i quajtur Gega kjo faltore u ndërtua mbi rrënojat e një kishe më të vjetër, të quajtur Shën Mëria e cila sipas gjasave ka ekzistuar këtu më parë. Kisha ishte ndërtuar me gurë shtufi dhe gerë të sjellë nga Apolonia antike. Një pjesë e gurëve të saj ishin skalitur prej mjeshtërve ndërtues. Gurët ishin lidhur me llaç gëlqereje, ku për të shtuar fortësinë e tyre ishin përdorur edhe të verdhat e vezëve, përzier me lesh dhie. Për kupolën u përdorën tulla të kuqe të lidhura me llaç (I. Gjika, Kisha e Shën Gjergjit Fier, T669.com) “Shën Gjergji” ka qenë i suvatuar nga brenga dhe e pajisur me afreske të pikturuara nga piktori grabovar Joan Çetiri. Si të gjitha kishat pas bizantine edhe mbishkrimet e saj kanë qenë të pakta. Gjithsej ajo mbarte dy mbishkrime. I pari gjendej në pjesën e jashtme të absidës dhe tregonte se në vitin 1782 kishën e kishte ndërtuar qysh nga fillimi kryemjeshtri Gega. Mbishkrimi i dytë ishte vendosur në një pllakë të vendosur mbi Portën jugore. Aty gjendej i skalitur emri i mjeshtrit të dytë, që kishte punuar për ndërtimin e kishës, i cili quhej Elamen (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 108). Kisha e Shën Gjergjit nuk i shpëtoi dot furisë së shkatërrimeve të objekteve fetare gjatë vitit 1967. Në vitin 1999 ajo u rindërtua përsëri, duke ruajtur me përafërsi formën e parë të saj.

Ura e gurtë mbi Gjanicë quhej ndryshe edhe “Ura e Kishës” sepse ndodhej pranë kishës, po në atë vend që ndodhet ura e sotme. Ajo u hodh në erë me dinamit në vitet e Luftës së II Botërore, gjatë tërheqjes së ushtrisë gjermane në 15 tetor të vitit 1944 (I. Gjika, Fieri në shekuj, f. 172). Ura u ndërtua nga Kurt Pasha në vitin 1777, në vendin ku ishte ngritur më parë ura e dikurshme romake e rrugës Egnatia, e cila pasi dilte nga Apolonia e kalonte lumin Gjanica ose Argias-in antik pikërisht këtu. Ajo përbëhej prej dy harqesh nga të cilët njeri ishte i madh dhe i plotë, nën të cilin kalonte lumi dhe tjetri, që ishte i vogël, shërbente më tepër si portë shkarkimi për ujërat e tepërta gjatë kohës së vërshimeve të lumit. Si gjatësi ura kishte atë të urës së sotme kurse si gjerësi shkonte deri në 4.5 m. Kjo hapësirë ishte e ndarë në dy sektorë, ku i pari me gjerësi 2.5 m shërbente për kalimin e udhëtareve dhe karrove, ndërsa i dyti me gjerësi 1 m ishte një kanal katërkëndësh që përdorej për kalimin e vijës së ujit, e cila lidhte dy nga mullinjtë e qytetit. Të tillë ishin mulliri i Kashtës dhe ai i Pashait.

Interesant është tregimi popullor për ndërtimin e saj sepse në vendin ku u ndërtua bregu Gjanicës është i lartë dhe një gjë e tillë kërkonte më mund dhe shpenzime. Për këtë mjeshtrat ndërtues i kërkuan Kurt Pashës që urën ta ndërtonin rreth 100 m më poshtë, aty ku vendi ishte më i përshtatshëm dhe terreni më i ulët e lehtësonte punën e tyre. Por Kurt Pasha këmbënguli që ura të ndërtohej pikërisht aty, ku ndodheshin rrënojat e një ure më të vjetër akoma (Jakov Milaj, Fieri ynë i lashtë, dorëshkrim).

Vetëm Fabrika e Miellit si vepra e parë industriale në Fier ka mbetur në “këmbë” sot. Ajo u ndërtua nga shoqëria “Myzeqeja” me makineri të importuara nga Gjermania dhe prodhonte miell të cilësisë së lartë nga nr. 1.0 dhe 00. Prodhimi ambalazhohej në thasë 30 kg dhe mbante stampën LTD, Lidhja Tregtare e Drithit. Prodhimet e saj shpërndaheshin në Shqipëri, si dhe eksportoheshin nëpërmjet skelës së Semanit në Itali dhe Greqi. Në 15 tetor 1944 gjatë tërheqjes së tyre, në këtë fabrikë u paraqit një skuadër gjermane për ta djegur. Më vjen keq që do ta digjni, – iu drejtua atyre kryemekaniku i saj, një ish-emigrant i përpara luftës në Gjermani. Kjo fabrikë, – vijoi ai, – është e vetmja shenjë gjermane në këtë qytet. Kështu fabrika shpëtoi dhe është në këmbë edhe sot si ngrehinë, për të dëshmuar aktivitetin e suksesshëm të kësaj dhome tregtie (Hysen Emiri, Historia e Fierit, Gutenberg, 2001).

5

Sot Fieri është një nga 36 ndarjet territoriale të Republikës se Shqipërisë të quajtura rrethe. Ndërsa qyteti është një nga bashkitë e rëndësishme të Shqipërisë, njëkohësisht edhe qendër e qarkut me të njëjtin emër. I ndodhur 18 km në lindje të detit Adriatik, Fieri përbëhet nga 17 lagje të grupuara në katër rajone. Nga pikëpamja gjeografike, Fieri shtrihet në rajonin perëndimor të vendit duke zënë pjesën jugore të fushës së Myzeqesë, kufizuar me Lushnjën, Beratin, Vlorën dhe Mallakastrën. Shumëkush nuk e di që ai është një ndër qytetet më me shumë ura në Shqipëri. Sot janë 12 të tilla mbi lumenjtë Gjanicë dhe Seman që shërbejnë në mënyrë jetike për qytetin dhe rrethinat. Secila prej tyre mbart një histori më vete duke nisur që nga fundi i shekullit të XVIII-të deri tek më të rejat në fillim të këtij shekulli.

Me një qytetërim të vjetër dhe një histori të pasur, ku Apolonia antike përbën një nga dëshmitë më të rëndësishme të kulturës në rajon. Po kështu shumë ngjarje dhe personalitete të kësaj treve tregojnë rëndësinë e Fieri në zhvillimet e historisë tonë kombëtare. Ndërsa burimet e pasura natyrore dhe potencialet ekonomike si nafta, gazi natyror, fushat e gjera, kodrat e buta apo bregdeti i ulët i Adriatikut, kanë krijuar kushtet e zhvillimit të bujqësisë, industrisë dhe turizmit. Këtyre resurseve u shtohet edhe një vlerë e shtuar, që është pozita e favorshme gjeografike, e cila e bën Fierin një kryqëzim të rëndësishëm të arterieve të komunikimit automobilistik dhe hekurudhor.

Vlerat këtij qyteti ja shtojnë edhe traditat e spikatura, folklori i pasur, këngët dhe vallet karakteristike, dasmat, festat fetare, ambienti i ngrohtë shoqëror, veshjet e bukura popullore etj. Pikërisht në këtë shtrat janë krijuar edhe vlerat qytetare, shoqërore dhe kulturore. Fierakët njihen si njerëz të dashur, punëtorë dhe mikpritës. Kushdo që vjen në Fier e ndjien nga afër një gjë të tillë. Nga ky komunitet njerëzish kanë dalë një sërë personalitetesh të shkencës, artit dhe kulturës, emra nga më të njohurit dhe më të respektuarit në Shqipëri. Në këtë 150-vjetor, Fieri vjen si një qytet me një profil të spikatur në shumë fusha. I lindur nga puna dhe vlerat që burojnë prej saj ai e “ka të qartë” tashmë se ku buron “filozofia” e zhvillimit.