Alma Çuka
Vijohet në fazën e hetimeve paraprake. Gjithçka në hijen e dyshimit. Akuza, vështirësi në zbardhjen e skemës së financimit të organizatës kriminale dhe rolin e anëtarëve
Karteli i kokainës që kishte filluar të shtrinte tentakulat në fshatin Xibrakë në Elbasan, prej disa muajsh, ka vënë në vështirësi hetimi organin e Prokurorisë. Që prej 17 dhjetorit, kur autoritetet gjermane sollën për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda një dosje, brenda së cilës kishte të dhëna për funksionimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e lëndës narkotike, janë kryer shumë veprime hetimore. Këto hetime bëhet me dije nga akuza kanë qenë në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit. Por ndërsa ka kaluar pak më shumë se një muaj dhe në pranga në 14 janar ranë 9 persona të dyshuar për trafikimin e kokainës nga Shqipëria drejt Gjermanisë, Prokuroria duket se është vënë në vështirësi reale për identifikimin dhe gjetjen e personave që dyshohet se kanë financuar trafikun ndërkombëtar. Të dhënat e deritanishme e kanë çuar akuzën deri tek fakti i bashkëpunimit të nëntë personave të arrestuar tashmë. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për emra të tjerë dyshues, që kanë dalë nga përgjimet ambientale që prokuroria ka arritur të siguroj.
Kërkimi
Në fazën e hetimeve që ndodhet aktualisht Prokuroria e Krimeve të Rënda, thuhet se të dhënat ende nuk e kanë çuar tek burimi i financimit të grupit kriminal. Burime jo zyrtare pohojnë se kanë nisur veprimet e njëpasnjëshme me qëllim koordinim e të dhënave dhe zbardhjen e skemës përfundimtare të funksionimit të grupit kriminal. Për akuzën mbetet shumë punë për tu bërë në lidhje me gjetjen e financuesve të këtij laboratori. të dhënat e para po në rrugë jo zyrtare bëjnë me dije se një prej personave që mund të ketë lidhje direkte me grupin kriminal të jetë shtetasi Genci Xhixha. Por akuza ende nuk ka të dhëna të plota për këtë person për të cilin thotë se nuk ka nxjerrë urdhër për shpallje në kërkim ndërkombëtar. Sipas akuzës nxjerrja e një urdhri të tillë do të behej vetëm pasi të jenë kryer hetimet e plota dhe dosja t’i dërgohet Gjykatës për caktimin e masës së sigurimit. Vetëm pas këtij veprimi, Genci Xhixha shpallet në kërkim ndërkombëtar. Aktualisht Prokuroria është duke kryer hetime intensive. Genci Xhixha dyshohet të jet një nga personat i cili prej vitesh ka pasur miqësi me një prej të pandehurve të grupit kokaina, Ermal Hoxha, nipi i ish –diktatorit Enver Hoxha. Në listën e Prokurorisë ndodhet edhe emri i një femra, Pranvera Ebiling, për të cilën thuhet se ka bërë punën e transportueses së kokainës në disa raste nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Femra gjithashtu flitet të jetë mikesha e të pandehurit Ilir Hyseni. Por deri në këto momente këto fakte janë vetëm për efekt hetimi paraprak dhe asnjë e konkretizuar.
Xibraka
Operacioni “Xibraka” vazhdon hedh hije dyshimi për organizimin e një prej trafiqeve më të mëdha të kokainës. Prokuroria deri në këto momente ka dhënë vetëm emrat etë pandehurve, por në asnjë rast nuk është shprehur për krerët e organizatës, financuesit e saj, pritësit e mallit në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore. Në Xibrakë u kapën 19.5 kg drogë e llojit kokainë e pastër dhe sasira të mëdha përzierje. Prokuroria pohon se po punohet për të saktësuar sasinë e plotë të kokainës, por kjo gjë i është lënë në dorë ekspertëve dhe laboratorit të kriminalistikës. Ndërkohë është bërë përpjekje për të rimarrë në pyetje sërish të pandehurit, të cilët nuk kanë pranuar të japin deklarime rreth veprimtarisë së tyre të përbashkët, duke mohuar gjithçka.
Vendimi/ Atentati tek Rruga e Kavajës, Apeli lë në burg policin Meta
Ish-efektivi i policisë i cili qëlloi me armën e shërbimit atentatorin gjatë përplasjes më armë në 5 janar në rrugën e Kavajës do të qëndroi në arrest me burg. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë për policin Roland Meta, duke e konsideruar të drejtë vleftësimin e masës dhe arrestin në flagrancë. Vendimi i apelit u kundërshtua nga avokati mbrojtës i të pandehurit, i cili në një komunikim me median ka ironizuar edhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ndërkohë nuk kurseu as akuzat politike, kur tha se klienti i tij po qëndronte në burg si pasojë e politikës. “Rasti i Metës është si shprehja e ministrit Tahiri: “Bravo çuna”, tha avokati mbrojtës Bardhi Koçi. Roland Meta akuzohet nga prokuroria për veprën penale të “vrasjes me dashje”, ndërsa sipas avokatit të tij, ai ka reaguar i detyruar nga pozicioni i tij si efektiv policie, që ka detyrë të ruajë dhe të mbrojë jetën e çdo qytetari, si dhe në kushtet e vetëmbrojtjes. Punonjësi i policisë Roland Meta është ndodhur rastësisht në rrugën e Kavajës mbrëmjen e 5 janarit ku ndodhi përplasja me armë mes Pajtim Serjanit, Ditmir Reçit dhe Denis Ramanit. Pasi ka dëgjuar krisma dhe ka parë një person të shtrirë në tokë dhe se agresori po largohej, Meta ka ndërhyrë duke thënë “Ndal! Policia!”. Më pas qëlloi në ajër për të trembur agresorin, por ky i është kthyer dhe e ka qëlluar me armë. Në këtë moment edhe Meta ka qëlluar me armë ndaj agresorit.
Rekrutimi/ Mbahen në mbikëqyrje luftëtarët e kthyer nga lufta në Siri
Drejtoria e antiterrorist në Policinë e Shtetit mban nën mbikëqyrje një numër të konsiderueshëm luftëtarësh shqiptarë, të cilët prej disa kohësh janë kthyer nga Siria. Burime të policisë bëjnë me dije se luftëtarët e ardhur nga Siria përbëjnë shqetësim serioz dhe për këtë qëllim janë duke u mbikëqyrur. Flitet se numri i tyre është 15, por nga të dhënat jo zyrtare ka dyshime se ky numër mund të shkoj edhe më shumë. Burime të sigurta nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se nën mbikëqyrjen e këtyre strukturave nuk janë vetëm personat që janë kthyer nga Siria, por edhe ata që dyshohet se kanë lidhje me rekrutimin e personave për ti dërguar në luftën e Sirisë. Të njëjtat burime saktësojnë se nën vëzhgim janë objekte të caktuara në vend, duke shtuar se një kontroll i vazhdueshëm do të vijojë të ushtrohet edhe në pikat kufitare në vend.