Vendimi / Nipi i diktatorit, avokati: Punonte si taksixhi me kolumbianët, s’kishte të ardhura

0
246

operacioni-xibraku6

Alma Çuka

Kolumbiani Cesar Avila deklaron të kundërtën: S’e dinim ku ishim dhe ku rrinim. Na lëviznin me makinë nga hoteli për tek laboratori. Kishim ardhur vetëm për punë

 

Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi dje masën e sigurisë “Arrest me burg” për 5 nga 9 të arrestuarit për trafik kokaine, arrestuar në datën 14 janar. Të pyetur në seanca të veçanta, të pandehurit, ndonëse janë arrestuar për të njëjtin objekt, kanë preferuar të heshtin. Dy kolumbianët janë shprehur për qëndrimin e tyre në Shqipëri, përmes avokatëve mbrojtës. Ndërkohë, të pandehurit shqiptarë nuk kanë dhënë detaje duke u mjaftuar me kundërshtimin që avokatët mbrojtës i bënë vlefshmërisë së arrestimit nga ana e policisë. Pas një seance të gjatë, Gjykata vendosi të linte në burg edhe nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha. Hoxha është përgjuar, filmuar teksa shoqëronte me makinë dy kolumbianët nga Tirana për në Xibrakë, aty ku ishte ndërtuar laboratori i përpunimit të kokainës, e cila kishte si destinacion vendet e Evropës Perëndimore. Ermal Ilir Hoxha nuk ka preferuar të flasë në seancën për caktimin e masës së sigurimit, duke ia besuar fjalët avokatit mbrojtës Asaf Hadëraj. Gjatë seancës së djeshme, Gjykata arriti të jepte vendim për 5 nga 9 të pandehur. Ndërkohë që 4 të pandehur të tjerë do të paraqiten sot për të mësuar fatin e tyre, i cili me shumë gjasa dhe duke para provat e njëjta të akuzës, e cila i akuzon për bashkëpunim, do të mbeten në burg.

 

Avokati për Hoxhën

Por ajo që shpesh ndodh në seancat e masave të sigurimit, ku avokatët përpiqen me çdo kusht të ngrenë alibi për klientët e tyre, ndodhi. Asaf Hadëraj ishte kontaktuar nga familja e nipit të Enverit për të realizuar mbrojtjen. Jashtë sallës së gjyqit, Hadëraj iu përgjigj edhe interesit të medias. Për herë të parë avokati nxori në pah një fakt që askush nuk e dinte. Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit, gjatë seancës së djeshme doli se ishte i varfër, pa asnjë të ardhur, pa makinë, pa shtëpi. Avokati, mbështetur në këtë fakt, i kërkoi Gjykatës së Krimeve të Rënda lirimin e klientit të tij. Madje, avokati shkoi më tej, kur shtoi se Ermal Hoxha kishte punuar si taksixhi me dy kolumbianët, i diktuar nga kushtet e tij ekonomike teje të rënda. “Është e vërtetë që Ermal Hoxha i njeh dy kolumbianët. Po aq e vërtetë është edhe fakti se ai i ka shoqëruar ata nga hoteli ku qëndronin në Tiranë për në Xibrakë. Por këtë gjë Ermali e ka bërë për të plotësuar nevojat e tij familjare për të ardhura, të cilat ishin të pakta. Ai ishte i papunë. Madje, Ermali nuk ka as makinë. Punën e taksixhiut e kryente me makinën e vëllait të tij, e cila është sekuestruar nga organi i akuzës. Unë kërkova nga Gjykata detyrim paraqitjeje për klientin tim, por Gjykata nuk e mori parasysh. Megjithatë, unë jam i vendosur për të ndjekur të gjitha rrugët gjyqësore”, – tha avokati Asaf Hadëraj, pasi doli nga salla e gjyqit.

 

Kolumbiani

Cesar Avila, njëri prej kolumbianëve, i kontraktuar nga trafikantët e kokainës për të bërë veçimin e drogës nga objektet me të cilat hynte në Shqipëri, është treguar më i drejtpërdrejtë para Gjykatës. Për të mbrojtur veten e tij dhe për të dalë paksa i përjashtuar nga ky trafik, Avila ka rrëfyer se çfarë ndodhte me ta. Kur ka folur për veten, ka përfshirë në të njëjtën kohë edhe mikun e tij kolumbian. “Ne kishim ardhur në Shqipëri të kontraktuar nga disa persona. Nuk e dinim se ku ishim. Madje, nuk e njihnim fare vendin. Ne na kishin dërguar për të qëndruar në një hotel në Tiranë dhe nga aty me makinë na dërgonin për tek laboratori. Kryenim punën dhe sërish me makinë ktheheshim në hotel”, – ka thënë para Gjykatës Cesar Avila.

 

Masa për Hysenin

I pari që u paraqit në sallën e gjyqit ishte i pandehuri Ilir Hyseni nga Elbasani. Para Gjykatës, Hyseni, i cilësuar si organizator kryesor i trafikut të kokainës, nuk ka dhënë asnjë shpjegim. Ai ka pranuar masën e arrestit me burg, ndërkohë është mbrojtur nga një avokat kryesisht. Po dje, Gjykata vendosi arrest me burg edhe për të pandehurin Kastriot Imeri, akuzuar si një nga bashkëpunëtorët e grupit të strukturuar kriminal. Sot do të paraqiten ne Gjykatë katër të pandehurit e tjerë.

 

Trafiku

Hetimi i Prokurorisë, pas sinjalizimit nga Gjermania

 

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka nisur në bazë të një informacioni të mbërritur në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, më datë 17.12.2014, nga ana e autoriteteve gjyqësore gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të lëndëve narkotike. Menjëherë pas marrjes së informacionit, Prokuroria nisi procedimin me iniciativë për “trafik të lëndëve narkotike”. Ky hetim vazhdoi deri në datë 14 janar, pikërisht në atë moment kur edhe u krye operacioni i fshehtë dhe ranë në pranga 9 persona dyshuar se kryenin në bashkëpunim përpunimin e kokainës dhe dërgimin e saj drejt Gjermanisë. Të pandehurit gjendeshin në ambientet e një ish-magazine në Xibrakë, e cila rezultoi që ishte shndërruar nga të dyshuarit në një laborator për përpunimin e lëndës narkotike të llojit kokainë. Po ashtu, në vijim të operacionit, në bazë të të dhënave të përftuara gjatë hetimeve paraprake të Prokurorisë për Krime të Rënda, u arrestuan edhe disa persona të tjerë në zona të ndryshme. Pra, në total u arrestuan 9 persona. Në bazë të veprimeve paraprake dhe provave materiale të zbuluara gjatë operacionit, personat e arrestuar dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Trafikimit të narkotikëve”, të mbetur në tentativë, “Prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope”, “Prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të paligjshëm të prekursorëve”, “Mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike” si dhe “Grupit të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 283/a-22, 284/c, 284/ç, 285 dhe 333/a. Ndërkohë, dy prej tyre akuzohen edhe për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të parashikuar nga nenet 278/2 dhe 278/4 të Kodit Penal.

 

Të arrestuarit

Ilir Hyseni

Gentian Gjonaj

Kelmend Dalipi

Arjan Dalipi

Sajmir Batku

Ermal Hoxha

Kastriot Imeri

Cesar Avila

Valther Moreno

 

Arrestimet

Prokurori-Polici, mosmarrëveshje për meritat e operacionit

 

Operacioni i organizuar në 14 janar ku u finalizua me arrestimin e 9 personave dhe sekuestrimin e dhjetëra provave materiale, mes tyre rreth 120 kg kokainë, 300 mijë euro dhe sende të tjera të vlefshme për hetimin, ka futur në konflikt dy institucionet, Prokurori-Polici. Ndërsa hetimet nisën pas sinjalizimit të autoriteteve Gjermane, institucionet tona ligjzbatuese ndahen mes tyre në marrjen e meritave. Prokuroria e Krimeve të rënda nga ana e saj deklaroi që në krye të herës se ishte ajo që përdori strategji me qëllim kryerjen e operacionit në mënyrë tepër të fshehtë. Madje një ditë pas operacionit u tha se prokurori i çështjes, vetëm pak orë para operacionit i ka mbledhur telefonat efektivëve të policisë që do të ishin pjesë e operacionit. Në këtë mënyrë, akuza tha se bëri të mundur shmangien e rrjedhjes së informacionit. Por nga ana tjetër edhe Policia e Shtetit nuk ngurroi të dilte menjëherë duke dhënë detajet e operacionit. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri një ditë pas operacionit që nga laboratori i kokainës do të deklaronte se pas operacionit të Lazaratit atij të Dukagjinit, operacioni i Fushë-Labinotit ishte më i madhi. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, pohoi dy ditë më parë, se operacioni do të vazhdoi dhe mund të ketë ende arrestime të tjera.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency