Alma Çuka
Shpallen në kërkim katër ish-zyrtar të tjerë. Dhanë leje në kundërshtim me ligjin. Në 16 raste i shkaktuan shtetit një dëm prej rreth 20 milionë lekësh të reja. U hetuan për tre muaj
Prokurorisë së Tiranës iu deshën tre muaj kohë për të hetuar dhe për të kërkuar nga Gjykata e Tiranës masën e arrestit me burg për pesë ish-zyrtarë të ALUIZNI-t, akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Pas përfundimit të hetimeve paraprake, Prokuroria kërkoi nga Gjykata si masë shtrënguese atë të “Arrestit me burg” për pesë ish-specialistët e ALUIZNI-t dega Tiranë, Artur Skela, Erin Mlloja, Ermal Dino, Erald Maçi dhe Robert Dauti. Kërkesa e organit të akuzës u pranua nga Gjykata, ndërkohë që vendimet e saj u ekzekutuan mbrëmjen e së hënës, datë 19 janar, nga Policia e Shtetit. Prokuroria thekson se po vazhdon veprimet hetimore edhe për persona të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në dhënien e lejeve të legalizimit të zona të mbrojtura në kryeqytet.
Arrestimet
Më datën 19.1.2015, ora 23:00, seksioni për Korrupsionin pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Task-Forcë në Prokurorinë pranë Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi tre mujor, në kuadër të operacionit policor “Legalizimi” ekzekutoi urdhrat e Gjykatës për masat e sigurimit personal “Arrest në burg” për shtetasit, Artur Skela, Erin Mlloja, Ermal Dino, Erald Maçi, Robert Dauti. Ndërkohë janë shpallur në kërkim edhe 4 ish-drejtues dhe specialistë të kësaj dege të ALUIZNI-t, shtetasit: F. H., K. B., R. D. dhe shtetasi T. B. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas me detyra drejtuese dhe ish-specialistë pranë ALUIZNI-t dega Tiranë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke bërë legalizime në mënyrë të paligjshme të disa objekteve që ndodhen në juridiksionin e Tiranës.
Hetimi
Sipas akuzës dyshimi për abuzime me legalizimet për të pandehurit e sipërpërmendur është krijuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Nga një material i zgjeruar i këtij institucioni thuhet se këta drejtues kanë dhënë leje legalizimi në kundërshtim me ligjin, ku vetëm në 16 raste është konstatuar një dëm për shtetin në total në vlerën e mbi 20 milionë lekëve të reja. Prokuroria ka konstatuar nga hetimi i deritanishëm se janë legalizuar tre objekte me faturë financiare me vlera shumë më të vogla se sa parashikon ligji dhe aktet nënligjore. Nga veprimet e kundërligjshme të ish-zyrtarëve të ALUIZNI-t, dëmi financiar që i është shkaktuar shtetit në këto 3 raste është rreth 8.6 milionë lekë të reja. Në njërin prej këtyre rasteve, është kryer legalizimi, pavarësisht se pagesa nuk është kryer. Është legalizuar në një rast një objekt 4-katësh, i cili në momentin e aplikimit nga poseduesi i saj ka qenë një kat. Ndërsa, deri në shqyrtimin e dosjes nga ALUIZNI, objekti ka vijuar ndërtimin në 4 kate dhe ALUIZNI, në kundërshtim me ligjin, i ka dhënë lejen e legalizimit. Janë legalizuar 4 objekte brenda vijës së verdhe, në kundërshtim me ligjin. Është legalizuar, në kundërshtim me ligjin, e njëjta parcelë, me sipërfaqe rreth 800 m2 në dy emra të ndryshëm (të cilët rezultojnë të jenë bashkëshortë), ndërkohë që aplikimi duhet të bëhej për një parcelë. Nga ky veprim i kundërligjshëm, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar në vlerën e rreth 2 milionë lekëve të reja. Janë legalizuar 3 objekte, për të cilat aplikimi ka qenë për banesa, por në fakt rezulton se gjatë gjithë kohës, këto objekte kanë pasur si qëllim objektin tregtar (lokal). Duke qenë se vlera financiare e legalizimit për objekt tregtar është disa herë më e madhe për m2 se sa e objekteve të banimit, rezulton se nga legalizimi i kundërligjshëm në këto 3 objekte, shtetit i është shkaktuar një dëm financiar në vlerën e rreth 12.5 milionë lekëve të reja. Janë legalizuar tre objekte shërbimi (lokal), në kundërshtim me ligjin, në zonën që ndodhet brenda vijës së kufirit administrativ të qytetit Tiranë, dhe brenda zonës së Parkut të Liqenit të Tiranës.
Shkeljet
Janë legalizuar 7 objekte tregtare, të cilat përfshihen në zonën brenda aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës, të shpallur Monument kulture me VKM 180, date 13.4.2000. Ato ndodhen pikërisht brenda kufirit të përcaktuar nga VKM përkatëse, ku në pikën 2 të tij, përshkruhet: Përfshihet zona… “përgjatë rrugës që përfshin stadiumin “Qemal Stafa”, duke përfshirë 100 m në thellësi në jug të rrugës përpara Universitetit Politeknik, përpara Gardës së Republikës”. Sipas nenit 39 te ligjit nr. 9482/2006, “Për legalizimin…”, “…Përjashtohen nga legalizimi të gjitha shtesat në ndërtime, të cilat prekin dhe kanë ndikim në planin rregullues, interesin publik në akset/veprat kryesore të infrastrukturës publike (për shembull, bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga, aeroporte ose trung kryesor në infrastrukturë etj.) ose në integritetin e monumenteve të kulturës. Paragrafi i parë i këtij neni e shtrin fuqinë e tij për të gjitha ndërtimet pa leje”. Nga hetimi konstatohet se, nga legalizimi në kundërshtim me ligjin i këtyre objekteve, i ka ardhur një dëm i konsiderueshëm interesave të ligjshëm të shtetit, i cili në vitin 2014, për interesa publike, ka dëmshpërblyer personat dhe subjektet që kanë legalizuar objektet e tyre në këtë zonë.
Vendimi/ Ekzekutoi në banesë dy të rinj, shtyhet me 30 ditë afati për Flamur Ymerin
Flamur Ymeri do të qëndrojë edhe 30 ditë në burg. Ky është vendimi i dhënë dje nga Gjykata e Tiranës, pas kërkesës së organit të akuzës. Ishte prokurori i çështjes ai që i kërkoi Gjykatës të zgjaste edhe me 30 ditë burg arrestin ndaj shtetasit Flamur Ymeri, duke i bashkëngjitur kërkesës së tij edhe argumentet përkatëse. Prokuroria e kërkoi këtë kohë për të administruar në dosje të gjitha provat shkresore që lidhen me ngjarjen e mesit të dhjetorit në banesën e të pandehurit Ymeri, ku mbetën të vrarë dy shtetas, ndërsa dyshohet se kishin kaluar murin rrethues në orët e para të mëngjesit për të grabitur. Sipas prokurorisë, Mjekësia Ligjore ende nuk ka zbardhur saktësisht kohën e vrasjes së Adnan Lulit dhe Ervin Shabës. Për këtë fakt, akuzës i duheshin edhe 30 ditë kohë për të parë, nëse Ymeri mban përgjegjësi për vrasjen e dy personave të maskuar apo e ka kryer krimin në mbrojtje të vetës dhe familjes. Kërkesa u pranua nga Gjykata, por u kundërshtua nga avokati mbrojtës si brenda ashtu edhe jashtë sallës së gjyqit. Avokati tha se, me ndihmën e ekspertëve të mjekësisë ligjore dhe atyre të policisë shkencore, prokuroria ka arritur të zbardh vrasjet e kryer nga afër nga Flamur Ymeri, që sipas tij, ka kryer në mbrojtje të vetës dhe pjesëtarëve të familjes, pasi dyshoi se ata ishin grabitës. Hetuesit thanë se viktimat Luli dhe Shaba ishin të armatosur, të maskuar dhe me anë të kërcënimit kanë kanosur edhe bashkëshorten e të dyshuarit që pretendon se është i pafajshëm.
Elbasan/ Rezultonin debitorë prej katër vitesh, kallëzojnë punonjësen e postës
Dy persona kanë kallëzuar ditën e djeshme arkëtaren e postës në fshatin Shtërmen në Elbasan, pasi rezultojnë debitorë në pagimin e energjisë elektrike për një periudhë 4-vjeçare. 38-vjeçari P. I., me banim në fshatin Malsen, dhe 49-vjeçarja me banim në fshatin Shtërmen deklarojnë se kanë paguar të gjitha faturat e energjisë elektrike në zyrën e Postës në fshatin Shtërmen dhe arkëtarja e kësaj pike postare, A. T., nuk i ka arkëtuar pagesat për periudhën 2010-2014, e si rezultat, kallëzuesit rezultojnë të jenë debitorë. Policia e Elbasanit bën me dije se po punohet për zbardhjen e plotë të këtij rasti. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhje duke shpërdorur detyrën”.