Sekretari për Emigracionin/ Azilkërkuesit, Francken: Nuk u bë deti kos, Shqipëria në rrezik për vizat

0
167

theo FranckenSekretari i Shtetit për Azilin dhe Emigracionin e Belgjikës, Theo Francken, deklaroi dje gjatë një takimi në qytetin e Shkodrës me përfaqësues të pushtetit vendor se Shqipëria rrezikon rikthimin e vizave me numrin e lartë të azilkërkuesve. “Do të çojmë emrat për çdo azilkërkues që t’u ndalohet hyrja. Fluksi i madh i kërkesave për azil po vë në rrezik liberalizimin e vizave. Çdo vit paraqiten rreth 500 kërkesa. Nuk japim azil për askënd, nuk është bërë deti kos”, – tha ai. Duke vijuar më tej, zyrtari i lartë belg foli edhe për gjakmarrjen, argumentin më të përdorur nga shqiptarët për të përfituar azil. “Për sa i përket gjakmarrjes, e dimë që shumë prej kërkesave janë të rreme. Nuk do të mungojë as riatdhesimi me forcë pas refuzimit të azilit”, – u shpreh Francken. Në këtë kontekst ai paralajmëroi Shqipërinë se nëse do të vazhdohet me kërkesat për azil, mund të rrezikohet seriozisht liberalizimi i vizave. Bumin më të madh të kërkesave për azil në Belgjikë, shqiptarët e kanë regjistruar në vitin 2010. Plot 2500 kërkesa, ndërsa në vitin 2014 janë refuzuar 298 raste. Në legjislacionin e ri, Belgjika ka sanksionuar se penalizohet me ndalim të hyrjes në zonën Shengen çdo person që hyn ilegalisht në këtë shtet apo që thyen vizën.