La Liga / Ançeloti: Hedhim mbrapa dështimin. Simeone, gati për dyshen Torres-Mandzukiç

0
152

Simeone-Ancelotti

Jurges Veizaj

Pas ndeshjes për kupë, të dy trajnerët janë të përqendruar në La Liga, duke u shprehur për disa ndryshime që do të pësojnë skuadrat

La Liga vazhdon të impresionojë në luftën për kreun, teksa Atletiko dhe Reali bashkë me Barcelonën plotësojnë treshen e konkurrentëve për titullin. Pas ndeshjes dy teknikët e skuadrave madrilene kanë folur për ndryshimet që do të pësojnë skuadrat, duke parë edhe ato çfarë kanë ndodhur në këto momente të para të rifillimit të sezonit. Trajneri i Realit, Karlo Ançeloti, bën autokritikë pas eliminimit në Kupën e Mbretit nga Atletiko e Madridit. Sipas 55-vjeçarit italian, “Los Blancos” nuk i bënë gjërat mirë në përballjen e dyfishtë me “Los Colchoneros” dhe si pasojë e kësaj erdhi edhe eliminimi në kupë, por Ançeloti gjithsesi nuk ka mbetur krejtësisht i zhgënjyer nga paraqitja e skuadrës së tij. “Autokritika qëndron mbi faktin se në ndeshjet e fundit e kemi humbur disi kontrollin e lojës dhe diçka të tillë e kemi paguar shtrenjtë. Na mërzit eliminimi ndaj Atletikos, pasi Kupa e Mbretit ishte një objektiv për ne në këtë sezon. Megjithatë, tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përqendrohemi në La Liga dhe në Ligën e Kampioneve, pasi në të dy këto kompeticione kemi objektiva madhorë për të arritur. A kam parë në fushë një Real të fjetur? Jo, nuk besoj, unë nuk kam parë as mungesë loje nga skuadra ime dhe as mungesë sjelljeje. Problemi i vetëm qëndron te fakti se kemi gabuar pak si shpesh gjatë ndeshjeve të fundit”. Rivali i radhës për Realin e Madridit është Getafja. Dy skuadrat do të përballen mesditën e kësaj të diele në “Coliseum Alfonso Perez”, në një tjetër ndeshje derbi, sfidë gjatë së cilës Ançeloti kërkon maksimumin e përqendrimit nga djemtë e tij. “Do të shkojmë të luajmë përballë Getafes me të njëjtën dëshirë si gjithmonë. Ata përpara disa ditësh kanë ndërruar trajnerin dhe diçka e tillë ndikon për mirë te Getafja. Janë një skuadër që kanë nevojë për pikë, prandaj nëse duam të fitojmë, na duhet të shfaqim gjithë potencialin tonë në fushën e lojës”. I pyetur nëse do të ketë rotacion në formacionin e skuadrës së tij në ndeshjen ndaj Getafes, tekniku italian deklaroi se në një moment të tillë Reali nuk ka shumë nevojë për ndryshime, pasi të gjithë lojtarët ndodhen në një gjendje të mirë. Ndërsa në kampin e Atletikos, Fernando Torres dhe Mario Mandzukiç mund të bashkëjetojnë në një skuadër. Këtë e fakton trajneri Diego Simeone, i cili premton t’i hedhë në fushë dy sulmuesit për sfidën kundër Granadës. Kampionët në fuqi të Primera Divisionit synojnë suksesin në ndeshjen e radhës për të mos humbur kontaktet me Realin e Madridit dhe Barcelonën. “Ata janë sulmues që kërkojnë përherë thellësinë në zonën e rreptësisë dhe mendoj se mund të luajnë të dy në të njëjtin formacion. E kemi bërë një gjë të tillë me Falkaon dhe Kostën, por edhe me Kostën e Vilën. Ndaj Granadës do t’i aktivizoj në të njëjtën kohë për t’i dhënë një bonus të madh paketës sulmuese të skuadrës”. Me blerjen e Torresit në muajin janar, mediat u përqendruan te e ardhmja e Mario Mandzukiçit, por, me sa duket, “El Cholo” ka një plan B për ekipin e tij, duke ndryshuar skemën me të cilën ka luajtur gjatë vitit të fundit. Në konferencën për shtyp, Simeone u përqendrua më pas te sfida e radhës, duke analizuar kundërshtarin. “Lojtarët e Granadës do të synojnë të japin maksimumin pas ndryshimit të trajnerit. Ata do të kenë një objektiv të qartë: të arrijnë te suksesi, duke rritur shpejtësinë në sulm, prandaj lojën duhet ta bëjmë ne”.

 

 

 

 

 

Premier Ligë

Mançesteri fiton ndaj QPR-së, rikthehet në vend të tretë

 

Mançester Junajtid i ka shënuar dy gola në shtëpi të Queens Park Rangers-it. Asnjëra nga skuadrat nuk arriti që të shënonte gol në gjysmën e parë, ndërsa të dy golat e “djajve të kuq” u shënuan në gjysmën e dytë. Maruan Fellaini shënoi golin e parë në minutën e 58-të, ndërsa Xhejms Uillson e dyfishoi epërsinë në fund të takimit (90’+4). Pas kësaj fitoreje, Mançester Junajtid kthehet në vend të tretë në tabelë, me 40 pikë, një më shumë se vendi i katërt. Mirëpo, Sauthemptoni ende nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj jave (kundër Njukastëll Junajtid).

 

Liverpuli triumfon ndaj Aston Vilës

 

Me rezultatin 2-0, Liverpuli ka fituar si mysafir i Aston Vilës në “Villa Park”. Me nga një gol të shënuar në secilën pjesë, të kuqtë e Roxhersit morën tri pikët e plota. Fabio Borini realizoi në minutën e 25-të dhe i dërgoi mysafirët në pushim me epërsi. Fitoren e vulosi Riki Lambert në fraksionin e dytë që qetësoi edhe teknikun Roxhers. Liverpuli është në vend të shtatë me një pikë prapa Arsenalit, por “topçinjtë” nuk e kanë zhvilluar ndeshjen e kësaj jave kundër Mançester Sitit.

 

Çelsi shënon goleadë ndaj Suansit

 

Suansi ka pësuar plot pesë gola në shtëpi nga Çelsi, skuadër që duket se e ka fatin e titullit në duart e veta. Me të filluar ndeshja, që në minutën e parë Oskar i kaloi mysafirët në epërsi, ndërkohë që ekipi i Hoze Murinjo nuk vonoi shumë duke e mbyllur sfidën që në fraksionin e parë. Goli i dytë dhe i tretë u shënuan nga sulmuesi braziliano-spanjoll, Diego Kosta në të 20-ën dhe 34-ën. Oskar ishte njeriu që vendosi rezultatin e pjesës së parë me golin e katërt të Bluve. Në pjesën e dytë u realizua vetëm një gol. Golashënues ishte Andre Shyrle që vulosi fitoren e londinezëve. Çelsi tashmë ka pesë pikë më shumë se Mançester Siti, që të dielën zhvillon derbin e javës kundër Arsenalit.

 

Pelegrini: Dëshiroja Sançezin, por e rrëmbeu Arsenali

 

Bosi i Mançester Sitit, Manuel Pelegrini, pranoi se kishte dëshirë të blinte sulmuesin e Arsenalit, Aleksis Sançez. Tekniku kilian këtë deklarate e ka dhënë një ditë para përballjes ndërmjet Sitit dhe Arsenalit, që luhet në kuadër të Premier Ligës. Sançez gjate verës së kaluar iu bashkua Arsenalit nga Barcelona. Pelegrini u shpreh se bashkëkombësi i tij në atë periudhë ishte shumë i shtrenjtë. “Në atë moment ai ishte një lojtar shumë i shtrenjtë. Barcelona e shiti atë te Arsenali, por jam i sigurt se Aleksis mund të luajë kudo”, – ka thënë Pelegrini.

 

Inzagi: Torres u shit për Pacinin

 

Fernando Torres është shitur nga Milani për t’i dhënë më shumë hapësirë Xhanpaolo Pacinit. Kështu ka thënë trajneri i kuqezinjve, Filipo Inzagi, duke folur në konferencën e djeshme për media, para sfidës Milan-Atalanta që luhet sot pasdite në “San Siro”. Sulmuesi spanjoll pak ditë më parë është transferuar në ish-klubin e tij, Atletiko Madrid, derisa në këmbim të tij milanistët morën Çerçin. Inzagi lavdëron Çerçin, ndërsa beson se Torres do të bëjë gjëra të mira tek Atletiko. “Pacini është një vlerë e shtuar. U shit Torres për t’i dhënë më shumë hapësirë Pacinit”, – ka thënë Inzagi. “Torres? Unë jam i lumtur për të dhe ai do të bëjë gjera të mira në Atletiko, por ne jemi të lumtur që kemi marr Çerçin. Unë jam i sigurt se do të jetë një ndihmë e madhe për ne”, – tha Inzagi.

 

Roben kafshohet nga një krokodil

 

Holandezi i Bajernit të Mynihut, Arjen Roben, ka pësuar plagë në dorën e majtë, pasi ia kishte kafshuar një krokodil në kampin stërvitor të ekipit në Katar. Arjen Roben ka përjetuar një ngjarje të tmerrshme në kampin stërvitor të ekipit në Katar dhe është me fat që është gjallë. Mesfushori holandez kishte shkuar për të marrë topin që kishte rënë në një liqen afër fushës ku ishte duke stërvitur. Por, papritmas aty u sulmua dhe u kafshua nga një krokodil, raporton “Bild”. “Kur shkova për ta marrë topin nga liqeni, krokodili më kafshoi”, – deklaroi Roben. Ai ka vazhduar stërvitjen, por me një mbrojtëse në dorë.

 

Roxhers: Baloteli, i vendosur për të qëndruar

 

Brendan Roxhers ka këmbëngulur se Mario Baloteli është i vendosur që të qëndrojë te Liverpuli dhe ka mohuar spekulimet për një largim të mundshëm të italianit gjatë afatit kalimtar të janarit. Baloteli është duke kaluar një situatë të vështirë që prej transferimit të tij nga Milani për 20 milionë euro në verë dhe ende nuk ka shënuar gol në Premier Ligë për “të kuqtë”. Mediat angleze raportuan se sulmuesi mund të rikthehet në Serinë A, por Roxhers ka thënë se Baloteli dëshiron të mbetet në Angli dhe të tregojë veten te Liverpuli. “Ai dëshiron të qëndrojë. Është duke u përmirësuar për Liverpulin dhe dëshiron ta tregojë veten”, – ka thënë Roxhers. “Ky është klubi ku ju mund ta keni mundësinë për të shkëlqyer. Ky është një grup i bashkuar dhe me shpirt të fortë. Këtë e kemi parë edhe me lojtarë të tjerë gjatë këtyre dy viteve”.

 

Blerim Xhemaili drejt Fiorentinës

 

Blerim Xhemaili do ta përfundojë aventurën e tij në gjigantin turk Gallatasaraji, më shpejt sesa e kishte menduar. Mesfushori tetovar që luan për përfaqësuesen e Zvicrës, nuk e gjeti veten siç është më së miri tek gjigantët turq dhe do të rikthehet në Itali. Sipas mediave turke, skuadra e re e Blerimit do të jetë një tjetër ekip i madh italian, që është Fiorentina. Transferimi i tetovarit në “Artemio Franchi” do t’i kushtojë klubit vjollcë mbi tre milionë euro, ndërsa ish-anëtari i Napolit do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare. Xhemaili u transferua te Gallatasaraji vitin e kaluar nga Napoli, por ai nuk u përshtat mirë tek klubi turk dhe kjo është arsyeja e largimit të tij nga Stambolli.

 

 

Milani nënshkruan me Suson

 

Milani ka siguruar nënshkrimin e mesfushorit Suso nga Liverpuli, me lojtarin që do t’i bashkohet klubit italian gjatë verës. 21-vjeçari ka dështuar të gjejë formën e tij të mirë në Premier Ligë dhe është transferuar në klubin italian që është duke ndërtuar një skuadër të re për tu rikthyer në Ligën e Kampioneve. Spanjolli ka kryer testet mjekësore te Milani pa dijeninë e Liverpulit, ndërsa Adriano Galiani është shprehur i lumtur për transferimin e tij. “Suso është punë e kryer, – ka thënë Glliani. – Ai do të transferohet këtu pas pak ditësh”.

 

Valdet Rama shënon dy gola

 

Valdet Rama e ka nisur në mënyrën më të mirë vitin 2015. Mesfushori sulmues i kombëtares së Shqipërisë ka shkëlqyer me skuadrën e tij TSV 1860 Mynih në ndeshjen miqësore ndaj Gordigut. Rama ka qenë lojtari kyç i ekipit gjerman në fitoren 2:1, që skuadra e tij e zhvilloi në Austri, duke shënuar dy gola. Edhe pse ekipi i tij ishte duke humbur në pjesën e parë, Rama arriti ta barazonte rezultatin në minutën e 62-të, ndërsa për golin e fitores u përkujdes dy minuta para fundit të ndeshjes kur shënoi nga pika e bardhë.

 

 

 

Basketboll

Tifozët serbë, kore raciste në ndeshjen ndaj Gallatasarajit

 

Histeria e tifozëve serbë nuk shfaqet vetëm në futboll. Viktimë e një atmosfere që nuk ka lidhje me sportin dhe koreve raciste kanë qenë basketbollistët e Gallatasarajit. Në ndeshjen e vlefshme për Euroligën mes skuadrës së Cërvena Zvezdës dhe asaj turke, protagonistë janë bërë sërish tifozët serbë, të cilët kanë jo vetëm kënduan këngë çetnike dhe dogjën fanellën e ekipit kundërshtar, por goditën lojtarët edhe me thundra derri. Tensioni në këtë ndeshje ka qenë edhe më i madh, pas vrasjes së tifozit serb në sfidën e parë të luajtur në Stamboll. Gjithsesi, kjo atmosferë nuk e ka penguar aspak Gallatasarajin të fitojë në pallatin e sportit në Beograd. Të udhëhequr nga Miçov dhe Arrojo, skuadra turke arriti të mbyllë ndeshjen me nëntë pikë më shumë në rezultatin e përgjithshëm 65-74. Pas kësaj fitoreje, Gallatasaraji ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në raundin tjetër të Euroligës në basketbollin për meshkuj. Ndërkohë, përveç humbjes Cërvena Zvezda pritet të përballet me ndëshkime disiplinore në ndeshjet e ardhshme të kompeticionit më të rëndësishëm të basketbollit evropian për klube.