Shpërthimi / Atentat të fortit të Kukësit, i vendoset tritol në makinë, shpëton mrekullisht

0
231

foto e atentatit me eksploziv te makines ne durres tw ardian tota... (2)

Alma Çuka

Trota, objektiv për herë të dytë i atentateve. Nuk dihen ende arsyet e vërteta, por dyshimet lidhen me të qenët biznesmen. Tritoli, i vendosur në sediljen e pasme të makinës

Rikthehen frikshëm atentatet me tritol në qytetin e Durrësit. Në qendër të një atentati, i cili fatmirësisht përfundoi pa viktima, por vetëm me dëmtimin tërësisht të automjetit, këtë radhë ka qenë biznesmeni nga Kukësi Ardian Trota. Burime nga policia lokale e qytetit të Durrësit bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 10:00 të paradites së djeshme. Ndërkohë, mësohet se ky atentat është i dyti brenda një harku kohor jo shumë të gjatë për biznesmenin, që në rrethe të ngushta njihet si i forti i Kukësit. Sipas një informacioni të hollësishëm nga policia e Durrësit, bëhet e ditur se Ardian Trota ka arritur t’i shpëtojë mrekullisht atentatit me tritol.

 

Atentati

Burime nga efektivët blu të qytetit të Durrësit, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se makina e biznesmenit u hodh në erë me shpërthim të telekomanduar. Lënda eksplozive, thanë burimet e policisë, ishte vendosur në sediljen e pasme të makinës së Ardian Trotës. Ndërkohë, pamjet e makinës të marra në vendin e ngjarjes tregojnë se ajo është shkatërruar tërësisht. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 të mëngjesit të së shtunës, në një rrugë dytësore pranë Shkëmbit të Kavajës, aty ku biznesmeni me banim në Tiranë ka një shtëpi të dytë. Sipas informacioneve zyrtare nga policia e Durrësit, 45-vjeçari ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij “Mercedes-Benz E 270 CDI”, me targë AA 765 FN. Shpërthimi, thanë burimet e policisë, ka qenë i fuqishëm, por pavarësisht nga ky fakt, biznesmeni ka arritur të shpëtojë pa rrezikuar jetën. Menjëherë pas atentatit, Ardian Trota, 45 vjeç, është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit, ku ka marrë edhe ndihmën e shpejtë mjekësore. Burime nga spitali thanë se Trota kishte pësuar dy djegie në këmbë dhe në qafë. Sipas forcave xheniere, lënda plasëse është vendosur në sediljen e pasme, ndërsa nga shpërthimi i fuqishëm është dëmtuar edhe një automjet tjetër, i cili ndodhej i parkuar pranë makinës që u bë objekt i shpërthimit. Policia është duke vijuar hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe zbulimin e autorëve.

 

Atentati i dytë

Atentati i paradites së djeshme ndaj biznesmenit Trota ishte i dyti, pas atij të ndodhur rreth një vit e gjysmë më parë. Ndaj biznesmenit Ardian Trota ka pasur edhe më parë një tentativë vrasjeje në qershor 2013, në lokalin e tij, që ndodhet në rrugën Kukës – Morinë. Dy persona me motor qëlluan me breshëri kallashnikovi, kur 45-vjeçari ndodhej bashkë me dy persona të tjerë në ambientet e lokalit. Biznesmeni në atë kohë u plagos rëndë, por arriti t’u mbijetonte plagëve të marra nga breshëria e armës automatike. Grupi hetimor në atë periudhë tha dy persona me motor shkuan pranë lokalit dhe kërkuan të bisedonin me pronarin Ardian Trota e më pas e kanë plagosur me katër plumba, ndërkohë që dy të tjerët janë plagosur gabimisht.

 

 

 

Tiranë

Plagoset një 24-vjeçar, policia në kërkim të identitetit të autorit

 

Valter Pelivani nga Memaliaj e Tepelenës mbeti i plagosur gjatë ditës së djeshme në Rrugën e Kavajës. Ngjarja u shënua në orët e paradites, ndërkohë policia nuk është shprehur për identitetin e autorit dhe shkakun e plagosjes. Hetimet e oficerëve të policisë nisën menjëherë, por ende nuk dihet se cili ishte motivi i plagosjes. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për konfliktin që mund të kenë pasur të rinjtë. I vetmi që pritet të identifikojë autorin e ngjarjes, është 24-vjeçari i plagosur, i cili pas ngjarjes është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme. Mësohet se i riu nga Memaliajt është jashtë rrezikut për jetën. Pelivani është marrë në pyetje nga hetuesit, teksa mësohet se ka deklaruar se është qëlluar nga pas nga një person të cilin s’ka mundur ta fiksojë. Autori i ngjarjes ende nuk është identifikuar, ndërsa Policia e Komisariatit numër dy në Tiranë po punon për zbardhjen e plotë të kësaj plagosje dhe arrestimin e autorit.

 

 

Arrestimi

Vrau dy vëllezër pas konfliktit për kromin, arrestohet në Laç autori

 

Vihet në prangat e policisë autori i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Batusha në korrik të vitit të kaluar në Kalimash të Kukësit. Polici e Shtetit bën me dije se Muharrem Burgjisha u arrestua gjatë ditës së djeshme në Laç, ndërsa ishte vënë në kërkim prej disa muajsh. I arrestuari dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë zjarri dy vëllezërit Emri Batusha, 45 vjeç, dhe Bilbil Batusha, 30 vjeç, pas një konflikti që kanë pasur për nxjerrjen e kromit. Në ngjarjen e cila ndodhi në korrik të vitit të kaluar, mbeti i plagosur dhe një djalë 16-vjeçar, djali i njërit prej viktimave. Ngjarja ka ndodhur në minierën e Kalimashit, ndërsa në atë moment dëshmitarët thanë se viktimat dhe autori para ngjarjes ishin konfliktuar fizikisht. Pak konfrontimit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u kthyer më pas me një armë automatike. Ai ka qëlluar mbi dy vëllezërit Batusha, duke lënë fillimisht të vdekur në vend Emri Batushën dhe duke plagosur rëndë vëllain e tij, Bilbilin, dhe djalin 16-vjeçar Arbër Batushën. Pas kryerjes së krimit, autori Muharrem Burgjisha është larguar nga vendngjarja, duke arritur t’i shpëtojë arrestimit të policisë së Kukësit.

 

 

Shkodër

Shpërdoruan detyrën, procedohen dy punonjës të Shërbimit Social

 

Dy punonjës të Shërbimit Social në Komunën Postribë dhe Rrethinë të Shkodrës do të procedohen nga policia për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës. Bëhet me dije se nën hetim janë Lumturije Smakaj, 46 vjeç, banuese në Dobrac të Shkodrës, përgjegjëse e Shërbimit Social në Komunën Rrethinë dhe Dashamir Shabaj, 43 vjeç. Procedimi penal ka filluar edhe ndaj shtetasve me inicialet A. L., 42 vjeç, banues në fshatin Shtoj të Ri dhe B. R., 43 vjeç, banues në fshatin Zues për veprën penale të mashtrimit. Shtetasit e sipërpërmendur nga verifikimet e kryera kanë qenë jashtë vendit për një periudhë të gjatë kohe, por nga të dhënat bëhet e ditur se janë trajtuar me ndihmë ekonomike. Ndërsa në Komunën Postribë të Shkodrës për veprën e mashtrimit në këtë komunë po procedohen shtetasit B. H., 32 vjeç, e N. B., 48 vjeç, banues në fshatin Myselim, dhe B. B., 30 vjeç, të cilët gjithashtu rezultojnë se jetojnë jashtë vendit kur njëkohësisht janë trajtuar me ndihmë ekonomike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency