Paul Mason
– Ngjitja e Syrizas nuk mund të shpjegohet vetëm me krizën në eurozonë: një brezi të ri profesionistësh i kishte ardhur në majë të hundës me oligarkët që u shmangeshin taksave
– Impakti më “gërryes” i oligarkëve është mbi shtresat e shoqërisë që janë poshtë tyre. “Ja ku është filani”, i thonë grekët njëri-tjetrit, teksa të pasurit shkojnë e zënë vend në tavolinat e tyre në kafenetë më në modë. “Ai kontrollon fistekun në Parlament dhe ka dashnore filanen”. Është si një telenovelë, por e vërtetë, dhe shumë grekë janë të shastisur prej saj. Përgjatë tre zgjedhjeve të përgjithshme, arritjet e Syrizas kanë qenë politizimi i problemit të oligarkisë
Në selinë qendrore të Syrizas, tymi i cigares shtillet në ajër dhe merr forma. Nëse këto forma do të mund të pasqyronin imazhet në mendjet e atyre të përkulurve mbi filxhanët e kafesë, me siguri do të ishin fytyrat e Che Guevarës, apo Aris Velouchiotisit, luftëtari grek i rezistencës në Luftën e Dytë Botërore. Këta janë veteranë majtistë që prisnin ta mbyllnin jetën si profesorë lëndësh ezoterike, si për shembull ekonomia e zhvillimit, ligji për të drejtat e njeriut dhe kush vrau kë gjatë luftës civile. Por tani, janë në prag të marrjes së pushtetit.
Kafeneja ofron vetëm kafe të zezë dhe gjevrekë të fortë, bashkë me mundësinë për t’u sëmurur prej kancerit në mushkëri. Por pas votimit, të pranishmit mu dukën plot vetëbesim, në mos të mahnitur.
Megjithatë, selia qendrore e Syrizas nuk është vendi ku mund të mësosh shumë për radikalizimin. Fakti që një parti me një “komitet qendror” iu afrua pushtetit, nuk ka aspak të bëjë me një kthesë të papritur drejt marksizmit në psikikën e grekëve. Ajo është në të vërtetë dëshmi e tri gjërave: kriza strategjike e eurozonës, vendosmëria e elitës greke për t’u kapur fort pas korrupsionit sistemik, dhe një mënyrë e re të menduari mes të rinjve.
Nga këto, kriza e Eurozonës është më e lehta për t’u kuptuar – sepse pasojat e saj mund të lexohen kollaj në shifrat makroekonomike. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi se Greqia do të kishte rritje ekonomike, si rezultat i paketës së ndihmës së vitit 2010. Por, ekonomia është tkurrur me 25% që atëherë. Pagat janë ulur me po të njëjtën sasi. Papunësia mes të rinjve është 60% – dhe kjo, mes atyre që vazhdojnë të rrinë në vend.
Kështu që, kolapsi ekonomi – që i hidhëron të gjithë grekët, majtas dhe djathtas – nuk shihet thjeshtë si kolaps material. Ai demonstroi miopinë e plotë mes elitës politikëbërëse evropiane. Në të gjithë dramën dhe komedinë, nuk ka figurë më qesharake, se sa një i pasur që nuk di se çfarë po bën. Gjatë katër viteve të fundit trojka – Komisioni Evropian, FMN dhe Banka Qendrore Evropiane – u ka ofruar grekëve pikërisht një spektakël të tillë.
Sa për oligarkët grekë, keqqeverisja e tyre është shumë më e hershme se sa kriza. Këta nuk janë vetëm manjatët e famshëm të transportit detar, industria e të cilëve nuk paguan taksa, por edhe bosët e grupeve të energjisë dhe ndërtimit, si edhe klubeve të futbollit. Një ekonomist i shquar grek më tha javën që kaloi: “Këta ia kanë dalë të shmangin taksat në kohën e diktaturës së Metaksait, pushtimit nazist, një lufte civile dhe një junte ushtarake”. Kështu që, ata nuk kishin ndërmend të paguanin taksa kur trojka nisi t’i kërkojë Greqisë regjistrat e bilanceve pas vitit 2010, gjë që përbën arsyen përse barra ra mbi ata grekë të mbërthyer në sistemin PAYE – një forcë punëtore prej 3.5 milionësh që gjatë krizës u tkurr në 2.5 milionë.
Oligarkët lejuan që shteti grek të shndërrohej në një fushëbetejë interesash që binin ndesh mes tyre. Yinnis Palaiologos, një gazetar grek, shkruante në një libër të fundit mbi krizën: “Ka një papërgjegjshmëri që vazhdon, një ndjesi që kontrollin nuk e ka askush, që askush nuk është i gatshëm apo në gjendje të veprojë si mbrojtës i të mirës së përbashkët”.
Por impakti i tyre më “gërryes” është mbi shtresat e shoqërisë që janë poshtë tyre. “Ja ku është filani”, i thonë grekët njëri-tjetrit, teksa të pasurit shkojnë e zënë vend në tavolinat e tyre në kafenetë më në modë. “Ai kontrollon fistekun në Parlament dhe ka dashnore filanen”. Është si një telenovelë, por e vërtetë, dhe shumë grekë janë të shastisur prej saj.
Përgjatë tre zgjedhjeve të përgjithshme, arritjet e Syrizas kanë qenë politizimi i problemit të oligarkisë. Fjala greke për të është “të kokolepsurit” – dhe ata ishin, mbi të gjitha, të kokolepsur në duopolin politik centrist. Për arsye se Syriza nuk u ka borxh asgjë, udhëheqësi i saj, Alexis Tsipras, ishte në gjendje që t’i jepte fuqi retorike si korrupsionit, ashtu edhe evazionit fiskal – dhe kjo gjeti një jehonë të fortë sidomos mes të rinjve.
Përse? Në një ekonomi tregu funksionale, çifti klasik në një restorant të modës janë të rinj dhe në moshë të përafërt mes tyre. Në udhëtimet e mi gjatë eurokrizës – nga Dublini në Athinë – kam vërejtur se çifti klasik në një ekonomi jofunksionale është një burrë flokëthinjur me një vajzë njëzetë e ca vjeçare. Dhe gjithçka shndërrohet në një histori burrash të moshuar me pushtet oligarkik që kapardisen në mënyrë të paturpshme.
Të rinjtë ndihen të uzurpuar kur oligarkia, korrupsioni dhe politika e elitave mbyt meritokracinë. Shfaqja e papritur e partive të vogla centriste të udhëhequra nga profesionistë të rinj dhe karizmatikë në Greqi, është një dëshmi se këtij brezi i ka ardhur në majë të hundës. Por, kur këta po bëheshin gati, Tsiprasi kishte mbërritur tashmë.
Nga jashtë, Greqia duket si një negativ gjigant: por poshtë rritjes së të majtës së re radikale ka një shfaqje të vlerave të reja pozitive – mes një shtrese të rinjsh, e cila është shumë më e gjerë se baza e mbështetësve të Syrizas. Këto janë vlerat klasike të brezit të rrjetëzuar: pavarësia, krijueshmëria, gatishmëria për ta trajtuar jetën si një eksperiment social, një këndvështrim global.
Kur Agimi i Artë u shfaq si një forcë e frikshme neonaziste me një mbështetje që në një moment arriti 14%, ajo që e befasoi rininë e rrjetëzuar ishte se sa shumë e ndihmoi këtë forcë elita politike. Njerëz që kishin lexuar historinë mund të shihnin Veimarin që u shfaqej para syve: nazistë të gënjyer që përkraheshin prej biznesmenëve që donin rend.
Kam raportuar për krizën në Greqi që kur kjo nisi. Ja se çfarë ndryshoi në 2015-ën: Syriza e kishte fituar tashmë mbështetjen e afro 25% të votuesve për çështjet e Evropës dhe ekonomisë. Por tani, një tjetër pjesë e elektoratit grek, mbi të gjitha të rinjtë, po sinjalizojnë se u ka ardhur në majë të hundës me korrupsionin dhe elitat.
Ndonëse rast i veçantë, Greqia ka qenë njëkohësisht një shembull domethënës: ja çfarë ndodh kur dështon kapitalizmi modern. Sepse kudo ka burokratë të paaftë dhe elita të korruptuara: vetëm trilionët e dollarëve të krijuar dhe hedhur në ekonomitë e vendeve të tyre kanë mundur që t’i mbrojnë ata prej vëzhgimit që i ka shoqëruar në Greqi.
Jemi përballë dy viteve pasigurish elektorale në Evropë, teksa e majta ekstreme ose e djathta ekstreme tashmë kërkojnë pushtetin në Spanjë, Francë dhe Holandë. Disa po thonë se “ky është fundi i neoliberalizmit”. Nuk jam i sigurt për këtë. E vetmja gjë e sigurtë është se Greqia tregon si mund të përfundojë.
/The Guardian/