Qeveria vendos bllokimin e pasurive të debitorëve të energjisë

0
200

vjedhje_e_energjiseErvin Kaduku

–  Në rast se detyrimi i papaguar është mbi 150.000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2.000.000 lekë për klientin jofamiljar, OSHEE ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji

Ashpërsohen masat ndaj klientëve debitorë të OSHEE­së. Projektligji për sektorin e energjisë i sapomiratuar në qeveri parashikon sekuestrimin e shtëpisë apo lokalit deri në pagimin e plotë të faturave. Sipas draftit, nëse klienti nuk paguan detyrimin e energjisë elektrike ndaj kompanisë së ngarkuar me shërbimin, brenda afatit të caktuar në kontratë, furnizuesi i energjisë elektrike, nëpërmjet personave të autorizuar nga ana e tij, përveç inicimit të procedurave të ndërprerjes së energjisë, inicion procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm. Fillimisht kërkohet lëshimi i urdhrit të ekzekutimit dhe inicimi i ekzekutimit të detyrueshëm, sikurse përcaktohet në Kodin e Procedurës Civile “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, për çdo vlerë të papaguar detyrimi.

E reja që sjell ligji është vendosja e barrës hipotekore. Në rast se detyrimi i papaguar është mbi 150.000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2.000.000 lekë për klientin jofamiljar, OSHEE ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi.

Sipas projektligjit, barra hipotekore do të vendoset për një periudhë deri në përfundimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm. Vendimi për të vendosur barrën hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme për detyrimet e papaguara të energjisë elektrike bëhet me shkrim nga personat e autorizuar të furnizuesit.

Përpara nxjerrjes së vendimit të vendosjes së barrës hipotekore, furnizuesi njofton me postë rekomande klientin për masat që do të ndërmarrë për shkak të mosekzekutimit të detyrimit. Njoftimi duhet të përmbajë të dhënat e nevojshme për të identifikuar klientin, detyrimin e papaguar, pasurinë objekt të barrës hipotekore, dhe kompetencën e furnizuesit për të dorëzuar kërkesë për vendosjen e mjetit së sigurimit. Furnizuesi nuk do të procedojë me dorëzimin e

kërkesës për vendosjen e barrës hipotekore, në rast se klienti fundor ekzekuton menjëherë pagesat. Me miratimin e këtij ligji nga Kuvendi, qeveria do të nxjerrë një vendim për këtë masë sigurimi. Sipas draftit, kushtet, procedurat dhe afatet e ankimit, duke përfshirë formatin e njoftimit dhe formatin e vendimit për vendosjen e barrës hipotekore miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi dhe kërkesa për vendosjen e barrës hipotekore i drejtohen Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku gjendet pasuria e paluajtshme.

Gjykata mund të anulojë sekuestrimin. Në qoftë se furnizuesi i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik nuk pranon ankimin e paraqitur, klienti mund ta ankimojë këtë vendim në gjykatë e cila, në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, mund të vendosë anulimin e tij. Gjatë periudhës së vendosjes së barrës hipotekore mbi sendin e paluajtshëm, klienti, që nuk ka paguar detyrimin e energjisë, nuk ka të drejtë ta disponojë këtë send te palët e treta. Menjëherë me vendosjen e barrës hipotekore, sipas projektligjit, furnizuesi inicion procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm nëpërmjet përmbaruesit gjyqësor.

Klientët në nevojë

Nga ana tjetër, të gjithë klientët kanë të drejtë të zgjedhin furnizuesin e tyre të energjisë elektrike. Ky përcaktim është e drejta e parë që gëzon klienti në bazë të liberalizimit të tregut të energjisë që parashikohet të ndodhë deri në vitin 2018, sipas projektligjit. Një mbështetje e veçantë i bëhet në ligj klientëve në nevojë. Ministria e Mirëqenies Sociale, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë, Ministrinë e Financave, në konsultim me ERE­n dhe grupet e interesit, përcakton kriteret dhe procedurat për përfitimin e statusit të klientit në nevojë, të drejtat e tyre, si dhe masat që do të ndërmerren me qëllim mbrojtjen e kësaj kategorie klientësh, për përmbushjen e nevojave të tyre për energji elektrike. Mënyra e trajtimit, kriteret dhe procedurat për përfitimin e statusit të klientit në nevojë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ligji vendos si kriter që statusin ta përfitojnë klientë me të ardhura më të ulëta, të cilët e përdorin energjinë elektrike për furnizimin e vendbanimit të tyre të përhershëm. Në përcaktimin e nivelit të të ardhurave, përveç të ardhurave monetare, duhet të merren në konsideratë të gjitha pasuritë që disponon klienti. Klientët duhet të kenë konsum të energjisë elektrike të lidhur në rrjetin njëfazor me një fuqi maksimale prej 16 amper. Qeveria përcakton masën e përkrahjes së drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.