Rastet e veçanta/ Si do të përfitohet pensioni social, kriteret e përcaktuara

0
142

Një herë në vit përfituesi i pensionit social paraqet deklaratën e re për gjendjen e tij social-ekonomike

ekonomi monedhaAta të moshuar, të cilët nuk do të plotësojnë vitet e kontributeve për të marrë pension të plotë, do të përfitojnë pension social. Në kriteret që ka përcaktuar qeveria thuhet se “përfiton të drejtën për të kërkuar trajtimin financiar me pension social shtetasi shqiptar i cili ka plotësuar moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për pension dhe nuk ka të ardhura ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social”. Masa mujore e pensionit të plotë social të jetë e barabartë me shumën e pensionit të pjesshëm të pleqërisë të datës 31.12.2014, përllogaritur për 15 vite vjetërsi pune të siguruara kundrejt pagës minimale, shtuar me kompensimet për rritjen e çmimeve dhe për pensionistët me të ardhura minimale. Duke filluar nga janari, masa e pensionit të plotë social do të jetë 6 750 lekë në muaj. Personat që kanë plotësuar moshën 70 vjeç, si dhe ata që janë rezidentë në Shqipëri në 5 vitet e fundit, kanë të drejtën e përfitimit të një pensioni social të pjesshëm, i cili është sa diferenca midis pensionit të social të plotë dhe të ardhurave mujore të deklaruara dhe të vlerësuara e të pranuara nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore.

 

Pensioni

Shtetasi që plotëson kriteret për trajtimin financiar me pension social, paraqet kërkesën për përfitim dhe dokumentacionin e parashikuar, pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore, ku ka vendbanimin. Agjencia lokale e sigurimeve shoqërore shqyrton dokumentacionin e deklaruar, kërkon nga institucionet përgjegjëse konfirmimin e të dhënave dhe, pas konfirmimit, dërgon dosjen me dokumentacionin përkatës në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore. Pensionet sociale caktohen dhe dërgohen për pagesë nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore. Vendimi i caktimit të pensionit social nënshkruhet nga inspektori përpunues, kryetari i degës së përfitimeve, kryetari i degës se financës dhe drejtori i drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore. Afatet e caktimit dhe të pagesës së pensionit social janë të njëjta dhe ndjekin të njëjtat rregulla si dhe për pensionet e pleqërisë. Dokumentacioni i përfitimit dhe vendimet e drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore për caktimin dhe pagimin e pensionit social, auditohen çdo vit nga auditët e specializuar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Certifikimi i dosjeve të përfitimeve të caktuara për herë të parë si dhe të përfitimeve të rishqyrtuara, të kryhet i plotë për secilën dosje përfituesi. Në rastet kur kërkuesit janë në kushtet e përfitimit, të përcaktuara në pikën 4, të kreut të parë, të këtij vendimi, masa e pensionit që i caktohet kërkuesit është diferenca midis pensionit social të plotë me të ardhurat që kërkuesi ka nga burimet e tjera. Vlerësimi i të ardhurave do të bëhet në të njëjtën mënyrë dhe bazuar në të njëjtin legjislacion që përdoret edhe për përcaktimin e masës së ndihmës ekonomike. Të ardhurat individuale të kërkuesit përllogariten në raport me pjesëtarët. Në rastet kur kërkuesi ka të ardhura individuale nga burime të tjera më të larta se masa e pensionit social e përcaktuar për vitin përkatës, pensioni social nuk caktohet. Dokumentet mbahen në dosjen e çelur për këtë qëllim, në të cilën bashkëlidhet edhe njoftimi zyrtar me arsyet dhe argumentet e moscaktimit të këtij përfitimi. Vendimi për caktimin e masës së pensionit social dhe gjithë dokumentacioni në të cilin është bazuar llogaritja e pensionit, regjistrohen në regjistrin e posaçëm për pensionet sociale dhe arkivohen në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore. Një herë në vit përfituesi i pensionit social paraqet deklaratën e re për gjendjen e tij social-ekonomike, e cila, pasi verifikohet nga drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, shërben si dokument për vazhdimin e përfitimit, rillogaritjen ose ndërprerjen e tij. Përfituesi i pensionit është i detyruar të njoftojë agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore ku ka dorëzuar kërkesën, sa herë që ndryshojnë të ardhurat dhe, mbi këtë bazë, drejtoria rajonale e sigurimeve shoqërore rillogarit masën e pensionit.

 

Sigurimi i makinave, AMF: Kompanitë të paguajnë dëmet

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka kërkuar respektimin e afateve të dëmshpërblimeve nga kompanitë e sigurimit. Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, Enkeleda Shehi, në një mbledhje që zhvilloi me drejtorët e përgjithshëm të shoqërive të sigurimit të Jo-Jetës, kërkoi që kompanitë të paguajnë dëmet.

Sipas AMF-s nga shoqëritë e sigurimit kërkohet zbatimi në vazhdimësi i masave për stabilizimin e tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik: fondi i kompensimit dhe rezerva monetare si dhe hartimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit dhe dërgimi i tij në qeveri. “Zbatimi i ligjit të ri për veprimtarinë e sigurimeve dhe risigurimeve, si dhe plotësimit të kuadrit rregullator që AMF po përgatit në zbatim të këtij ligji. Përmirësimi i shërbimit ndaj klientëve. Respektimi i afateve në trajtimin e dëmshpërblimit, kontrata cilësore dhe transparente. Përmirësimi i cilësisë së agjenteve në sigurime – hartimi i një kodi etike për ndërmjetësit, standarde profesionale pune dhe shërbimi. Zgjerimi i tregut me produkte të reja të sigurimit”, – ishin disa nga kërkesat e AMF-së. Në përfundim, përfaqësues nga industria ngritën një sërë çështjesh që kërkojnë mbështetjen e AMF-së dhe vëmendjen e të gjithë aktorëve dhe institucioneve përgjegjëse. Disa nga këto çështje janë: monitorimi i zbatimit të pajisjes me sigurim të detyrueshëm të mjeteve të transportit publik, problematika në lidhje me unifikimin e limiteve të përgjegjësisë për produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik për mjetet shqiptare që qarkullojnë në territorin e Kosovës, lehtësimi i procedurave për pajisjen me Karton Jeshil në kufirin me Malin e Zi, kalendari i pagesave të detyrimit të fondit të kompensimit në dy vitet e ardhme etj.

 

 Pensionet, mbyllet raundi i parë/ Hoffman: Gjermania ka nevojë për punonjës të kualifikuar

Mbyllet raundi i parë i bisedimeve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për njohjen e kontributeve. “Vetëm një javë pas vizitës së homologut gjerman, ekipi negociator erdhi këtu për të finalizuar marrëveshjen, Në këto tre ditë është mbyllur pjesa më e madhe e saj. Çmojmë faktin që kjo marrëveshje do të ndihmonte qindra shqiptarë që jetojnë në Gjermani, e më pak gjermanë që jetojnë këtu. Jemi të ndërgjegjshëm se ku proces do të kërkojë edhe një raund tjetër negociatash që do të jetë gati në fund të verës”, – u shpreh ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Nga ana tjetër, ambasadori Hoffman tha se marrëveshja e pensioneve, pjesë e programit për sigurinë sociale, është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të gjerë shqiptaro-gjerman. Ai tha se Gjermania mirëpret të kualifikuarit që duan të punësohen atje, por nënvizoi se rruga për të nisur një marrëdhënie pune nuk duhet të kalojë përmes azilit.

“Qytetarët shqiptarë kanë interes të punojnë në Gjermani, ndërsa Gjermania ka interes për forca pune të kualifikuara. Por, rruga për të nisur një marrëdhënie punësimi nuk kalon përmes aplikimit të azilit. Kjo është rruga e gabuar. Ajo që na intereson është punësimi i fuqisë së kualifikuar. i referohem këtu arsimit përkatës dhe njohuri të gjuhës gjermane. Jo të gjithë duhet të vijnë tek ambasada. Ajo shërben për lëshimin e vizave dhe jo për ndërmjetësimin e vendeve të punës”, – tha Hoffman. Raundi i dytë i bisedimeve për pensionet pritet të përfundojë në fund të muajit prill, ndërsa në shtator të këtij viti do të finalizohet marrëveshja, nga e cila do të përfitojnë mijëra shqiptarë që banojnë në Gjermani. Por jo vetëm kaq. Ministri Veliaj bëri të ditur se kanë nisur bisedimet për njohjen e pensioneve edhe me shtetin fqinj, Italinë, ku ka një prani më të madhe të emigrantëve shqiptarë.