Përkujtohet 21 Janari/ Homazhe në bulevard, Rama: Koha për alternativë të re për kërkimin e drejtësisë

0
132

Gëzim Saliu

rama per 21 janarin Felaj: Shteti merr përgjegjësinë për vrasjen e katër qytetarëve, pension të veçantë familjarëve

 Rama, takim të mbyllur me familjarët, në homazhe edhe Koka e Panariti i LSI-së

Ndryshe nga tri vitet e shkuara, në 4-vjetorin e demonstratës së 21 Janarit, ku humbën jetë katër persona, nuk kishte as muzikë funebër, as foto të viktimave në bulevard dhe as premtime publike. Familjarët e të ndjerëve u takuan me kreun e qeverisë, Edi Rama, në mjediset e Kryeministrisë, takim ky që ndryshe nga një vit më parë u mbajt me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias. Pas takimit që zgjati rreth 40 minuta Kryeministri, i shoqëruar nga familjarët e protestuesve që humbën jetën, anëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetë të mazhorancës, hodhën lule mbi pllakatat e vendosura në vendet ku u qëlluan Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj, duke mbajtur edhe 1 minutë heshtje. Pavarësisht se kjo ngjarje solli edhe një përçarje më të madhe mes PS-së dhe forcës së drejtuar nga Ilir Meta në atë kohë, në homazhet e djeshme nuk munguan dy ministrat e LSI-së, Lefter Koka dhe Edmond Panariti, e ndërsa Kryeparlamentari ndodhej për vizitë zyrtare në Maqedoni. Kreu i qeverisë zgjodhi që prononcimin e tij për këtë 4-vjetor ta jepte përmes rrjetit social “Twitter”, duke theksuar se asgjë përveç drejtësisë nuk mund ta mbyllë tragjedinë e 21 Janarit. “Me familjarët e 21 Janarit. Koha për të lëvizur me një alternativë të re kërkimi të drejtësisë. Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 Janarin!”, – shkroi Rama. Familjarët e katër viktimave, pasi përkujtuan me dhimbje dhe lot katër të vrarët, u drejtuan drejt vilës qeveritare, ku ishte rezervuar një drekë për ta. Në deklaratat pas takimit me Kryeministrin ata kërkuan drejtësi, duke shprehur njëkohësisht zhgënjim për mungesën e saj deri më tani.

 

Qeveria

Qeveria zgjodhi që reagimin e saj për 4-vjetorin e demonstratës së 21 Janarit ta përcillte përmes një deklarate nga Kryeministria të ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj. Duke bërë të ditur se çështja e 21 Janarit nuk cilësohet e mbyllur, ministrja theksoi në emër të qeverisë se nëse drejtësia do të vonojë, do të gjendet një mekanizëm alternativ që do ta vendosë, sipas saj, në shinat e duhura çështjen. “Kush mendon sot se krimi i 21 Janarit është një çështje e mbyllur, që thjesht mund të endet në kalendat e drejtësisë shqiptare, gabon. Gabon rëndë. 21 Janarin kjo qeveri nuk e ka harruar dhe nuk ka për ta harruar derisa të vendoset drejtësi e plotë, pasi 21 Janarin nuk e harron dot asnjë shqiptar. Nëse krimi shtetëror që mori jetën e katër qytetarëve të pafajshëm po vonon të zbardhet nga drejtësia, ne, pasi kanë kaluar plot katër vjet, i bëjmë thirrje drejtësisë të veprojë. Por nëse drejtësia do të vazhdojë ta vonojë drejtësinë që 21 Janari meriton, shqiptarët të jenë të sigurt se një mekanizëm alternativ do ta vendosë në shinat e duhura drejtësinë shqiptare sa i takon kësaj çështjeje”, – tha Felaj. Nga ana tjetër, ajo bëri të ditur vendimin për t’u dhënë pension të veçantë familjarëve të katër viktimave të demonstratës së 21 Janarit, duke theksuar: “Ky është hapi i parë ligjor, përmes të cilit shteti shqiptar merr përsipër përgjegjësinë e plotë për vrasjen e katër qytetarëve shqiptarë, në bulevardin kryesor të Tiranës. Por ky është vetëm hapi i parë drejt një drejtësie të plotë, që duhet të nxjerrë përpara ligjit urdhëruesit dhe ekzekutuesit e katër vrasjeve, me radhë, një e nga një”.

 

 Ministri i Brendshëm/ Tahiri, akuza drejtësisë dhe Prokurorisë: Heshtja është krim më i rëndë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi dje se 21 Janari është dita më e zezë për drejtësinë shqiptare, pasi ende nuk ka të dënuar 4 vjet pas vrasjes së 4 qytetarëve që kishin dalë në një protestë në bulevard. Sipas tij, heshtja e institucioneve të drejtësisë është krim më i rëndë akoma. “Sot është dita më e zezë për drejtësinë! 4 vjet më parë u vranë 4 qytetarë, ndërsa sot nuk ka ende të dënuar. Krim ata që vranë. Krim ata që urdhëruan. Krim ata që mbuluan politikisht. Krim ata që nuk bënë drejtësi e nuk dënuan njeri. Është krim që vazhdon deri kur drejtësia të bëjë drejtësi. Prokuroria ka në dorë një hetim të plotë, të nisur muaj më parë. Por ende nuk ka asnjë përgjigje. Çfarë bëhet? Përse hesht Prokuroria? Për cilën arsye nuk konkludohen hetimet? Heshtja e institucioneve të drejtësisë është krim më i rëndë akoma”, – theksoi Tahiri.

 

 Negociatat mund të hapen në 2015-ën/ Kukan: 21 Janari duhet ndjekur e hetuar, qeveria ndryshoi, po situata duket njësoj

Ndjekës-raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, pasi kritikoi zvarritjen e çështjes së 21 Janarit, kërkoi hetimin e potë të saj dhe bërjen drejtësi. Kukan thekson se Parlamenti Evropian do të vijojë t’ua kërkojë këtë gjë autoriteteve të Tiranës. Po ashtu, ai thotë se shpreson që negociatat të nisin brenda këtij viti, por Shqipëria, sipas tij, duhet të konfirmojë një mjedis të ri politik. “E vërteta është se për të ecur përpara, Shqipëria duhet të ketë rekorde të pastra, veçanërisht mbi zhvillimet politike. Ajo që ndodhi më 21 janar 4 vjet më parë duhet ndjekur e hetuar dhe duhet bërë drejtësi. Fakti se po zvarritet kaq shumë është sinjal i keq. Parlamenti Evropian mund ta përmendë, të apelojë, ose thjesht të kërkojë ndaj ekzekutivit shqiptar gjatë takimeve ndërparlamentare, që një gjë e tillë nevojitet të ndreqet përpara se Shqipëria të vijojë përpara në procesin e anëtarësimit me shpejtësi të plotë. Jam i bindur se delegacioni kur të takohet do ta përmendë këtë. Për të qenë i sinqertë, jam pak i befasuar që po merr kaq kohë, pasi pati ndryshim qeverie në Shqipëri dhe situata është njësoj. Prandaj, jam i sigurt se anëtarët e Parlamentit Evropian e kanë ende në kujtesë. Ata nuk e kanë harruar dhe historia është mjaft e rëndësishme për vendin. Kështu që, jam i bindur se do ta përmendin, me shpresë se gjërat do të korrigjojnë çfarë ndodhi atëherë”, – u shpreh Kukan në një intervistë për “TCH”. Për sa i takon anëtarësimit të Shqipërisë në BE, eurodeputeti tha se vendi, së pari, duhet të marrë datën për çeljen e negociatave. “Nëse ne marrim informacionin për 2-3 muaj mbi situatën e ndryshuar politike, se partitë politike diskutojnë, sidomos mbi axhendën evropiane, atëherë më duket realist mendimi për të marrë datën. Ata (në Shqipëri) presin një datë e unë pres që negociatat e anëtarësimit të nisin këtë vit. E di se jam aventurier kur përmend të tilla data, sepse asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë, por e them këtë me shumë “nëse”. Nëse kultura politike, nëse gjërat zgjidhen përmes dialogut politik, atëherë do të ishte realiste pritshmëria për Shqipërinë që të nisë negociatat deri në fund të këtij viti”.