Alma Çuka
Mimi Kodheli kishte kërkuar kundërshtimin e vendimit të pushimit të Prokurorisë së Përgjithshme për mosfillimin e hetimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami
Ministria e Mbrojtjes Mimi Kodheli “rrëzohet” për herë të dytë pas vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme të korrikut të vitit të kaluar, e cila pushoi hetimin ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Këtë radhë, Kodheli është kundërshtuar me vendim Gjykate. Në datë 23 janar të këtij viti, gjyqtarja Enkelejda Hajro ka pushuar çështjen. Ndërkohë, në vendim thuhet se kërkesa për pushim është kërkuar nga vetë titullarët e këtij institucioni. Kërkesa u regjistrua në Gjykatë menjëherë pas vendimit të Prokurorisë për pushimin e çështjes. Në vendim nuk jepen detaje lidhur me pretendimin e palës paditëse për tërheqjen, por argumentohet vetëm fakti se ajo është firmosur nga titullarët e institucionit. Imami u kallëzua penalisht për abuzime 1 mln euro nga Kodheli në Prokurori. Prokuroria pushoi hetimet, pasi s’kishte vepër penale. Në dhjetor 2014, Ministria e Mbrojtjes bëri padi në Gjykatë, ku kërkonte rihetimin e çështjes dhe se Gjykata të urdhëronte Prokurorinë. Por, procesi nuk zgjati shumë. Pas dy-tri seancash, Ministria e Mbrojtjes është tërhequr pas një kërkese të sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.
Vendimi
Vendimi mban datën 23 janar 2015 dhe numër regjistri themeltar 106. Ndërkohë, thuhet se Ministria e Mbrojtjes ka paraqitur në Gjykata kërkesën në datë 15 dhjetor, ku kërkohej kundërshtim i vendimit të prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për “Mosfillimin e procedimit penal me nr. 7387 e vitit 2014”. Ky vendim penal me këtë numër, sipas burimeve të organit të akuzës, s’i përket ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, kallëzuar penalisht për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Argumentimi i vendimit
Ministria e Mbrojtjes e përfaqësuar nga sekretari i Përgjithshëm Arian Kraja, në cilësinë e kërkuesit i është drejtuar Gjykatës me ankim kundër vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 11.7.2014 për “Mosfillimin e procedimit penal me nr. 7387 e vitit 2014”. Në seancën gjyqësore të datës 23.1.2015, kërkuesi Ministria e Mbrojtjes ka depozituar një kërkesë të firmosur rregullisht nga Sekretari i Përgjithshëm Arian Kraja ku është deklaruar se Ministria e Mbrojtjes heq dorë nga gjykimi i kësaj kërkese në bazë të nenit 286 të K. Pr. Penale i cili parashikon se tërheqja e ankimit bëhet personalisht ose nëpërmjet përfaqësuesit me deklaratë të paraqitur në organin që procedon. Tërheqja e ankimit mund të bëhet në çdo fazë të procedimit, “gjersa vendimi i Gjykatës nuk ka marrë formën e prerë”.
Duke qenë në këto rrethana, Gjykata konstaton se shqyrtimi i kësaj çështjeje nuk mund të vazhdojë dhe gjykimi duhet pushuar. Gjykata është vënë në lëvizje me kërkesën e kërkuesit, i cili është tërhequr nga gjykimi i kësaj çështjeje. Në fund gjykata shprehet se të gjitha shpenzimet gjyqësore deri në këtë fazë të hetimit i ngarkohen palës paditëse.
Kallëzimi
Arben Imami u kallëzua nga ministrja aktuale e Mbrojtjes për shpërdorim detyre. Ndaj tij u ngritën dyshime se kishte abuzuar me detyrën në lidhje me prodhimin e tri spoteve televizive dhe tri dokumenteve si dhe transmetimin e tyre ne dy media kombëtare. Në kallëzim thuhet se ish-ministri i Mbrojtjes s’ka kryer veprime që binin në kundërshtim me ligjin. Por akuza nga ana e saj gjatë fazës së hetimit konkludoi se në kallëzim nuk kishte vepër penale dhe për këtë arsye çështja u pushua. Pas këtij veprimi ministrja Mimi Kodheli zhvilloi edhe një takim me kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke i kërkuar atij me çdo kusht deklarimin fajtor të Arben Imamit, e bindur në fajësinë e tij. Por në këto kushte nuk dihet arsyeja e tërheqjes së Kodhelit, ndërsa kishte kërkuar disa herë dënimin e tij. Fatin e ish-ministrit të Mbrojtjes pritet ta ketë edhe ish-ministri i Financave Ridvan Bode, i kallëzuar pranë organit të Prokurorisë nga ministri aktual Shkëlqim Cani.
Durrës/ Grabitet një lokal, policia në kërkim të autorëve
Një lokal në qytetin e Durrësit është vjedhur në orët e vona të mbrëmjes së dy netëve më parë, nga një person i maskuar me kokore. Burime nga polica bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në lokalin “Troja”, në lagjen 13 të qytetit bregdetar. Në kohën e grabitjes, në lokal ndodhej 27-vjeçari E. M., me detyrë kamerier, të cilit personi i maskuar i ka marrë me dhunë shumën prej 40 mijë lekësh. Lokali është në pronësi të një 38 vjeçari me inicialet K. K. Sipas dëshmisë së kamerierit, personi i maskuar me kokore ka hyrë në lokal dhe pasi i ka marrë me dhunë paratë, është larguar bashkë me një person tjetër me kokore, me një motor “Yamaha Model T-MAX”, pa targa, që e priste jashtë. Fatmirësisht, nuk ka pasur persona të lënduar. Policia bën me dije se po punohet për identifikimin e kapjen e autorëve, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.
Fier/ Dyshohet se grabitën 2500 litra naftë, procedohen tre persona përgjegjës
Tre persona janë arrestuar në qytetin e Fierit, pasi dyshohet se kanë vjedhur rreth 2500 litra naftë. Burime nga policia e këtij qyteti konfirmuan se në kuadër të operacionit të koduar “Red Oil” janë arrestuar në flagrancë 53-vjeçari Agron Prifti e 44-vjeçari Artan Koni, të dy banues në Marinëz, si dhe 51-vjeçari Vasil Bërdila, banues në Çeligrad. Arrestimi i të sipërpërmendurve u bë pasi rreth orës 12.00, në Marinëz, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur rreth 2500 litra naftë, pronë të kompanisë “Bankers”.Tre personat e arrestuar punonin si roje në këtë kompani. Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë nën akuzën “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Kuptimi bashkëpunimit”.