Lindjet e parakohshme dhe pasojat e tyre

0
170

3487large_download

Foshnjat e vogla luftojnë me pasojat e ardhjes në jetë tepër herët. Rreth 1 milion prej tyre vdesin çdo vit, shumica në vendet në zhvillim, sipas një studimi të botuar në revistën mjekësore “Lancet”. Komplikacionet nga lindja para kohe janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Dr. Robert Black është koordinatori i studimit botëror. Koha ideale e qëndrimit të foshnjës në barkun e nënës është 39 javë. Foshnjat e lindura para 37 javëve mund të kenë vonesë në të folur dhe në koordinimin fizik, mund të kenë probleme me shikimin dhe preken më shumë nga infeksionet. “Truri është ende duke u zhvilluar, po ashtu funksioni i frymëmarrjes i mushkërive dhe kjo e bën fëmijën të preket nga komplikacione edhe afatgjata”. Dr. Diane Ashton, punon për organizatën “March of Dimes”, e cila ushtron aktivitetin në mbarë botën, për të pakësuar numrin e lindjeve të parakohshme. Nuk ekziston një arsye e vetme që shkakton lindjen e parakohshme. Në vendet në zhvillim, pjesë e problemit është ushqyerja jo e mirë e grave. Dieta e tyre e përditshme nuk ka sasinë e duhur të kalciumit, mineraleve dhe kaloritë e nevojshme. Në Shtetet e Bashkuara kryhen shumë operacione cezariane të panevojshme. Por arsye të tjera mund të jenë që nga qafa e mitrës e dëmtuar nga virusi papilloma, e deri tek pirja e duhanit, si dhe shumë faktorë të tjerë të panjohur. Fatmirësisht, studiuesit kanë gjetur mënyra për t’i ndihmuar të mbijetojnë foshnjat që lindin para kohe. “Ekzistojnë shumë ndërhyrje që mund t’i bëjmë, edhe në vendet me të ardhura të pakta, që aktualisht e kanë të lartë vdekshmërinë foshnjore”. Ndërhyrjet, janë p.sh. kontakti me lëkurën, që e mban foshnjën ngrohtë dhe inkurajimi i ushqyerjes me qumësht gjiri. Synimi është që të gjenden më tepër mënyra për të parandaluar vdekjet e fëmijëve nën moshën 5-vjeçare dhe pakësimin e vdekshmërisë së nënave, në mënyrë që fëmijët të rriten të shëndetshëm dhe të jenë më të përgatitur për të pasur një jetë produktive.

 

Vitamina E parandalon infeksionet

 

Vitamina E mund të luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin e ftohjeve dhe infeksioneve tjera të rrugëve së sipërme të frymëmarrjes. Ftohja dhe infeksionet e hundës dhe fytit janë një problem i shpeshtë shëndetësor, ndërsa ato veçanërisht janë të rrezikshme për të moshuarit. Te ky grup ftohjet mund të shkaktojnë edhe probleme serioze shëndetësore. Hulumtimet e realizuara kohë më parë kanë treguar se suplementët me vitaminë E mund të jenë të rëndësishme për parandalimin e tyre, pasi është vërejtur një ulje e dukshme e rrezikut për ftohje dhe infeksione te të moshuarit. Në studim kanë marrë pjesë mbi 600 persona të moshës mbi 65 vjeçe. Personat të cilët kanë marrë vitaminë E në formë të lëndëve shtesë (suplementëve) kanë pasur 20 për qind më pak rrezik për shfaqje të infeksioneve, krahasuar me personat të cilat kanë marrë placebo (tableta pa efekt). Studiuesit mendojnë se dobitë e vitaminës E nuk janë të kufizuara vetëm te të moshuarit, por ata mund të ndihmojnë forcimin e imunitetit edhe te më të rinjtë, edhe pse jo në shkallë aq të shprehur sa te të moshuarit.

 

Stërvitjet forcojnë imunitetin te të moshuarit

 

Kurrë nuk është vonë të përfitoni nga dobitë e aktivitetit fizik. Madje, meshkujt të cilët janë në gjashtëdhjetat dhe të cilët vazhdimisht stërviten, mund të forcojnë imunitetin që dobësohet me kalimin e viteve. Hulumtuesit kanë analizuar afro 50 persona të moshës nga 20-25 vjeç dhe nga 65-79 vjeç, një pjesë e të cilëve kanë qenë aktiv dhe pjesa tjetër jo aktiv. Më pas te ta është analizuar reagimi i sistemit imun në një substancë e cila, edhe pse në dozë të vogël dhe të sigurt për njerëzit, shkakton reaksion imunologjik. Meshkujt të cilët në dy vitet e fundit së paku tre herë në javë kanë praktikuar ndonjë lloj të stërvitjeve fizike janë definuar si aktivë, derisa ata që në dy vitet e fundit nuk kanë praktikuar kurrfarë aktiviteti fizik, janë definuar si joaktivë. Të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë të shëndetshëm, jo duhanpirës, nuk kanë përdorë barna dhe as nuk kanë qenë alkoolistë. Injeksioni i parë që nxit reagim imunologjik është dhënë në fillim të studimit, dhe tjetri pas tre javësh. Rezultatet kanë treguar se të moshuarit të cilët kanë qenë aktivë kanë pasur një përgjigje më të fuqishme imunologjike krahasuar me personat e moshuar joaktivë. Imuniteti i personave të moshuar aktivë afërisht ka qenë i njëjtë me imunitetin e personave të rinj të përfshirë në hulumtim. Megjithatë, është e dukshme që funksionimi i sistemit imun bie me kalimin e viteve, që për pasojë ka ndjeshmërinë më të madhe të personave të moshuar në sëmundje të ndryshme.