Jurges Veizaj
Ish-legjenda portugeze dhe e Realit të Madridit ka thënë se institucioni më i lartë i futbollit është shumë i paragjykuar nga akuzat për korrupsion e skandal dhe kjo duhet të ndryshojë
Presidenca e FIFA-s është edhe posti më i rëndësishëm i futbollit. Një karrige e cila ka vite që drejtohet nga Sep Blateri. Pa kandidat, zvicerani duket se gjatë këtyre viteve ka qenë i pamposhtur, kjo pavarësisht edhe nga akuzat që janë lëshuar në drejtim të tij. Por në zgjedhjet e tjera, drejtuesi i FIFA-s do të ketë një figurë të rëndësishme të futbollit. Bëhet fjalë për Luis Figon. Ish-futbollisti i kombëtares portugeze dhe i Realit të Madridit ka zbuluar vendimin për të garuar për postin e presidentit të FIFA-s gjatë zgjedhjeve të këtij viti, ndërsa synon ta heqë nga froni liderin aktual. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është sot, e enjte, me Figon që zotohet se tashmë ka siguruar mbështetjen e pesë asociacioneve të nevojshme. “Unë shqetësohem për futbollin, andaj ajo çfarë shoh sa i takon imazhit të FIFA-s, jo vetëm tani, por në vitet e kaluara, nuk më ka pëlqyer”, – ka thënë Figo për “CNN”, transmeton “Telegrafi”. “Nëse ju kërkoni FIFA në internet, fjalën e parë që shihni është: skandal, jo fjalë pozitive. Kjo është ajo të cilën duhet ta ndryshojmë të parën dhe të përpiqemi të përmirësojmë imazhin e FIFA-s. Futbolli meriton shumë më mirë se kaq. Unë kam biseduar me shumë njerëz të rëndësishëm në futboll, lojtarë, menaxherë, presidentë të federatave dhe të gjithë mendojmë se kjo është diçka që duhet bërë. Vitin e kaluar ishte Botërori, unë isha në Brazil dhe pashë reagim nga fansat sa i takon imazhit të FIFA-s dhe mendoj se diçka duhet të ndryshojë. Ndryshim në lidership, qeverisje, transparencë dhe solidaritet, andaj mendoj se është momenti për këtë”, – ka thënë portugezi. Pak kohë më parë, edhe vetë Sep Blater e pranoi se nevojitet shumë punë për të rikthyer besueshmërinë në institucionin e FIFA-s pas akuzave për skandalin korruptiv për caktimin e Botërorëve 2018 dhe 2022. Skandalet me ryshfetet dhe më pas problemet në ndërtimin e stadiumeve apo punëtorët që kanë humbur jetën gjatë këtyre ndërtimeve janë mjaft shqetësuese dhe shtojnë gjithmonë edhe më shumë zërat kundër zhvillimit në dimër. Pak kohë më parë, kreu i zyrës së hetimit në Komitetin e Etikës, Mikael Garsia, u largua nga kjo detyrë për shkak të konfliktit me drejtuesit më të lartë për raportin përfundimtar në lidhje me këtë çështje. FIFA bëri me dije se shumë shpejt do ta publikojë raportin që synon të pastrojë imazhin e institucionit. “Opinioni publik është shumë i rëndësishëm sepse futbolli është një lojë shumë popullore në botë. Prandaj në këndvështrimin tim është jetike që të restaurojmë besimin që njerëzit kanë ndaj FIFA-s”. Një qëndrim me nota më të ulëta nga kreu i FIFA-s, Sep Blater, i cili nuk ka pranuar të ndryshojë destinacionin e Botërorit 2022, pavarësisht se në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ka pasur influenca me ngjyrim korruptiv për t’ia caktuar Katarit të drejtën e organizimit. “Kam bërë disa rekomandime për të cilat kanë rënë dakord të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Të paktën për një herë të vetme jemi shfaqur në union, sepse të gjithë ishin dakord për publikimin e raportit, në mënyrë që t’u japim fund zërave që lidhen me këtë çështje”. Mandati i presidentit aktual të FIFA-s, Sep Blater, skadon në vitin 2015 por sipas të gjitha gjasave, ai do të kërkojë një tjetër 4 vjeçar në krye të institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.
FIFA: Rriten transferimet e futbollistëve, 4.09 miliardë dollarë të shpenzuar
Raporti i FIFA-s për tregun e transferimeve për vitin 2014 tregon se ai është rritur për 2.9 për qind krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar janë realizuar 13 090 transferime nga 12 718 sa kishte në vitin 2013. Shuma e plotë e deklaruar e transferimeve është rritur për 2.1 për qind, 4.06 miliardë dollarë (krahasuar me 3.98 miliardë një vit më parë. Kjo është hera e parë që shuma e transferimeve gjatë një viti kaluar shifrën e 4 miliardë dollarëve, thuhet në raportin e publikuar nga FIFA. Brazili, numerikisht, ishte vendi më aktiv në treg, duke realizuar 646 transferime brenda (blerje) dhe 689 transferime jashtë shitje. Anglia ka qenë vendi që ka harxhuar më së shumti në shumat e transferimeve në vitin 2014, plot 1.17 miliardë dollarë, e ndjekur nga Spanja me 667 milionë dollarë. Mosha mesatare e lojtarëve të transferuar gjatë vitit të kaluar ishte 25 vjet e gjashtë muaj.
Bejl: Nuk shikoj Mançester Junajtidin, mendoj për Realin
Uellsiani i Realit të Madridit, Gareth Bejl, ka deklaruar se ai nuk mund ta paramendojë veten te Mançester Junajtid. Bejl ka insistuar për mediat pas spekulimeve se ai nuk do të kalojë te Junajtid. “Unë nuk mund ta paramendoj veten te Mançester Junajtid. Në një intervistë të fundit ata më kanë pyetur nëse jam i pakënaqur te Reali. Unë kam edhe disa vite kontratë të mbetura në kontratën time. Ne po fitojmë trofe, dhe unë dua që të bëj atë që bëj këtu në Madrid”, – u shpreh Bejl.
Sadiku, gati për t’u rikthyer te Shqipëria
Mbrojtësi kosovar, Loret Sadiku, i ka dhënë një “jo” tjetër përfaqësueses së Suedisë. Anëtari i skuadrës turke Mersinspor u kërkua nga suedezët, por babai i lojtarit ka konfirmuar se janë në pritje të Shqipërisë. I ati i Loretit ka thënë se janë në pritje të një ftese nga trajneri Xhani de Biazi për të luajtur me fanellën kuqezi, edhe pse lojtari një vit më parë u largua nga kombëtarja shqiptare. Kujtojmë që Sadiku është grumbulluar në një ndeshje për Shqipërinë para se të pranonte të luante për përfaqësuesen e Kosovës.
Rodrigez: Në formë, falë Ronaldos
Talenti kolumbian i Realit të Madridit, Xhejms Rodrigez, thotë se forma e lartë e tij në sezonin e parë te klubi “mbretëror” vjen, për shkak të përkrahjes së Ronaldos. Kolumbiani ka lëvduar portugezin, duke thënë se ai e ka mbështetur. “Përkrahja e tij ka qenë e rëndësishme. Ai ka qenë një ndihmesë e madhe për mua dhe kjo është me rëndësi. Ai është i shkëlqyer, si në fushë si jashtë saj. Një djalë i mirë, që është modest dhe që e meriton Topin e Artë. Unë jam në ekipin më të mirë në botë dhe dua që të qëndroj këtu për shumë vite në vijim. Dua të ndihmoj ekipin që të fitojë tituj. Natyrisht që do të doja të fitojë Ligën e Kampionëve dhe do të dëshiroja që kjo të ndodhte këtë vit”, – u shpreh Xhejms.
Arsenali nënshkruan me Gabrielin
Arsenali ka konfirmuar transferimin e mbrojtësit brazilian Gabriel nga Vilareali, që do ta shohë të lëvizur në drejtim të kundërt Xhoel Kempbëllin te Vilareali në formë huazimi. Gabriel është përforcimi i radhës i Arsen Vengerit, pasi ka kohë që po kërkonte një qendërmbrojtës. Nga ana tjetër, Vilareali nga kjo marrëveshje përfiton shërbimet në huazim të Xhoel Kempbëllit. Vetë Gabriel u shpreh i kënaqur pas transferimit, duke thënë se atij i është realizuar ëndrra që kaloi te Arsenali. “Erdha te një klub i madh, me histori të madhe. Tifozët janë fantastikë. Është një ëndërr e bërë realitet për mua”, – u shpreh Gabriel.
Fabregas: Murinjo dhe Guardiola, të ngjashëm
Mesfushori i Çelsit, Çesk Fabregas, ka deklaruar se Hoze Murinjo dhe Pep Guardiola janë shumë më të ngjashëm sesa besojnë njerëzit. Çesk luajti nën urdhrat e Guardiolës te Barça, ndërsa po shijon formën më të mirë të karrierës nën drejtimin e Murinjos te Çelsi. “Nuk duhet të jeni aq të sigurt se ata janë të ndryshëm. Mendoj se ata kanë të përbashkët një gjë shumë të rëndësishme: ata janë fitues. Ata të dy urrejnë të humbin. Ata janë më të ngjashëm sesa mendojmë shumë njerëz. Murinjo kërkon të luajë futboll atraktiv. Ky ekip i Çelsit nuk qëndron në mbrojtje: ne jemi sulmues dhe kërkojmë topin. Të dy janë fitues dhe të dy pëlqejnë futbollin tërheqës, edhe pse metodat e tyre të punës nuk janë saktësisht të njëjta, ata kanë mënyra të ndryshme se si i bëjë gjërat”, – ka thënë spanjolli.
Ronaldo pezullohet me dy ndeshje
Edhe pse u tregua arrogant i madh në takim ndaj Kordobës, duke grushtuar, në fund Ronaldo shpëtoi lehtë. Tre herë fituesi i Topit të Artë, Kristiano Ronaldo, ka marrë dënim të lehtë nga Federata e Futbollit në Spanjë. Ylli i Realit të Madridit për shqelmin që i dha lojtarit të Kordobës, Edimar, u ndëshkua me kartonin e kuq, ndërkaq do të vuajë vetëm dy ndeshje pezullim. Ai do të mungojë ndaj Real Sociedadit dhe Seviljes. Ky është një dënim i lehtë për portugezin, pasi lojtarët që janë sjellë më parë si Ronaldo janë dënuar me katër e më shumë ndeshje
Mustafi: Nder të luaj në La Liga
Mbrojtësi i Valencias, Shkodran Mustafi, thotë se është “nder” të luajë në La Liga, pas shtatë muajsh në “Mestaja”. Shqiptari, i cili fitoi Kupën e botës me Gjermaninë gjatë verës, ka qenë një lojtar kyç te Valencia këtë sezon, duke ndërtuar një partneritet të fuqishëm me Nikolas Otamendin në qendër të mbrojtjes. “Nuk kam menduar se niveli i La Liga do të jetë kaq i lartë”, – ka thënë Mustafi për mediat spanjolle. “Është nder për lojtarët e rinj, si unë, të luajnë në këtë ligë. Çdo ekip ka lojtarë të shkëlqyeshëm. Më e rëndësishme është që trajneri më beson mua të luaj në një sistem ose në një tjetër. Trajneri vendos kush luan dhe kush jo, dhe lojtarët duhet t’i përshtaten asaj çfarë kërkon ai nga ta në çdo ndeshje”, – ka thënë kosovari me pasaportë gjermane.
Olayinka pezullohet me 4 muaj
Probleme për Skënderbeun dhe për Olayinka. Kjo pasi lojtari ka nënshkruar dy kontrata njëherësh me klubin e Bylisit dhe Kukësit, diçka që rregullorja e ndalon rreptësisht. Nga vendimi i Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, si edhe nga aktet e paraqitura për shqyrtim rezulton se në date 28.1.2012, KF Bylis dhe lojtari Peter Oladeji Olayinka, kanë lidhur kontratë për aktivizimin e këtij lojtari në radhët e KF Bylisit. Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve e ka konsideruar të vlefshme dhe me fuqi detyruese juridike këtë kontratë, siç kuptohet edhe nga arsyetimi i vendimit të saj datë 13.9.2014. Po ashtu rezulton e provuar se lojtari Peter Oladeji Olayinka, ka lidhur një kontratë me datë 18.8.2014, me KF Kukësi, për aktivizimin e tij me KF Kukësi. Ky fakt provohet nga vetë kontrata, por edhe nga përfundimet e arritura nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Konflikteve në vendimin e saj të datës 13.9.2014. Komisioni i Apelit vlerëson se lojtari Peter Olayinka, ka konsumuar shkeljen e parashikuar nga neni 18/5, në referim edhe të nenit 17/3, dhe duhet për këtë shkak t’i nënshtrohet sanksioneve të parashikuara aty. Pra në bazë të këtyre provave ky komision ka marrë vendimin për ta pezulluar 4 muaj nga aktiviteti sulmuesin Nigerian, një dënim që në rrethana rënduese mund të shkoj deri në 6 muaj. Praktikisht kjo do të thotë se ky sezon ka përfunduar për 19-vjeçarin i cili gjatë këtij sezoni ka qenë pika e referimit në sulmin e skuadrës korçare, dhe në një moment kur Skënderbeu po lufton për të triumfuar për të 5-ën herë radhazi në Kategorinë Superiore, ky vendim i apelit është një grusht i fortë që i jepet ambicieve të kampionëve të Shqipërisë.