Gara për presidencën e FIFA-s/ Sep Blater, bosi i akuzuar i futbollit, që rrezikon të “fundoset” nga Luis Figo

0
153

Sep Blater duket se është presidenti i fifaNjeriu që drejton institucionin më të rëndësishëm të futbollit, gjithmonë ka qenë një figurë që ka prodhuar lajm me akuzat e bëra ndaj tij, ndërsa tashmë në garë për postin e presidentit është futur edhe Luis Figo

FIFA dhe vendimet më të rëndësishme të futbollit në këto dy dekada kanë qenë në duart e një personi. Sep Blater duket se është presidenti i padiskutueshëm i institucionit më të rëndësishëm botëror. Vendimet e turneut të botërorit kanë po edhe problematikat dhe akuzat e shumta e kanë bërë një ndër personazhet më të diskutuar të historisë së futbollit. Zvicerani Blater u zgjodh në krye të FIFA-s në vitin 1998, duke u rizgjedhur edhe tri herë të tjera në krye të institucionit më të lartë të futbollit. Përgjatë 16 vitesh rrugëtimi i Blaterit nuk ka qenë i lehtë, pasi ai shpeshherë është përballur me akuza të rënda për korrupsion. Përzgjedhja e Katarit si vend ku do të organizohet Kupa e Botës e vitit 2022, është konsideruar tashmë si një gabim i madh i FIFA-s dhe mjaft personalitete të botës së futbollit janë kthyer kundër Blaterit për zgjedhjen e kryer. FIFA ka nisur një hetim për të vërtetuar ose jo akuzat për korrupsion në blerjen e votave për t’i dhënë Katarit të drejtën e organizimit të Botërorit. Megjithatë, shanset që Sep Blater të sigurojë një mandat të pestë si kreu i FIFA-s në zgjedhjet që do të mbahen vitin tjetër janë shumë të vogla. Blater është përballur me deklarata të zemëruara nga liderët e futbollit evropian, për t’u tërhequr në kongresin e FIFA-s në Brazil. Në lidhje me këtë situatë Blater ka thënë: “Ishte gjëja më fyese që kam përjetuar në gjithë jetën time”. Kur Platini u pyet se përse ai ka zgjedhur të mos mbështesë Blaterin, ai është përgjigjur: “Në 2011-ën ai ka deklaruar se ky do të ishte mandati i tij i fundit në krye të FIFA-s”. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, deklaroi se institucioni që ai drejton nuk ndodhet në krizë, pavarësisht dëmtimit të imazhit të tij nga akuzat për korrupsion të hedhura së fundmi ndaj tij dhe në prag të zgjedhjeve për kreun e federatës botërore të futbollit. “Futbolli nuk është në krizë. Ndodhemi vetëm përballë disa vështirësive”, – tha Blater. Më tej, kreu i FIFA-s komentoi edhe sugjerimin e qeverisë britanike, e cila më herët kërkoi pezullimin e zgjedhjeve për president të FIFA-s përderisa Blater ishte i vetmi kandidat. “Nëse qeveritë përpiqen të ndërhyjnë në futboll, kjo është shqetësuese. Unë mendoj se FIFA është një organizëm i fortë që mund të përballojë me strukturat e saj të gjitha problemet që has”, – tha Blater.

 

Shitja e të drejtave televizive

Shitja e të drejtave televizive është edhe një ndër akuzat në adresë të Blaterit. Një gjë të tillë e ka komunikuar Xhek Uorner, ish-zv.presidenti shumë i diskutuar i FIFA-s, ish-aleat i Blaterit dhe ish-sekretar i CONCACAF (Federata e Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore dhe Karaibet), vend nga i cili ai hoqi dorë prej pak kohësh. Uorner ka denoncuar se ka marrë në vitin 1998, si dhuratë, sepse ka ndihmuar Blaterin të fitojë zgjedhjet e tij të para presidenciale, të drejtat televizive në Amerikën Qendrore, Botërorin “Francë ‘98” me çmimin simbolik 1 dollar amerikan.

 

Gabimet e arbitrave në Korenë e Jugut

Mikpritësi në këtë kampionat dhe befasia, Korea e Jugut, arriti deri në gjysmëfinale kundër Gjermanisë, e cila e kaloi me lehtësi aziatikët. Koreanojugorët, që mundën në çerekfinale Italinë, në vend të përgatitjeve të relaksuara për ndeshjen me gjermanët, u përballën me akuzat për korrupsion. Thashethemet patën shkuar aq larg, sa po t’u besohet italianëve, Kupa e Botës tashmë u ishte ndarë koreanëve. Apo, sikur u besua thashethemet se ekipi i Koresë së Jugut arriti të kualifikohej deri në atë fazë falë përdorimit të drogave. Por koreanët i hodhën poshtë të gjitha teoritë e konspiracionit dhe vazhduan përgatitjet e tyre për ndeshjen që do të ishte jetike për ta. Dhe ndarja e drejtësisë si gjithherë është pjesa më e vështirë e gjithë kampionatit. Të gjithë kanë kritika, ankesa, sharje për gjyqtarët që, siç tha njeriu i parë i FIFA-s, Sep Blater, duke u shprehur “megjithatë janë njerëz”. Por FIFA pranoi se kishte pasur gabime të mëdha të gjyqtarëve në këtë Kampionat. Presidenti Blater, i cili kritikoi publikisht standardet e gjyqtarëve anësorë, kërkoi në atë kohë që të rishikohej përzgjedhja e çdo zyrtari në ndeshje. “Gjyqtarët janë njerëz dhe gabimet asnjëherë nuk mund të eliminohen”, – deklaroi në atë kohë zëdhënësi i tij. Kryetari i Federatës Spanjole të Futbollit, Angel Maria Vilar, dha dorëheqjen nga komisioni i gjyqtarëve të FIFA-s dhe shkroi një ankesë formale, duke vlerësuar se dëmi që iu shkaktua ekipit të tij ishte i rëndë. “Dëmi është bërë, por ne duam që të sigurojmë se gabime të tilla nuk do të ndodhin në të ardhmen”, – tha Vilar. FIFA ndërkaq hodhi poshtë shumë shpejt akuzat për favorizim të ekipit mikpritës të Koresë Jugore. Gjyqtari skocez Hug Dallas shtoi se “nuk është e vërtetë se dikush nga FIFA ka biseduar me arbitrat dhe t’i ketë nxitur që të ndihmojnë ekipet mikpritëse, Korenë Jugore dhe Japoninë”.

 

Katari, një gabim “njerëzor”

Presidenti i FIFA-s, Josef Blater, u shpreh se ishte i vetëdijshëm se besimi i organizimit të Kampionatit Botëror të Futbollit 2022 në Katar ishte një gabim, duke rihapur një polemikë që nuk resht së zgjeruari mbi kushtet e zhvillimit të kompeticionit në Emiratet e Bashkuara. Tetë vite nga fillimi i garës dhe rreth disa javë nga hapja e Kampionatit të Botërorit në Brazil, debati mori një rrjedhë negative për sa i përket organizimit të garës në Katar, ku temperaturat arrijnë në periudhën e verës nga 40-50 gradë celsius. “Po sigurisht”, – pohoi ai gabimin që ishte bërë për zgjedhjen e këtij vendi të pasur. “Siç e dini, mund të kryejmë shumë gabime gjatë jetës”, – tha ai. “Raporti teknik i Katarit vlerësonte se bënte shumë nxehtë në verë, por Komiteti Ekzekutiv (FIFA) me një shumicë të konsiderueshme vendosi që mund të shkojmë të luajmë në Katar”, – shtoi ai. Uorner publikoi një email nga sekretari i Përgjithshëm Zherom Valcke, ku ky i fundit thotë se Bin Hamam nuk do të mund të blejë FIFA-n siç bleu kupën e botës 2022 për Katarin. Ky zhvillim i hapi të plota dyert e spekulimeve mbi korrupsionin tek FIFA. Mirëpo Blater nuk pranoi asgjë: “Krizë? S’ka krizë”, – ishte një nga përgjigjet e tij. Dhe për sa i përket Kupës së 2022-shit në Katar, Blater ishte i prerë: nuk do të ketë hetim apo ndryshim vendimi. Mirëpo media s’ka për ta lënë rehat. Kjo bëri që një grupim me emrin “changeFIFA” të bënte fushatë ndaj federatave kombëtare që të kërkojnë rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë së FIFA-s.

 

Favorizimi i Mesit dhe falja ndaj Ronaldos

Ylli i Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, e ka akuzuar Sep Blaterin për favorizim institucional, pasi presidenti i FIFA-s ka thënë haptazi se e preferon Lionel Mesin para portugezit. Në një debat në Oxford Union, duke iu referuar Ronaldos, 77-vjeçari tha se “dikush kalon më shumë kohë te stilistët e flokëve”, duke shtuar më pas se e preferonte argjentinasin, të cilin e ka përshkruar si “një njeri i këndshëm dhe djalë të mirë”. Komentet e Blaterit bëbë që Reali i Madridit t’i shkruajë FIFA-s që ta nxiste presidentin të kërkonte falje ndaj CR7-ës, ndërsa reagoi edhe vetë lojtari. “Kjo video tregon respektin dhe konsideratën që ka FIFA për mua, klubin tim dhe vendin tim. Gjithçka është sqaruar tani. I uroj z. Blater shëndet dhe jetë të gjatë, me shpresën që do të vazhdojë të jetë dëshmitar i sukseseve të ekipeve dhe lojtarëve të tij të favorizuar”, – pati shkruar Ronaldo në “Twitter” dhe “Facebook”, krahas publikimit të videos në të cilën shfaqej Blateri, duke bërë shaka në dëm të tij. Por ka reaguar menjëherë dhe presidenti i FIFA-s, i cili u detyrua të bënte një hap pas dhe t’i dërgonte një letër presidentit të Realit, Perez, ku veç sqarimit, kërkonte edhe falje për komentet e tij në Universitetin e Oksfordit. “U pyeta nga moderatori i takimit të jepja mendimin tim për Mesin dhe Ronaldon. Pa asnjë dyshim, dua të bëj të qartë se për mua Kristiano është në të njëjtin nivel me Leon dhe të dy janë lojtarë të jashtëzakonshëm. Kurrë nuk e kam pasur për qëllim të tregojë mungesë respekti ndaj Realit të Madridit, lojtarëve apo tifozëve të tij, jo vetëm sepse ky është një nga klubet themelues të FIFA-s, por sepse është një klub që e ndjek dhe e admiroj që në rininë time”.

 

Përfshirja e nipit në aferat me biletat e paligjshme

Në Brazil u arrestua një zyrtar i lartë i një kompanie hoteliere të përfshirë në aktivitetet me rastin e Kupës së Botës. Arrestimi kishte lidhje me hetimet që po bëheshin për shitjen e paligjshme të biletave të ndeshjeve. Zyrtari Rej Uelan u arrestua në hotel “Copacabana Palace” në Rio de Zhanejro. Uelan është kreu i kompanisë “Match Services”, një degë e së cilës ofronte shërbime hotelerie për korporatat në Kupën e Botës, duke përfshirë edhe bileta falas për ndeshje të ndryshme. “Krimi për të cilin ai akuzohet është se ka lehtësuar shitjen e biletave që shpërndahen nga ambulantët. Kjo shkelje dënohet me katër vjet burg. Ajo përfshin akuzën për bashkëpunim kriminal, sepse është lehtësuar shpërndarja e biletave tek ambulantët, të cilët më pas i shpërndajnë ato përmes rrjeteve të tyre”, – tha Fabio Baruke, hetues i policisë braziliane. Prokurorët thanë se emri i zyrtarit Uelanit përmendet shpesh në mijëra bisedat e përgjuara telefonike që çuan në arrestimin e 11 personave të tjerë të akuzuar për pjesëmarrje në këtë skemë. Policia thotë se pjesëmarrësit në këtë skemë nxirrnin nga 450 mijë dollarë për ndeshje me anë të shitjes së biletave që ishin planifikuar të shpërndaheshin falas. Filip Blater, nipi i presidentit të FIFA-s, Sep Blater, është president i një firme që ka interesa financiare në kompaninë e hotelerisë. Nuk ka njoftime se zoti Blater është i përfshirë në skemën e paligjshme akoma për këtë çështje.

 

Kandidimi për herën e pestë

Presidenti i FIFA-s, Jozef “Sep” Blater, bëri të ditur se do të paraqesë kandidaturën për një mandat të 5-të në krye të instancës drejtuese të futbollit botëror në vitin 2015. Ai u shpreh për gazetën zvicerane “Blick” se do të rivendosë kandidaturën e tij për postin më të lartë të FIFA-s. Zvicerani tha se mandati i tij po shkon drejt fundit, por misioni i tij nuk ka përfunduar ende. “Unë gëzoj shëndet të mirë, ndaj dua që të vazhdoj punën për konsolidimin e FIFA-s”, – theksoi Sep Blater.

 

Platini heq dorë nga kandidimi

Mishel Platini nuk do të kandidojë për postin e presidentit të FIFA-s në zgjedhjet që do të mbahen në maj të 2015-ës. Numri një i UEFA-s e komunikoi vendimin e tij në mbledhjen me 54 anëtarët e qeverisë evropiane të futbollit në Montekarlo, duke thënë se është i përqendruar për të çuar përpara projektin e tij në krye të futbollit evropian.

 

Figo: FIFA duhet reformuar rrënjësisht, gati për këtë sfidë

Në zgjedhjet e tjera, drejtuesi i FIFA-s do të ketë një figurë të rëndësishme të futbollit. Bëhet fjalë për Luis Figon. Ish-futbollisti i kombëtares portugeze dhe i Realit të Madridit ka zbuluar vendimin për të garuar për postin e presidentit të FIFA-s gjatë zgjedhjeve të këtij viti, ndërsa synon ta heqë nga froni liderin aktual. Afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave është sot, e enjte, me Figon që zotohet se tashmë ka siguruar mbështetjen e pesë asociacioneve të nevojshme. “Unë shqetësohem për futbollin, andaj ajo çfarë shoh sa i takon imazhit të FIFA-s, jo vetëm tani, por në vitet e kaluara, nuk më ka pëlqyer”, – ka thënë Figo për “CNN”, transmeton “Telegrafi”. “Nëse ju kërkoni FIFA në internet, fjalën e parë që shihni është: skandal, jo fjalë pozitive. Kjo është ajo të cilën duhet ta ndryshojmë të parën dhe të përpiqemi të përmirësojmë imazhin e FIFA-s. Futbolli meriton shumë më mirë se kaq. Unë kam biseduar me shumë njerëz të rëndësishëm në futboll, lojtarë, menaxherë, presidentë të federatave dhe të gjithë mendojmë se kjo është diçka që duhet bërë. Vitin e kaluar ishte Botërori, unë isha në Brazil dhe pashë reagim nga fansat sa i takon imazhit të FIFA-s dhe mendoj se diçka duhet të ndryshojë. Ndryshim në lidership, qeverisje, transparencë dhe solidaritet, andaj mendoj se është momenti për këtë”, – ka thënë portugezi.