Ervin Kaduku
– Çmimi i lëndës së parë po pëson rritje. Nga muaji i ardhshëm pritet që çmimi i bukës me pakicë të arrijë në nivelin e rreth 120 lekëve për copë
Publiku i gjerë në vend mendoi se mosulja në përputhje me rënien në tregjet ndërkombëtare e çmimit të karburanteve, si dhe rritja e tarifimit për energjinë elektrike do të ishin të këqija të mjaftueshme për të rrënuar perspektivat ekonomike të familjeve shqiptare për këtë vit. Por nuk është e thënë. Duket se pas këtyre e ka radhën buka, produkti ushqimor më i konsumuar nga familjet shqiptare, sidomos ato me të ardhura më të pakta.
Importi rus
Pasi ka vendosur embargon ndaj produkteve shqiptare, me pretendimin se certifikatat fitosanitare të vendit falsifikoheshin për të transportuar prodhime evropiane, Rusia ka ndërmarrë një hap tjetër që dëmton bujqësinë shqiptare. Mielli dhe gruri që importohet nga Rusia, tashmë taksohet më shumë. Për këtë arsye, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, zhvilloi dje një takim me importuesit dhe prodhuesit e miellit, ku theksoi se do të merren masa për të mbrojtur industrinë, në mënyrë që të mos ketë rritje të çmimit të bukës në vend.
Shqipëria importon rreth 140 mijë ton grurë në vit nga Rusia. Një zhvillim tjetër që imponon marrjen e masave për këtë industri është edhe forcimi i dollarit në bursat ndërkombëtare, çka ndikon direkt në rritjen e çmimit të miellit.
Panariti u shpreh se do të rriten rezervat stok. Ministri u ndal edhe në paketën e njësimit të standardeve midis Shqipërisë dhe Kosovës, që pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme mes dy qeverive. Për këtë paketë të re standardesh u ra dakord gjatë vizitës së Ministrit të Bujqësisë në Prishtinë, rreth dy javë më parë.
Çmimi
Duke filluar nga data 1 shkurt pritet që çmimi i miellit të rritet. Kjo, pasi Rusia ka vendosur embargon e grurit ndaj Evropës. Ky veprim i saj i kushton Shqipërisë gati 50 për qind të sasisë të grurit që vendi ynë përdor për nevojat e veta. Vendosja e embargos ruse mbi grurin pritet të japë efekte në tregun shqiptar, duke rritur çmimin e miellit si produkt i përdorimit parësor në masën 15 për qind. Vendimi hyn në fuqi në datën 1 shkurt dhe parashikon vendosjen e një takse prej 35 eurosh për ton grurë. Por sipas drejtuesit të Unionit të Prodhuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, shqetësim parësor nuk është taksa që Rusia ka vendosur tashmë, por rritja dhe fuqizimi i dollarit. Rritja e dollarit ka bërë të mundur që një anije me grurë tani të kushtojë 20 mijë dollarë më tepër se e njëjta sasi e importuar në muajin dhjetor.
Vetë Ministria e Bujqësisë thotë se taksa prej 35 euro/ton do të sjellë një rritje, minimalisht në masën 15 për qind. Duke i shtuar vlerës së blerjes së lëndës së parë edhe 20 për qind që është taksa e TVSH-së dhe kostot e transportit, 1 shkurti e kap çmimin e miellit në treg më të lartin në vitet e fundit.
Buka
Nëse do të rritet edhe çmimi i bukës apo jo, ky është një vendim që e marrin prodhuesit e bukës, pra furrat e bukës. Prodhimi i bukës nuk është pjesë e përgjegjësisë së importuesve të miellit. Por me një logjikë të thjeshtë të tregut të lirë, kur çmimi i lëndës së parë pëson rritje, edhe çmimi i produktit final do të ketë rritje. Dhe nëse matematika e pastër do të funksionojë edhe në këtë rast, pas 1 shkurtit çmimi i bukës do të shkonte rreth 120 lekë.
Projektet për zhvillimin rajonal, ja kush mund të përfitojë
Qeveria ka publikuar vendimin 4 të datës 19 janar 2015 për shpalljen e thirrjes së parë për projekte për financim, për vitin 2015, nga Fondi për Zhvillimin e rajoneve. Sipas drejtimeve prioritare programet e aplikimit do të jenë:
Programi 1: Infrastruktura vendore dhe rajonale
Programi 2: Rehabilitim mjedisor, gjelbërim dhe pyllëzim
Programi 3: Arsimi dhe sporti (bazë, i mesëm, universitar)
Programi 4: Ujësjellës-kanalizimet
Programi 5: Arti dhe kultura
Programi 6: Shqipëria dixhitale (inovacion dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit)
Gjithashtu është ngritur dhe aekretariati teknik për administrimin e fondit për zhvillimet rajonale. Sekretariatet teknike ngarkohen të administrojnë aplikimet, të kryejnë procesin e vlerësimit tekniko-financiar, ligjor, të përputhshmërisë me programet dhe nënprogramet zhvillimore, impaktin e aplikimeve për financim dhe raportimin pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, përpara datës së mbledhjes së Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve.
Sekretariati teknik duhej të bëjë vlerësimin e riskut financiar dhe të zbatimit, realizimit të investimeve dhe impaktit të projekteve të financuara nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve dhe raportimin pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, në mënyrë periodike, duke filluar nga data e publikimit në “Fletoren zyrtare”, të vendimit për financim nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve.
Kriteret e vlerësimit teknik
o Cilësia teknike dhe kostimi (detaje teknike dhe preventiv i kostuar saktë sipas buletinit), nga 0-25 pikë
o Nivel i ulët i riskut (zbatim me sukses i projektit dhe përdorim në kohë i fondeve publike), 0-10 pikë
o Ndikimi i projektit (në më shumë se një njësi vendore, 0-5 pikë dhe në shërbimet bazë në cilësinë e jetës, nga 0-5 pikë)
o Bashkëfinancim nga njësitë vendore ose donatorët, nga 0-5 pikë
o Numri i përfituesve në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga realizimi i projektit, nga 0-10 pikë
o Analizat dhe studimet e kryera (studim i ndikimit në mjedis, studim fizibiliteti etj.), nga 0-5 pikë
o Qëndrueshmëria e investimit (kosto mirëmbajtjeje për vazhdimësinë etj), nga 0-5 pikë
Tregu i sigurimeve “lëvizi” 83 milionë euro në 2014-ën
– Sigurimet e jetës zënë vetëm 8.83% të tregut të sigurimeve. Primet bruto arrijnë në 11.624 miliardë, rritet numri i kontratave dhe pagesa e dëmeve arrin në 2.8 miliardë lekë
Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka qarkulluar rreth 11.6 miliardë lekë gjatë vitit 2014 me një rritje 36.19% krahasuar me vitin 2013. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar të dhënat duke vënë në dukje se tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 8.83% dhe veprimtarinë e Risigurimit me 0.23%.
Mungesa e kulturës së sigurimeve në Shqipëri është evidente pasi shpenzimet për sigurime mbeten në nivele modeste dhe paguhen kryesisht vetëm sigurimet e detyrueshme kryesisht ato të makinave pasi më shumë i frikësohen gjobave të policëve rrugorë sesa qëllimit për të cilin lëshohet sigurimi, përgjegjësia ndaj palëve të treta në rast aksidenti.
Gjatë vitit 2014, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,032,554 me një rritje prej 3.69% krahasuar me një vit më parë. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.34% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.66% të totalit të tregut. Gjatë vitit 2014, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,822 milionë lekë, ose 4.67% më shumë se viti 2013.
Rriten të ardhurat nga sigurimi i makinave
AMF raporton se primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2014 arritën mbi 6,919 milionë lekë, ose 78.99% më shumë se viti 2013. Sipas të dhënave produkti MTPL e brendshme, në vitin 2014, pati një rritje prej 88.85% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 9.60% krahasuar me vitin 2013. Produkti Sigurim Kufitar në vitin 2014 pati një rritje prej 50.35% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 1.26% krahasuar me vitin 2013. Produkti Karton Jeshil, në vitin 2014, pati një rritje me 57.37% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2013. Ndërsa numri i kontratave u ul me 1.23%.
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2014 arritën rreth 4,678 milionë lekë, ose 1.34% më shumë se në vitin 2013. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 1.54% krahasuar me një vit më parë. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë vitit 2014, patën ulje me 0.13% kundrejt vitit 2013. Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë vitit 2014 siguruan rreth 2,284 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 71.65%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 16.68% të totalit. Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë vitit 2014, vihet re një rritje prej 23.38% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 0.64% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2013.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë vitit 2014, arritën në rreth 807 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 20.63% në krahasim me vitin 2013. Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2014, arritën rreth 1,027 milionë lekë, ose 6.93% më shumë se vitin e kaluar.
Pagesa e dëmeve
Të dhënat e AMF tregojnë se pagesat e dëmeve gjatë vitit 2014 u rrit me 4.67% krahasuar me vitin 2013. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me mbi 2,286 milionë lekë, apo 81.03% të totalit të dëmeve të paguara bruto.
Edhe Kosova drejt koncesionimit të Rrugës së Kombit
Lajme të këqija për automobilistët dhe pasagjerët. Qeveria e Kosovës është duke menduar që në një të ardhme jo shumë të largët ta japë autostradën e Kombit, “Ibrahim Rugova” me koncesion, pra edhe në pjesën kosovare do të kryhej kalimi me pagesë. Një hap i tillë është bërë publik nga ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, pas takimit të mbajtur me homologun e tij nga Shqipëria, Edmond Haxhinasto. Të dy ministrat kanë thënë në Prishtinë se janë pajtuar që të koordinojnë punët në lidhje me marrjen e fondeve për ndërtimin e hekurudhës që lidh dy vendet.
Ndërkohë, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka thënë se qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet për ndihmuar Kosovën të integrohen në të gjitha organizatat ndërkombëtare që lidhen me transportin dhe hekurudhën. Nga ana tjetër, palët në takim u pajtuan që të shikojnë mundësinë për të kthyer sërish në funksion, linjën ajrore Prishtinë-Tiranë.
Haxhinasto ka zhvilluar një takim pa praninë e medieve edhe me Kryeministrin Isa Mustafa.
Biznesi gjerman, më optimist për vitin në vazhdim
Ndjesia e biznesit në Gjermani ka prekur nivelin më të lartë në 6 muajt e fundit, sipas të dhënave referuar muajit janar. Ngjitja në këtë indeks vjen për të tretin muaj me radhë. Analistët shprehen se këto janë sinjale të forta që tregojnë se ekonomia më e madhe e Evropës e ka filluar vitin me këmbën e mbarë.
Indeksi IFO, i cili mat klimën e biznesit, është regjistruar në 106.7 pikë. Ndërkohë në muajin dhjetor të vitit të shkuar ky indeks regjistrohej në 105.5 pikë. Leximi më i fundit ka tejkaluar edhe pritshmëritë, të cilat flisnin për një nivel në 106.3 pikë.
Ekspertët shprehen se çdo gjë është në vendin e duhur për të shënuar një tjetër vit të rëndësishëm për ekonominë gjermane.
Gjithsesi, rezultati i zgjedhjeve në Greqi pritet të ofrojë një panoramë disi të ndryshuar.
Indeksi IFO tregon gjithashtu se bizneset e anketuara presin një situatë më optimiste për muajt e ardhshëm. Anketa tregon një përmirësim në sektorin e prodhimit, si dhe atë të shitjeve me pakicë dhe shumicë. Firmat e ndërtimit janë ato që kanë shënuar rezultatin më negativ, duke regjistruar një indeks në rënie, krahasuar me muajin paraardhës.