Violeta Murati
Bashkim Shehu ka provokuar. Ka shkruar një roman, “Fjalori udhëzues mbi misterin e dosjeve”, por nga të gjitha prononcimet në media, ka qëndruar i palëkundur, duke thënë se nuk ka asnjë dijeni për dosjet dhe Sigurimin e Shtetit. Romani është vetëm një fiksion – ka thënë Shehu, edhe dje, në promovimin e librit, po ashtu dhe nga “grerëzat” e medieve për t’i shkuar deri në fund këtij provokimi.
Fjala është për një titull në një të përditshme, për të cilën është prononcuar dje se është totalisht i keqkuptuar me romanin e tij dhe se libri duhet lexuar si vepër letrare dhe jo i shkëputur në kontekst politik. Bashkim Shehu është nga të vetmit djem të ish-Bbllokut në kohën e regjimit që ka vuajtur pas vetëvrasjes së të atit, Mehmet Shehu, ish-kryeministri i diktaturës, konsideruar nga të përndjekurit me një kriminel të regjur. Shehu pas ’90-ës është larguar nga Shqipëria. Sot jeton në Spanjë, por udhëtimet në Shqipëri nuk i ka të pakta, shoqëruar gjithmonë me veprimtari letrare, pra me botime, ose në forume socio-politike ku shkojnë shoqëritë sot, kryesisht në ballafaqime mes Spanjës e Shqipërisë.
Përpos të tjerash është një nga përkthyesit më aktivë të letrave shqipe. Asgjë nuk e ka ngjyrosur jetën personale në lidhje me babain e tij, për shkak të një momenti vendimtar duke u distancuar nga krimet e të atit. Shkrimtarë e intelektualë në Shqipëri këtë ruajnë si memorie, si rrëfim, si mënyrë shembullore duke krijuar një shans integrimi të këtij shkrimtari në jetën publike e kulturore në vend.
I thamë të gjitha këto për një qëllim; dje ky shkrimtar është prekur nga një e përditshme duke e lidhur romanin e tij me babain, Mehmet Shehun, si dhe dijeninë për dosjet e Sigurimit. Sado që ky shkrimtar t’i jetë larguar me vite drite kësaj hije të zezë, pra të të atit, shoqëria jonë e ka të gjallë sindromën, jo si implikim, porse ajo që njihet si proces i hapjes së dosjeve në diktaturë krijon lidhjet: xhelati dhe viktima. Sigurisht që Shehu nuk ka asnjë lidhje. Por, ka provokuar me romanin. Ndërsa vetë shoqëria është provokuar me aktivitetin e tij publik, edhe si kurator i muzeut “Shtëpia e Gjetheve”, në të cilën Shehu ka një dorë të mirë organizimi mbi të, deri në citatin e zgjedhur prej tij, duke shkaktuar jo pak debate në rrjetet sociale. Megjithatë, në intervistën e mëposhtme për “Standard”, Shehu ndihet pak “i provokuar”, edhe pse nuk ka dashur ta quajë këtë si një spektakël politiko-pornografik. Ky është një rast kur “provokimi” letrar mund të shkaktojë edhe ndonjë bumerang të papritur. Sigurisht, edhe pse është rasti Shehu, modeli i pranimit të krimeve të të atit ka ende që nuk besojnë se dosjet nuk janë zhdukur. Shehu nuk di asgjë, romani i tij vetëm na ka provokuar drejt realitetit.
Zoti Shehu, a keni një dosje tuajën, personale?
Jo nuk kam dijeni nëse kam një dosje. Duhet të kem pasur dikur, por, tani nuk ka shumë rëndësi për mua.
Keni kuriozitet të shihni dosjen tuaj?
Jo nuk kam, kuriozitet, por nuk di asnjë gjë nga dosja ime.
A ka pasur babi juaj, ish-kryeministri në diktaturë, Mehmet Shehu, një arkiv, dokumentacion?
Nëse ka pasur arkiv, atë ja kanë marrë. Dokumentet që ka pasur ia kanë marrë njerëzit e regjimit, Sigurimi apo Komiteti Qendror.
Kur ia kanë marrë, në ç’moment?
Unë ju them që nuk e di, pasi ato nuk ishin gjëra shtëpie që të mund të bisedonte me mua.
Ku është bazuar romani juaj si proces apo procedurë për hapjen e dosjeve?
Libri është një fiksion, nuk është dokumentar. Nuk është shkruar duke u bazuar në arkiva.
A ka bazë reale romani juaj, si sugjeroni për misterin në hapjen e dosjeve?
Ky është një roman një trill.
Ju jeni shkrimtar, intelektual, besoj se keni një qëndrim politik se si duhet bërë një proces për hapjen e dosjeve të krimeve komuniste?
Qëndrimi im politik është: dosjet duhen hapur. Specialistët e fushës, njerëzit kompetentë duhen të merren me këto procedura.
Një nga diskutimet më të mëdha, të paktën në rrjetet sociale, është se emri i babait tuaj ende provokon dhe ndoshta ju implikon në këtë debat për hapjen e dosjeve?
Unë për çështjen e tim ati kam folur shumë herë. Pse duhet të më implikojë?!…
Për shkak se njerëzit akoma janë mjaft të ndjeshëm, pasi persekutorët vazhdojnë të jenë në poste shtetërore, nëpër këmbë?
Pse jam unë i implikuar? Sepse persekutorët janë atje? Unë kam qenë i persekutuar për vete.
Çfarë ju shtyn që të jeni aktiv, në këtë periudhë, kur është debati i dosjeve duke u përfshirë dhe në angazhim publik si kurator i muzeut “Shtëpia e Gjetheve”, si vendi i përgjimeve në kohën e diktaturës, e në të njëjtën kohë sillni romanin po mbi këtë çështje?
Është thjesht një rastësi. Librin e kam filluar qysh në 2013 dhe çështja e muzeut është shumë më vonë.
Si ta kuptojmë “bukuroshen e fjetur” në propozimin tuaj si kurator, një citim metaforik që ka ngjallur mjaft diskutime në rrjetet sociale?
Ajo është vënë për efekt kontrasti me atë çfarë kishte brenda. Atje nuk është ishte vendi që bëheshin vrasje. Atje ishte vendi ku bëhej dhe përgatitej regjimi. “Bukuroshja e fjetur” është simbolizuar shtëpia, ajo që ka qenë e fjetur ishte një tmerr, ku përgatiteshin përgjimet.
Nëse ju ftojnë në një debat politik për hapjen e dosjeve, a jeni i gatshëm për t’u angazhuar, përfshirë?
Nuk e di, akoma nuk më ka ftuar njeri. Mendimi është se nuk ka asnjë arsye që të pengojë hapjen e dosjeve. Por nuk pres se do të ketë ndonjë gjë të madhe nga dalja e të kaluarës. Nuk besoj te këto thëniet për katarsis…
Po thoni se politika po bën spektakël me çështjen e hapjes së dosjeve në kurriz të viktimave?
Nuk e di, shpresoj që jo.
A ka një zanafillë pse nisët të shkruanit këtë roman, mbi këtë lëndë?
Autori asnjëherë nuk e di. Më erdhi ideja, m’u duk e bukur nga ana letrare dhe nisa ta shkruaja.
I keni gjetur në jetë personazhet e tu?
Nuk jam nisur në asnjë rast nga ndonjë person konkret, thjesht janë trille personazhesh.
Keqkuptimi i Shehut: Libri im s’është pornografi politike!
Bashkim Shehu: “Për një autor është e vështirë që të flasë për veprën e vet, çfarë përmban dhe ta shpjegojë, aq më tepër është e vështirë për mua këtu, jo vetëm sepse e kam shkruar vetë se ç’kam pasur për të thënë i kam thënë e nuk ngelet gjë tjetër për të thënë, dhe aq më tepër pakësohet pas analizës së kritikëve. Por nga ana tjetër, nuk është e vështirë për autorin që të thotë se çfarë nuk është libri i tij. Këtu kam parasysh jo vetëm idenë Umberto Ecos te një ese e tij, mbi interpretimin se mund të ketë shumë, por sidomos kam parasysh rrethanën ku ndodhemi sot. Puna e të shkruarit nuk parashikohet, nga vera e 2013 më erdhi ideja dhe nisa ta shkruaj. Mund të them se është libri që më ka dhenë më shumë kënaqësi në të shkruar. Përfundimi i këtij romani përkon me shpalljen që do hapen dosjet, dhe botimi i tij përkon me diçka që do të kryhet në këtë ndërtesë, në një sallë, ku hyhet nga hyrja tjetër, kur javën e ardhshme do të diskutohet libri për hapjen e dosjeve.
Këtu ka një problem se, mund të lindin keqkuptime për ta marrë librin ashtu siç nuk është. Sepse mund të sjellë ngatërresa, ngatërrimi i fiksionit me realitetin. Dhe botimin e një vepre letrare ta bëjnë që të shihet si sensacion i ditës. Dhe vë re këto ditë, që është shkruar nëpër gazeta, shumë faqe nga ky roman, një shembull, një titull: Djali i Mehmet Shehut, roman për sigurimin e shtetit. Kjo mund të ketë keqkuptim, jo vetëm në lidhje me moshën. Duke vënë këtë titull lë të nënkuptohet te lexuesi se ky duhet të dijë gjëra për sigurimin e shtetit, dhe konteksti i romanit është ndryshe kur e lexon në libër, e ndryshe me një fragment të lexuar në një gazetë politike. Njerëzit mendojnë se është ngjarje reale, të zbulojmë si ngjarje sensacionale ku janë të prira disa gazeta. Dëshira ime është që lexuesi të ketë kënaqësinë duke e parë si krijimtari letrare dhe jo duke e parë si një reality show apo si pornografi politike”.