Alma Çuka
Dhjetëra raste në ditë, nga veriu në jug, regjistrohen në polici për akuzën e dhunës në familje. Gra, vajza, nëna, burra të dhunuar kërkojnë ndihmë në gjykatë
Fenomeni i dhunës në familje çdo ditë bëhet më i prekshëm. Gra që dhunohen deri në ekstremitet, vajza që keqtrajtohen nga të dashurit e tyre, burra të pafuqishëm ekonomikisht dhe psikologjikisht që dhunohen nga gratë e tyre. Kjo është panorama e asaj çfarë na serviret nga komunikatat e Policisë së Shtetit. Më e zymtë bëhet kjo situatë kur shifrat e policisë përforcohen me vendime gjykate, e cila detyron dhunuesit të qëndrojnë larg banesës së personit të dhunuar. E megjithatë, fenomeni sërish bëhet më i fortë. Përballë këtij fenomeni, policia dhe gjykata zbatojnë vetëm ligjin për raste konkrete, ndërkohë që nuk mungojnë rastet kur persona të arrestuar dhe dënuar për dhunë në familje, marrin dënime minimale dhe i rikthehen krimit sërish. Policia raporton gjatë 48 orëve të fundit disa raste konkrete të dhunës në familje. Mes rasteve të servirura në njoftimet e policisë orët e fundit është edhe ai i një burri në Lezhë, i cili i është drejtuar policisë për ndihmë. Më i frikshëm bëhet ky fenomen kur gratë, të cilat denoncojnë dhunën, i japin sinjale policisë se në banesën e përbashkët, bashkëshorti mban edhe një arsenal armësh. Ditët e fundit, arrestimet për veprën penale “Dhunë në familje” janë shoqëruar edhe me sekuestrimin e armëve të zjarrit si dhe të sasive të konsiderueshme të lëndëve plasëse.
Dhunohet nga gruaja
Dhunohej vazhdimisht nga gruaja, por nuk e kishte kallëzuar në polici. Këtë radhë, shtetasi me iniciale P. N., nga Lezha, ka gjetur forcën dhe i është drejtuar policisë. Burime të policisë së Lezhës bëjnë me dije se personi i dhunuar është paraqitur për të bërë kallëzimin e tij rreth orës 12:00 të ditës së djeshme. Është shprehur se prej kohësh ndihej i kërcënuar nga gruaja e tij dhe për këtë qëllim kërkonte marrjen e një urdhri të mbrojtjes. Bashkëshortja e tij, M. N., ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij. Banonin në Shëngjin të Lezhës dhe tashmë gruaja duhet të përballet në Gjykatë me bashkëshortin e dhunuar e të përgjigjet para ligjit.
Keqtrajton vajzën
Një burrë i moshës 44-vjeçare ka rënë në prangat e policisë së Pukës mbrëmjen e djeshme, pasi ka ushtruar dhunë në familje dhe ka kërcënuar me anë të një arme të bijën se do t’i merrte jetën. Burime të policisë nga qyteti verior bëjnë me dije se i arrestuari është Bilbil Miftaraj, banues në fshatin Sakat të Pukës. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të paradites së djeshme. Kryefamiljari ka kanosur për vrasje 19-vjeçaren A. Miftaraj, e cila është e bija. Pas kallëzimit të bërë në polici, blutë e Pukës kanë arrestuar 44-vjeçarin rreth orës 21:00 të mbrëmjes. Gjatë një kontrolli të ushtruar në banesë janë gjetur e sekuestruar 1 armë zjarri pistolete me 4 fishekë, marka “Ekol”, dhe 2 mitraloza të letë kalibër 7.62 mm. Miftaraj akuzohet për “Dhunë në familje”, “Mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake” dhe “Kanosje serioze për vrasje”. Materialet në lidhje me këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pukë.
Dhunon bashkëshorten
Policia e qytetit bregdetar Vlorë njoftoi se një burrë, banor i këtij qyteti, ka tentuar të vrasë me armë zjarri bashkëshorten e tij. Pas njoftimit në polici, ka rënë në pranga 51-vjeçari M. Myslymi, të cilit i janë sekuestruar nën cilësinë e provës materiale një armë zjarri, pushkë si dhe tri kallëpe tritoli. Në banesën e tij u gjet edhe një sasi e konsiderueshme fishekësh. Mësohet se denoncimi në policinë e Vlorës është bërë nga bashkëshortja e 51-vjeçarit. Sipas burimeve, gruaja ka thënë për blutë e këtij qyteti se po të shkonte në banesë, i shoqi do ta vriste. Ngjarja e parandaluar nga ana e policisë ka ndodhur në fshatin Drashovicë.
Peqin/ Mori ryshfet, arrestohet specialisti i Prefekturës
Një ish-specialist pranë nënprefekturës së Peqinit dhe një banor i këtij qyteti janë arrestuar ditën e djeshme nga ana e Sektorit kundër Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan. I ndaluari është 24-vjeçari Gledis Sinametaj banues në fshatin Shezë, Peqin, i cili kundrejt ryshfetit prej 50.000 lekëve i ka premtuar të ndaluarit tjetër, Muharrem Alla, se do t’i nxirrte një leje ndërtimi për një objekt që e kishte ndërtuar pa leje. Ndaj dy të sipërpërmendurve rëndon akuza e Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike. Po punohet për dokumentimin e plotë të veprave penale. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Elbasan/ Morën paratë e faturave të energjisë, arrestohen sportelistet
Përvetësuan paratë e qytetarëve, bien në pranga dy sporteliste në Elbasan. Burime të policisë së këtij qyteti bëjnë me dije se të arrestuarat janë Engjëllushe Moglica, ish-sporteliste e Postës Elbasan, e cila është larguar nga puna në muajin dhjetor të vitit 2013, pas konstatimit me shkelje nga auditi i Postës si dhe Angjelina Toska, ish-sporteliste e Postës së fshatit Shtërmen në Elbasan, e cila është larguar nga puna në muajin mars të vitit 2014. Në drejtim të sportelisteve ishin bërë një sërë ankesash. 78 ankesa ishin regjistruar për Moglicën dhe për Toskën 210. Këto dy raste janë evidentuar nga auditi i Postës Shqiptare dhe po nga Posta janë çuar për kallëzim penal.