Sistemi i drejtësisë / Këshilli i Emërimit të gjyqtarëve, Alibeaj: Fut në krizë kushtetuese të pashmangshme drejtësinë

0
150

ENKELEJ DALIBEAJ 20 TETOR

Konsumatorit final të shërbimit të drejtësisë, publikut, i duhen dhënë hapësira më të gjëra dhe instrumente më efikase që pakënaqësinë ndaj këtij shërbimi ta adresojë shpejt dhe në mënyre efektive”

 

“Çdo reformë ligjore, siç është ajo e drejtësisë, kërkon para së gjithash konsensus mbarëpolitik. Mazhoranca e radhës duhet të japë garanci se ajo nuk do të përdorë votat e saj, pa marrë pëlqimin e minorancës pavarësisht shumicës që zotëron”

 

Intervistoi Erneta Shevroja

 

Ish-ministri i Drejtësisë paralajmëron nevojën e një bashkëpunimi të ngushtë mes forcave politike, nëse ka vendosmëri për ta kryer reformën, e konsideruar deri tani si më e rëndësishmja, që është ajo në drejtësi. Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, thotë se nga zhvillimet e deritanishme, kjo gjë nuk duket të jetë e lehtë. Sa i përket ngritjes së një Këshilli Emërimi nga ana e qeverisë pranë Presidentit për emërimin e gjyqtarëve, ky vendim i qeverisë, sipas ish-ministrit të Drejtësisë, do ta çojë sistemin në “krizë kushtetuese të pashmangshme”. Si mund të luftohet korrupsioni në sistemin e drejtësisë, si funksionon opozita dhe a do të shohim një “rikthim” të Alibeajt në politikë; më poshtë përgjigjet.

 

  1. Tashmë është formuar edhe komisioni për reformën në drejtësi. Sipas jush, cilat duhet të jenë pikat ku duhet të përqendrohet puna e këtij komisioni? Ku duhet të ndërhyhet fillimisht?

 

Është pothuaj e pamundur që të jepen receta të gatshme. Çdo tentativë e tillë, që nuk paraprihet nga një proces i gjerë konsultimi me operatorët e drejtësisë dhe me konsumatorët e shërbimit të drejtësisë do të ishte e dështuar. Më e rëndësishme se “ku duhet të ndërhyhet” është se “si duhet të ndërhyhet”. Çdo reformë ligjore, siç është ajo e drejtësisë, kërkon para së gjithash konsensus mbarëpolitik. Mazhoranca e radhës duhet të japë garanci se ajo nuk do të përdorë votat e saj, pa marrë pëlqimin e minorancës pavarësisht shumicës që zotëron. Kjo ka qenë një “parullë politike” shumë e lakuar, porse tashmë edhe pas arritjes së një rezolute në Kuvend mes forcave politike, është shndërruar në një conditio sine qua non. Bëhet fjalë pra, për arritjen e një pakti politik gjithëpërfshirës. Nëse kalohet ky moment, atëherë zgjidhjet teknike nuk i artikulon më politika, porse bëhen prej ekspertizës teknike. Modele se si duhet modeluar, korrigjuar, përmirësuar gjenden në masë të bollshme në praktikat e vendeve të tjera. Zëri i teknicienëve të brendshëm apo të huaj duhet të jetë ai që përcakton përmasën e ndërhyrjes. Veç kësaj, kërkohet kohë për këtë reformë. Duhet kohë për të saktësuar se “përse duhet ndërhyrë”; analizë e gjendjes së të drejtësisë, analizë e rekomandimeve të dokumenteve teknike dhe politike ndërkombëtarë, konsultim me institucionet e drejtësisë, me shoqërinë civile dhe mbi të gjitha receptimi i plotë e i qartë se përse “ankohet” publiku ndaj këtij sistemi. Ky është hapi i parë dhe i domosdoshëm për t’u bërë. Hapat e mëpasmë rrjedhin natyrshëm. Përpos kësaj, thelbësore është arritja e një pakti të tillë politik, i cili jo vetëm se duhet të ‘prodhojë” një sërë ligjesh apo ndryshimesh ligjore për momentin, por instalimi i një kulture politike të bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes parlamentare dhe ekstraparlamentare. Nevoja për reformë është e vazhdueshme, tej çdo legjislaturë. Për këtë arsye ndryshimet e raporteve të forcave në Kuvend nuk duhet të afektojë mbarëvajtjen dhe produktivitetin e pakteve të tilla politike.

 

  1. Misioni Euralius ka propozuar ngritjen e një Gjykate Disipline që do të kontrollojë punën e gjyqtarëve dhe anëtarëve të KLD-së. Si e komentoni këtë propozim dhe sa efektiv do të ishte sipas jush?

 

Nuk jam në dijeni të një propozimi të tillë teknik. Së paku nuk është bërë publik një i tillë as në faqen web të tyre. Nëse bëhet fjalë për një ridimensionim të strukturimit dhe funksioneve të KLD-së, besoj se është e nevojshme një e tillë. Gjithsesi, duhen analizuar me kujdes propozime të tilla, të cilat duhet të harmonizohen edhe me pjesë të tjera të ngrehinës së sistemit të drejtësisë.

 

  1. Si do të ishte një strategji antikorrupsion në sistemin e drejtësisë dhe çfarë roli duhet të luajë Prokuroria në këtë proces?

 

Korrupsioni është vepër penale. Institucioni i vetëm për ndjekjen penale është Prokuroria e Republikës. Korrupsioni është një sjellje e kundërligjshme, e cila konsumohet përgjatë proceseve gjyqësore nga aktorë të ndryshëm. Në finale, ky fenomen bën që publiku të marrë një shërbim drejtësie të deformuar. Për këtë arsye si fenomen duhet jo thjesht ndjekur penalisht, por “përndjekur institucionalisht”. Konsumatorit finalë të shërbimit të drejtësisë, publikut pra, i duhen dhënë hapësira më të gjëra dhe instrumente më efikase, që pakënaqësinë ndaj këtij shërbimi ta adresojë shpejt dhe në mënyrë efektive. Të gjitha institucionet e monitorimit të sistemit të drejtësisë, si KLD, Prokuroria, ILDKP, Avokatia, Ministria e Drejtësisë, Konferenca Gjyqësore e të tjera, duhet që së pari të kenë këtë konsumator si pikë referimi. Së dyti, duhet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën, secila sipas funksionit përkatës, në mënyrë që reagimi ndaj fenomenit të jetë i mirorkestruar. Fenomeni jo vetëm ndëshkohet atëherë kur ndodh, por mbi të gjitha duhet parandaluar. Prokuroria është vetëm një hallkë, e cila nëse lihet “jetime” thjesht do të dështojë. Një strategji antikorrupsion përpilohet vetëm duke u nisur nga ky frymëzim. Veç kësaj dhe para së gjithash, sistemit të drejtësisë, funksionarëve që militojnë në të, u duhen plotësuar të gjitha kushtet optimale të punës, në mënyrë që të mos bien pre e tundimit korruptiv. Pra, sistemi i drejtësisë duhet trajtuar me dashamirësi dhe përkujdesje, dhe jo si një “dele e zezë”, burim i gjithë të këqijave. Një atmosferë e tillë duhet ta rrethojë këtë sistem, nëse sinqerisht politika kërkon reformim antikorruptiv ndaj tij.

 

  1. Çfarë mendimi keni për Këshillin e Lartë të Drejtësisë? Mendoni se ky institucion funksionon siç duhet?

 

Funksionon me të mirat dhe me veset që paraqet çdo institucion tjetër publik. Në kushtet kur rreziku më i madh, që e ka agresuar tashmë, është presioni politik i mazhorancës, duhet pranuar se ka qëndruar deri diku në mënyrë dinjitoze. Ka defektet e veta, herë të mbartura e herë të krijuara rishtas porse nga qeveria dhe parlamenti nuk i është dhënë mirëkuptim dhe ndihmë e sinqertë për t’u përmirësuar në performancë. Është vendosur në gjendje tensioni konstant. Është sulmuar shpesh padrejtësisht dhe jo në proporcion me defektet që ka. Është tentuar nga mazhoranca të ndryshojë jo mënyrën e funksionimit dhe produktivitetit por të ndryshohet përbërja. Thjesht është zaptuar politikisht. Në këtë situatë as nuk mund të kihet shpresë për mirëfunksionim tash e tutje.

 

  1. Cili është opinioni juaj për ndryshimet e votuara nga mazhoranca në ligjin për Gjykatën e Lartë? Po për Këshillin e Emërimit që pritet të ngrihet pranë Presidencës për emërimin e gjyqtarëve?

 

Tërësisht antikushtetuese dhe që tregojnë synimin e mazhorancës që emërimet në Gjykatën e Lartë të bëhen nga partia që është në pushtet. Këshilli që mendohet të ngrihet pranë Presidencës, në atë mënyrë si është formuluar dhe me ato kompetenca që i janë dhënë, jo vetëm që nuk “këshillon” apo “ndihmon” Presidentin, porse ia heq atij kompetencën “propozuese” që i është dhënë me Kushtetutë. Nëse Kushtetuta ka parashikuar që emërimi në Gjykatë të Lartë të bëhet sipas ndërveprimit të binomit President-Kuvend, ku i pari propozon dhe i dyti miraton, tashmë është ndërfutur edhe ky Këshill si një hallkë pararendëse ndaj Presidentit. Presidenti thjesht ngelet si “propozues” i asaj çka i serviret apo çka “përzgjedh” ky Këshill. Një zgjidhje e tillë që asgjëson rolin e Presidentit do ta fusë në krizë kushtetuese të pashmangshme sistemin.

 

  1. Çfarë komenti keni për opozitën e sotme? Mendoni se ajo bën aq sa duhet apo…

 

Opozita ka kaluar një vit të vështirë gjatë 2014-ës. Vështirësia e parë ishte përballja ndaj sulmeve të egra politike që mazhoranca i drejtoi asaj dhe institucioneve të pavarura. Opozitës iu vodhën mandatet, iu mbyllën me arrogancë hapësirat e kontrollit ndaj qeverisë, u përjashtua nga reformat e mëdha, u godit e u rrah brenda Kuvendit dhe u dëbua prej Kuvendit. E gjithë kjo ndodhi në vitin më të vështirë e delikat për të. Vështirësitë u rritën edhe për shkak të realizmit të një procesi zgjedhor të strukturave brendapartiake të saj, ndërkohë që i duhej të kryente dhe opozicion ndaj keqqeverisjes së mazhorancës dhe po ashtu të rriste besimin tek publiku shqiptar. Ia ka arritur në një masë mjaftueshmërisht të kënaqshme të qëndrojë dinjitoze para këtyre 4 sfidave. Megjithatë, përballë një dhune dhe terrori të tillë masiv, që po mbjell kjo qeveri, sot 24 vjet pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri, asnjëherë nuk është e mjaftueshme lufta opozitare. Opozita sot e në të ardhmen duhen të ndërgjegjësohet qartësisht se aleati i saj i vetëm në këtë përballje gati historike ndaj terrorit dhe mbjelljes së frikës që po bën kasta qeveritare është publiku shqiptar. Atmosfera e një sistemi diktatorial, mbytës, burgosës, shtypës, siç shqiptarët po ndjejnë përditë se po pllakos mbi ta, kërkon rrëzim plebishitar të saj. Një të tillë tashmë e kërkon i gjithë publiku. Opozita duhet të frymëzojë dhe prijë këtë lëvizje popullore. Tashmë që procesi ristrukturues ka përfunduar, një impuls i ri entuziazmi, motivimi, organizmi dhe mobilizimi duhet farkëtuar. Pakënaqësia popullore duhet orientuar dhe duhet t’i bashkëngjitet një projekti të ri politik të udhëhequr prej saj. Makineria strukturore dhe ajo e përpunimit të politikave duhet tashmë të vihet në punë me ngarkesë të plotë. Zgjidhja e vetme për të përballur këtë sistem terrorizmi qeverisës, i cili ka arritur në ekstazë për dhunën që aplikon ndaj publikut shqiptar, është që ajo të marrë fytyrën e publikut, të ndjejë si ai, të komunikojë si ai dhe të veprojë bashkë me të me çdo mjet civil dhe demokratik.

 

  1. Në zgjedhjet për strukturat e reja të PD-së, dhjetorin që shkoi, ju ishit kandidati i dytë më i votuar për sekretar të përgjithshëm të partisë. Do t’ju shohim më aktiv në politikë në vijim, pasi është vënë re një distancim?

 

Angazhimi politik është një zgjidhje që një individ e bën me vullnetin e lirë të tij. Të ruash një figurë publike mund të bëhet me mjete dhe mënyra të ndryshme. Njëra prej tyre, por jo e vetmja, është pozicionimi në strukturat partiake. Tashmë radhët në strukturat e larta në PD janë shtuar në çdo dimension dhe kjo është e natyrshme të ndodhë. Me kalimin e kohës do të më duhet që, pas procesit zgjedhor në PD, të ridimensionoj masën dhe profilin e angazhimit tim politik, sigurisht në bazë të asaj çka ndien si nevojë kjo organizatë politike dhe asaj çka unë do të mundja të kontribuoja. Në përfundim të proceseve zgjedhore, të cilat janë ngjarjet më të mëdha brendapartiake, ristabilizimi i vlerave, peshave apo kontributeve politike, si dhe i orientimeve politike deri edhe stilet dhe modelet e të bërit politikë janë situata mbi të cilat duhet reflektuar seriozisht me qëllimin e maksimalizimit të qëllimit të përbashkët. Në një gjendje a proces të tille reflektimi ndodhem natyrshëm edhe unë si shumë të tjerë. Në të ardhmen situatat sigurisht që do të qartësohen.

 

 

Shkurt

Debati mes SHBA-së, Shqipërisë e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në OSBE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria i kanë kërkuar Serbisë që të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së. Gjatë takimit të zhvilluar më datë 15 janar, ku Serbia mori kryesimin e OSBE-së për mandatin dyvjeçar, ambasadori i Shqipërisë në OSBE, Spiro Koçi, dhe ambasadori i SHBA-së, Daniel Bear, kanë kërkuar nga shteti serb që të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OSBE. Madje, sipas burimeve, thuhet se edhe kanë debatuar për këtë çështje. Pala serbe në këtë mbledhje përfaqësohej nga zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili sipas burimeve ka deklaruar se prioritet i mandatit të Beogradit do të jetë Ballkani Perëndimor. Daçiç ka thënë se Serbia do të përpiqet të intensifikojë bashkëpunimin rajonal dhe të shtyjë përpara procesin e pajtimit në rajon. Por, për çështjen e Kosovës diplomati serb është shprehur se anëtarësimi i Kosovës nuk mund të arrihet për shkak të vendosjes së vetos nga disa vende anëtare që nuk e njohin Kosovën. Pas prezantimit të prioriteteve të Serbisë në kryesimin e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, ambasadori i Shqipërisë, Spiro Koçi, i ka bërë thirrje Serbisë që të zbatojë detyrimet që burojnë nga marrëveshjet e arritura me Kosovën në kuadër të dialogut me Bashkimin Evropian, duke pranuar Kosovën si shtet anëtar të OSBE-së. Burime diplomatike nga Këshilli i OSBE-së bëjnë me dije se ambasadori Koçi është shprehur: “Pranimi i Kosovës në Organizatë dhe pjesëmarrja e saj në diskutimet në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, nga njëra anë do të rriste efikasitetin e veprimit të Organizatës në Kosovë – ku OSBE ka Misionin e saj më të madh në terren – dhe në të gjithë rajonin, por edhe do të pasuronte dialogun ndërmjet nesh. Një hap i tillë, – vijoi ambasadori Koçi, – së bashku me masa të tjera që synojnë të arrijnë pajtimin mes Serbisë dhe Kosovës, do të kontribuojnë në kapërcimin e të shkuarës dhe garantimin e paqes afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”. Thirrja e ambasadorit Koçi për anëtarësimin e Kosovës në OSBE u mbështet edhe nga ambasadori i SHBA-së, Daniel Bear. Ky i fundit theksoi se diskutimet në Këshill të Përhershëm nuk duhet të jenë vetëm rreth Kosovës, por së bashku me Kosovën. “Kosova është pjesë e Evropës”, – mësohet të këtë thënë ambasadori Baer. Ministri i Jashtëm serb, i vendosur “nën presion” nga dy ambasadorët, ka thënë se çështja e anëtarësimit të Kosovës nuk është më e rëndësishmja për OSBE-në, por ajo do të jetë pjesë e axhendës së diskutimeve të OSBE-së. “Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në OSBE paraqitet i vështirë, sepse vendimmarrja e Organizatës bazohet në parimin e konsensusit dhe përveç Serbisë, ka edhe vende të tjera që nuk e njohin Kosovën dhe që mund të vendosnin veto në çdo rast kur do të diskutohej anëtarësimi i saj”, – ka thënë Daçiç gjatë mbledhjes së Këshillit të OSBE-së. Ndërkohë, mësohet se ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, pas qëndrimit të zbutur në mbledhjen e OSBE-së, ka deklaruar për mediat serbe se Kosova nuk ka shans që të anëtarësohet në këtë organizatë.
“Në OSBE vendimet merren me konsensus dhe ju e dini sa e vështirë është të merren vendime me konsensusin e 57 shteteve anëtare. Kjo është arsyeja,- tha Daçiq, – që Kosova nuk ka shans të anëtarësohet në OSBE, vetëm nëse do të kishte ndonjë marrëveshje politike për të dhe Vjena nuk është vendi për këtë”.

 

Box

Presidenti kthen ligjin për huamarrjen: Antikushtetues, nuk siguron transparencë

 

Presidenti Bujar Nishani ktheu dje ligjin për huamarrjen e shtetit, që parashikon anashkalimin e Kuvendit në marrjen e borxheve nga jashtë. Presidenti e ka kthyer ligjin për rishqyrtim, pasi, sipas tij, nuk plotëson kriteret kushtetuese. Presidenti citon Kushtetutën, që, sipas tij, tregon qartë se kur merret borxh i huaj, duhet të ketë autorizim nga Parlamenti. Një argument i dytë i Nishani, ishte se ky ligj prish balancimin e pushteteve. Sipas tij, kjo nismë cenon parimin e balancimit dhe ndarjes së pushteteve nga ana e Ministrisë së Financave. Po ashtu, një kriter tjetër që shkelet, sipas Presidentit, është transparenca nga ana e qeverisë në mënyrat e marrjes së borxhit, të cilat nuk mund të delegohen në mënyrë absolute tek ekzekutivi, ashtu siç edhe janë rregulluar përmes ligjit në shqyrtim. Nishani theksoi se çdo vendim për mare të borxhit duhet të autorizohet nga Kuvendi, ashtu siç ka edhe ka ndodhur deri në momentin e miratimi të ligjit në seancën e fundit të Parlamentit, më 24 dhjetor 2014.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency