Siklete të reja për biznesin…

0
192

taksa e tatime–  Nis zbatimi i të paktën 12 udhëzimeve dhe më shumë se 5 ligjeve të reja në fushën e fiskut. Kodi i ri Doganor, një pjesë e të cilit po aplikohet këtë muaj dhe instalimi i një sistemi të ri informatik në Tatime, kanë vënë biznesin në vështirësi për zbatimin korrekt të tyre

Ky vit ka nisur ndryshe për biznesin. Çmimet më të larta të energjisë dhe rritja e tatimeve e taksave, duket se janë halli më i vogël në krahasim me ndryshimin kryekëput të legjislacionit tatimor. Të paktën 12 udhëzime janë lëshuar për një javë. Një ligj krejt i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar ka hyrë në fuqi. Skema e re e pensioneve ka sjellë azhurnime të reja për kufijtë e pagave minimale dhe maksimale. Përpos kësaj, tatimet kanë vënë në punë një sistem informatik, i cili, në periudhën afatgjatë, duket se do të lehtësojë komunikimin me biznesin, por këto ditë është shndërruar në një “ferr” të vërtetë për deklarimet online. Nga ana tjetër, doganat nisin zbatimin e praktikave të reja që rrjedhin nga Kodi i ri Doganor. Ndryshimi në masë i procedurave tatimore, i pashoqëruar në kohë me udhëzimet përkatëse, i ka kapur “gafil” bizneset. Kjo është e kuptueshme duke pasur parasysh se, pjesa dërmuese e bizneseve kanë stafe të reduktuara juristësh dhe ekonomistësh. Në të shumtën e rasteve, financieri bën edhe juristin, por tani kur pjesa më e madhe e legjislacionit tatimor ka ndryshuar penalitetet për mosnjohje dhe për rrjedhojë për moszbatim të legjislacionit të ri, rrezikojnë penalitete për biznesin. Kjo është një praktikë e njohur edhe në rastet e kaluara të ndryshimeve të ligjeve tatimore, por ende nuk ka një vlerësim shkencor se cilat janë kostot që sjellin te biznesi ndryshimet e shpeshta të legjislacionit. Shqipëria, si vend në zhvillim, ende është në proces të harmonizimit të legjislacionit fiskal për t’iu përgjigjur ekonomisë së lirë të tregut. Por, detyrimet që rrjedhin prej anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe politikat e reja fiskale të aplikuara nga qeveria e re gjatë dy viteve të fundit, e kanë rritur densitetin e ndryshimeve. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore i kanë rekomanduar qeverisë që të aplikojë politikën fiskale afatmesme për të shmangur pikërisht kostot e përvitshme që i krijohen biznesit nga ndryshimi i ligjeve. Kjo kosto vjen e rëndohet pasi në Shqipëri nuk është se aplikohet praktika e konsultimit paraprak në mënyrë që grupet e interesit t’i kenë të qarta pritjet për ndryshimin e legjislacionit fiskal.

 

Ligji i ri i TVSH-së dhe udhëzimi, ja 250 nene të reja

Ka nisur zbatimin nga 1 janari një ligj krejt i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, i harmonizuar me ligjin që aplikojnë sot vendet e BE-së për këtë tatim. Ekspertët në Ministrinë e Financave pohojnë se, qëllimi është që të bëjnë më të lehtë procedurën e grumbullimit të tatimit, si për administratën, ashtu edhe për biznesin. Kjo është e natyrshme, pasi këtë qëllim ka çdo ligj i ri. Por në rastin konkret, mungesa e udhëzimit deri në ditën finale të hyrjes në fuqi të ligjit, la pezull disa grupe interesi. Pasi ligji i atribuonte disa përjashtime dhe rregullime jetike udhëzimeve të mëvonshme të Ministrisë së Financave. Sektori fason ishte më i prekuri, pasi ligji i ri, me udhëzimin e financave, duhet të përjashtonte nga TVSH furnizimet për fasonët. Duke mos ditur se cilat furnizime do të përjashtoheshin dhe cilat jo, fasoni pati një ngërç në lidhjen e kontratave të reja për 2015. Por përtej këtij konstatimi, përcaktimet e reja ligjore për vendet e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve, mbeten po aq teknike në udhëzim sa edhe në ligj. Udhëzimi për zbatimin e ligjit të ri të TVSH-së, edhe pse i dalë vonë, me më shumë se 90 nene, ishte edhe më teknik se ligji. Me ligjin e vjetër, kostoja e vjeljes së TVSH–së arrinte deri në 6% të TVSH-së së mbledhur. Ligji i ri administron TVSH nëpërmjet menaxhimit të riskut, duke përdorur instrumentet e e-taxation dhe parimit one-stop-shop, duke u dhënë bizneseve më tepër akses në sistemin e TVSH dhe një informacion më të madh për transaksionet dhe për rrjedhojë ul edhe kostot administrative të zbatimit. Për herë të parë përcaktohen skemat e reja të aplikimit të TVSH-së si mbi marzhin për agjentët turistikë, mallrat e përdorura, shitjet në ankande, etj.

 

Procedurat tatimore ia nisin nga e para

Ligji i procedurave tatimore, që më së shumti rregullon të gjithë procedurën e komunikimit të biznesit me fiskun dhe përcakton edhe penalitetet përkatëse, shënon rekordet e ndryshimeve ndër vite, por këtë vit, gati gjithçka ka nisur nga e para. E mira është se janë lehtësuar penalitetet dhe gjobat ndaj biznesit. Por veç këtyre ka ndryshuar plotësisht mënyra e komunikimit online me tatimet. Kanë ndryshuar dokumentacioni dhe disa procedura që rregullojnë regjistrimin e personave fizikë dhe juridikë që duan të hapin një biznes. Tatimet, që nga ky vit, do të krijojnë dy regjistra, në njërin do të jenë bizneset aktive dhe në të dytin ato inaktive. Aplikimi i procedurave të reja me shumë gjasa do të rrisë bizneset në regjistrin inaktiv e për rrjedhojë, detyrimet me forcë dhe sekuestrot do të përfshijnë më shumë biznese. Ndryshime janë bërë edhe për afatet e deklarimit dhe për të gjithë procedurat e pagesës së tatimit nga bankat. Pagesat e tatimeve tani nuk do të bëhen më nga sportelet e postës, por vetëm nga bankat tregtare.

 

Sistem online, biznesi investime të reja

Padyshim që revolucioni ka ndodhur në komunikim virtual, biznes-tatime. Hyrja në funksion që nga 1 janari i sistemit e-tax, ka sjellë marrëdhëniet në dimensione të tjera, por jo pa kosto. Për të realizuar këtë komunikim, tatimet duhet të bëjnë investime të reja në IT. Kërkesat minimale për ekranin e kompjuterit janë 1024 x 768 piksel. Shërbimi “e-tax” operon në versionet e internet Explorer 10 e lart, Google Chrome 30 e lart dhe Mozilla Firefox 25 e lart. Kërkesa shtesë për deklarimin e librave të shitjes dhe blerjes si dhe për printimin e formularëve dhe urdhërpagesave, janë Microsoft Excel 2007 ose më lart për të ngarkuar librat e shitjes dhe të blerjes. Adobe reader: Adobe Reader 5.0+ dhe lart. Me aplikimin e sistemimit të ri informatik janë shtuar edhe deklarimet online që duhet të bëjnë bizneset. Tani do të dorëzohen vetëm online, formulari i deklarimit të TVSH-së, formulari i deklarimit të tatimit mbi fitimin, formulari i të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe i të larguarve nga puna, formulari i deklarimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, formulari i deklarimit të tatimit, të mbajtur në burim, mbi të ardhurat, formulari i deklarimit të tatimit mbi lojërat e fatit, formulari i deklarimit të taksës së rentës minerare, formulari i deklarimit të taksave kombëtare, formulari i deklarimit të tarifave kombëtare, deklarata individuale vjetore e të ardhurave, deklarata “Listë-pagesë e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi”. Online do të dorëzohen edhe librat e shitjes së tatimpaguesve të regjistruar për TVSH-në, librat e blerjes së tatimpaguesve të regjistruar për TVSH-në, pasqyrat financiare vjetore, shënimet shpjeguese dhe tabelat shoqëruese, vendimi për miratimin e rezultatit vjetor dhe destinimin e fitimit pas tatimit. Këto ditë, bizneset janë duke hasur vështirësi të mëdha në ngarkimin e deklaratave tatimore dhe listë-pagesave, për shkak të programeve të vjetra kompjuterike.

 

Ndryshimi i shumëfishtë i kufijve të pagave, tjetër ngatërresë

Ndërsa një vendim i marrë në mes të vitit 2014 specifikonte se paga maksimale do të llogaritej sa pesëfishi i pagës minimale të unifikuar në shkallë vendi nga 1 janari 2015, çka e rriste automatikisht me 13% këtë pagë, një tjetër vendim e lë pagën maksimale në 97030 lekë. Këto lëvizje brenda një kohe të shkurtër, së bashku dhe me një mori ndryshimesh të tjera ligjore, me të cilat po përballet biznesi në ditët e para të këtij viti, kanë çorientuar financierët e bizneseve, ndërsa rrisin rrezikun që sipërmarrjet të ngarkohen me gjoba. Burimet nga financat dhe sigurimet pohojnë se aktualisht, paga maksimale për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore është fikse prej 97,030 lekësh dhe jo pesëfishi i pagës minimale të unifikuar prej 22 mijë lekësh. Gjithashtu që paga minimale për efekt të sigurimeve nuk është më 19,406 lekë, teksa ajo do të barazohet me pagën minimale në shkallë vendi (për të punësuarit dhe punëdhënësit), që është aktualisht 22 mijë lekë.

 

Kodi i ri Doganor, nis kontrolli në bazë risku

Vitin që shkoi, Doganat kanë nisur të aplikojnë një kod krejt të ri doganor, në themel të të cilit, përveç harmonizimit me legjislacionin evropian, rriste komunikimin online tatime-biznes. Por që nga muaj, dogana do të nisin një procedurë të re kontrolli të biznesit që, në ditët e para të saj, rrezikon të kthehet në kosto. Kontrollet do të bëhen bazuar në profilet e riskut. Nëse një kompani tregon se në disa kontrolle është i saktë, plotësohen të dhëna pozitive, që e mundëson atë të dalë nga profilet e riskut. Sistemi elektronik realizon përzgjedhjen: i verdhë (kërkon dokument), i kuq (kërkon kontroll fizik, i cili ndodh vetëm në 10.9% të rasteve) dhe më 26 janar do të nisë implementimi i kanalit jeshil. Kjo është reforma më e madhe që dogana aplikon në procesin e kontrollit. Por ndryshe nga ndryshimet e tjera, kjo procedurë është prezantuar që në vitin e kaluar dhe biznesi ka pasur kohë të njihet me azhurnimet e reja.

 

Ndryshimet që kanë nisur që nga 1 janari

-Ligji i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (pritet ende të publikohet zyrtarisht udhëzimi)

-Vendimi për Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”

-Udhëzimi nr. 25, datë 16.12.2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 32, datë 31.12.2013 ‘Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël’, të ndryshuar”.

-Udhëzim nr. 19, datë 03.11.2014 “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”

-Udhëzimi nr. 31, datë 29.12.2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Udhëzimin nr. 5, datë 30.01.2006 ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.

-Udhëzimi nr. 26, datë 16.12.2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”

-Udhëzimi nr. 27, datë 16.12.2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 26, datë 4.9.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.

-Udhëzimi nr. 25, datë 16.12.2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 32, datë 31.12.2013 ‘Për tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël’, të ndryshuar”

-Udhëzimi nr. 24, datë 09.12.2014, “Për dhënien e pëlqimit dhe mënyrën e marrjes dhe vlefshmërinë e dhënies së pëlqimit për komunikimin elektronik të tatimpaguesit me administratën tatimore”.

-Udhëzimi nr. 23, datë 09.12.2014, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.

-Ligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.

-Ligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’ të ndryshuar”.

-Ligj “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.

-Ligj “Për një ndryshim në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008, ‘Për miratimin e niveleve të tarifës doganore’, të ndryshuar”.

– Ligji nr. 102/2014, datë 31.7.2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë

-Vendimi Për miratimin e dispozitave zbatuese të ligjit nr.102/2014, datë 31.7.2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”

 (marrë nga “Monitor”)