“Ne kërkojmë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, kjo marrëveshje na bashkon. Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshjeje dhe përshpejtimi i reformave ndikon për stabilitetin e Maqedonisë”
Vizitën në Shkup me krerët e politikës maqedonase kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ua ka kushtuar shqiptarëve që jetojnë atje dhe stabilitetit në rajon. Meta kërkoi që Maqedonia të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, e nënshkruar para 14 vitesh. Meta tha se Tirana pret rezultate të prekshme, duke kërkuar nga zyrtarët maqedonas më tepër investime në zonat shqiptare në Maqedoni, ndarje proporcionale të buxhetit shtetëror dhe përfshirje më të madhe të shqiptarëve në jetën publike, sociale dhe politike. “Ku ka vullnet, gjendet një zgjidhje për çdo konflikt. Ndaj, ne kërkojmë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, kjo marrëveshje na bashkon. Zbatimi i plotë i kësaj marrëveshjeje dhe përshpejtimi i reformave ndikon për stabilitetin e Maqedonisë. Qytetarët e vendit tuaj, pavarësisht përkatësisë etnike, do të përfitonin shumë më shumë nga një avancim më i përshpejtuar i zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje, që ju keni nënshkruar 14 vjet më parë. Do të merrni kështu rezultate konkrete të prekshme dhe të ndjeshme për të gjithë. Në radhë të parë për stabilitetin e Maqedonisë, por edhe për ngushtimin e hapësirave të spekulimeve ekstremiste ngado që ato vijnë. Më konkretisht, duke vlerësuar progresin e deritanishëm domethënës, ne inkurajojmë një ndarje edhe më proporcionale buxhetore dhe një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve si faktor shtetformues në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë. Pabarazia e investimeve dhe zhvillimit që bie pre në disa rajone perëndimore të vendit, ka nevojë të zbutet deri në krijimin e një realiteti të ri mjaft më të harmonishëm. Dua të siguroj se Shqipëria gjithnjë do të qëndrojë pranë në mbështetje të progresit të Maqedonisë”, – theksoi Meta. Meta e siguroi kolegun e tij maqedonas se Shqipëria dhe populli shqiptar e shohin stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë si shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e paqes dhe prosperitetin në gjithë rajonin. Nga ana tjetër, Kryetari maqedonas i Parlamentit, Trajko Veljanovski, i tha kolegut të tij shqiptar se Maqedonia është shoqëri shumetnike dhe shumëfetare, ku të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive etnike i garanton Marrëveshja e Ohrit dhe ka kërkuar që Shqipëria të respektojë të drejtat e pakicës maqedonase. “Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi i saj garantojnë respektim të ndërsjellë dhe zhvillim të të drejtave kolektive dhe individuale të bashkësive etnike, por nuk e cenojnë karakterin unitar të vendit. Njëkohësisht presim që fqinjët tanë të respektojnë të drejtat kolektive dhe individuale të pakicave, përfshirë edhe maqedonasit që jetojnë atje”, – ka theksuar Trajko Veljanovski, Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë. Meta pati edhe një fjalim në Parlamentin Maqedonas, ku theksoi se vendet duhet të zhbëjnë kufijtë sa i përket bashkëpunimit ekonomik. “Ne nuk besojmë në ndryshimin e kufijve në Ballkan, por ne besojmë plotësisht në zhbërjen e plotë të tyre, ashtu siç ka bërë edhe Bashkimi Evropian, destinacioni ku dëshirojmë të jemi së bashku, dhe modeli e standardi që ne duam të aplikojmë këtu, në rajonin tonë”, – theksoi Ilir Meta duke vijuar se “sot nevojitet zhvillim i politikave inteligjente e pragmatike duke shtuar korridoret që na lidhin e duke shkurtuar distancat që na mbajnë larg, me qëllim krijimin e një motori domethënës, rritjeje ekonomike e mirëqenieje. Në planetin tonë, sot, e gjithmonë e më shumë nesër, konkurrenca e tregjeve, po zhvillohet jo midis shteteve por midis rajoneve”.
Bushati më 23 janar në Romë, nis dialogu Serbi-Shqipëri-Itali
Më 23 janar të këtij viti, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, do të jetë në Romë për të marrë pjesë në takimin trepalësh Itali-Shqipëri-Serbi të ministrave të Jashtëm. Ish-ministrja e Jashtme e Italisë, Federica Mogherini, paralajmëroi gjatë turit në Ballkan ku vizitoi edhe vendin tonë, nisjen e dialogut tre palësh mes Romës-Tiranës dhe Beogradit, në funksion të stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Pas bisedimeve në kryeqytetin shqiptar me homologun Bushati, Mogherini theksoi “rëndësinë e rolit të Tiranës zyrtare në rajon si një faktor i stabilitetit dhe i sigurisë”. Ajo foli për nisjen e dialogut trepalësh mes ministrave të Jashtëm të Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë, gjatë periudhës 6-mujore të kryesimit të Presidencës së BE-së nga Italia, për të rritur edhe më shumë rolin stabilizuar që mund të ketë Shqipëria në rajon. Ky projekt u mbështet më tej nga ministri aktual i Punëve të Jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, Paul Gentiloni, i cili ftoi në Romë ministrin shqiptar Ditmir Bushati dhe homologun serb Ivica Daçiç në takimin që do të mbahet të premten e 23 janarit në Romë.