Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i shkrimtarit Ismail Kadare, dramatizuar për skenë nga Jeton Neziraj, do të ketë këtë të mërkurën premierën në Teatrin e Qytetit të Stambollit.
Kjo është vepra e parë e një autori nga Shqipëria që vihet në skenë nga një teatër në Turqi, kurse drama e tretë e autorit nga Kosova Jeton Nezirajt në teatrot turke. Gjatë vitit të kaluar janë inskenuar edhe dy dramat e tija “Yue Madeleine Yue” dhe “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, kjo e dyta në Teatrin Kombëtar të Turqisë, ku edhe vazhdon të shfaqet me shumë sukses.
Dramatizimi i “Gjeneralit…” [Ölü Ordunun Generali] i përkthyer në turqisht nga Bilge Emin, është vënë në skenë në teatrin kryesor të qytetit të Stambollit, nga regjisori i mirënjohur turk M. Nurullah Tuncer. Në shfaqjen luajnë një kastë prej 20 aktorëve kurse në realizimin skenik të saj janë angazhuar një numër i madh i bashkëpunëtorëve të tjerë. “Gjenerali…” është shfaqja qëndrore në repertorin e këtij teatri për këtë sezon. “Në çoroditjen që ka kapluar botën aktualisht, vënja në skenë e “Gjeneralit…” them se përçon tek ajo pjesë e publikut që do ta shoh në skenë, një mesazh të rëndësishëm; se krejt çka ngelet në njeriun mbas përfundimit të një lufte është sall dhimbja, trishtimi e mërzia… Nuk ka fitues. “Gjenerali…” është një vepër monumentale kundër luftës. Dhe prandaj them që, inskenimi i saj në këtë kohë, dhe pikërisht në Stamboll, është shumë i rëndësishëm. Dua, me këtë rast të falenderoj z. Imail Kadare për mbështetjen, e poashtu edhe botuesin e tij në Shqipëri, z. Bujar Hudhri”, pohon dramaturgu Neziraj. Përveç 3 dramave të inskenuara, në Turqi janë botuar deri më tani edhe 8 drama të autorit Jeton Neziraj.