Deputeti i PD-së: Presim përgjigje nga mazhoranca për propozimet për komisionet
Në një kohë që ditën e hënë do të shqyrtohet në Kuvend dekreti i Presidentit për kthimin mbrapsht të ligjit për Gjykatën e Lartë, opozita kërkon që mazhoranca të tërhiqet nga ky ligj. Duke marrë parasysh edhe reformën në drejtësi, për të cilën demokratët ende nuk kanë vendosur të bashkohen në komisionin e posaçëm parlamentar, drejtuesi i departamentit të Drejtësisë në PD, Eduart Halimi, tha dje se ligji i merr Presidentit të Republikës kompetencën kushtetuese të përzgjedhjes së kandidatëve për në Gjykatën e Lartë. “Kanë bërë një ligj të ri për Gjykatën e Lartë pa pyetur askënd. Është një model që nuk ka të bëjë me funksionimin e demokracisë dhe nuk e ka zgjidhur konfliktin me Presidentin, por e ka thelluar atë. Mazhoranca e ka një shans që edhe në dritën e marrëveshjes së 24 dhjetorit për hartimin e ligjeve me konsensus, ta rishikojë ligjin dhe marrëdhëniet me opozitën në mënyrë që reforma në drejtësi të jetë gjithëpërfshirëse konsensuale dhe t’i rezistojë kohës”, – tha ai për “ABC News”. Në këtë kontekst, deputeti demokrat pohoi rëndësinë e konsensusit mes palëve, duke theksuar se me këtë ligj dhe me paketën e miratuar deri më tani nga mazhoranca, nuk mund të ecet në rrugën e drejt të reformës në drejtësi. Vetëm dy ditë më parë u zhvillua mbledhje e dytë e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, ku sërish opozita nuk mori pjesë në të. Të djathtët kanë kërkuar fillimisht që mazhoranca atë zhbëjë ligjet e miratuar më parë nga mazhoranca që prekin sistemin e drejtësisë, duke vënë theksin tek ligji për Gjykatën e Lartë dhe tek ai për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Komisionet
Përveç reformës në drejtësi, demokratët janë të fokusuar tek zbatimi i rezolutës së 24 dhjetorit të miratuar me konsensus mes palëve. Halimi tha dje se opozita është në pritje edhe të përgjigjes së mazhorancës për komisionet e përkohshme që ka propozuar të ngrihen për zbatimin e rezolutës konsensuale të 24 dhjetorit. “Shpresojmë që mazhoranca do të shprehet brenda afatit dhjetëditor që ka kërkuara dhe në mënyrë të menjëhershme marrëveshja të gjejë zbatimin praktik. Të gjenden të gjitha rrugët e duhura për dekriminalizimin e administratës, Parlamentit aktual dhe i të ardhshmit, si dhe të mbyllen të gjitha shtigjet ligjore që mund të përdoren me arrogancë nga qeveria për të penguar zbatimin e vendimeve të gjykatave dhe zvarritjen e komisioneve hetimore”, – u shpreh Halimi, i cili po kryeson grupin e punës lidhur me zbatimin e vendimeve të gjykatave dhe çështjen e funksionimit në kohë të komisioneve parlamentare. Demokratët propozuan në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ngritjen e dy komisioneve të posaçme, ku njëri do të merrej me vënien në zbatim të kërkesës për dekriminalizimin e Kuvendit dhe administratës publike. Ndërsa komisioni i dytë do të merret me ndryshimet ligjore që do të lidhen me zbatimin e vendimeve të gjykatave dhe përmirësimin e legjislacionit sa i përket të drejtës së opozitës për të ngritur komisione hetimore.
LSI kundër PS-së
Vasili: Testimi i mjekëve, arnim i panevojshëm, paligjshmëria e tij rëndon situatën
Lëvizja Socialiste për Integrim shpreh qëndrimin kundër nismës së qeverisë për testimin e mjekëve. Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili, në një takim me mjekët në Tiranë u shpreh kundër zhvillimit të testimit ndaj bluzave të bardha. “Testimi i mjekëve është arnim i panevojshëm. Paligjshmëria e testimit të mjekëve rëndon situatën. Testimi është një ide e gabuar në kohën e gabuar”, – u shpreh Vasili, deputet i LSI-së, njëherësh ish-ministër i Shëndetësisë në kohën e koalicionit “Berisha-Meta”. Më tej ai theksoi se kjo nismë është një ide e gabuar dhe se imponimi antishkencor nuk e përmirëson sistemin shëndetësor. Sipas Vasilit, edukimi në vazhdim i mjekëve është rruga e duhur dhe e vetmja për të ecur përpara. “Testimi i mjekëve është një ide e gabuar që vjen në kohën e gabuar. Imponimi antishkencor nuk e përmirëson dot sistemin shëndetësor. Edukimi në vazhdim i mjekëve është rruga e vetme dhe rruga e duhur që duhet ndjekur për të përmirësuar sistemin”, – u shpreh ai. Më parë edhe opozita është shprehur kundër testimit të mjekëve, duke e vlerësuar atë si denigrues ndaj bluzave të bardha. Sipas demokratëve, qeveria nuk ka një plan konkret lidhur me zhvillimin dhe zbatimin e kësaj iniciative që kërkon të marrë. Ndërkohë, në një takim që kryeministri pati me mjekët në Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës “Nënë Tereza”, ku nuk munguan debatet, Rama tha se testimi nuk ka qëllim penalitetet ndaj mjekësve, por vendosjen e dinjitetit dhe hierarkinë mes bluzave të bardha. “Testimi i bluzave të bardha nuk ka për qëllim penalitetet, por të vendosë dinjitetin dhe hierarkinë mes mjekëve”, – deklaroi kreu i qeverisë.
PD: I arrestuari për drogë, pjesë e aksionit për energjinë. OSHEE: Ka 9 ditë që e kemi hequr
Partia Demokratike, përmes deputetit Alban Zeneli, akuzoi qeverinë se ka punësuar në një nga postet drejtuese të aksionit për energjinë elektrike një person me precedentë penalë, i cili, sipas tij, është arrestuar disa herë për drogë. “Florian Qafa është një emër i njohur për policinë dhe kronikën e zezë. Ai është ndaluar disa herë dhe dënuar për trafik lëndësh narkotike, pasi ka kryesuar një grup kriminal droge në zonën e Ali Demit, që shpërndante drogë edhe në shkolla. Ja ku kemi këtu vendimin e gjykatës që përmend dënimet e tij, kemi një numër të madh shkrimesh që janë bërë në media për arrestimin e tij dhe për aktivitetin e tij kriminal. Me Edi Ramën, erdhi koha që ky person të shpërblehet për angazhimin e tij, dhe sot është pjesë e task-forcës së OSHEE në Tiranë. Pra, në krye të aksionit të ndëshkimit të qytetarëve të pamundur, dhe favorizimit të hajdutëve të mëdhenj të energjisë që janë sot pranë qeverisë. Ai është angazhuar në fushatën e fundit zgjedhore, pranë shtabit të deputetit socialist, Ditmir Bushati, që sot është ministër i Jashtëm”, – tha deputeti i PD-së. Ndërkohë, në reagimin e tij, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka deklaruar se Florian Qafa ka qenë në marrëdhënie pune sipas procedurave ligjore prej datës 28 dhjetor 2013, në pozicionin elektricist, sektori i Arkëtimeve, Drejtoria e Tiranës”. Por ai rezulton i larguar nga puna më datë 15 janar 2015, me motivacionin “Thyerje të disiplinës në punë, duke mos u paraqitur në vendin e punës, pa shkaqe të arsyeshme dhe pa vënë në dijeni eprorin e drejtpërdrejt”. Fillimi i procedurës së largimit është më 7.1.2015, nr. 236/3 prot. OSHE falënderon Partine Demokratike që vazhdimisht i bën me dije opinionit publik masat që operatori ndërmerr ndaj punonjësve që thyejnë disiplinën në punë apo nuk kanë performancën e kërkuar”, – thuhej në deklaratë.